Dr. DURIM ÇAÇA: "E VËRTETA" FIKSIONALE DHE “BOTËT E SAJ TË MUNDSHME” LETRARE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 20 min read

Lexim i “Fytyra tjetër e Dionisit”, roman nga Brajan Sukaj
Në një botë ku asgjë nuk është e përhershme, ne krijojmë artefakte të qëndrueshme. Çaste të shpirtit. Që shpresojmë se do të rrojnë përgjithmonë, duke mbajtur jehonën në dhjetëra vite që shkojnë. Disa, ndoshta, dhe po. Por ne vijojmë të krijojmë. Çdo projekt i ri përbën një mundësi për të shpërfaqur se çfarë vjen përmes teje. Edhe nëse nuk ka publik për ta pranuar, ne pwrpiqemi për të krijuar diçka dhe për t’ia shfaqur botës. Duke eksploruar horizonte të reja, mund të humbasësh disa nga mbështetësit apo dhe mund të fitosh disa të tjerë të rinj. Por ky është thelbi i artit. Nuk e bëjmë për qëllime të tjera, përveç se të krijojmë versionin tonë të së bukurës, duke shkrirë veten në çdo projekt, si akt dhurimi e përkushtimi. Ne japim më të mirën, sepse e shohim më të mirën sipas shijes sonë dhe të askujt tjetër. Ngaqë, siç shprehet Rik Rubin, ne krijojmë artin tonë që të banojmë vetë në të. Këto ndërmend, pas leximit të romanit “Fytyra tjetër e Dionisit” të romancierit tashmë të njohur Brajan Sukaj, (Toena, 2024, Tiranë), një vepër fiksioni e aftë të hapë një diskutim të thellë letrar kritik.
***
Në një vepër fiksioni mund të mendohet se shprehjet në narrativë kanë referencë vetëm së brendshmi, si elemente të një universi gjuhësor të vetëmbyllur, ngaqë në të gjitha strukturat verbale letrare, drejtimi i fundmë i kuptimit është së brendshmi, për shkak se, sipas David Davies, (“Estetika dhe letërsia”, 2025, Prishtinë), çështjet e faktit ose të së vërtetës, janë dytësore, në raport me synimin letrar parësor, që është krijimi i një strukture tekstore në vetvete motivesh të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Ndërkohë që shqetësimi ynë gjatë leximit të tekstit letrar, nuk lidhet me të vërtetën faktike apo të pavërtetën e saj, që projektohet në narrativë, por me atë që lexuesi vlerëson një fiksion të caktuar si të tillë, pa e konfonduar (ngatërruar) me jofiksionin e një vepre dokumentare, faktografike, autobiografike, kronike publicistike, etj.. Megjithëse, në raste të veçantë, ekzistojnë kushte që përkojnë krejtësisht me mënyrën se si janë gjërat në tërësinë e tyre në realitet. Ngaqë fiksionaliteti i një narrative varet nga mënyra se si funksionon, apo si është hartuar që të funksionojë.
Si është hartuar të funksionojë narrativa te “Fytyra tjetër e Dionisit”, fiksionaliteti i saj? Meqë në një fiksion artistik, është parakusht që të bëjmë sikur e besojmë përmbajtjen e narrativës, ngjarjen që rrëfehet, duke parë në të se ç’është e vërtetë në atë që rrëfehet dhe çfarë nuk është e vërtetë, ngaqë rrëfimtari mund të jetë vetëmashtruar, apo të mashtrojë lexuesin, apo të besojë në të vërtetën e “ngjarjes”, “stories”, të fabulës së rrëfimit të vet, te romani në fjalë, kemi rrëfimin e një protagonisti, të mbyllur në çmendinë, që e mban veten si “i zgjedhuri i Zotit”, për të realizuar planin e tij në tokë dhe meqë Zoti ka folur në gjuhën e njerëzve vetëm me simbole, protagonisti narrator në fjalë, si “i zgjedhuri” prej fuqisë supreme, ka aftësinë t’i interpretojë këto simbole, përmes imagjinatës së tij. Ngaqë, siç thotë Cioran, pas çdo errësimi të vetëdijes, provojmë diçka , si një lloj përshtypje të fundit, - brenda Zotit. Madje, ai e veçon veten e tij, si “i shenjuari”, përmes përdorimit të shkronjës së madhe te përemrat vetorë, dëftorë, pronorë të vetës së parë, (përmes këtij mjeti stilistik-grafik të gjetur të autorit), që i përkasin marrëdhënies së tij individuale. (Kujtojmë, me këtë rast, se vënia në qendër të narrativës artistike, të tipave të tillë asocialë, mizantropë, të çekuilibruar mendorë, delirantë, paranojakë, neurotikë, obsesivë, pra, nga margjinat e shoqërisë, është tipar i rëndësishëm i letërsisë së absurdit dhe postmodernizmit, (ku na vjen ndërmend, në këtë rast, trilogjia e famshme romanore të Beket-it, veçanërisht, me pjesën e tretë të saj, “E paemërtueshmja”, e që është një përçartje e pafundme gjuhësore e protagonistit, ku e pavetëdijshmja, e pandërgjegjshmja, del në sipërfaqe të jetës publike, si realitet i gjallë human i qenies).
Kujtojmë se alegorinë metaforike të rrëfimit të një të çmenduri, apo gjasmë të çmenduri, apo disidenti të pushtetit të mbyllur në çmendinë, me diagnozën e të sëmurit mendor apo psiqik, e kanë përdorur prej shekujsh, shkrimtarë të shquar, që te Kishoti marrok i Servantesit të famshëm, (për të përmendur, ndër shumë vepra, vetëm disa prej tyre,) duke vijuar me Gogol-in (monodrama “Ditari i një të çmenduri”), Flober-i, (“Rrëfimet e një të çmenduri”), Mopasan-i, (“Ditari i një të çmenduri”), Dostojevski-i, (“Idioti”), Nerval-i, etj., për të ardhur në letërsinë tonë, me një vepër të shquar si, novela “Odin Mondvalsen” të Trebeshinës, romanin e ditëve tona, “Secili çmendet sipas mënyrës së vet” të S. Çapalikut, etj., ku, pas “lojës” letrare, është “fshehur”, stilizuar, arti i ironisë, groteskes, sarkazmës, satirës.

Struktura narrative e rrëfimit, në romanin që po kundrojmë, është e ndërtuar si një autofiksion ndërthurur me të treguarit në retrospektivë të protagonistit, (një personazh fiksioni, krijuar prej imagjinatës së autorit)- ku motivet, ashtu si brengat e fajet janë të pranishme gjatë gjithë ngjarjes, si disa shpata Damoklejsh njëherësh, si një lloj refleksioni të tij personal mbi luftën dhe konfliktin, si një palimpsest, (tekst i mëparshëm, mbi të cilin shkruhet, rishkruhet, mbivendoset një tekst i ri, dhe kjo, natyrisht, teknikë e njohur letrare prej kohësh, apo si “zbulime” dorëshkrimesh të fshehtë, të panjohur, të mistershëm, tronditës, sensacionalë, por dhe të vërtetë, madje dhe të shenjtë, (Dorëshkrimi i Detit të Vdekur, etj.), si, bie fjala, për të përmendur vetëm një vepër të letërsisë së sotme, tashmë klasike, “Hija e erës” të Zafon-it, etj.. Në rastin e veprës sonë në fjalë, teksti i një dorëshkrimi, shkruar me makinë shkrimi, (në këtë kohë të kompjuterave) që flet për kujtime të luftës së fundit të Kosovës, të një ushtari të UÇK-së, që protagonisti rrëfyes në Tiranë gjen befas në shtëpinë e tij, mes dëftesash të vjetra shkollore e shkresah familjare të pluhurosura dhe që ai vendos ta rishkruajë atë faktografi të vërtete kujtimesh lufte të autorit të panjohur, që i duket i pavlerë, ngaqë vërtetësia e sinqeritetit dhe, përgjithësisht, njerëzit e sinqertë e bëjnë për të qeshur duke shkruar versionin e vet, me të cilin përmbys, zhbën dorëshkrimin origjinal dhe fillon nga e para, me dorëshkrimin e tij, duke nisur nga fundi i dorëshkrimit të të panjohurit që i duket “mizerabël”, në përmbajtje e vërtetësi, për ta modifikuar e korrigjuar, duke zëvendësuar idealizmat e kota të dorëshkrimit origjinal, me skepticizmin e vet, (f. 23), duke vënë ushtarin e panjohur të plagosur shqiptar të Kosovës, të kujtimeve të tij të “narrativës” së parë, të rrëfejë sipas manipulimit “kritik” të protagonistit tiranas që po shkruan dorëshkrimin e dytë, megjithëse ky, një njeri me ide obsesive, siç shprehet dhe vetë, ”Për luftën në Kosovë nuk dija asgjë dhe vazhdoj të mos di, edhe në këto çaste që po shkruaj”. Kështu, tekstura romanore autoriale e Sukajt, paraqitet si një “palimpsest”, mbishkrim, dorëshkrim, rishkrim mbi një tjetër, i një “autori” tjetër i cili, gjithashtu, rrëfen për një “protagonist lufte” që, po ashyu “bën” rrëfimin e tij, duke na u shpërfaqur, vepra në fjalë, si narrativë “sipërfaqësore” e një rrëfimi më të brendshëm, për një rrëfim të nivelit më të thellë.
Por romani, që po kundrojmë, projektohet dhe si një tekst letrar “provokues”. Kuptohet, çdo vepër e shquar arti, në vetvete, paraqitet si provokim jo thjesht vetëm estetik, stilistik, simbolik, etj., (estetikë kompozimi, stil shkrimi, teknikë të re shenjimi literariteti), por dhe në përmbajtje e frymë, në një kontekst shoqëror, si një shpirt kritik, reagim, kundërshti, kundërvënie, atakim, të një mendësie të vjetër, mentaliteti të prapambetur, në emër të një frymëzimi të ri idealiteti, moraliteti e progresi moderniteti. (Por jo doemos, vepra e shquar “provokuese” mund të shkojë me kritikën e vet të thellë deri në themele ndiesish etnike e popullore kombëtare të një shoqërie e atdheu historik).
“Provokimi” artistik, në narrativën që po vështrojmë, shpërfaqet kryesisht, (në plan të parë), në përmbajte, ndonëse vihet re dhe në atë estetik e stilistik, ku rrëfimi zbret në disa nivele, siç vumë re më sipër, nga ai autorial, me protagonistin haluçinativ fiksional, më pas, te rrëfimi i vetë këtij, si njeri me probleme perceptimi të realitetit dhe, akoma më tej, në një nivel të tretë, më të thellë, te rrëfimi i personazhit që krijon ky protagonist, me dorëshkrimin e tij të versionit të vet, (ushtarit të plagosur shqiptar, në kujdesin e vajzave sllave), në një ndërthurje, kështu, ndërkomunikimi e ndërveprimi tekstesh, të “faktikes”, “reales” së ushtarit rrëfyes, si “e vërteta” fiksionale e protagonistit obsesiv të cilit mendimet i dalin jasht kontrollit, siç shprehet vetë, gjë të cilën dhe e dëshiron dhe vetë, (sepse urren institucionet e kontrollit të mendjes, siç janë për të, shkolla dhe çmendina), gjatë shkrimit të “historisë” “njerëzore”, në luftën e Kosovës, përshkruar sipas versionit të vet të rremë, si dhe narrativa e këtij të fundit, me atë fiksionale të autorit, duke realizuar kështu, Sukaj, një hiperfiksion romanor.
Ky “provokim” letrar, në përmbajtje, shfaqet në disa rrafshe: Së pari, në karakterin e luftës së UÇK, qëllimet e së cilës, protagonistit të romanit, i duken pa vlerë: ideali i lirisë i duket banal, ai i paqes, i duket hipokrizi, ai i identitetit kombëtar i duket pa kuptim, “idealizma të tepruar”, ku, sipas të cilit, “kosovarët paraqiten si engjuj, ndërsa shkiat si djaj” dhe, në fund të fundit, ”të shndërruar në dhjetëra e qindra kafka, me identitet të humbur, si diçka tashmë pa rëndësi. Kosovarë e serbë janë gjëra që ngelen këtu, (sipër dheut). Poshtë kthehen në llomështi që i bashkohet gjolit dhe baltës, për t’u kthyer më pas në pluhur e, më pas, në asgjë”, (f. 29). Madje, sipas “rrëfimtarit” (romanor), lufta e Kosovës, paraqitet si “si një pamje post- apokaliptike, por, dreq o punë, ishte një luftë që nuk kishte më shumë se 15 mijë viktima”.
Së dyti, ‘provokimi” artistik, del te motivet e rreshtimit të një luftëtari shqiptar në radhët e UÇK. Ndërkohë që “dashuria për këtë tokë”, protagonistit narrator i duket një “motiv qesharak” dhe, sipas tij, ajo që e shtynte një individ të luftonte në radhët e UÇK-së, ishte shpirti i aventurës, i lavdisë personale si hero, interesi i përfitimit, nëse mbetej gjallë, për poste pushteti dhe, së fundi, dëshira (që mbetet “e burgosur” nga morali dhe ligji) për të vrarë dikë, pa çarë kryet për ndërgjegje dhe pasoja penale që, në një luftë, nuk ekzistojnë. (f. 39).
Së treti, “provokimi” për mizorinë e përbindshme të ushtarëve të UÇK-së, të cilët rrëmbejnë murgjërit dhe popullsinë civile të strehuar në manastir, (si një vend i shenjtë) dhe ku, pasi përdhunojnë dhe zhvirgjërojnë me egërsi, 5 vajza të vogla 13 vjeçe, duke i kaluar te njëri-tjetri, gjersa i përplasin për tokë, gjysmë të vdekura, urinojnë mbi murgjërit dhe më pas i vrasin bashkë me 40 civilë të paarmatosur e të pafajshëm, duke i groposur në një varrezë masive pranë manastirit në fjalë, ngjarje ndodhur, sipas “fiksionit” të “narratorit”, në Zoçisht të Rahovecit, pranë Gjakovës. Dhe më tej, ushtarë të “Çlirimtares”, djegin të gjallë një informator serb, pasi ia kanë plaçkitur gjërat me vlerë që kishte në xhepa, kryqin e artë, etj.. Mos vallë vërtetohet ajo që thotë Cioran, (në “Silogjizmat e hidhërimit”, Zenit, 2025, Tiranë) se ora e krimit nuk tingëllon në të njëjtën kohë për të gjithë popujt. Kështu shpjegohet vazhdimësia e historisë botërore.
Dhe, nga ana tjetër, humanizmi, dhembshuria dhe përkujdesja me dashuri e dy vajzave të reja motra jetime serbe, Jerina dhe Sasha, për ushtarin shqiptar të plagosur dhe braktisur nga komandanti i kompanisë së tij të UÇK-së, prindrit e të cilave i kanë vrarë luftëtarët shqiptarë dhe kryqet e varreve të tyre shihen nga dritarja në oborrin e vogël, para syve të tij, (ushtarit shqiptar të plagosur), teksa ky vë Jerinën dhe Sashën të shkruajnë “rrëfimin e tij”, në kontekst të “UÇK-së mizore”, meqenëse vetë është i pamundur, me dorën e tij të djathtë të plagosur, (për të cilën po e mjekojnë me dhembshuri, dy motrat e reja serbe, në shtëpinë e tyre), sipas dorëshkrimit që po shkruan protagonisti delirant, personazhi kryesor autorial i romanit.
Së katërti, një tjetër element që merr karakter provokues, është shfaqja e strukturave të fshehta shqiptarësh të Kosovës në Shqipëri, (që i japin romanit elementë të një thrilleri), që bëjnë kërcënime me armë dhe rrëmbime personash, për të mos lejuar që të ashtuquajturat “krime’ të UÇK-së ndaj popullsisë civile serbe apo kundërshtarëve politikë shqiptarë, të dalin si “të vërteta” publike, siç tregon personazhi -protagonist, që ka “korrigjuar”, “modifikuar”, sipas ‘versionit” të tij, “dorëshkrimin origjinal” ku, në vend të fitoreve, heroizmit, sakricave, martirizimit dhe lavdisë së UÇK-së, të “kujtimeve”, “autentike” të ushtarit shqiptar, pjesëmarrës në këtë luftë, të paraqesë “mizoritë” e këtyre luftëtarëve, sipas trillit të fiksionit të vet. Ndërkohë që të tjera struktura të fshehta, që telefonojnë në emër të Ukshin Hotit, (filozofit dhe ideologut të shquar modern të çështjes kombëtare të Kosovës, zhdukur prej shumë vitesh në burgjet e pushtetit shovinist të Serbisë, me vetmohimin e të cilit, gjithashtu provokohet, se mund të ketë ndryshuar bindjet e tij politike dhe të strategjisë kombëtare të çlirimit dhe pavarësisë, nga pushtimi sllav, “prej fuqisë ndryshuese të luftës”) dhe që i kërkojnë botuesit të botojë dorëshkrimin “e ri” të stisur e kontravers.
Dhe së fundi, “provokimi”, përmes këtij personazhi kryesor romanor neurotik, që autori e lë pa emër, ashtu si dhe ky lë pa emër ushtarin rrëfyes të luftës, të dorëshkrimit të tij, (të cilit, këtij protagonisti, “në netët pa gjumë, mendimet negative për jetën dhe botën i bëhen të forta, ngaqë demonët zgjohen në perëndim të diellit dhe kanë ndikim të fuqishëm te njerëzit dhe te ai si i zgjedhuri i Zotit”, (ngaqë në ëndrra, sipas filozofit të shquar rumuno-francez, të përmendur më sipër, na çalltis i çarturi që rri brenda nesh dhe q,ë pasi na ka kontrolluar gjatë netëve, dergjet në thellësinë tonë më të errët dhe nganjëherë e dëgjojmë tek gërhin në mendimet tona), liria, atdheu, kombi, nderi, i duken dhe janë, sipas tij, banalitete, idealizma pa vlerë, që e bëjnë të vjellë, kur dikush cilëson “si diçka apo dikë absolutisht të mirë, ndërsa diçka apo dikë tjetër, që është burimi i të gjitha të këqijave” nga që, ku ka konflikt, ka faje të ndërsjella.
Gjithashtu, si “provokim” mund të shihet dhe djegia, nga personazhi kryesor romanor, të dorëshkrimit të parë “autentik” të të panjohurit, me kujtime e këtij luftëtari pjesëmarrës në luftën e Kosovës, për heroizmin, sakrificat, vetmohimin e UÇK-së në këtë luftë, si dhe të humanizmit të saj ndaj popullsisë civile të etnisë tjetër, (dorëshkrim që është i njëanshëm, sipas tij, se përshkruan vetëm fitoret e saj), duke rivalizuar dhe shkruar dorëshkrimin e vet, me “objektivitet”, por sërish jo me paanësi, por përsëri të njëanshëm, (vetëm për krimet e UÇK-së), teksa kërkon që të mbetet vetëm ky dorëshkrim i vet fals e i gënjeshtërt, “si një rrëfim në retrospektivë” ngaqë, siç, thotë vetë “unë nuk di asgjë për luftën e Kosovës dhe jam bylmez në dije nga fusha e historisë”, duke paraqitur dhe shprehur ky “pseudo-autor” autorial i Sukajt, në mënyrë eksplicite, (haptas, tëdrejtpërdrejtë, pa nënkuptim), “mizoritë” e UÇK-së në luftë ndaj etnisë serbe, (duke rezonuar kështu, me akuzat e xhelatëve dhe gjakësorëve serbë për “krime”, gjer dhe të marrjes së organeve njerëzore të serbëve të rrëmbyer, të zënë rob, “në të ashtuquajturën shtëpia e verdhë” të një fshati pranë qytetit të Burrelit në Shqipëri, -fakte të paqena dhe trillime të Serbisë, me të cilat dështoi që të mbronte këto akuza dhe kryeprokurorja zvicerane e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, (1999-2007), Karla del Ponte, autore dhe e librit famëkeq, “Gjuetia”, (2008), si dhe raportuesi për Të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, senatori zviceran, Dik Marti, raporti i të cilit u miratua si rezolutë nga Këshilli Europian, më 2011, që çoi në krijimin e gjykatës së posaçme të Hagës, për të ashtuquajturat “krime” të UÇK-së, duke rezonuar dhe me gjyqin që po zhvillohet aktualisht në këtë gjykatë, në Hollandë, për drejtuesit kryesorë të UÇK-së”.
Kështu, pas “provokimit”, me romanin e parë për “moralin” e përbindshëm të një opinioni shoqëror të prapambetur, ndaj një një fëmije të lindur me fytyrën e deformuar prej sëmundjes së rrallë gjenetike të ciklopisë, (“Ciklopi”), për devizën e kohës sonë të “pranimit të tjetrit”, më pas, me veprën romanore për barbarinë e jetës fisnore të tribuve paraislamike të Mekës dhe vëllavrasjen për të mos lejuar një moral të ri human, (“Viti i Elefantit”), “provokimit” me prozën tjetër, për natyrën e lirë kontraverse e “mizore” të artistit të ri në kontekstin e një shoqërie të tjetërsuar të tëhuajëzuar, (bërë e huaj, për individët e vet) dhe stigmatizuese të Shqipërisë së sotme, (“I pushtuari dhe nata”), Sukaj “provokon” sërish, (këtë herë, edhe më guximshëm), me romanin, “Fytyra tjetër e Dionisit”, për moralin e luftës madhështore të Kosovës, përmes “antiheroikes”, çshenjtërimit, çidealizimit dhe deheroizimit të UÇK-së dhe luftës së saj epokale të kohës moderne shqiptare. Duke përdorur si mjet shprehës, mitologjinë antike greke, që në titullin e kësaj vepre, në trajtën e një alegorie metaforike, atë të Dionisit, perëndisë së vreshtave, verës, gëzimit, vallëzimit, të festave të hareshme, fytyra tjetër e të cilit ishte ajo e e kultit të mistereve, shfrenimeve festive ekstazash që shkonin gjer në orgji mizore vrastare, (të njohura si festa orgjish dionisiake, apo bakanale, sipas mitologjisë romake, (nga Bakus, perëndia analoge e kësaj mitologjie). Sukaj, jep në këtë mënyrë perceptimin që, pas fitoreve heroike, këngëve për herojtë, fanfarave të lavdisë, festimeve popullore përkujtimore të përballjeve heroike të UÇK-së, në beteja të përgjakshme, me makinerinë militare ushtarake serbe, shfaqet, (përmes “vështrimit” të protagonistit të tij fiksional romanor) dhe “fytyra tjetër” e UÇK-së, mes dehjes dhe vrundullimit të ekstazës së lirisë, ajo e delirit hakmarrës të krimeve dhe mizorive të saj, ndaj popullsisë civile serbe. (Sjellim ndërmend që Sukaj parapëlqen si mjete stilistike, simbolikën e miteve greke klasike, edhe në detaje të tjerë të kësaj vepre, si: Posejdoni, me sfurkun e tij tredhëmbësh, (jo i Dionisit, ndoshta, pasaktësi e autorit), një prej dymbëdhjetë perëndive të fuqishme të Olimpit, perëndia e deteve, i cili, në tërbim e sipër, godiste me sfurkun e tij dallgët duke krijuar stuhitë, (grafika e këtij sfurku jepet që në ballinë, me një të kuqe gjaku, shfaqet gjatë tekstit dhe përmbyll mbulojën e pasme të librit, si një alegori për UÇK-në që, me zemërimin e saj të verbër, godet dallgët e urrejtjes, për të ngritur furitë e plojës mbi popullsinë civile të etnisë tjetër); “anija e Tezeut”, heroit athinas që vrau minotaurin në labirintin e Kretës dhe, gjatë kthimit të lavdishëm, harroi të ulte pëlhurat e zeza të anijes për t’i zëvendësuar me të bardha, si fitimtar, gjë që shkaktoi vetëvrasjen e të atit, mbretit Egje të Athinës i cili, duke menduar se i biri ishte vrarë nga përbindshi, u hodh në det duke u mbytur dhe duke i dhënë emrin e vet këtij deti, (“pëhurat” e zeza të krimit të UÇK-së që “harruan” t’i zëvendësojnë me ato të bardhat, të fitores së saj të lavdishme të lirisë), kutia e Pandorës, (lufta e Kosovës që i shpërtheu haptas urrejtjet dhe planet vrastare ndëretnike), etj., etj..
Në pamje të parë, narrativa te “Fytyra tjetër e Dionisit” duket sikur rrëshqet e bie në humnerën e radikalizmit, me përpjekjen e autorit për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore, (radikale), të perceptimit të patriotizmit te shqiptarët sot, nga ai triumfal, sipërfaqësor, hymnizues, fluturak, lojcak, patetik, romantik, folklorik, gjer dhe demagogjik e ai sportiv të stadiumeve, tek vënia e ndiesisë së lartë dhe të shenjtë të atdhetarizmit, mbi truallin e ashpër dhe të përgjakur të realitetit të luftës. Ngaqë, në të gjithë veprën romanore në fjalë, nuk paraqitet në asnjë episod, në asnjë detaj, lufta e UÇK-së, (1998-1999), lavdisë më të madhe kombëtare të historisë moderne shqiptare, që u përball, në emër të atdhetarizmit dhe idealit kombëtar të lirisë, me makinerinë gjigante ushtarake të shtetit të madh të Serbisë pushtuese genocidiste, mes masakrave të saj ndaj popullsisë shqiptare civile (ku, ajo e Reçakut, tronditi gjithë njerëzimin), lufta e së cilës, mori pamjen e Luftës së 3-të Botërore, (sipas gazetarit amerikan, Thomas L.Friedman, gazeta “Tema”, 11 korrik, 1999), me pjesëmarrjen e 25 shteteve anëtare të NATO-s së kohës si dhe të Shqipërisë e Kosovës, kundër Serbisë agresore, të mbështetur prej Rusisë të pansllavizmit dhe që u quajt “lufta e parë e botës, për kauzën e humanizmit”.
Përkundrazi, i gjithë ky rrëfim-fiksioni, e kthen “përmbys” këtë epope, duke paraqitur në një raport të zhdrejtë (të barbarive e viktimave të një lufte) ku, një episod i veçuar e rastësor krimi të “Çlirimtares” shqiptare, (në Zoçishtë të Rahovecit, për të shpërfaqur, përmes këtij episodi, si shfytyrim, tjetërsim, poshtërim, përdhosje të përballjes së saj heroike dhe duke nxjerrë në pah “antihumanizmin” e kësaj ushtrie me vrasjet, përdhunimet, grabitjet, djegiet gjallë individësh të etnisë tjetër, masakra ndaj popullsisë civile serbe, sipas kësaj narrative fiksionale letrare, duke mbuluar dhe errësuar kështu, gjithë lavdinë e madhështinë e luftës së saj atdhetare për lirinë kombëtare, ashtu si, në anën tjetër, një episod i veçuar e rastësor humanizmi i dy vajzave sllave, me mjekimin dhe dhembshurinë e tyre ndaj ushtarit shqiptar të plagosur e të braktisur nga komandanti i vet, duke mbuluar dhe errësuar, po ashtu, gjithë genocidin e përbindshëm dhe lemerinë e masakrave të paramilitarëve serbë ndaj popullsisë civile shqiptare, sipas faktografisë dokumentare dhe raporteve zyrtare të dhjetëra varrezave masive e mijëra të zhdukurve, të bëra publike botërisht, si një perceptim të fajësisë kolektive të çdo populli që është palë ndërluftuese me një tjetër, në një konflikt lufte, një fajësi që është, sipas autorit, e ndërsjellë. Ashtu si në një mozaik, pamjen e imazhit e ravijëzojnë, (qartësojnë), jo vetëm gurët e bardhë, por dhe ata të zinj.
Por të gjitha këto “provokime”, “ekscese” letrariteti të veprës që po vështrojmë, neutralizohen, marrin pamjen e së pabesueshmes, të së pavërtetës, të stisjes, ngaqë materializohen si tekst trilli fiksional të një protagonisti që djeg dorëshkrimin tjetër, sepse vetëm ai i tij duhet të jetë i vetmi që duhet të lexohet në botë dhe jo i vërteti, reali, faktiku, i kujtimeve të ushtarit të UÇK-së, i mbushur me naivitetin e nacionalizmavei që janë të destinuara të zhduken me kohën, për të kaluar në një lloj paanësie pragmatike disi skeptike, shenjë e një integriteti shumë më të madh se cektësia e bindjeve të përgjithshme të masave të gjëra), nga që protagonisti, që është vetë një njeri me ekscese morale e sociale në marrëdhëniet familjare me babain e vet, (të cilin e urren pse ai qan për çmendurinë e të birit) dhe në jetën shoqërore, si një individ obsesiv, psikopatik, haluçinant, paranojak, (kur, bie fjala, teksa ecën në rrugët e zbrazëta, ndihet i vëzhguar prej mijëra syve të fshehur nëpër kosha plehërash, pas pemëve, në tarracat e pallateve, gjer dhe te retë në qiell që kanë marrë pamjen e syve të stërmëdhenj). Siç shprehet dhe vetë, më tej: “Më dukej vetja sikur isha brenda mureve të sertë të një makthi...Si peshqit e përbindshëruar në errësirat e thella të deteve, ashtu ndodh dhe me thellësitë e mendjes. Askush nuk e di me saktësi se ç’përbindësha jetojnë andej...Më tepër se dritën lëbyrëse dhe verbuese kudo, dua errësirën, me atë të zezën e domosdoshme që, ndoshta, çuditërisht për ju, do ti jepte kuptim jetës Sime...Duke sprovuar kështu, kjo prozë estetizimi të epërm, lexuesin e kultivuar, për dallimin intuitiv prej tij, të një narrative që është fiksionale, paraqitur “vërtetësisht”, në formën e një “dëshmie faktike”, nga një narrativë tjetër që një komunitet lexuesish e trajton si, apo e beson që është jofiksionale, shtjelluar në formën një tregimi të vërtetë të një episodi tragjik historik lufte të një subjekti veprues real ushtarak të kohës, duke perceptuar kështu ato që marrim si të vërteta për botën reale dhe jo të vërtetat derivative që përftohen prej tyre e që duken të papranueshme, të çuditshme apo thjesht fantaziste.
Sukaj ndjek kështu, dhe në këtë prozodi romanore, të njëjtin “lejtmotiv” frymëzimi krijuesi të artit të tij, atë të problemit të fajit dhe të raportit të tij me drejtësinë, tematizim i njohur në letërsinë europiane, me “fajësinë kolektive” të Falada-s, Bël-it, apo Kunderës, ndaj diktaturës naziste apo asaj komuniste, “fajësinë universale” të Kafkës, etj., “lejtmotiv” që e gjejmë që te romani i parë i këtij shkrimtari të ri, me fajësinë e një komuniteti mizor dhe të “drejtësisë” së tij, duke dëbuar fëmijën, më pas, në veprën për fajësinë e tribusë së prapambetur arabe, dhe “drejësisë” e tij duke vrarë vëllain e vogël që kundërshtonte trajtimin çnjerëzor të vajzave dhe grave të tyre dhe luftonte për një moral humanist, si dhe me romanin tjetër, të fajësisë së shoqërisë së sotme antihumane shqiptare dhe “drejtësinë” e saj për ta lënë “jetim”, vetëm, individin e vet, në “egërsinë” e realietit pseudodemokratik, me fatin e tij vetjak e familjar tragjik, (madje, në gjyqin formal për vrasjen e të birit të tij të adoleshent, nga shoku i shkollës që e implikon në një rrjet prostitucioni, i shpreh dhembshuri vetëm një kinez), etj.. Te kjo narrativë e re, që po kundrojmë, fajësia, paraqitet e lidhur me “drejtësinë” mizore, me ndjenjën e përgjegjësisë që i jep asaj një domethënie morale, pra, një faj që bie mbi vetë subjektin e veprimit, për më tepër që ky subjekt e ka të pamundur të gjejë veten te një veprim i tillë dhe e flak jasht vetes si një faj ngaqë, në vend që ky subjekt, (individ, ushtri, popull), të kryente aktin, gjestin, sjelljen, manifestimin humanist që pritej prej tij, ka ndodhur e kundërta, subjekti veprues ka bërë atë që, nga ai, nuk pritej kurrë.
Narrativa të tilla të vërtetash fiksionale “vetëkritike”, “autoreferenciale negativizmi”, “vetëdemaskimi” të etnisë së vet, etj., janë të njohura dhe në letërsi të tjera, veçanërisht te autorët disidentë, me guxim heroik, për të cilin merrnin përsipër dhe “haraçin” e hidhur të persekutimit nga sisteme diktaturash në fuqi, si, bie fjala, A. Sollzhenicin, me “Arkipelagu Gulag”, etj., por po mjaftohemi për të përmendur një vepër letrare, ndër më të fundit, romanin e shkrimtarit të njohur të Serbisë, Vuk Drashkoviç, “Murgu Hokaj”, (Beograd, 2023), ku snajperisti serb, Simoni, pasi ka marrë pjesë në krimet ndaj popullsisë civile në Slloveni, Kroaci, Hercegovinë, po vret çdo ditë në Sarajevë, të moshuar, gra, fëmijë te çezmet, ku vijnë të mbushin ujë për mbijetesë, duke e çuar numrin e viktimave, vetëm të tij, me “krenari”, në disa qindra, gjatë rrethimit të tmerrshëm disavjeçar të kryeqytetit të Bosnjes, (1992-1995), prej ushtrisë serbe, mes të cilëve vret dhe të dashurën e vet, bashkë me djalin e tij të vogël, duke vijuar më pas me krimet e tij personale të përgjakshme në Kosovë, gjersa zhduket për t’u fshehur prej shumë vitesh, për t’i shpëtuar drejtësisë në një manastir të Ukrainës ku, në një depresion të thellë, shprehet se nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë që të mundë të zbutë mëkatin dhe fajin e tij, etj., etj..
Autorë të tillë të një idealiteti të lartë, zakonisht, janë të anatemuar, të mallkuar, të poshtëruar nga grupime ekstremistësh nacionalistë të çdo vendi, edhe pse, në të vërtetë, me këtë kurajo dhe guxim artisti ata, para së gjithash, hapin horizonte të tjera këndvështrimesh, të ekseseve të një shoqërie, në nivele të thella kulturore e shpirtërore humane. Ndaj, veprat e tyre letrare, shihen jo vetëm si një element emancipimi të shoqërisë së kohës, për pranimin e një të vërtete, sado e hidhur të jetë, por dhe si një përmasë civilizimi për të parë historinë dhe ngjarjet e saj, në dritëhijen e tyre, si një pastrim ndërgjegjeje, ndjese morale, për ngritjen lart të dinjitetit të kombit të vet.
Sepse letërsia është, para së gjithash, art dhe, sipas studiuesit Hajro Emiri, (“Peizazhe të fjalës”, 26 nëntor, 2025), “një kronikë ngjarjesh, me temën e hebrejve në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë, te “Dielli në mërgim” të Ani Ëilms, nuk mjafton për ta bërë një rrëfim art, pa njohje të kontekstit letrar dhe pa guxim e inovim; apo te romani tjetër, “Jam mysliman” të Ben Blushit, me temën e tij, (çështjen e pakicave fetare që rrezikojnë liritë tona), nëse ka apo nuk ka të bëjë me letërsinë, si formë arti dhe vepra në fjalë ngjan me një traktat publicistik të letrarizuar apo të një lloj letërsie të aplikuar; apo një tjetër roman “të bujshëm”, si dy të parët, (që kanë përfshirë opinionet televizive dhe komentet e portaleve, pas Panairit të madh të Librit të këtij viti), “Të poshtëruar” të Lea Ypit që, siç e paraqet dhe vetë autorja, është një reflektim filozofik, historik, letrar, të përballjes të së sotmes, me të shkuarën dhe që ngjan më shumë paraqitje e një vepre eseistike, se sa romanore, për të përmendur vetëm tre publikime të fundit që po “kanë jehonë” si “arritje” të sotme “të rëndësishme” të letërsisë sonë, ndërkohë që pak, ose aspak kanë lidhje me artin e saj. Sepse karakteristika kryesore e një vepre të shquar, është qasja estetike, ngaqë letërsia, që të jetë formë arti, sipas studiuesit në fjalë, fillon atje ku mbaron tema dhe është forma ajo që na ndihmon të dallojmë veprën e mirë, nga ajo e keqe, artin nga jo arti, talentin nga oportunizmi.
Autori ynë i guximshëm ka realizuar formën e artit të kësaj vepre narrative përmes ndërthurjes së të shprehurit eksplicit, (të hapur, të drejtpërdrejtë, të qartë, pa ekuivok) të rrëfimit të protagonistit autorial dhe akoma më thellë të rrëfimit të personazhit që krijon ky protagonist obsesiv fiksional, gjatë shkrimit të versionit të vet fals, të stisur prej atij vetë, për luftën, pa marrë kurrë pjesë vetë në atë luftë, (pra, të ndërthurjes së këtij hiperfiksionaliteti), me atë të shprehurit (komunikimit) implicit, (të pafjalësuar, që nuk thuhet drejtpërdrejt, që është e nënkuptueshme, që kuptohet vetiu), ku fitoret e njohura e të ditura gjerësisht (të përjetësuara në qindra vepra arti dhe përmendore publike të herojve) dhe lavdia e UÇK-së, kanë dhe hijen e errët të ndonjë episodi krimi.
Të shprehurit implicit që është në këtë vepër dhe deviza morale aristike autoriale se, në një konflikt të përgjakshëm popujsh, nuk ka që, njëra palë të jenë vetëm engjëj e pala tjetër, të jenë vetëm djaj, por ka një fajësi e padrejtësi të ndërsjellë, të përbashkët që, në pjesën më të madhe, natyrisht, i përket agresorit, dhe ajo, sadopak, rastësore dhe episodike, viktimës. Kjo ndërthurje e shprehësisë eksplicite me atë implicite, përbën shenjimin artististik, literaritetin estetik të kësaj vepre. Ngaqë letërsia, siç përmendëm dhe më parë, është formë arti, ndërkohë që ideologjia, politika, historia, sociologjia, etj., janë thjesht kontekste të kohës e hapësirës të një vepre artistike.
Sipas poetit dhe shkrimtarit R. Marku, (“ExLibris”, 22 nëntor, 2025), “Fytyra tjetër e Dionisit” “është shkruar me mjeshtërinë e e një romancieri të madh, të pjekur dhe të rrahur me përvojën e shkrimësisë profesionale. Romani, ashtu si gjithë letërsia e mirë, është kontravers dhe do të bëjë t’i rudhin paksa buzët, fort të ndershmit patriotët tanë të shenjtëruar dhe patetikë…duke eksploruar në një mënyrë të re të vërtetën historike, identitetin, ndërgjegjen dhe natyrën e realitetit. Një roman që pret lexuesin e mençur e human”.
Por, duke eksploruar horizonte të reja, një shkrimtar, siç thamë në krye, mund të humbasë disa nga mbështetësit apo dhe mund të fitojë disa të tjerë të rinj. Por ky është thelbi i artit. Ai nuk e bën për qëllime të tjera, përveç se të krijojë versionin e tij të së bukurës, duke shkrirë veten në çdo projekt, si akt dhurimi e përkushtimi. Sepse një shkrimtar jep më të mirën, duke e parë më të mirën, vetëm sipas shijes së vet dhe të askujt tjetër...









Comments