top of page

DOCENT BAJRAM XHEKO NË NJË KUJTIM ….


DOCENT BAJRAM XHEKO NË NJË KUJTIM ….

- Ne u rritëm në Pyje dhe u bëmë sinonimi i tyre dhe ato sinonimi ynë !...


…………………………………….NGA SPASSE THANASI

Audititori, që i ka udhëhequr me frymën jetësore se puna dhe shërbimi pyjor të jetë një “investim” për brezat që vijnë dhe mjedisi i punës – pylli, me natyrë të artë dhe paqe në shpirtë, i kanë “gatuar” specialistët e shkencëtarët e pyjeve me një jetë aktive e të gjatë…. “Altari i gjelbër” i ribashkoi specialistët, i ripërtëriu energjitë dhe sot kemi një libër të tërë me ish-pedagogun e Silvikulturës dhe Dekanin e Fakultetit të Pyjeve Docent Bajram Xheko si komunikim e ura lidhëse mbi problemet shqetësuese të pylltarisë shqiptare….

Përmes një përshkrimi në veprimtari botuese me tekste mësimore për studentët dhe një sërë artikujsh shkencor në Buletinin e Shkencave Bujqësore, në revista e gazeta dhe së fundi në librin emblematik : “Pylltaria shqiptare ndërmjet të djeshmes dhe të ardhmes”(2021), produkt i punës 40 vjecare të profesorit erudite e të palodhur kurrë me punën e profesionit të vështirë, që kërkon sakrificë e ndjeshmëri maksimale, professor Xheko “udhëton” si pylltar që nga Fushë – arrëzi më 1954, student në Universitetin e Brashovës në Rumani, inxhinjer pyjesh në Peshkopi, Dibër, Mat, si pedagog në Universitetin Bujqësor ( Fakulteti i Shkencave Pyjore) dhe deri si mërgimtar në Kanada, larg atdheut.

Ne menjëherë e bëmë pjesë të librit me kujtime mbi Universitetin, profilin pedagogjik e shkencor të Profesorit të nderuar që mbart vlera e vyrtyte njerëzore që nga koha në Fakultet.Në saj të një kujtese të jashtëzakonshme ai sjellë kujtime që kur filloi shkollën e mesme pyjore, si teknik shfyrtëzimi në Sharrat e Pukës deri në ditët e sotme. Ai kujton me emra e mbiemra shumë student dhe kolegë, shumë toponime të Zonave të ndryshme të vendit ku ai ka punuar apo ka shkuar si vizitor…Kujtimet, ngjarjet e rrëfimet me anë të letërkëmbimeve, marrin udhë me përshkrime poetike në kohë e hapësirë, aq sa futesh në vorbullën e tyre me një dëshirë e frymë dhe del prej faqeve të tyre entuziazt, i gëzuar e plot kënaqësi shpirtërore e profesionale.



Profesori i kualifikuar Bajram Xheko ecën nëpër “shkallaret e jetës” dhe ndjek kohën e tij intensive, vështron natyrën, tokën, njerëzit dhe mënjanon dilemat, përjetimet e ndjeshmëritë e skajshme duke krijuar e formatuar mirë “mozaikun historik” të pyjeve tona dhe profesionin e pylltarit. Pulsi i kohrave të ikura nuk ka ndryshuar tek ai, vazhdon “rrugëtimin biblik” të pedagogut që ka përball vetes gjithmonë një ekuacion grishës me variante pambarim si të Vladimir Suljotit të matematikës…Ai rri mes kolegëve, mes miqve e studentëve të dikurshëm duke ringjallur “difektin” e përsosmërisë që sytë marrin nga larg…

Si në një film,me vlagën e pasionit dhe dashurisë për pyjet, me tablotë romantike të Chitita-s, ai na sjell një silvikulturë të mirëfilltë kombëtare: ahishtet e Masdejës në Macukull, pishat e bukura të Lurës, pishat e ahishtet e dendura të Arrnit, pishat e Fanit, të Zall-Tërnovës, Qafë Shtamës, pyjet e ahut në Selishtë, në Bizë, në Cukal e Vermosh, në Kolosjan, ahishtet”hambar” në Stravaj e Bishnicë, (tamam si dikur fushat me grurë të Myzeqesë,ato ishin prodhuesi kryesor i lëndës së drurit të ahut prej shume vitesh e dakada); pishat e larta të Ballabanovës dhe bredhi 900 Ha i Drenovës,(një bukuri e rrallë në arsenalin e përhapjes së tij natyrore) apo pishat e Llogarasë,që i japin jetë malit shkëmmbor etj…Mbeten të pashlyeshme nga kujtesa e tij bukuritë e rralla e shtrirja gjeografike e sipërfaqeve të mëdha të pyjeve më të mira të Shqipërisë,ato të Pukës dhe të Fushë –Arrëzit, si “minierat e vërteta të arit të gjelbër”, ahishtet e Livadh – Hamzit e eri poshtë në zonën e Fushë – Arrëzit me pishat biotipe më të bukurat dhe më prodhimtaret të zonës së Tucit dhe që janë nga më të mirat në arealin e përhapjes natyrore të pishës së zezë si specie….Pastaj pishat e Qafë –Malit e të Lajthizës deri në Shënmëri dhe sidomos pishnajat e Kryeziut që mplekseshin me drurët e ahut e vazhdonin pothuajse deri në Iballë…Profesor Bajram Xheko është i pari inxhinier pyjesh nga Shqipëria që është ftuar në SHBA në vitin 1991 ku ka prezantuar gjendjen e pylltarisë shqiptare në fillimin e viteve 1990 dhe është paraqitur gjithashtu në dhjetra referime në takimet apo konferencat ndërkombëtare mbi pyjet dhe zhvillimin e silvikulturës shqiptare…

Kujtimin e tij unë e quaj “ujëvarë që rrjedh” dhe nga stërkalat e jetës së kësaj fryme ajri kozmetik, unë fokusoj “lëvizjen e tij atlantike” dhe dashurinë e reflektimit përmes botimit të librave me imagjinatën e vërtetë.Libri memorial i Universitetit Bujqësor do të ishte i paplotë pa figurën e profilin e profesorit të nderuar Bajram Xheko, me të cilin unë kam ndarë caste të këndshme e buzëqeshje fisnike në ambjentet studentore të Kamzës, kur ai ishte një “lis” i fortë në drejtimin e Fakultetit të Shkencave Pyjore, shumë pranë godinës së “Qendrës së Zërit” dhe redaksisë së gazetës “Studenti i Bujqësisë”.

Fakulteti i Shkencave Pyjore, i themeluar më 1959, kishte një traditë të bukur në metodën e mësimdhënies e të praktikave profesionale nëpër rrethe e Zona të ndryshme të vendit, sic ishin malësite e Sopotit dhe Hotolishtit Librazhd, në Fushë – Arrëz apo në Lurë. Dekanët e tij,njerëz “vipa” me një dashuri të madhe profesionale e pedagogjike, nxitën studentët drejt hapave të mëdha për punë dhe shkencë dhe ekselentë të tillë të përgatitur prej tyre ishin Ing. Haki Kola, Ing. Janaq Male, Ing.Ahmet Mehmeti, Ing. Selman Mëziu, Ing.. Gjon Fierza, etj

I atyre “viteve të lavdishme e historike” është edhe kjo foto e Dekanëve Llazar Treska, Agron Reka e Bajram Xheko,që me shkëlqimin e tyre fisnik mbetën“emblemë pedagogjike”në Universitetin Bujqësor në Kodër-Kamëz. Ata nderuan Universitetin, i dhanë imazhin historik për brezat e studentëve, i dhanë emër e prestigj ndër institucioneve publike të arsimit të lartë në Shqipëri. Dhe Universiteti i nderon ata në cdo përvjetor jubilar dhe festë të dijes bujqësore. Kujtimet tona i adresohen edhe figurës së tyre në profesion dhe shkencë, duke asimiluar në mënyrë aktive vlerën e vyrtyteve njerëzore dhe dobinë e dijes në ndricimin e jetës…

(Pjese nga libri “ Monumenti i Dijes” ( 2021)

61 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page