POEZI
ARTUR SHEMAJ
Ajo larg botës, të jetosh,
Këtë ta mundëson…
Nga fillimi në fund, s`mund t`i shkosh
Të shohësh,çfarë tek ajo gjallon.
Se aq sekrete mbi vete mban,
Kaq fektime,dridhje, pasione
Sa nganjëherë me një humnerë të ngjan
Ku shfryjnë njëqind demonë…
Pastaj vjen kaq e pafajshme
E brishtë si një fije bari,
Por bëhet e sertë e mban alarme
Si në një furtunë janari…
Sa shpesh kështu më ka gënjyer
Dhe u pëlqeva të gënjehem,
Se është i vetmi djall i parrëfyer
Që më bën të mallëngjehem…
RETË
Ikin retë horizontit të fshehtë
Varganë ,varganë,kuaj në shi,
Kokulura,ndonjëra se
Shikon, shoqen përbri.
Ndonjëra matet të shkëputet
Nga kjo shoqëri resh,
Po veten sheh si tutet
Nga kjo shkëputje e beftë…
Më mirë me shoqet të përzihem,
Psherëtin ajo dhe kthen,
Edhe pse s`don të shkrihet
Në këtë horizonte jerm…
MBRËMJE…
Mbrëmja gjithnjë m`i vjedh hapat
Sa bëj të nisem për tjetërkund
Ajo më çon në një rrugë të largët
Në vendlindje,si një çadër që shiun shkund…
Dhe sa kam ftohtë në këtë çast,
Në këtë mbrëmje të qetë verore
T`i kthem të të shkuarës pa një kast
Veç drejtpërdrejt,dhe jo tërthore…
Po sa ngatërresa dhe pengesa
Vijnë në këtë hapësirë të zbraztë
Sa mbushet mbrëmja plot ankesa,
Sa edhe muzgu s`mund ti mbartë…
GUACKË E EGOS
Themelet e jetës janë prej graniti
Ose tokë e lëvizshme,
Po shpesh ato në ferr i zbriti
Kjo ego e pafisshme…
Sa dyfytyrësi e poshtërsi
Sa anth e makth dhe trishtim
I mbështjell në guackë ti
Guacka bën sikur ndrin…
Atëhere, kur me këmbë fati
Ty në humnerë të hedh
Ti e nxjerr thelbin nga guacka
Dhe thelbin kush s`ta mbledh…
SHESHI “SKËNDERBEJ”
Sheshi me një monument
I mbledh njerëzit për tek Ai
Dhe njerëzit kthehen plot me shend
Frymëzuar me krenari…
Sheshi ndërtuar si një kodër
I ngjan guackës pa elips,
Dhe mund të rrëshqasësh pa u mbrojtur
Në ca pllakëza porsi gips…
Ç`mundim i madh të shkosh ta takosh
Njeriun që shenjon Shqipërinë,
Ndoshta kastile e ndërtuan
Ata që në histori s`do rrinë…
Gjersa i madhi Skënderbe
Me shpatë tij ti presë gungën
Të shkohet pa u lodhur tek Ai
Që kurrë s`e humbi rrugën…
Buzëqesh aq ëmbël vargu i poetit Artur Shemaj, lexuesit i këndell, zemrat ua gufon, se vetë Arturi buzëqeshjen e ka si një derë të hapur të një shtëpie bujare, prej nga duket sikur një thirrje tutje drejton:
Buzëqeshni, o njerëz, largojeni trishtimin, gjeni vetveten për të siguruar aleat besnik gëzimin.
Eshref Ymeri