top of page

DIVERSANTI



Isha ulur te krevati dhe librin e kisha mbështetur te parvazi i dritares. Nuk doja të hapja dritën. Të kursenin edhe ca. Paçka që i tendosja sytë të dalloja shkronjat... Kështu më këshillonin të shtëpisë. Kishte akoma pak dritë jashtë pas perëndimit të diellit. Kursimi nuk na dëmton thoshte edhe xhaxhai që e kishte shtëpinë ngjitur me ne. Tani kishte ardhur të pinin bashkë me gjyshin kafen dhe të bënin një copë muhabet. Bri oxhakut ata rufisin kafen dhe bisedonin ngadalë të mos më shqetësojnë. Po xhaxhai harronte dhe herë pas here e ngrinte pak zërin. I tregonte për diçka të frikshme që i kishte ndodhur mbrëmë kur u kthye vonë nga qyteti. Xhaxhanë e dija trim,por zëri tani i mpihej kur tregonte për rastin e mbremshëm. Tendosa më mirë veshët. -Nuk e kuptova se si iku koha dhe më gjeti muzgu në të dalë të qytetit. Pastaj në qafë xuk i plotë. Errësira të shponte sytë. Tek mora të tatëpjetën, pak metra më poshtë kur rrimë e çlodhemi ndonjëherë, ti e di, sikur ndjeva të më ndjek diçka nga pas. Më kaluan ca mornica në trup. Ndjeva padashur një frikë. Një kalë i bardhë me një fener mbi kurriz.Çudi, kali ishte pa të zotin dhe pa samar.Nuk ishte më shumë se 10 hapa prapa meje. Ndalova. Një ndjesi e çuditshme, frikë, ankth dhe habi. Nuk di si ta shpjegoj. Fërkova sytë. Ai u zhduk.Fillova të eci prapë. Përsëri hapa pas meje. Nuk doja të ktheja sytë, por.. Ishte përsëri kali me fener mbi kurriz.Ndjeva një lloj paniku për atë mister. Të dridhurat m’u shtuan. Nxitova dhe herë pas here ktheja kokën prapa, por ai nuk më ndoqi më. Gjyshi e dëgjonte me vëmendje, i menduar, duke rufitur ngadalë kafen. Duke lënë filxhanin mbi oxhak, ia ktheu xhaxhait. -Të thashë, mos udhëto natën. Nata është e djallit dhe e hajdutit. Pasoi një heshtje e shkurtër. Pyeti pastaj gjyshi: -Në ç’vend të doli? -Sa zbresim qafën e malit, te Koka e Priftit. -Aha- ia bëri gjyshi,-atje therën tre burra nga fshati komshi. I thirrën në qytet të firmosin një ferman që fshati i tyre të bëhej çiflig i beut të qytetit. Ata nuk pranuan. I hëngrën me pabesi. Kur po ktheheshin , u kishin zënë pusi. I therën si bagëti. Ndofta... gjaku... shpirti..është aty.. Unë padashur kisha kthyer kokën. Dëgjoja e dridhesha nga frika duke dëgjuar historira të tilla të shfaqjes së këtyre fantazmave. E rrotullova kokën përsëri nga dritarja sikur s’kisha dëgjuar gjë. Gjyshi më vuri re. I hodhi sytë xhaxhait dhe i foli me zë të ulët: -Lëre, lëre, na degjon djali dhe trembet. Të tilla historira dëgjonim shpesh. Djajtë dalin natën, kanë kohën e tyre... thoshte gjyshi. Kanë strofkat e tyre në lugina dhe përrenj të thellë. Apo s’kishte fshati ynë përrenj të tillë. Na zinte frika natën kur errej dhe ne s’kishim gjetur lopën. Kur e gjenim dhe ecnin njëri pas tjetrit, sikur merrnim guxim. Na dukej se ajo do të na mbronte nga djajtë dhe fantazmat... Dhe Ngjeloja, një burrë i moshur, me kokën e tij të madhe që besonte shumë, nga lagja matanë, na e nxiste fantazinë mëkeq. Me djajtë që dalin natën në përrenjtë, fantazmat që lëvizin, kur kalon ora 12... -E keni venë re natën ca drita të verdha në varreza? Mblidhen edhe bisedojnë edhe ata. Dhe na përmendte gjithmonë rastin e Marigosë -E patë si i morën mendtë Marigosë Moirat e Malit? Kish vajzë me të bukur e më punëtore se ajo fshati ynë? E gjetën një mesditë ku vapa thërrmonte gurët, këto moirat lart në mal tek mblidhte sherebel dhe e marrosën. Ajo zbriti atë ditë mes vapës duke kënduar. Fshatarëve u erdhi shumë keq, Që atë ditë ajo del pllajave e këndon duke kërkuar të dashurin e saj. Ne i dëgjonim dhe ktheheshim në shtëpi me ato mistere të panjohura që i quanin fantazma, moirat, e malit, djaj... Misterit të fantazmave në vegjëlinë time iu shtua edhe një gogol tjetër. Filloi të qarkullojë një fjalë pak e çuditshme. E kishim të vështirë edhe ta shqiptonim.Gogoli i ri kishte emrin diversant. Veçse këta nuk ishin fantazma. Kështu thoshnin.Ishin burra me thika, kobure, bomba dhe mina. I mbanin në brez. Për të shkatërruar e vrarë njerëz. Ishin si egërsira. Nuk pyesnin as edhe për fëmijë. Kështu thoshnin.Dhe ata si fantazmat: dilnin natën. Therrin njerëz, vënë mina në ura, djegin shtëpi... Ne për fat të keq kishim afër hidrocentralin.’’Duan ta hedhin në erë hidrocentralin’’- na thoshnin. Kishim bërë edhe një tregim në klasën e tretë për Nikun e vogël që e therën diku në Veri.Ankthin na e shtoi një ditë edhe Bili, i cili, shpesh herë, shoqërohej me policin e zonës.Ai hapi lajmin në fshat se u kap një diversant i cili donte të hidhte në erë hidrocentralin. Bile do të vriste në një miting edhe të Madhin tonë. Zgjohesha ndonjeherë i llahtarisur natën. Si përbindësh më dilte diversanti siç e përfytyroja. Bertisja në gjumë i trembur. Bile gjyshi më vari në qafë një si hajmali. Të mos më shkelin Hijet,- thoshte. Frikën më të madhe e kisha për babanë. Ai punonte në hidrocentral dhe shtëpia jonë ishte një orë larg. Mirë turni i parë dhe i treti. Po i dyti? Ai kur kishte turnin e dytë vinte në mesnatë në shtëpi. Kur s’kishte hënë, babai përdorte për të ndriçuar rrugën një pishtar. Si ato që shikoja në filma në kështjella. Veçse babai im e bënte me lecka. Ishin lecka që i përdornin për të fshirë duart nga vajrat e turbinave. Dhe ato me frikë mos e spiunonte kush. Dhe ç’bënte babai im? I lidhte në majën e një resteli të gjatë dhe i ndizte.Por unë kisha frikë se mos diversantët e shikonin dritën dhe i zinin pritë. Bile edhe ai, megjithse nuk e tregonte, ndjente një lloj ankthi e pasigurie.Dhe këtë ankth e shtonte ajo fjalë e përdorur kaq shpesh:vigjilencë...vigjilencë... Një natë, tek ndërronte kanatjerën e djersitur nga rruga, i tregonte nënës,( mua s’më kishte zënë gjumi), diçka për të qeshur, por që i kishte sjellë një ankth frike -Kishte hënë sonte. As më hynte në punë pishtari. Tek afrohesha tek burimi ku janë korita për ujë për bagëtitë, te Vulina, pashë diçka të zezë të shtrirë.Ndalova hapat. Dukej një njeri me një kapotë mbuluar. Kështu m’u duk mua.Ç’është e verteta u tremba pak.“Të jetë diversant ky?” - thashë me vete, -se na kishin porositur në këto ditë festash:ata kërkojnë të mbjellin panik dhe të bëjnë terror. Dhe synimi i tyre është të godasim vepra siç është hidrocentrali. Asgjë s’kisha për t’u mbrojtur. S’kisha as bishtin e pishtarit që e mbaja zakonisht me vete në turnet e dyta. U hutova. Të afrohem? Të bëhet çfarë të bëhet,-thashë. Mora me shumë kujdes një gur nga sheshi dhe kur u afrova edhe ca, ajo gjë e zezë lëvizi dhe blegëriu. Ishte delja llajë e xha Miços që me hijen, e ulur, dukej si një njeri i shtrirë. Kushedi pse ishte shkëputur nga kopeja. I lehtësuar hodha gurin duke i thenë:-“Ik moj shejtane, se më preve gjakun” ... Babai kur mbaroi ,qeshi. Mamaja e pa me shqetësim dhe e trembur. Tani për mua fjala diversant ishte bërë më e frikshme se fjala djajtë dhe fanatazmat, ose Moirat.Ç’djall e bënë edhe hidrocentralin këtu afër, mendoja.Po të mos ishte ai, nuk do të silleshin vërdallë këta... Ndoshta do të kisha vetëm frikën e fantazmave natën. E papritura më ndodhi një ditë. Dhe kishte lidhje me atë fjalë,“diversant”. Isha bërë qull dhe nëna po nxitonte të më ndërronte duke më qortuar. “Si luaje mes shiut? Po të marrësh ndonjë plevit?” Duke me krehur flokët më tregoi një sekret. “ E di,ti ,që ke edhe një dajo tjetër? Është vëllai im i vogël. Një natë na iku fshehurazi me ca shokë. Kapërceu kufirin. Këta e quajnë dezertor dhe armik. Të them që ta dish, mos ta dëgjosh nga të tjerët. Tani ti u rrite. Ai ndofta bëri mirë për veten e tij, por ne na nxiu biografinë. Mos e zë në gojë. Kaq duan dhe... Ngela i shokuar. Domethënë unë nuk kisha katër dajallarë, por pesë ... I afrova gojën te veshi mos na dëgjonte njeri, megjithse aty, unë e ajo ishim “Më thuaj emrin e tij... Ajo ma tha dhe zëri iu drodh. Ndaj e kisha parë shumë herë kur dëgjonte në radio ndonjë melodi fyelli lotonte. Se kisha pyetur ndonjëherë pse qante. -I binte kaq bukur fyellit...Nëna gjoja u kujtua për gjellën për të fshehur lotët që i rrodhën papritur.Tani fillova të bëj lidhjen me atë çka dëgjova padashur një pasdreke kur babai i thoshte me zë të ulët , sikur i thoshte diçka sekrete - Më thirri operativi.Ti e njeh Sotirin. Më tha se kemi të dhëna se ai kunati yt është futur ... Na shpëtoi... Po more vesh gjë ty nga vjehrri , na thuaj... Partia ka besim tek ti. Të këtë ardhur vertet? - Janë gjepura... Vëllai im nuk është i tillë... -tha nëna dhe vuri duart në fytyrë për të mbuluar sytë. Ndjeva një boshllëk përbrenda. Doli se edhe dajo im ishte diversant. Fillova ta pëfytyroj të armatosur , me mjekër të madhe, si njerëzit e lashtë. Po çne? Katër dajallarë të mi ishin flori. Po ky nga ka ngjarë? Të dielën kur ktheheshim nga Kisha unë e nëna, gjeta rastin ta pyes për dajon. Në fillim nguroi, bile shikoi majtas e djathtas se mos na dëgjonte njeri. ‘’Kisha dobësi se ishte më i vogli, i miri i motrës. Kur therte ndonjë pulë mamaja, ai ikte. I vinte gjynah. Ish kohë lufte. Sa dëgjonte kërcitjen e mitralozit,me mirrte prej dore e më thohste “Hajde fshihemi” Atë ditë gjermanët vunë artilerinë të qëllojnë fshatin se kush kish spiunuar se këtu ishin partizanë. Nuk arritëm të futeshim në katua. Ishim te lëmi sipër shtëpisë ku luanim. Një cifël predhe më plagosi në këmbë. Ai kur pa gjakun ulëriti... Nëpërtë dëgjoja fjalët e tij, katilat... katilat... hapi sytë shpirti i vëllait “ Këtu mamaja e ndërpreu se na rriti teta Sofo dhe zunë muhabetin e tyre. ...Dajo diversanti... Ai kishte hyrë në fantazinë time me lloj-lloj figurash. Edhe atë natë në mal më torturoi shumë... E kisha me qejf të flija një natë në mal. Po,ç’e do? Më doli prej hundësh. Ditën tjetër kishin radhën e qumështit. Mirëpo kopeja ishte lart në mal. Verë e nxehtë. Iu luta xhaxhait të më mirrte, të flija atje dhe ditën tjetër herët do të ngisja delet në shtrungë për t’u mjelur. Gjyshi më dha velenxën e tij të dhirtë e trashë sa një batanije, pa flloko dhe e vogël. Më porositi që të mbulohesha se natën në mal bën ftohtë. Një pjesë të rrugës më vuri në kalë, kështu që nuk u lodha shumë. Me freski i vumë delet në shtrugë dhe para se të perëndojë dielli xhaxhai u nis me kalin ngarkuar dhe bagëtia iu lëshua mes luginës drejt malit përkarshi që nga fshati s’dukej.Bri tij edhe një mal tjetër me një surat të vrenjtur.Më ngjanin të huaja dhe të frikshme. Çobani plak që ndenji edhe pak pasi nisi shokun e tij, më porositi që të marr një sy gjumë sa të kthehen ata, vetëm mbaj zjarrin ndezur që të ziejmë qumështin kur të kthehemi. Ai iku. Dhe qentë pas tij, Ngela i vetëm. Rregullova pak zjarrin dhe errësira po zbriste nga malet hijerënda dhe të frikshme nga lart. Kaloi ca kohë, Vetëm unë, zjarri, dhe errësira. Malet ishin fshehur, zilet e kopesë nuk dëgjoheshin. Një heshtje e frikshme. Në mes të një lugine mes malesh.Këtu s’të dëgjon njeri në këtë shkretëtirë nate. Nata m’u duk si një lugat i zi. Ndjeva një frikë të madhe. Pastaj një lloj paniku ku zemra më rrihte fort. Rrëmbeva velenxën e gjyshit dhe u mbulova krejt, Të humbas kontaktin me vendin ku isha. E pamundur. Herë e parë që nuk kisha frikë nga ujqërit dhe fantazmat. Frika më hyri në palcë kur kujtova diversantët. Nxora për një çast syrin nga velenxa. Konturet e një gjineshtre aty afër nga errësira më ngjau si diversant. I llahtarisur e mbylla. Po të jetë vertet dajo im diversanti? Do të më therë? Ato çaste agonie vetëm ai më vinte nga errësira në mendje. Dhe më torturonte. Nëna më thoshte se është flori. Po ahere pse është diversant? -Janë gjepura... zëri i nënës. Po unë si t’ia bëja zemrës që gati më dilte nga kraharori. Ah, more dajo diversanti... Nuk e di sa orë mbajti tortura. U hodha përpjetë kur në bregun aty afër dëgjova zilet dhe të lehurën e qenit trupmadh , Bollanos. Freskia e natës ma qetësoi shpirtin tim çunak. Më luten barinjtë të haja qumështin e ngrohtë përshesh, por mua lugë s’më kalonte poshtë Tani isha i sigurt, Kisha barinjtë dhe dajo im diversant nuk do të guxonte të afrohej. Herët më zgjuan barinjtë të futnim delet në shtrugë. Duke siguruar deriçkën e shtrungës, bariu plak më pa në sy dhe më tha: ‘S’bëre gjumë të mirë. Të degjova qe flisje... dajo.. dajo.. Pate frikë ? Këtu ishim ne.’ Nuk fola fare. Mos më kishte zbuluar sekretin? Bah.. ...Nëna ishte në prag të pensionit, kur ranë kufijtë. Ajo kërkoi vëllanë dhe unë dajo diversantin. Asgjëkundi në shtetin fqinj ku na thoshnin. Në Australinë e largët e gjetëm. Rilindi nëna ime. Unë nuk harrova t’i them sa më torturoi kur isha i vogël. Ai ngulte këmbë. -Se të kishin graduar me një titull -Çfarë titulli? -Diversant -Ç’do të thotë kjo fjalë? Se kam degjuar ndonjeherë -Terrorist Nga Sidnej i largët dëgjoja të qeshurit e tij që vazhdonte për ca çaste. Pastaj më thoshte më zërin e tij të malluar, të ngadaltë: -Ma trego pak këtë histori. Kam qejf ta dëgjoj.

59 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page