Dilaver Goxhaj: LUFTA E VLORËS PËRMES POEZISË POPULLORE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 17 min read

5 Qershor — 3 Shtator 1920
Me rastin e 105 vjetorit të shpëtrhmit të saj
Nga Dilaver Goxhaj
Vjershëria popullore shqiptare, thotë Ismail Kadare, u rrit gjer në përmasat e një universi, me një zotësi të saj vetjake të habitshme, që ka qenë njëkohësisht epos dhe kronikë e përditshme, shtyp dhe universitet, kalendar dhe pedagogji. Edhe në rastin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 i gjejmë në përsosmëri të gjitha këtë mundësi dhe veti të saj. Arti poetik popullor edhe për këtë faqe të jashtëzakonshme të historisë sonë, e pa shoqe në botë, ku 4 deri 5.000 kryengritës, “një grusht fshatarësh shqiptarë”, (sikundër shkruhej në Ultimatumin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare dërguar komandantit të forcave italianë në Shqipëri, Piaçentinit, më 3 Qershor 1920), hedhin në det Perandorinë Italiane të asaj kohe. Si e tillë, Lufta e Vlorës është renditur si korrigjuese e historisë sonë kombëtare, pasi i riktheu Pavarësinë Shqipërisë.
Lufta e Vlorës filloi më 5 Qershor 1920 dhe më 3 Shtator 1920, kur forcat kryengritëse hynë në Vlorë, ajo fitore u festua nga populli me madhështinë që e meritonte.
Dimë që Luftrat Ballkanike 1912-1913 i thelluan shumë kontraditat midis shteteve të Ballkanit ashtu edhe midis Fuqive të Mëdha. E gjithë Shqipëria në këtë peridhë vuante ngaqë mungonte bashkimi: Shkodra qe më vehte; në Durrës sundonte Esat Toptani si vegël e bindur e shovinistëve të huaj; Vlora u pushtua nga Italia; viset e Shqipërisë Veriore u pushtuan nga Serbia; Greqia mbante pushtuar viset e Shqipërisë së Jugut.
Duke shfrytëzuar këto rrethana, më 26 prill 1915 hartohet në fshehtësi Traktati Famëkeq i Londrës, një nga aktet ndërkombëtare më të errëta që mund të përmenden, sipas të cilit Shqipëria ndahej midis Italisë, Serbisë dhe Greqisë.
Italia “mike”
bëri dhelpërinë:
“Të mos ipet Vlora
me Sazan nisinë,
tjetrën le ta marrë
Serbi me Greqinë”.
Italia, duke qenë se fuqitë e Antantës i pranuan kërkesat e saj për pushtime sipas atij Traktati, shpejtoi, dhe në maj 1915 zbarkoi në Sazan e Vlorë, duke pas edhe pëlqimin e Anglisë dhe të Francës.
“Ky Adriatiku ndjerë,
Pse s’bën valë këtë herë,
Valë, dallgë dhe furtunë?”
“Sepse Vlorën na e zunë,
Topat në Sazan i prunë,
Kundrejt Kaninës i vunë”.
Mirëpo, në 1915 Austro-Hungaria e rimori veten dhe në fund të po atij viti ushtritë gjermane, austriake e bullgare e pushtuan Shqipërinë e Veriut dhe arritën deri në Vjosë, duke e thyer Frontin Serb.
O moj Shqipëri e bardhë,
Gjith’ bota ta kanë sevdanë!
Në fund të vitit 1916 Italia pushtoi edhe Himarën; forcat franceze vinë në Korçë dhe më 16 Dhjetor 1916 shpallën Republikën e Korçës; më 23 Janar 1917 u shpall autonomia e Shqipërisë nga austriakët në Shkodër; më 3 Qershor 1917 shpallet nga italianët në Gjirokastër “Shqipëria e pavarur”; më 9 Dhjetor 1919 me anë të memorandumit, Fuqitë e Mëdha i japin Italisë si pjesë të vetën Vlorën bashkë me krahinat e saj, duke marrë më herët edhe pëlqimin e Qeverisë së Durrësit, e kryesuar nga tradhëtari Esat Pashë Toptani, konform marrëveshjes Titoni-Venizellos-Qeveria e Durrësit, e 20 Gushtit 1919.
Të gjitha këto e trimëruan Italinë dhe, në prag të 28 Nëntorit 1919, komanda italiane urdhëroi që të mos festohej më Dita e Flamurit Shqiptar se, sipas saj, Vlora nuk i përkiste më Shqipërisë. Ky urdhër shpërtheu demonstratën e popullit të Vlorës me në krye Jani Mingën:
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora!
Buçet kënga për liri,
Ja do mbetet Vlora jona,
Ja do bëhet gur e hi!
Si rrjedhojë, në Dhjetor 1919 krijohet Komiteti i Fshehtë, që më vonë u quajt Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, me qendër në Tiranë dhe, në Prill 1920 ky Komitet vjen në Vlorë, ku u organizua një mbledhje me përfaqësuesit e borgjezisë së qytetit dhe të fshatrave, ku u zgjodh Këshilli i Mbrojtjes Kombtare prej 32 veta, si dhe Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i përbëhej prej 12 vetash.
Më 14 Janar 1920 Anglia, Franca dhe Italia bien në ujdi për t’i dhënë Serbisë luginën e Drinit, Shkodrën dhe Shëngjinin; Greqisë: Korçën dhe Gjirokastrën, duke vënë kështu në jetë Traktatin e fshehtë të Londrës, të 26 prillit 1915:
Italia me Greqinë,
Si rruspia me rruspinë,
Në një marrëveshje vinë,
Të fshehtë e bënë tertipnë,
Që të ndajnë Shqipërinë,
“Këtë unë, e këtë tinë”!
Në këto kushte, më 21 Janar 1920 mblidhet Kongresi i Lushnjës.
I pari Kongres që u bë,
në qytet të Lushnjës-ë.
Andej dolli qeveria.
-Çfarë vendime muarn-ë,
për qeverinë e Durrsit-ë?
-Të luftohet tradhëtia,
poshtë, poshtë Italija!
Kongresi e quajti të rrëzuar Qeverinë e Durrësit dhe emëroi delegacionin e saj për në Konferencën e Paqes në Paris, e cila qe hapur më 18 janar 1919, ku kishte shkuar edhe delegacioni i qeverisë së Durrësit bashkë me Esat Toptanin, në pritje të kthimit të tij në Shqipëri me ndihmën e Beogratit për të marrë pushtetin, duke rrëzuar qeverinë e dalë nga Kongresi Lushnjës, se vetëm me ndihmën e Esatit Beogradi mund të merrte territore shqiptare. Për këtë qëllim Beogradi ishte kundër depërtimit të Italisë në Ballkan.
Më 11 Shkurt 1920 qeveria kombëtare u vendos në Tiranë.
Në Mars 1920 bashkohet me qeverinë e Tiranës: Shkodra; në Prill Girokastra; në fund të Majit 1920 u bashkua edhe Korça. Ndërkohë Italia mbante të pushtuar Vlorën, Tepelenën dhe Sarandën. Forcat serbe e malazeze pushtuan Dibrën dhe Malësinë e Veriut. Greqia mbante të pushtuar 26 fshatra shqiptare sipas marrëveshjes së Kapshticës, e 26 Majit 1920, e cila shënoi marrëveshjen e parë zyrtare diplomatike midis Shqipërisë dhe një kombi tjetër, përkatësisht Greqisë.
Gjëndja keqësohet edhe më shumë pasi, Esat Pasha që nga Parisi, në bashkëpunim me shovinistët serbo-malazezë e grekë, vë në lëvizje njerëzit e tij, duke krijuar banda të armatosura në Dibër, Tiranë e deri në Rrogozhinë, për rrëzimin e qeverisë së Tiranës.
Shqipëria ishte në prag të luftës civile. Atëhere ministri pa portofol, patrioti revolucionar Bajram Curri, kryen edhe një herë detyrën e lartë ndaj atdheut, kryeson forcat qeveritare, shpartallon kryengrytësit esadistë dhe i siguron qeverisë qetësinë, për të vazhduar veprën e bashkimit.
Shokë, rroftë Bajram Curi,
Që për Shqipërinë nguli.
Ahmet Zog, o faqe zi,
Vdiq Esati, u ngjalle ti.
Qeveria e Tiranës, e kryesuar nga Sulejman Delvina, ngulte këmbë që çlirimi i pjesëve të pushtuara të arrihej në rrugë diplomatike, ngaqë kishte anëtarë të qeverisë që besonin se Shqipëria nuk do të ishte në gjendje që t’i bënte ballë një lufte me Italinë, prandaj dhe nuk u solidarizua haptazi, me qëllim që të kish mundësi të shfrytëzohej rruga diplomatike.
Kryeministri Sulejman Delvina, fshehurazi nga Ahmet Zogu, (i cili ishte Ministër i Brendshëm), merret vesh me përfaqësuesit e Vlorës, lidhur me përgatitjet e luftës, duke i mbajtur këto lidhje të fshehta gjatë gjithë Lufës së Vlorës.
Fshatarësia e Vlorës dhe vegjëlia e qytetit nuk e duronte dot Vlorën të pushtuar.
Borgjezia e vendit si dhe disa bejlerë u solidarizuan me luftën e Vlorës, kurse klasa e çifligarëve u bashkua me Italinë.
Bejlerët nga Risilia
Thonë:”Rrroftë Italia!”
Të na rrojë edhe ca kohë,
se na hanë oriz fëmija.
Kaninjotë jazëk u qoftë,
Mahmut Efendiu ç’thotë?
Me bujqit po bën dava,
“Populli të drejtë s’ka!
Për ne Italia rroftë,
Me makarona na mba!”
Më 18 Maj 1920 ushtria italiane shpall shtetrrethimin.
Më 20 Maj 1920 u organizua Mbledhja e Barçellasë, ku u vendos që të lihen mënjanë grindjet e mëparshme e të pajtohen gjaqet si dhe të njoftohej popullsia se, në rast se Italia nuk do të pranonte të largohet tërësisht nga Vlora, do t’i shpallej luftë.
Kush është burrë shesh për shesh,
Kush të vritet, le të vdesë,
Kush të rroj’, me nder të jesë,
Vatanin do ta qerdhesë.
Njëkohësishtë u dërguan delegatë në Berat, Korçë, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Durrës e gjetkë ku u krijuan komisione të posaçme, që do të kujdeseshin për ndihmën kur të shpërthente lufta. Në Barçella u bisedua çështja e organizimit të formacioneve luftarake, çështja e armatosjes, si dhe u caktuan anëtarët e Komitetit që do të përgatisnin planin e kryengritjes.
Më 24 Maj 1920 u përzunë italianët nga Kurveleshi.
Më 29 Maj 1920 u mblodhën në mal të Beunit, afër Smokthinës, për të marrë pjesë në mbledhjen pranë Komitetit, mijëra luftëtarët vullnetarë nga zonat e pushtuara ku ishin formuar çetat vullnetare: vlonjatë, tepelenas, kurveleshas, Lumi Vlorës, mallakastriotët dhe himariotë:
“Po pleqtë e Bregut ç’thonë?”
“Është e mira që të shkojmë,
Vëllezërit t’i ndihmojmë,
Ta dëgjojmë shoqi-shoqnë”.
Vendimi më me rëndësi i kësaj mbledhjeje ishte: Shpallja e luftës kundër pushtuesve italianë:
“Në Beun seç u mblodhë
Dymbëdhjetë komisionë.
Edhe mbledhjen e filluan,
Muarn letrën dhe po shkruajn,
E shkruajnë për Piaçentinë,
Ta lërë Vlorën të lirë”.
Njëkohësisht u bë i njohur Shtabi i planizimit dhe drejtimit të Luftës, (Alem Mehmeti nga Tragjasi, Hamit Selmani nga Dukati, Murat Miftari nga Tërbaçi, Halim Xhelua, Beqir Veliu dhe Osman Haxhiu):
Barçellaja bëjnë terpinë.
Ç’i shënuan parësinë:
Alem aganë e Hamitnë,
Murat Miftar e Halimnë,
Beqir e Osman Haxhinë!
U vendos që çetat të sulmonin në katër drejtime: sulm mbi garnizonin Italian të Kotës; sulm mbi garnizonin Italian në Drashovicë; sulm mbi garnizonin Italian në Gjorm dhe çetat që do të sulmonin në Llogara, si dhe u caktuan komandantët e formacioneve të çetave, dhe më së fundi u bë betimi.
Ti Selam do shkosh në Vlorë
Komanndant mbi tre taborë!
Salami ia hipi kalit,
Në tel foli gjeneralit:
“Dil steresë, e jo limanit,
Të shoç të zot’ e vatanit,
Djemtë e Ismail Qemalit!”
Më 3 qershor 1920, e premte, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i dërgon komandantit të forcave italianë në Shqipëri, Setimio Piaçentinit, një letër:
Njëzetën proto qershorë,
Një letër seç e dërgojnë,
Nga Beuni për në Vlorë.
Ajo letër ishte Ultimatum para se të fillonte lufta, e shkruar në gjuhën fërngjisht:
Ultimatum i dërguan
Nga Beuni Piaçentinit,
Me kondita: për një javë
Vlora të jetë e liruar.
Ultimatumi u dërgua me Mehmet Selimin nga Mallkeqi, dhe Manxhar Selfo nga Shkoza.
Te porta në konsullatë,
Mehmet trimi dha një kartë.
Ultimatumi hidhte poshtë Traktatin e Londrës. Ndër të tjera në ultimatum thuhej: “Nuk jemi aq të marrë të mos kuptojmë që, nuk mundet një grusht shqiptarësh t’i shpallin luftë një fuqie të madhe si Italia, por fuqia italiane, sado e madhe që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë shqiptarët të vdesin për lirinë e nderin e atdheut të tyre”.
Me anë të Ultimatumit, Komiteti kërkonte përgjigje deri në ora 19.00 të datës 4 qershor 1920.
Komandanti i forcave pushtuese italiane në Shqipëri, me shtabin e tij prej 12 gjeneralësh, nuk i dha rëndësi dhe as që begenisi t’i përgjigjej ultimatumit.
Ditën e shtunë më darkë,
Sa mbaroi Ultimatumi,
Në një orë e më çdo anë,
Përnjëherë filloi sulmi.
Forcat italiane përbëheshin prej dy divizione këmbsorie: divizioni 13-të, nën komandën e gjeneralit Raimondo, dhe divizioni i 36-të nën komandën gjeneralit Pulieze. Përveç këtyre dy divizioneve kishte disa brigada autonome, reparte të logjistikës, reparte bersaliere malore, disa reparte autonome artilerie, xhenjoje, karabinierësh, autoblionda, tanke, një skuadrile aeroplanësh dhe një skuadrile të forcave detare. Forca të tjera italiane, të mjaftueshme, kishin zënë pozita gjatë rrugës Vlorë-Gjirokastër e Vlorë-Himarë, si dhe në Tepelenë, në Dukaj, në Kotë, në Gjorm, në Himarë, në Llogara, në Babicë, në Drashovicë, në Mavrovë, në Selenicë, në Sevaster etj.
Vullnetarët shqiptarë ishin armatosur dikush me armë, dikush pa armë, dikush me fishekë, dikush pa fishekë, zhveshur e zbathur, pa xhenjo, pa artileri, pa spitale, pa kuadro ushtarake për luftë, etj. Logjistikë ishte fshatarësia e tyre. Në Vlorë ndodhej një milici prej 1.000 milicë shqiptarë të rekrutuar prej bejlerëve të Vlorës e të Risilisë, të cilëve u bëri thirrje Komiteti që t’i bashkoheshin kryengritjes, dhe ata iu bashkuan asaj.
Atë raport forcash midis kryengritësve fshatarë shqiptarë dhe Ushtrisë Perandorake Italiane, muza popullore e ka shprehur më mirë se çdo historian ushtarak:
Andej bomba e ballona,
Mitralozë edhe vaporë;
Këtej një flamur valon,
Udhëtonte për në Vlorë.
Andej dinamit e topa,
Një mijë gjyle në një orë;
Këtej një shpatë copa–copa
Dhe një kobure në dorë.
Plani ishte që fillimisht të goditeshin njëkohësisht të gjitha garnizonet italiane jashtë Vlorës, të ndërpriteshin menjeherë linjat telefonike mes garnizoneve dhe mes atyre dhe komandës në Vlorë.
Urdhëri për sulm u dha në 5 Qershor 1920, ku menjeherë u prenë linjat e komunikimit të italianëve.
Nëndëqint’ e njëzet viti,
Mu më pesë qershor,
Rrethi Vlorës, kryet ngriti,
Të drejtat e tij kërkon.
Në mesnatë, me të gdhirë 6 Qershori 1920, sulmi i kryengritësve filloi në çdo kënd të viseve të pushtuara të Labërisë, duke u goditur menjëherë Kota, Tepelena, Gorishti, Dukati, Drashovica, Mazhari, Gjormi, Matohasanaj dhe Llogaraja.
Drashovica u muar pas dy orë luftime të ashpra, si dhe u çliruan Vajza, Mavrova, Dukati, Mazhari, Matohasanajt, u morën dhe postkomanda të tjera armike.
Shumë e ashpër u bë lufta për çlirimin e Kotës dhe Gjormit, duke gdhirë 6 Qershori 1920.
Telatë po venë e vinë,
Lidhet Kota me Kaninë,
Gjenerali me zabitnë,
Flet Goti me Piaçentinë:
-Qysh do bëjmë ne nashtinë,
Se shqiptarët arritnë,
Gjorm zunë, e poshtë po vinë,
Janë përmbi katër mijë,
Si breshër me kërcëllimë!
Në Kotë nën komandën e Gjeneralit Enriko Gotti, italianët kishin një regjiment këmbsorie, bateri malore me artileri, mitraliza të rëndë, transhe të rrethuara me tela me gjëmba. Ja si e pasqyron muza popullore.
O djema, ç’qënkej kjo Kota!
Më e bukur nga Evropa,
Bytim mitralozë e topa.
U ndez vedi, gjëmon toka.
Pas 6 orë luftimesh u muar dhe garnizoni i Kotës. Në sulmn mbi Kotë morën pjesë çetat: Salarisë, Smokthinës, Koculit, Vajzës, Gorishtit, Gusmarit, Plloçës, Shkozës, Mesaplikut, Mavrovës, Velçës, Kaninës dhe qytetarë të Vlorës.
Nuk harrohet Kota kurrë,
Kur mbi tela shkonim ne,
Edhe kur Selam Musai
Shkrepte natën si rrufe!
Armikut në Kotë iu vranë shumë ushtarë, përfshi edhe gjeneralin Enriko Gotti, si dhe koloneli Kavallo, dhe iu zunë robër rreth 600 të tjerë. Robërit e luftës u çuan në Vajzë të Tepelenës, 25 km larg Vlorës.
Mbi Kotë ia bënë: Hopa!
I prenë telat me kamë,
Gjeneralit iu pre koka,
Ushtarët iu zunë të gjallë.
As për të besuar ishte
që një popull për ibret,
dymijë robër t’ia zinte,
Italisë goxha dovlet.
Në Kotë u vranë dhe një numur jo i vogël luftëtarësh, midis tyre komandanti çetës së Shkozës, luftëtari i vjetër, Kanan Mazia:
Kanan Mazia nga Shkoza,
Me një mjekër copa-copa.
Kanan t’u prish bukuria.
“Shqipëria të na rrojë!
Ç’ka se mbeta unë pa gojë.”
Çetat e Tragjasit, Gjormit, Bolenës e të tjera sulmuan forcat italiane në Gjorm, në kohën kur u bë edhe sulmi mbi Drashovicë:
Atje te hani në grykë,
Te ura në Drashovicë,
Qëllon top’ i Italisë;
Ka nijet që ta vithisë
Komisjon’ e Shqipërisë.
Të keqen ia kanë marrë,
Se ka trima kordhëtarë.
Njëkohësishtë, paralel sulmit në Kotë, Gjorm e Drashovicë, filloi sulmi edhe në Llogara nga çetat e Tërbaçi, Radhimës, Lepenicës e tjerë.
Aferim, more Tërbaçë!
Tetëdhjet’ karabinierë,
Poshtë tutje i krethtë.
Karabinierë e marshallë,
Dyfekët sheshit i lanë!
Luftimet këtu zgjatën tri ditë, dhe pas tri ditë luftimesh të ashpra ushtarët dhe oficerët italianë që kishin mbetur gjallë, u dorëzuan.
Piaçentini kur dëgjoi
mandatën e Llogarasë,
u mahnit, e s’e besoi
që ta gjen koqja e belasë.
Qendra më e fuqishme në viset e pushtuara nga ushtria italiane, pas Vlorës ishte Tepelena, ku armiku kishte batalion këmbsorie, artileri, reparte karabiniere, mitraloza të rëndë dhe lloje të tjera armatimesh, ndërsa rreth Kalasë së Tepelenës armiku kishte hapur llogore dhe rrethuar me tela me gjemba. Në këto luftime muarën pjesë çetat e fshtarave të Tepelenës dhe disa fshatra të Kurveleshit: Golëm, Progonat, Lekdush, Gusmar, Nivicë, Rexhin etj. Më 10 Qershor, pas pesë ditë luftimesh të ashpra, komandanti i forcave italiane, major Kalçini me 6 oficerë e me një turmë të madhe ushtarësh, arritën të dalin nga rrethimi dhe u nisën për në Vlorë, por në Memaliaj u ndalën nga forcat që qenë lënë në rezervë dhe u kapën robër.
Historia flet më fortë
Ç’bënë dyfeqet me gjalmë,
Si në Tepelenë e Kotë,
Çobanët mbi gjeneralë.
Për t’i ardhur në ndihmë forcave në Tepelenë, garnizoni i Vlorës dërgoi dy batalione bersalierësh, por nuk mundën të arrinin.
Më 8 Qershor 1920 kryengritësit u afruan qytetit të Vlorës deri në Asna, ku u ndez lufta. Po në këtë datë, në të zbardhur të ditës kryengritësit sulmuan në Qafën e Babicës dhe në Kaninë. Lufta zgjati deri në mëngjes.
Më 9 Qershor kryengritësit muarën edhe një sërë fshatrash të tjera.
Rezultatet e pesë ditëve të para të luftës qenë të shkëlqyeshme; përveç të vrarëve, armikut iu zunë 1.200 robër si dhe shumë materiale lufte.
Pesë sulmet e suksesshme: Kotë, Drashovicë, Llogara, Tepelenë, Gjorm siguruan përmbysjen e plotë të qëllimeve të armikut. Mbeteshin në duart e armikut vetëm Vlora dhe Kanina. Për hakmarrje, Gjenerali Piacentini urdhëron arrestimet në masë, çnderimin e femrave në Vlorë, djegien e shtëpive dhe të dyqaneve, arreston dhe i çon në Sazan 1.400 shqiptarë si dhe i kërkon qeverisë së Romës forca të reja. Repartet ushtarake që qenë në Sarandë e në Gjirokastër i kishte përqëndruar në Vlorë. Vlora dhe Kanina qenë fortifikuar si dhe rrethuar me tela me gjemba.
Çetat vullnetare shtrënguan rrethimin e Kaninës dhe të Vlorës. Çeta e Rëzës iu afrua kalasë së Kaninës; çeta e Smokthinës do të sulmonte përgjatë brigjeve të Qishabardhës; çeta e Kudhësit do të merrte drejtimin e rrugës së vjetër; çetat e Kurveleshit dhe të Tepelenës shkuan nga Babica dhe këtu u ndanë në tre drejtime: Selam Musai me 57 tepelenas në një drejtim; Rakip Duka me çetën e Gusmarit, Golëmit, Lekdushit dhe pak progonatas në një drejtim tjetër; Riza Runa me çetën e Nivicës, Rexhinit, Libohovës e Nepravishtës në një drejtim tjetër, por me objektiv bashkëqëndror. Të 17 vullentarët Veliqotë u ndanë më tresh që të shërbenin edhe si kjallauzë për çetat e Kurveleshit, ngaqë e njihnin terrenin shumë mirë. Çeta e Mallakastrës së Sipërme do të zbriste në Risili. Çeta e Mallakastrës së Poshtme do të vinte nga Narta. Çeta e Mavrovës nga qafa e Fierit. Sektorin më të rëndësishëm, sekrorin e Babicës, e kishin çeta e Lopsit dhe ajo e Salarisë.
Luftë e madhe në Babicë
Me tela, me alitrikë,
Aty nata bëhej ditë.
Shumë çeta të tjera qëndruan në rezervë përreth Vlorës dhe Kaninës, ndërsa disa të tjera në Drashovicë.
Më 9 Qershor, para se të fillonte sulmi, komanda e kryengritjes i dërgoi një thirrje komandës italiane, gjeneral Piaçentinit, duke i kërkuar të zbraste Vlorën, dhe përfundonte me fjalët: “Përndryshe përgjegjësia do të përfundoi mbi ju”. Por komanda italiane vijonte t’i nënvleftësonte kryengritësit, ngaqë qeveria e Romës u pat premtuar ndihma. Qëndrimin e qeverisë së Romës e inkurajonte edhe qëndrimi i Jugosllavisë dhe i Greqisë duke u premtuar ndihma.
Në mëngjesin e 10 Qershorit bateritë e luftanijeve dhe një aeroplan goditën kodrat ku ishin kryengritësit, ndërkohë forcat e këmbsorisë italiane kaluan në sulm për të pushtuar ato kodra, por pa sukses.
Më 11 Qershor, duke gdhirë 12 Qershori, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare lëshoi urdhërin për sulm mbi Vlorë dhe Kaninë.
Nga qafa e Vlorës sulmuan çetat e Smokthinës, Gorishtit dhe e Kudhësit:
Atë ditën e xhuma,
Në Qafë përmbi kala,
Smokthinë, Velçë e Vajza,
Bëjnë hyxhim përmbi ta!
Gjysm’ e djemve na u vra!
Ndërsa nga kodrat e Babicës sulmuan çetat e Lopsit e të Salarisë me në krye Selam Musanë e Dule Dalanin.
Te spitali, më të dalë,
Ballë për ballë me xheneralë;
Flakën shoshoqit ia dhanë:
Një në zemër, një në ballë!
Selam Musa Salaria,
Po të qan gjithë Shqipëria!
Luftëtarët kaluan gardhin e telave me gjemba, duke vënë mbi ta degë e guna dhe hynë në ullishtet përmbi spital.
Me vete dy fishekë e një kobure,
Gunën mbi tela, hidheshin mbi Vlorë.
Rrotull armiq, si bleta në koshere,
Me topa, mitralozë e me vaporë.
Nga lagjia e Topalltisë sulmuan çetat e fshtrave të Vlorës. Mbi Kaninë u hodhën çetat: e Rëzës, Tërbaçit, Bolenës, Kallaratit etj.
Bolenës hallall i qoftë,
E dha fjalën, më s’u nda,
Doli xhenerali, thotë:
“Nga m’u futën në kala?!”
Forcat italiane, përveç zjarrit me artileri dhe gjithë llojet e tjera të armëve, verbonte kryengritësit me prozhektorë. Brenda 30 minutave lufta u përhap gjithandej. Në mëngjesin e 12 Qershorit kryengritësit arritën në shtëpitë e para të qytetit. Në këtë betejë dhanë jetën komandanti i çetës së Salarisë Selam Musai, i çetës së Dhëmblanit Dule Dalani.
Kush vete gjer në spital?
Dulja me Selam Musanë.
Met Selimi një trim djalë,
Merrte hakë për Selamnë.
Por u vra edhe komandanti i çetës së Gusmarit, Xhafer Meta, e shumë të tjerë.
Do këndoj një këngë trimi,
Xhafer leshëra bërshimi,
u fole djeme: Ku jinni?
Ua bëre djeme me dorë,
bëni yxhum për në Vlorë,
përmbi tela të kaptojmë,
vdekjen të mos e mendojmë,
Shqipërinë ta çlirojmë.
Komanda italiane, kur e pa se të gjitha kundërsulmet e forcave të veta u thyen nga vullnetarët, atëhere i dergoi njoftim Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që të tërhiqte forcat, në të kundërt do të therreshin të gjitë të internuarit në Sazan dhe Vlora do të bombardohej dhe do t’i vihej zjarri.
Komiteti urdhëroi tërheqjen e forcave nga qyteti.
Komandanti i forcave të pushtimit në Shqipëri, Piaçentini, së bashku me gjeneralin Raimondo u thirrën me urgjencë në Romë dhe u kthyen në Vlorë më 15 Qershor 1920 me forca të reja, me bindjen se do t’i mbysnin në gjak kryengritësit.
Më 13 Qershor bie qeveria italiane e kryesuar nga Nitti, e diskredituar nga rezultati i disfatës të saj në Çështjen Shqiptare. Kur erdhi në fuqi qeveria e Gjolitit, i kërkoi parlamentit që të tërhiqeshin forcat nga Shqipëria; por parlamenti nuk e miratoi, ngaqë deputetët reaksionarë dhe ministrat e qeverisë, që përbënin shumicën, ishin të bindur se do ta mbysnin me gjak kryengritjen.
Po atë ditë, më 13 Qershor 1920, vritet në Paris tradhëtari Esat Pashë Toptani prej studentit nga Libohova, 25 vjeçari Avni Rustemi.
U ngren’ policët e vanë:
“Kush e qëlloi pashanë?”
-Unë e vrava qerratanë,
Se punonte propagandë
Me Serbinë e me Junanë.
Në 16 Qershor, përmes spiunëve, komanda italiane mësoi se një pjesë e luftëtarëve kishin shkuar pranë familjeve, për të festuar Bajramin, dhe vendosi ta shfrytëzonte rastin. Dhe më 17 Qershor forcat armike zunë malin e Shashicës dhe më 18 Qershor urdhëruan sulm në front të gjerë me më shumë se 5.000 forca, të mbështetura me zjarr masiv artilerie dhe bombardim e mitralim me avjona. Luftëtarët rrëzuan një prej avjonave:
Në fushë të Peshkëpisë,
Ra ballon’ i Italisë.
Këta djemt’ e Shqipërisë,
Me manxerin e Turqisë,
E hodhën në shesh si mizë.
Pas disa orë luftimi, forcat italiane tërhiqen me turp.
Tanët ranë, në bark u shtruan.
I lane, sa u afruan.
Trimat tanë, të zot e gjakut,
Ç’u hapën zhapën e barkut.
Dyfeqet e Italisë,
Bëm ja bëjnë, e dot nuk vrisnë.
Në aksionin e 18 Qershorit armiku pati rreth 200 oficerë e ushtarë të vrarë, ndërsa nga vullnetarët vetëm një i vrarë!
Atëherë, Qeveria italiane e Gjolitit dërgoi për bisedime me qeverinë e Tiranës Baronin Alioti, i cili mbriti në Vlorë më 2 Korrik dhe në 4 Korrik 1920 niset për në Tiranë. Ndërkohë Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare u dha urdhër luftëtarëve të tërhiqeshin në pozicionet e tyre, për të pritur rezultatin e bisedimeve. Në këtë periudhë shkojnë në Vlorë vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare:
Në këtë luftë të shënjtë,
S’lufton vetëm Labëria,
Po i gjithë atdheu i shtrenjtë,
Lufton gjithë Shqipëria!
Bisedimet po zgjateshin, herë në Tiranë, e herë në Durrësë. Deri më 8 Korrik bisedimet nuk dhanë ndonjë rezultat. Kështu që Baron Alioti kërkoi që edhe lufta të pushonte dhe Italia të qëndronte në Sazan dhe në Skelën e Vlorës.
Këto ngjarje shqetësuan kryengritësit dhe niset një delagacion për në Tiranë, i cili i kërkon qeverisë së Sulejman Delvinës që të mos bëjë lëshime dhe të mos e pranoi kërkesën e italianëve.
Në Tiranë, më 9 Korrik, populli mori pjesë në një miting të madh dhe tregoi indinjatën e tij kundër pretendimeve italiane, duke kënduar dhe brohoritur “Rroftë Vlora jonë!”
Duke parë se bisedimet nuk kishin të mbaruar, Komiteti Mbrojtjes Kombëtare vendosi të rifillonte sulmi për çlirimin e Vlorës. Sulmi filloi më 22 Korrik 1920, në ora 22.00.
Më njëzetë e dy korrikut,
Kaptuan telat me gjëmba,
Iu futën armikut brënda,
S’ju tremb syri, e s’ju drothn zemrat,
Se një herë i kish bërë nëna.
Të gjitha çetat u hodhën në sulm. U muar Qafa e Koçiut. Lufta vijoi deri në mesditën e së nesërmes. U vranë 500 ushtarë e oficerë italianë, por dhe shumë kryengrotës.
Qafë e Koçiut, moj grykë,
Ç’hata bëre atë ditë,
Nga gjylet që pëllcisnë,
Katërqind e ca shehitë,
Katërqind e ca të vrarë,
Vallë qysh e dhanë xhanë?!
Pa ujë e pa njeri pranë?!
Le të dalim dhe ne gratë,
Të marrëm peshqir e napë,
T’u njomim buzën e thatë,
T’u shpiem buk’ e fishekë,
T’u hapim ndonjë hendek!
Qeveria e Romës, për t’i shpëtuar konseguencave të mëtejshme, nëpërmjet Komandës së Vlorës kërkon nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare që të ndalej sulmi dhe deklaroi se do bisedonte me qeverinë e Tiranës, për zbrazjen e Vlorës.
Më 28 Korrik vjen në Tiranë konti Manzoni. Bisedimet do të vijonin në bazë të pranimit nga pala italiane për zbrazjen e Vlorës.
Vetëm çifligarët që qenë të lidhur prej kohe me pushtuesin, si Myfit Libohova, Mustafa Kruja, Fejzi Alizoti, bejlerët e Vlorës, të Risilisë etj, nuk u pajtuan dhe mbajtën qëndrim armiqësor karshi Luftës së Vlorës. Dhe populli nuk ua harron tradhëtinë:
Bejlerët me agallarë,
kërkuan kolltuk e shalë.
S’ujdisin dot me fukaranë,
që u prenë e që u vranë
për të mbrojtur vatanë!
Sipas marrëveshjes, tërheqja e forcave italiane do të fillonte më 17 Gusht 1920 dhe pas 15 ditësh qeveria e Tiranës do të dërgonte focat e xhandarmërisë, për të marrë në dorëzim administratën e qytetit. Me zbrazjen e Vlorës do të bëhej edhe lirimi i të burgosurve nga të dy palët.
Protokolli i bisedimeve nuk e sqaronte mirë çështjen e Sazanit. Kjo për verbërinë e qeverisë së Tiranës, për faj të Ministri të Jashtëm të saj, Mehmet bej Konica. Italianët përdorën dredhinë e pabesinë dhe e mbajtën të okupuar ishillin e Sazanit, i cili mbeti i pushtuar deri më 22 tetor 1944, kur u çlirua përfundimisht nga Br.12 S Partizane. Këtë radhë Sulejman Delvina nuk dijti të shfrytëzonte pozitën e fitonjësit në interes të atdheut.
Më 17 Gusht 1920 italianët përqëndrohen në Skelë. Filluan largimin.
Më 28 Gusht 1920 lirohen 1.200 robër oficerë e ushtarë italianë që mbaheshin në kampin e Vajzës; ndërsa italianët liruan 1.400 të internuarit e të burgosurit në ishillin e Sazanit.
Më 2 Shtatoe 1920, 15 ditë pasi kishte filluar largimi i forcave italiane, Vlora dhe Skela u zbrazën.
Më 3 Shtator 1920 hynë në Vlorë forcat kryengritëse dhe u festua me madhështi dita e shpëtimit nga zgjedha e huaj e Shqipërisë. Dhe populli atë ditë këndoi:
“Moj Vlorë, po të lirojmë
nga kthetrat e Italisë,
se pa ty ne s’mund të rrojmë,
që je djepi i lirisë”.
Fshatarësia dhe vegjëlia e qytetit mbetën përsëri në mëshirën e çifligarëve dhe fajdexhinjëve. Krerët borgjezë të Komitetit të Mbrojtjes u hoqën mënjanë e u ndanë nga masat e popullit:
Thotë Vrioni me Toptanë,
Vërlaci me gjithë Syrjanë: (Vlora):
“S’bëhen punët me fjalë,
Tonat janë e do t’i mbajmë
Çifligjet edhe rajanë,
Ku është dëgjuar kjo,
Të heqim dorë nga to?!
Gjithë epopenë e Luftës së Vlorës të vitit 1920 e ka përmbledhur në pak vargje rapsodi dhe patrioti nga Vunoi i Himarës, Thanas Beni:
Evropa shkruajnë e thonë
“Çështë kështu që dëgjojmë?”
“Bëhet dyfek në Vlorë,
Shqipërtarët po luftojnë
Me një mbret dyzet milionë”.
“Po me se luftojnë vallë?”
“Me sopata me hanxharë,
Dyfekët lidhur me gjalmë,
Fishekët në xhep i mbajnë”.
Comments