Diamanta Zalta: KUR NIS E SHKRUAJ . . .
- 3 hours ago
- 2 min read

Nuk mundem ta krahasoj me asgjë. Është një rrëshqitje e shkujdesur e shpirtit në letër, një hadh, një ledhatim ndjesish nga më delikatët, ku përjetimi krijon kulm. Çast që e jetoj ndryshe nga të tjerët, vjen ëmbëlsisht, me rrahje të çrregullta, si një prekje e përkorë Perëndie. Ngarkesë emocioni, përjetim i gjallë bukurish që mund t’i mbajë vetëm shpirti, s’ka më i gjallë, që nis e kristalizohet nëpërmjet Fjalës, mendimit, ku ti je një muzikant që këput notat nga copëza shpirti, i zhyt në solucionin më të mirë të qenies tënde dhe me to krijon një gjerdan vargjesh e këngësh.
Gjerdan që ka ngjyrën e zjarrit, qiellit, detit, luleve, prekjes, ëndrrës, dëshirës. Si një ofshamë në rënkim të ëmbël është poezia në çastin e hedhjes në letër, është konturizëm i botës së çastit, të cilën e ke grumbulluar brenda vetes që herët, e kur shpirti ngopet me të, kërkon ta zbrazë, mendja i jep emër, zemra shpirt, e ti e deklamon atë edhe tek të tjerët. Është bujari poezia. Pa bujari nuk jepet.
Shpesh poezia ime tregon gjendje, forcë, dhimbje, hulumtim, humbje, ngadhënjim. Ajo që është e vërteta është se poezia më është Dashuri, me caqet e saj që variojnë nga rrënimi shpirtëror deri në adhurim. Është abstraksion, që nganjëherë, kur ajo është shkruar shumë herët, më duhet mund për ta deshifruar atë çka ka dashur shpirti të thotë në atë çast krijimi.
Poezia, pa dyshim, hap kasafortat e përbrendshme të njeriut, me kodet e një farë “dalldisjeje” fluturuese që ne e quajmë joshje, bëhet shkëndijë e pastër dritëzimi, pastaj zjarr dhe gjithçka i jepet thëngjijve të së përbrendshmes. Përpjekja për të shkruar është E PAKZORSHME, ai që e quajmë talent është i ardhur vetëm prej Perëndisë, them unë, përderisa lëndë Hyjnore është poezia, arti, krijimi. Solemn si një oqean ndjesish! Solemn si zjarri! Solemne si Lindja, solemne si Vdekja!








Comments