top of page

Dialektikë mesazhesh tek romani „Anja“


Ahmet Prençi

Fatmir Terziu


Jeta duket si një kod më vete në romanin „Anja“ të shkrimtarit Ahmet Prençi. Në fakt është një tërësi. Një tërësi komplekse. Një „komplekse“ e tillë që reagon, dikton dhe nuk mban mëri. As në vetë pragun „jetë“, as në atë që e quajmë dashuri. As dhe në atë që quhet ikje në përjetësi. Jeta është udhëtim. Nuk është thjesht një fat jete në narrativ. Është një diskurs më vete. Ka hapësirë, ka vend, ka kohë. Është një zhbirrim filozofik. Ka gjeografi. Ka gjuhë. Ka dykuptimësi. Ka dygjuhësi. Ka dialektikë mesazhesh. Ka udhëheqje nocionesh. Në këtë udhëheqje ka mjaft protagonizma, por pak protagonistë. Pak?! Pak, se duket si racion. Pak, se duket saktë! Por, kjo do të dukej e gabuar, madje e gabueshme mjaft. Aty ka një mori të dukshmesh dhe të padukshmesh, që udhëtojnë, shfaqen dhe pikturohen të qartë dhe skaliten mjaft qartë.


Racionalja e narrativit


Pra: pak e saktë. Fjali të sakta. Fjali të shkurtra. Fjalë të zgjedhura. Fjalë të mençura. Mjaft domethënëse, mjaft narative, mjaft diskursive, mjaft e qëlluar dhe e paqtë. Shembujt janë shumë, por mjafton ndoshta kaq:

Karriges, për shembull, ajo i thoshte skami, tavolinës bango, dyshekut i thoshte stromë, drynit të derës i thoshte buqicë, mashës së zjarrit i thoshte cimbill. Fjala skami ishte njësoj me emërtimin e të njëjtit objekt në fshatin e tij, që shqiptohej “shkami”.“

Kjo është gjuha e pasur. Kjo është filozofia e komunikimit. Ky është diskursi i gjithëpërfshirjes. Gjithëpërfshirje se është një mori karakteresh, një grup ngjyrimesh, një fushë e tërë të arsyetuarash. Një tërësi e përshkrimit mes vetë gjithësisë përfshirëse. Diku ka një qasje të mbi dhjetëhershme, Vasilikë. Jo si një rastësi, Vasilika, shpjegon, rrëfen, reagon, ndërlidh, sugjeron. Kështu Vasilika është një pikë referimi dhe njohjeje. Përshembull „Nga Vasilika, Antoni mësoi se në Drinas, nga koha e mbretërisë deri rreth viteve pesëdhjetë, kishin qëndruar shumë hebrenjtë. Ata kishin bërë tregti dhe ishin strehuar edhe në shtëpinë ku rrinte Antoni. Në atë shtëpi kishte qëndruar, deri në vitin 1955, një hebre i quajtur Samuel Kofin. Ai ishte marrë me tregtinë e pëlhurave“. Nga Vasilika, si pronare e asaj shtëpie, ku Antoni është preteksti, mësohet mjaft. Aty vjen e shkuara, lufta dhe përpjekja, e aty thuajse bëhet lidhja me tërë atmosin e vazhdimit të narrativit.


Kështu vazhdohet në brendësi të romanit „Anja“. Jashtë kësaj mësohet për krimin. Brenda krimit dekodohet ligji dhe lidhja e tij me të keqen. Aty është Prokurori. Aty është, pra Sandri, shoku i Antonit, tek i cili zbërthehet e padukshmja e krimit. Aty ndodh ajo që pret të mbahet në sytë e Antonit. E sytë e Antonit ndjekin me „Gjithë vëmendjen … te Sandri. Të gjithë, ekspertë, hetues e policë merrnin detyra dhe raportonin tek ai. Ishte hera e parë që po shihte drejtpërdrejt se si punonte një prokuror në vendin e ngjarjes. Tani po e kuptonte më mirë natyrën e punës së Sandrit. Ç’pozicion kishte prokurori aty? Ai duhet të jetë vetëm në sallën e gjyqit, të mbrojë akuzën. Ç’donte ai në vendin e ngjarjes? Antoni ishte i bindur se çdo gjë, në raste të tilla, e bën policia dhe askush tjetër.“

Tek trashëgimi jetik jeta ndalet në një stacion të rëndësihëm. Ai është Arbëri. Ditari i të hënnës, 4 Nëntor 2002 sqaron mjaft mirë: „Arbëri belbëzon, i dashuri im. Unë fjalët e para po ia mësoj në shqip. Është gjë e bukur! Po artikulon së pari fjalët mami dhe babi. Është shumë i bukur Toni. Kur ta njohësh do të jetë njëlloj si ti. Të ngjan shumë.“ Më 4 Nëntor 2005 Arbëri është rritur, pra është pesë vjeç. E ndërsa Arbëri është në ditar me këtë moshë, ai tashmë është dhe mes dy gjografive, mes dy gjuhëve, mes dy dilemave, por pa më kryesoren që lidh jetën nënë e baba e bir. Narrativi në këtë pikë është një qasje e mbushur me mjaft didaktikë dhe dhimbje. Dhimbja është torturë. Dhimbja është thikë pas shpine. Dhimbja është tradhëti?! „Do të të vija si një suprizë në Shqipëri për të t’i thënë të gjitha, ballë për ballë. Ndaj po punoja ditë e natë në spital, që të mund të merrja një kohë pushimi sa më të gjatë. Shefi im, Bernard Said, duket se po vërente me kureshtje këtë etje të pashpjeguar të angazhimit tim në punë. Më kishte dhënë mundësinë të akumuloja turnet për të përfituar më pas pushimet e merituara.“

Jeta është e lidhur me punën. Puna është një dashuri më vete. Dhe detajet janë mjaft efikase, supreme: „Ashtu si ti Anton, edhe unë e dua punën, dhe nuk i kursehem. Por nuk e dija se shefi im kishte tjetër qëllim. Ai më donte mua si pjesë të kënaqësisë së tij.“ A ka didaktikë? A ka pendim? Në këtë pikë narrativi është më shumë se një sqarim „Unë e mjera kurrë nuk e kisha parë me atë sy. Mendjen e kisha te ty dhe te çasti kur do të të prezantoja gjënë më të bukur dhe të përbashkët tonën - Arbërin.“ Narrativi vazhdon shigjetën e tij. E në këtë shigjetë del dhe helmi: „Atë mbrëmje të vonë ai erdhi në zyrën time. Ndjeva që ishte nën efektin e alkoolit. Më pa tërë zili e më tha: “Boll punove sonte, bëja pak qejfin vetes. Ndërtesa e spitalit është e siguruar.”. Me sy të zgurdulluar m’u afrua dhe deshi të më prekte siç bëjnë meshkujt në kësi rastesh. Unë nuk mund t’u besoja syve. Sinqerisht kisha respekt për shefin tim. Prej katër vitesh po punoja me të dhe kurrë nuk pashë një tendencë të tillë mashkullore. U çova në këmbë dhe i thashë prerë: “Më vjen keq, jam nënë e një fëmije dhe nuk dua aventura”. Por ai nuk priti përgjigjen time. Me sy të skuqur, me ca lëvizje të pakontrolluara të këmbëve dhe duarve, fiku dritën e zyrës. Befas nën vezullimin e hënës, e pashë nudo para meje. Kurrë nuk më kish ndodhur më parë kështu. U përpoqa të gjeja telefonin dhe të merrja policinë, por ai më tha prerë: “I kam marrë të gjitha masat. Ti dhe unë jemi në privatësinë tonë”. Isha gati të hidhesha nga dritarja dhe të vdisja.“


Koloriti diskursiv i karaktereve


Që nga shfaqja në ekranin e “Motorolës” e emrit “Anton Hila” narrativi ka në gjirin e tij shfaqjen e mbi katërqind e dhjetë herëve të tij, si një kryerend, që bën prozën e tillë më afikase, e më të lidhur me tërësinë përshkruese. Normalisht, protagonistja, që në titull, Anja, mban peshën e mbizotërimit në tërësinë e prozës. Ajo bën kryerendin pasues me një rekord përfshirjesh, që arrijnë në mbi njëqind e gjashtëdhjetë e tetë herë. Nëna, thuajse zotërron dhe dominon gjashtëmbëdhjetë paragrafe në roman. Babai kap një numër rekord që shkon afërsisht shtatëdhjetë herë. Misheli ka një numër të caktuar jo vetëm për të diktuar se ishte një pjesë e kësaj jete. Por ai ekziston si një nyje për vetë jetën. Për të rrëfyer mbi fatet, mbi të vërtetën. Në këtë të vërtetë është poltika. Politika?! „Tashmë Shqipëria ishte në “hartën politike” të Europës.“ Anja, protagonistja e romanit, „e urrente politikën, sepse politika, sipas saj, ishte “lëmi i kuajve me maska”, që ajo i urrente, i shpërfillte dhe nuk donte t’u falte asnjë sekondë nga jeta e saj.“ Kështu poltika kishte një samarr më vete në këtë ngarkesë kafshërore të jetës. Në këtë ngarkesë Anja mendon më thellë se ata “… janë hamshorë që janë në vrap me gënjeshtrat tërë jetën”. Dhe kjo bëhet më e fuqishme kur narrativi i Prençit na e dikton se për këtë „i kish thënë një fqinj me doktoraturë në Politikat Europiane“ dhe kështu, Anja nuk e kishte harruar kurrë këtë thënie të mençur. Ajo ishte e ftohtë ndaj politikës dhe atyre që “running the show” (bënin shfaqjen). Ajo ishte ndryshe. Për të, jeta e njerëzve do të ishte shumë më e lumtur, shumë më e paqtë, madje po aq e begatë, pa politikanë, këta sharlatanë të shekullit, që dridhen e përdridhen para kamerave dhe nuk bëjnë asgjë. “Ata janë mallkimi ynë”, do të shkruante diku Anja dhe përfundimisht i shmangej çdo debati e bisede politike.“


Paragrafët që mbeten model i narrativit


Jeta e Antonit është një labirinth më vete. Ajo nis me arsyen e vetë jetës. Një arsye që ndikon dhe ndikohet mes dy koordinatave të vetë jetës baba dhe nënë. „Ai jetonte në një shoqëri të zgjedhur dhe ishte i kënaqur në marrëdhënien mes tyre. Netët e vona tashmë i kalonte në shtëpinë e tij, krejt i vetmuar. Prindërit nuk i jetonin më. E kishin lënë prej vitesh. Në fillim babai dhe më pas nëna qenë larguar “si dielli me hënën”, kujtonte shpesh Antoni.“ Këto koordinata jetike e bëjnë më të fortë karakterin e Antonit. E fuqizojnë atë, por dhe i japin dhe nocionin ngjyrues në narrativ. „Pas ikjes nga kjo jetë e babait, ato dy vite ndikuan në personalitetin e Antonit. U sakrifikua të qëndronte pranë dhe të ndihmonte të ëmën e sëmurë. Përpiqej ta zëvendësonte babain e tij e të ndihej si i zoti i shtëpisë. Këtë donte ta shprehte me ndihmën e tij në sytë e të ëmës. Fatkeqësisht, edhe nëna u ligështua dhe ndërroi jetë nga ajo sëmundje e pashërueshme. Dhimbja dhe përjetimi i kësaj lamtumire në familje e izoluan Antonin nga aktiviteti dinamik i punës dhe i jetës së tij. Gradualisht ai u bind se duhej të mësohej t’i përballonte këto rregulla të natyrës, pavarësisht pasojave e dhimbjeve që shkaktonin.“

Dhe kështu në tërësinë kuptimplote të jetës dhe jetikes kuptohet më qartë mes paragrafit të bukurshkruar. „Nëna e ndjerë, sa qe gjallë, i ishte lutur të lidhej me ndonjë vajzë të mirë. Nuk ia përmendte emrin Elit, por me takt i thoshte se “vajza të mira ka, por duhen sy me i pa”. Sa më parë e sa më i ri ta bënte këtë hap, sipas saj, do të ishte më mirë për të. “Fëmijët e vegjël nuk rriten dot kur je në moshë të madhe,” - e porosiste në fund.“ Këtë e plotëson dhe ky paragraf. „Nëna e tij punonte mjeke dhe e njihte mirë temperamentin e bashkëshortit të saj. Nuk e prekte atë kurrë në ato pika që e lëshonin nervat. “Babai qe me fat me nënën time të mirë”, mendonte Antoni dhe për vete ia linte fajin vetes dhe fatit të tij të keq.“

Fatet jetike janë dhe tek Anja. Fate të tilla natyrisht përqasen nga prindi e më së shumti nga nëna. „Nëna e Anjës kishte lindur në këtë qytet dhe ishte pasardhëse e një fisi të dëgjuar, që gëzonte emër të mirë në këto anë. Nëna e saj quhej Sofi dhe mbiemri i saj i vajzërisë ishte Sojli. Nëna e Anjës ishte larguar nga vendi para 30 vjetësh, si një nga “dallëndyshet” e para të emigracionit studentor. Pasi mbaroi në Francë studimet për arkitekturë, rrethanat u krijuan të tilla që nuk mund të kthehej përsëri në Drinas.“

Në jetë gjithnjë ka dhe lidhje jetike. Në këto lidhje qëndron dhe Silva. „Me kushërirën e saj nga nëna, gati moshatare, Silvën, kalonte pjesën më të madhe të kohës së lirë.“ Si shkas më tej është lëvizja e Anjës. Anja do të qëndronte në këtë qytet edhe pak ditë. Pastaj do të udhëtonte për në Francë, ku e prisnin prezantimet dhe testimet e para të doktoraturës dhe më pas studimet intensive. Nuk do ta kishte më shansin të shëtiste kaq lirshëm apo të dilte në takime si ky që po shkonte tani. Pas studimeve të plota do të fillonte jetën e saj me punën, me angazhimet që të imponon ajo. „Mbase s’do gjendej më as mundësia, as koha të vinte kaq lirshëm në Shqipëri. Çdo vjeshtë që pati ardhur kishte mësuar shumë për vendin e nënës së saj, kishte përvetësuar më së miri gjuhën e nënës dhe për këtë i vinte shumë mirë. Ishte e kënaqur me veten. Nëna u përkujdes shumë që ajo ta dinte gjuhën dhe ta mësonte atë, të njihte vendin dhe historinë e popullit nga vinte ajo.“

Në nocionin kohë vjen dhe ndryshesa, kalkulimi i saj si ndryshim. Por në fakt është vetëm një pikëpamje. „Nga kjo pikëpamje, i dukej se nga modeli komunist asgjë nuk kishte ndryshuar. Për të, politika ishte një stacion i largët dhe i pisët, që nuk donte ta arrinte kurrë. Gjithsesi, në këtë vorbull ai ishte një intelektual, një qytetar i thjeshtë, që nuk e pranonte dot nënshtrimin dhe heshtjen. Ndiqte rregullat dhe normat shoqërore, paguante taksat, nuk shkelte ligjet, nuk ngiste makinën i dehur. Këto, si të thuash, ishin po ato ligje dhe norma, që para se t’ia mësonte “partia në pushtet”, i kishte mësuar qetësisht nga babai, nëna dhe mësuesit e tij të mirë. Ndaj irritohej, nuk pajtohej, thërriste për “ndihmë” Migjenin me “grushtin e fuqishëm”, që nuk mund të dërrmonte askënd.“

Në rrjedhë është dhe çifti përballë. Një çift që rrëfen dhe dëshmon. Burri është operativ i Sigurimit të Shtetit dhe e shoqaja një robinë e mbyllur e pianos mes katër mureve. Ajo, pra e shoqja e këtij sigurimsi „Rrinte gjithë ditën në shtëpi dhe i binte pianos. Arjana e quanin. Ishte e bukur. Rreth tridhjetë vjeçe. Më hidhte ca shikime tepër të veçanta.“ Këtu ishte frika. Këtu ishte dhe heshtja dhe shmgja e asaj familjeje. Anja rrëfen në narrativ „Ne nuk bëheshim shumë me komshinjtë. Ishte politika e tim eti të qëndronim sa më ftohtë ndaj kujtdo. Edhe komshinjve. Sidomos ndaj oficerit të Sigurimit. Kishte të drejtë. Edhe nëna qëndronte zyrtare në marrëdhënie me ta.„

Më poshtë do të jap për kurreshtjen e lexuesit disa pragrafë model:

1. „Shtatzënia ime është e mbarë dhe e mirë. Mamaja u mërzit shumë ato ditët e para nga ajo çka i thashë, por nuk kishte ç’të bënte kur pa vendosmërinë time.

Më kërkoi hollësi dhe donte medoemos të dinte atësinë e fëmijës. Nuk ia tregova. I thashë që do të bisedonim më vonë për këtë gjë. Gradualisht e me vështirësi u pajtua që unë të lindja një fëmijë me gjak nga vendi i saj. Sigurisht që i tregova për historinë e dashurisë që kisha përjetuar.“

2. „Nëna ime u qetësua disi, kur mësoi ato pak të dhëna; se ti nuk je një njeri i rëndomtë, por me pozitë të mirë shoqërore dhe intelektuale.“

3. „4 nëntor 2010, e enjte

„Sot është dita e caktuar që dua të shkruaj pak rreshta. Sot është 10- vjetori i njohjes sonë.

Edhe unë kam ndryshuar shumë Anton. Vitet bëjnë punën e vet. Ka gjashtë muaj që nëna ime e shtrenjtë u nda nga kjo jetë. Ajo vuajti pak. Pësoi një hemorragji cerebrale dhe për katër ditë na la lamtumirën. E përjetova mjaft keq. Tashmë unë jam vetëm me Arbërin.

Tani kam filluar të mendoj shumë me veten, siç të mbaj mend ty. Të jap të drejtë kur të shikoja të menduar, të mbyllur në guackën tënde të vetmisë.

Kërkoj ndjesë, pasi mua nuk me jepet për të shkruar, por unë lexoj dhe më pëlqen letërsia. Ti e di, ne kemi biseduar bashkë për librat.“

4. „Më shkoi në mendje se mund të shfrytëzoja gjithë lidhjet e mia për një mirësi njerëzore. Babai dhe nëna kishin kohë që kishin ikur. Për çudi, në kulturën shqiptare, madhështia dhe rëndësia e një njeriu është sa vetë vijnë në varrim. Nëse Anton Hila vdes nesër, në përcjelljen e tij nuk mund të ishin të pranishëm shumë vetë, përfshirë edhe punonjësit e Komunales. Ai po i afrohej ditëlindjes së tij. Shtatori përmbante përvjetorin e tij të lindjes. Më shkoi në mendje se një ditëlindje festive do ta bënte të ri dhe po aq energjik. S’e di përse m’u fiksua se kjo ishte ditëlindja e tij e fundit…

5. „Babai i tij, gjysma e vet vitale, ishte një imagjinatë që nuk iu zhduk kurrë. Ishte engjëllor dhe i padukshëm, i fuqishëm dhe pa pushtet, i dashur, por i paprekshëm. I gjallë, por i harruar “mes majëmalesh e mes luginash nga prodhonte dritë e ku ndërtonte arkitekturat shumëkatëshe”, siç ia përshkruante nëna e tij e dashur.“


Konkluzion


Nocioni jetë dhe jetike në romanin „Anja“ është një diskurs më vete. Ky diskurs mes gjuhës, shënjimit dhe konfigracionit plotëson një formë të re, postmoderne të romanit shqiptar. Kjo formë udhëton në kohë, hapësirë dhe vend. E tillë shtjellon, zhvilllon dhe përcjell mesazhe tek lexuesi. Lexuesi bëhet pjesë e shpejtë e kësaj forme. Në këtë formë janë mjaft efikase lidhjet, karakteret dhe qasjet e tjera.

Kësisoj me një racionale të narativit, kolorit diskursiv të karaktereve dhe me mjaft paragrafë që e bëjnë një musht poetiko-prozaik romanin „Anja“ është një vlerë dhe një model i letrësisë shqipe, që natyrshëm flet për vëmendje më të gjerë. Mbi të gjitha fjalitë e shkurtëra e të bukura e bëjnë këtë roman disi tipologjik në fushën e fjali-përdorimit dhe fjalëzgjedhjes së bukur. Narrativi na udhëheq më së miri të themi se ka një dialektikë mesazhesh tek romani „Anja“.

56 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page