top of page

Dialekti i Zgjedhjeve



Fatmir Terziu


Qëkur rroka mendimin Ndryshe lexoj nënshkrimet e mureve. Të shkruarat marrëzi. Të shënuarat bojë-mavi. Të krisurat gjuhë me fjalor, që nuk përdoret gjëkundi, vëtëm aty.

Dhe thuajse gjithnjë shoh dhe lexoj dialektin e zgjedhjeve të çmendura. Edhe nga larg e ndjej, edhe nga afër e vërej marrëzinë e gjuhëve që përplasen. Marrëzinë e atyre që bëhen mure më të mëdha se këto që mbajnë shenjat e dialektit zgjedhor. E gjitha një transfertë e sistemit mental në një udhëkryq, ku gjuha dhe dialekti i saj, projektohen, urdhërohen dhe bëhen me një dorë.

Çdo mbrëmje, zhbiroj tej të ftohtës së ekranit stërkalat e dala nga britmat, lagjet e dukshme dhe të padukshme mes fjalëve. Dhe duket sikur kjo gjuhë flet me tërbimin e përmbytjes së madhe, të pandodhur ndonjëherë më parë, të patreguar asnjëherë kësaj ane.

Dhe netëve duket sikur gjuha e tillë zgjon të dy detet duke i shndërruar në gjuhën e stuhive histerike. Kjo më sjell ndërmend kohërat që zgjuan histerinë e deteve që gjëmonin nga dhimbje, maltrajtime, çnjerëzime.

Dhe e gjitha përtej të gjitha hamendjeve të shpien tek dialekti i zgjedhjeve. Patosi i pështimave. Gjuha e armatosur e fjalëve. Rrjedha e kohës në hapësirën e padukshme të valëve. Të gjitha transmetohen në kohën që jetojmë. Të gjitha kalojnë aritmetikën që s'e përcaktojmë. Dhe Bota na ndjek. Përkthen. Transmeton. Aprovon dhe… na vendos në vendin që meritojmë.

Ky dialekt nuk merret me jetën. As me kuletën (sigurisht me tënden). Është i vetes. Është i karriges. Është i kolltukut. Është i postit. Është një mesazh që i shkruhet shefit, bosit, drejtorit, deputetit, ministrit, kryeministrit…, në fakt pa bojë, vetëm me sy, që ai ta mirëkuptojë. Me këtë dialekt ndërron krahët vetëm gjuha. Aty mbetet edhe e vjetra, edhe e reja, edhe lindja, edhe vdekja, edhe papunësia, edhe dhimbja, edhe braktisja… edhe ikja. Dhe e gjithë kjo ndodh plotëisht në ndjekjen e një delegimi të dyfishtë, një ndjekje që madje mund të ngatërrohet me intensitetin e një nevoje, të një dëshire, të një kërkimi të vazhdueshëm. Kjo është forca zgjedhore. Ky është dialekti zgjedhor. Të ka, më ka dhe na kanë fatin tonë në dorë.

Na kanë në dorë. Se duart tona e pranojnë me votë. E pranojnë pa e kuptuar se ku na shpie kjo metodë. Ata ecin në skicën e gjuhës që prodhojnë dhe që po i ndjek. Tek imazhi i njeriut që po kërkojnë. Në dyshen intime. Në qendër të zërave që ikin. Për kaq shumë vite. Tridhjetë vite, sa treqind shekuj, na duken.

E reja ka ikur, pa bori as me daulle. Bashkë me zemrën sublime disonante. Njeriu nuk ia ceku as dorën. Kjo gjuhë, ky dialekt zgjedhor gjithnjë po na shkel. Dhe fytet e patrazuara të natës që lëviz, troket, mesazhëron, kërkon, lutet me lëkurën e qingjit, ... dhe fytet zhurmojnë tmerrësisht me kakofoninë e një fizarmonike të thyer.

Atëherë gjuha bëhet një stuhi fjalësh që shpërthen hipokrizinë e reve dhe falsitetin e heshtjes. Lumenjtë. Stuhitë. Vetëtimat. Malet. Pemët. Dritat. Shirat. Goricat e egra, të mbetura të paprera. Të gjitha të shpien në thelbin e artikulimeve të padëgjuara frenetike. Dhe thua, dhe themi, dhe thonë… na lini të lirë! Një majë qartësie do të mjaftonte që të mund të lindnim, të paktën në një ëndërr nate, si një qenie e zbatueshme e dëshirave primare të jetës. Të paktën në një ëndërr. Sepse ne të gjithë e pranojmë ëndrrën, të gjithë e duam jetën. Tensioni. Ligji i paepur. Osmoza dhe simbioza. Dhe kthehemi në vetën e parë.

Më lër të lirë! Zhurma e një hapi, e një vështrimi, e një zëri nxitës do të mjaftonte, sepse unë jetoj i lumtur me shpresën se zgjimi është ende një mundësi për njerëzimin. Më lër të lirë! Sa pak do të duhej që unë të flisja për lëngun që qarkullon në palcën e nyjeve kozmike.

Dialekti i Zgjedhjeve. Patosi i lagështisë. Gjuha e stuhive. Unë flas, ti flet, ne flasim. Unë hesht, ti hesht, ne heshtim … se jemi paqtuar dhe pajtuar me rrjedhën e jetës spirale, kësaj forme përkore, që na dha madhërishëm dialektin e një formë të papërsëritshme zgjedhore.


19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page