
Dekikat e Peqinit
Nga Fatmir Terziu
Dekikat janë aq të mëdha sa rrënjët
e ullinjve që zgjasin filizat
për të ardhmen.
Tutje në periferi të Fatishtës
një nuselale e zgjuar po ushqen të vegjëlit e uritur.
Në një stol afër portës së drunjtë
një gjyshe është duke krehur flokët e mbesës duke ninulluar.
Në Shkumbin po zbret një ëndërr
në grepat e një të moshuari të urtë.
Një celular vegon poshtë Kullës mesazhi mbi filxhanin e kafesë
një vajzë i dërgon zemra një djali jashtë Atdheut dhe buzëqesh.
Një kumuri bëzan,
në dritaren ku një foshnjë qan.
Një shegë harliset
një tjetër po pret kohën e duhur.
Sahati
pret të shkruhet një poezi për të,
qoftë një muzikë e orkestruar,
si vetja,
ku indi dhe geni të dirrigjohet nga Rifat Teqja.
Të tjerët janë në lutje.
Muret e xhamisë heshtin
ngadalë po shuajnë vetminë për njerëzit që ikin.
Torbat majëkrahi garojnë me hijet në enigmën e zgjidhjes.
Dekikat e Peqinit janë po aq të mëdha
sa shushurrimat e Ullishtes.
Kommentare