top of page

Cikli i Prizerenit i Beqir Musliut


Timo Mërkuri, shkrimtar, poet, studiues

Cikli i Prizerenit i Beqir Musliut[1]

Shënime mbi ciklin poetik të Beqir Musliut.


Nga Timo Mërkuri


Cikli i Prizerenit i poetit Beqir Musliu përbëhet nga shtatë[2] poezi të shkruara në vitin 1986[3] në qytetin e Prizerenit dhe të botuara si një Album poetik nga Shtëpia Botuese “PLEJADA” e Prishtinës. Cikli është ilustruar dhe me pamje nga trashëgimia shpirtërore e Prizrenit. Botimi i Albumit ka ndodhur pak kohë para se të vdiste[4] poeti dhe kjo është arsyeja pse këto poezi nuk janë përfshirë në asnjë liber të autorit[5]. Sabit Rrustemi e huazoi këtë Album nga djali i poetit, Driloni, bashkë me lejen për ta publikuar për lexuesit dhe admiruesit e rinj të poetit që, për arsye të ndryshme nuk e kanë lexuar. Ndër këta lexues dhe admirues të poetit Beqir Musliu që nuk ishin njohur me këtë cikël bëj pjesë dhe unë dhe kjo është arsyeja që veç leximit, mendova të shprehem për këtë Album, aq më tepër tani në prag të përvjetorit të ikjes së poetit.

I- Pyetja e parë që lind nga njohja me këtë cikël është: Pse poeti i madh e krijoi këtë cikël për Prizerenin dhe ca më tepër shkoi vetë në qytetin e vogël dhe të bukur për ta “marë vetë me dorë” poezinë?

Ndërsa lexoja ciklin, i përqëndruar edhe te pyetja e mësipërme që i bëja vetes, pikërisht te poezia e fundit e ciklit me titull “Katedralja e qetësisë”, ndërsa lexoja vargun e fundit: “The Kthehu sërish në zanafillë Në Prizren” më vetiu mendimi se ky varg ishte përgjigja e pyetjes sime. “Ktheu sërish në Zanafillë” dikush i tha poetit. Ky varg fillon me fjalën-folje “The” që nënkuptohet se dikush, me të cilin poeti kishte qënë në një bashkëbisedim, i tha atij (poetit) që të kthehet në zanafillë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, i tregon (më shumë se i rekomandon) që kjo zanafillë nis “Në Prizeren”. Me këtë fjalë përfundon poezia, thua se s’ka gjë tjetër që t’ja vlejë

t’a shkruajë poeti..Bazuar te kjo ne duhet të kuptojmë se çfarë përfaqson Prizereni për poetin dhe jo vetëm për atë.

II-Cikli është shkruar në vitin 1986 dhe vetkuptohet që mbart ngarkesën emocionale të kësaj

periudhe. 1986-a është vit i rëndë për Kosovën nën regjimin titist komunist të Jugosllavisë, me një situatë që zuri fill te demostratat e 04 Mars 1981 në Prishtinë dhe do shpinte tre vjet më von në revokimin e autonomisë[6] së Kosovës si krahinë e Jugosllavisë më 23 mars 1989, akt që lindi rezistencën politike, përplasjet ndër etnike dhe i hapi rrugën konfliktit të armatosur të viteve '90.

Ndërkohë vlen të kujtojmë se Prizereni ka qënë Kryeqëndra e Kosovës dhe pikërisht këtu, në Prizeren, në vitin 1945 Kuvendi i Kosovës, nën presionin e tankeve jugosllave si dhe nën trysninë e gjëndjes së jashtëzakonëshme te vendosur me urgjencë morri vendimin që Kosova t’i bashkohej Jugosllavisë, kinse në zbatim të vendimeve të mbledhjes së Bujanit[7].

Ka rëndësi të theksojmë se Prizreni në këtë pjesë të Ballkanit shihet një Jerusalemi i një lloji të vet, sepse është seli shpirtërore e tri besimeve, mysliman, katolik dhe ortodoks (serbët) dhe të tre besimet kanë ndërtesa kulti të nivelit sipëror, ngritur në kohë të ndryshme, me arkitekturë të spikatur dhe me vlera historike. Prizereni nuk jeton në paqe, aty realisht bëhet një “luftë” se cili besim do shtrihet më gjerë në popull, duke u bërë besim sundues.

Në kontekst të analizës ne kujtojmë se Prizereni është edhe vendzhvillimi i shumë ngjarjeve historike dhe vendimtare për popullin tonë. Është e njohur Lidhja shqiptare e Prizerenit, organiizuar nga Avdyl Frashëri dhe lufta e madhe që ajo bëri në mbrojtjen e tërësisë teritoriale të Shqipërisë. Historikisht, zanafilla e shtetit të ri shqiptar nis në Prizeren. Për këtë zanafillë e ka fjalën poeti.

III- Në qoftë se do pyesim: me kë bashkëbisedon poeti te kjo poezi, kush i thotë poetit

Ktheu sërish në Zanafillë. Në Prizeren”, unë do ju thoshja se është vetë Kosova që bashkë-bisedon me poetin dhe jo vetëm te poezia “KATEDRALJA E QETËSISË” të cilën citojmë.

Le ta shohim këtë ide të shprehur për bashkëbisedimin e poetit me Kosovën pikërisht te kjo poezi ku simbolika dhe metafora ta trazojnë mendimin. Është një bashkëbisedim, një dialogim i qetë në një seli besimi fetar, ku natyrshëm do jenë të pranishëm engjëjt: “M'i ngjyve buzët me kundërmimin e engjujve”. Në fakt vargu i parë është edhe më dhe pikërisht: “M'i ngjyve buzët me kundërmimin e engjujve The Këtu”, por sipas stilit të tij, poeti në këtë varg mbleks tre vargje poetikë dhe konkretisht: 1- “M'i ngjyve buzët me kundërmimin e engjujve”,2- “The” (ti më the mua) dhe 3- “Këtu të solla të të kem më afër Prizrenit”.

Është në stilin modern të poetit që vargjet t’i mpleksë si gërshetë me njeri tjetrin, në mënyrë që të mos lexohet lirshëm ku fillon njeri e ku mbaron tjetri, duke u ngatruar në këtë mënyrë edhe nënkuptimin. Duhet t’ju rikujtoj se të shkruaje poezi duke evidentuar historinë kombëtare në atë vit të nxehtë 1986 ishte më shumë se trimëri. Të krijoje poezi për kishën katolike (Katedralen Zoja Nihmëtare) dhe ta quash atë poetikisht “Katedralja e qetësisë” do të thotë që të dëshmoje poetikisht autoktoninë shqiptare në ato troje (Kjo ngrohtësi më ri-njohu me Ty) dhe (Mund të më shpjerësh edhe për tre qindvjetësha të /përdëllesës të jem sa më afër Mesisë që kur u shikua/ në pasqyrën time u dridh tri herë).

Le të shikojmë vargjet :

The Shikoje Zonjën Shën Mëri. Ajo qëndronte përpara

meje në gjunjë dhe tri pika lot i derdhi në faqet të mia Tha

Kush të solli këtu të ma matësh mërgimin prej lëkurës në

lëkurë Imzot Klitha….

Kush i thotë poetit (The) “Shikoje Zonjën Shën Mëri”. Sigurisht që jo ndonjë prift i Katedrales. Le ti lexojmë vargjet: “Ajo qëndronte përpara

meje në gjunjë dhe tri pika lot i derdhi në faqet të mia”.

Këto vargje na kujtojmë faktin që Shën Mëria qëndronte në gjunjë para kryqit të kryqëzimit, ku qe gozhduar Jezu Krishti dhe ne nënkuptojmë se në këtë rast, duke qënë se Shën Mëria qëndronte para poetit, ai (poeti) është i kryqëzuar si Krishti. Shën Mëria derdhi tre pika lotë mbi fytyrën e Krishtit, kur atë e zbritën nga kryqi. Tre pika lotë derdhi edhe mbi poetin. Duhet një forcë e madhe të përafrosh poetin me Krishtin, por poeti ka avancuar mendimin metaforikisht edhe më tejë në vargjet e mëparëshme:

Ty Mund të më shpjerësh edhe për tre qindvjetësha të

përdëllesës të jem sa më afër Mesisë (Krishtit) që kur u shikua në

pasqyrën time u dridh tri herë Në të katërtën të njoha Ty”.

Në pamje të parë duket se poeti Beqir Musliu te kjo poezi, si një katolik i devotshëm bashkë-

bisedon me ikonën e Jezu Krishtit në ambientet e Katedrales, por unë ju them miqtë e mi se ai bashkëbisedon me ne.

Poeti tregon : “Tha:

Kush të solli këtu të ma matësh mërgimin prej lëkurës në

lëkurë Imzot Klitha apo vetëm m'u Ropën buzët dhe pashë

Katedralen se si m'i përgatiste Dafrungat e Qetësisë”

Poeti nuk na tregon se kush e pyeti, kush e pruri në katedrale, këtë e zvëndëson me foljen “Tha” duke menduar se ne e nënkuptojmë se kush ishte ai që “tha”. Veçse shohim se përgjigja e poetit është te vargu tjetër, pas fjalës “lëkurë” dhe kjo përgjigje është një fjalë “Imzot”. Në qoftë se duhet bërë pyetje, duhet të pyesim se cili është ai “Imzot” që e pruri në Katedrale të shihte Shën Mërinë e përlotur dhe në fund ti thoshte: “Kthehu sërish në zanafillë Në Prizren” duke nënkuptuar zanafillën historike që zë fill Në Prizeren.

Prizereni qënka vërtet qëndra e shpirtit të poetit.

IV- Le të shohim poezinë “MBASLOJA E PRIZRENIT”, një tjetër krevepër poetike ku jo kushdo që nuk e njeh poezinë metaforike modern mund të orientohet. Qysh në vargun e parë: “Unë jam në Prizren edhe kur s'jam në të” poeti deklamon një lidhje organike me Prizerenin, shumë më tepër se një simbiozë. Në qoftë se te vargu i parë pohon pa mëdyshje se “Unë jam në Prizeren edhe kur s’jam në të” te vargu i fundit ai mbyll jo vetëm dykuptimësinë e poezisë por deklamon lidhjen e pazgjidhëshme me qytetin kur shkruan: “Ç' u bë Prizreni/ Ai është në mua Thashë Prizreni”. Shikojeni pak mbylljen e poezisë “Thashë Prizreni” që në mënyrë prozaike do theksohej: Ju thashë (pra)! Prizereni (është në mua). Pra, në vargun e parë poeti “është në Prizeren edhe kur nuk është aty” dhe në vargun e fundit “Prizereni është në mua”. Tingëllon si formula biblike “Unë jam me Krishtin dhe Krishti është në mua” por në këtë rast bëhet fjalë për një qytet. Një dashuri më të madhe s’ke si përfytyron, një lidhje më të shënjtë s’ke ku kërkon.

Pas leximit të këtyre vargjeve unë nuk e kuptoj pse Prizereni nuk i ka ngritur një bust poetit, pikërisht mu tek sheshi i tij qëndror apo te lulishtja më e bukur dhe rreth e qark bustit të vendosë disa stola ku të jenë gdhëndur vargjet e tij për Prizerenin. Sigurisht që Gjilani s’ka pse të jetë xheloz në këtë dashuri të poetit me Prizerenin, përkundrazi ai duhet të krenohet me zemrën e madhe dhe të pastër të birit të tij.

Në një poezi me 22 vargje, në 11 vargje citohet direkt Prizereni në situate dhe pozicione nga më të ndryshmet. Kjo shpeshmëri e përmëndjes së emrit të qytetit jo vetëm që nuk të krijon një monotoni, por mënyra e krijimit të vargjeve, ndërthurja e tyre midis krijon një “mjegull” për leximin e poezisë prej mosnjohësve të saj dhe në rastin tonë e shpëton poetin nga suverjimi policor dhe censura, ndërkohë që është shumë e lexueshme për intelektualët shqiptarë për shkak të idealeve të njëjta. Me një varg si: “Jam Ai Që (S) Jam Kur Jam Prizreni Imzot” asnjë akuzë politike nuk mund ti ngrihej poetit, ndërkohë që shqiptarët mund ta këndonin edhe si refren këngë këtë varg.

V-Pikërisht duke analizuar vargun e parë “Unë jam në Prizren edhe kur s'jam në të”

në lidhje organike me vargun e fundit të kësaj poezie “Ai është në mua Thashë Prizreni”, vargje që citohen edhe te poezia tjetër “PARALOJA E PRIZERENIT” (poezia e parë e këtij cikli) qysh te vargu i parë në të njëjtën formë “Unë jam në Prizren dhe kur s'jam në të” dhe te vargu i fundit në formën:

për të qenë aty ku jam Je

pra Në Prizren Edhe kur s'jam”

duke bërë një lodër fjalësh me foljet “jam” dhe “je”, poeti indirekt na thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për atë, përfaqsuar me foljen “jam”, por edhe për lexuesin (shqiptar) i cili është përfaqsuar me foljen “je”. Pra “në Prizeren jemi dhe kur sjemi në të” të gjithë ne Kosovarët, dhe “Prizereni është në mua”, ku përemri “mua” përfaqson të gjithë ”ne”, Kosovarët. Dhe në qoftë se emrin “Prizeren” do ta zvëndësojmë me emrin “Kosovë” kuptimi i poezisë do bëhet më i dukshëm e më rrezëllitës dhe do tingëllojë vërtet si hymn: “Unë jam në Kosovë dhe kur s’jam në të” dhe “Kosova është në mua”. Tani që mësuam ta lexojmë poezinë e Beqir Musliut më thoni ju lutem: a është hermetike poezia e tij?

Data e krijimit të kësaj poezie është 11 janar 1986 dhe vendi është Prizereni, por koha është “Kosova e revoltuar në prag të luftës”. Poeti ka shkruar një hymn për Kosovën, ka lëshuar një thirrje kushtrimi nga pozicioni i tij luftarak. Në qoftë se zakonisht luftëtarët nëpër llogore fshehin trupin dhe kryet gjatë shkëmbimit të zjarrit apo bormbadimeve, Beqir Musliu qysh në janarin e 1986 ka nxjerrë mbi llogore zemrën dhe kryet e tij, dy pjesët më delikate të trupit, prekja e të cilave të bashkon me tokën përjetësisht. Ndërkohë poezia e tij gjëmon si trumbetë. Unë ju them se me këto poezi Beqir Musliu dëshmon jo vetëm dashurinë e tij për Kosovën, por ai dëshmon se ishte një poet trim. Dhe trimave (poetëve) të tillë u hiqet kapelja kur kalojnë.

VI-Beqir Musliu duket sikur luan me vargjet, sikur kasten synon t’i bëjë të vështira për lexuesin, pikërisht kur mes vargjeve fillon fjalën me shkronjë të madhe, si kryefjalë. Besoj se kjo ka ndikuar në shtimin e “dozës” të cilësimit të poezisë së tij si hermetike, e pakuptueshme. Le ta shohim më konkretisht këtë fenomen psh te një fragment nga poezia “Hamami i Gazi Mehmet Pashës”, te vargjet:

“Ky është Hamami i Gazi Mehmet Pashës

Mund të hysh Mund të dalësh Mund të hysh

Të mos dalësh Të mos hysh Të mos dalësh

Kurrë Dora m'u ngri Nuk dija Cila ishte

Ajo dorë Ajo që më shoqëroi deri këtu

Apo dora ime Përse gjithë ajo ftohtësi”

Në pamje të parë të krijohet përshtypja e “rrëmuje” fjalësh nëpër vargje dhe nuk di ku ta zësh fillin. Kjo vjen ndoshta edhe nisur nga titulli, lexuesi pret të lexojë ndonjë poezi të tipit “Shatërvani i Bahçesarajt”. Realisht kjo poezi duhet lexuar në kontekst të stilit të autorit. Këtë poezi, po të hamendësojmë se do ta kishte shkruar p.sh. poeti Mirko Gashi, ai, bazuar te stili i tij poetik, do ta paraqiste në variantin:

“Ky është Hamami i Gazi Mehmet Pashës

Mund të hysh

Mund të dalësh

Mund të hysh

Të mos dalësh

Të mos hysh

Të mos dalësh

Kurrë

Dora m'u ngri

Nuk dija

Cila ishte

Ajo dorë

Ajo që më shoqëroi deri këtu

Apo dora ime

Përse gjithë ajo ftohtësi”

Poezia e paraqitur në këtë mënyrë duket shumë e qartë, e lexueshme natyrshëm. E pra, nuk është Beqir Musliu që bën poezi të “pakuptueshme, hermetike, jemi ne që nuk dimë të lexojmë poezinë e tij. Ai bën poezi të thjeshta për Prizerenin (Kosovën), por i bën me dashuri të madhe. Mbetet të kuptohet poezia, mesazhi i poetit. Për të kuptuar këtë duhet të kemi parasysh sa thamë në krye të shkrimit, që Prizereni ka tri komunitete fetare, ku dy komunitete (katolikët dhe myslimanët) në shumicën e tyre janë bashkëkombas shqiptarë dhe detyrimisht do ftohen (jo vetëm nga poeti) për një unitet kombëtar. Ky unitet kombëtar nuk krijohet mbi bazë fetare sepse të hyjnë në një unitet fetar dy komunitete me besime të ndryshme fetare është si “të hysh e të mos dalësh dot kurrë”në një ambient (shpellë do thoshja unë) “gjithë ftohtësi, ku të ngrijnë duart”.

VI-Me që ra fjala, ju sqaroj se Prizereni ka tri komunitete fetare që tejë fasadës së harmonisë fetare mes tyre, synojnë për supremaci mbi qytetin, por duhet të kuptojmë se kjo “ndeshje” e tyre për supermaci fetare është në fakt ndeshja[8] kulturore midis Lindjes dhe Perëndimit. Secila palë nxjerr më të mirën e saj përballë palës tjetër. Pikërisht në këtë ndeshje komuniteti shqiptar autokton lufton e përpiqet për për ruajtjen e qënësisë së tij në këtë atmosferë kryqëzimesh.

Në këtë kontekst duhet parë edhe vajtja e poetit në Prizeren dhe krijimi e publikimi i këtij cikli, si pjesë e kulturës së shqiptarëve autoktonë. Ai nuk shkoi në Prizeren as si katolik dhe as si mysliman, ai shkoi aty thjeshtë si shqiptar. Është e natyrëshme që ai ka vizituar xhaminë e Sofi Sinan Pashës dhe Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, ashtu siç ka vizituar dhe Katerdralen “Zoja Nihmëtare” por unë nuk besoj që ai ka shkuar te këto objekte kulti për t’u lutur apo për t’u falur, në kuptimin që t’i falte shpirtin dhe trupin Hyjit të besimit përkatës. Beqir Musliu trupin dhe shpirtin ja kishte falur Prizerenit (Kosovës), ku dhe ngriti për nder të tij “tempullin poetik” të quajtur “Cikli i Prizerenit”.

VII- Poezitë e këtij cikli nuk duhen lexuar pa vizituar objektet për të cilat ai shkruan si Xhamia, Hamami, Katedralja, Muzeu dhe Prizereni në tërësinë e tij. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se ky cikël duhet lexuar njëherësh i tëri, si një e tërë, në një kohë. Atëherë do shohësh se këto poezi janë shkruar dhe formën e një rozete, që vendoset te llamba e dhomës. Lulet e rozetës janë me të njëjtat përmasa me përjashtim të lules qëndrore, prej nga, si “pistil luleje të çelur” “del” kablli elektrik, në të cilin është montuar llampa. Madje kjo lule rozete është me dy shtresa, për të dalur më në pah. Unë këtu i shoh dy nga poezitë e ciklit dhe konkretisht poezinë e parë “PARALOJA E PRIZERENIT” dhe poezinë e shtatë “MBASLOJA E PRIZERENIT”.

Unë do shkoj në Prizeren dhe sigurisht që do ti vizitoj objektet e kultit, qoftë për vlerat e tyre historiko-arkitektonike qoftë për të kërkuar nëpër to gjurmët e poetit. Dhe në fund do të shkoj te ajo shtëpi e vogël, ku burrat e kombit bënë historinë e madhe me Lidhjen Shqiptare të Prizerenit. Do ulem përballë tre busteve (tre pika loti të kombit) te ai gur ku sigurisht qe ulur edhe Beqir Musliu dhe do në heshtje do recitoj poezinë “MUZEU I PRIZRENIT”:

“Më ke kthyer për dore prapë në Prizren

Ma hape Muzeun që e ruante zemra ime

Më the Rri këtu edhe për ndonjë milenium

derisa të kthehem në ndonjë trajtë stalagmite”

dhe së fundi do ta ngre zërin dhe kokën e do lexoj me zë vargjet:

Imzot Ç’mbeti për mua Imzot

Prizreni”

VIII-Do largohem qetësisht nga Prizereni se e di që “Unë jam në Prizren dhe kur s'jam në të” dhe kudo që të jem do ta kem me vete, sepse tashmë “Ai është në mua Thashë Prizreni”.

Dhe Tempulli që ngriti poeti.


Sarandë, më 03- 10 Qershor 2021

[1] Publikuar nga Sabit Rristemi në 02. Qershor 2021 [2] Këto poezi janë:1-PARALOJA E PRIZRENIT,2-AKUAREL PRIZRENI, 3-XHAMIA E SOFI SINAN PASHËS, 4-KATEDRALJA E QETËSISË, 5-HAMAMI I GAZI MEHMET PASHËS, 6-MUZEU I PRIZRENIT, 7-MBASLOJA E PRIZRENIT [3] Poezia “Mbasloja e Prizrenit” mban datën e krijimiit me shënimin ( Prizren, 11 janar 1986) [4] Poeti Beqir Musli vdiq në 24.06.1996 në Prishtinë dhe prehet në Gjilan, ku dhe ka lindur në 11.VI.1945. [5] Shtojmë gjithashtu se edhe dy kurora sonetike “Vdekja e poetit” dhe “Pluhur ashtëror”, krijime të viteve 1971 -1972 kanë mbetur të pa botuara në libra, duke u mjaftuar me publikimin në gazetat e kohës. [6] Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, ( KSA e Kosovës), ishe zgjedhja administrative e një pjese të territorit të Kosovës që nga viti 1968 deri në shpërbërjen e R.S..F.të Jugosllavisë në 23.03. 1989 [7] Konferenca e Bujanit është mbajtur më 31.12.1943- 02..01.1944 në Bujan kundërshtoi vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ -it në Jajcë (29-30 nëntor 1943) dhe faktin që Kosova përfaqsohej nga Mali i Zi dhe jo si subject i pavarur. Aty u vendos që pas lufte, do vendoste populli me votim në se do bashkohej Kosova me Shqipërinë apo Jugosllavinë. [8] Ne gjithmon praninë e tre besimeve fetare e quajmë pasuri dhe mardhëniet mes tyre i quajmë harmonike dhe tolerante.

55 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page