Bust me maska
Nga Fatmir Terziu
Ajri është binom, grimcat janë gri
grupet e kalimtarëve ecin në distancë,
pikat e shiut tresin trupin në pjatancë,
duket një zagushi që vjen në befasi.
Jam në dilemë, nuk di ku mbaron
ajri që thith busti në odeon.
Dihama përplaset ajrisht me rebuset
një hije del prapa, një hije është përpara,
kalimtari ringrihet sikurse nga e para
këtu në muzg dhe drita e hënës lutet.
Jam në dilemë, nuk di ku projekton
syri që përplas busti në odeon.
Siguri - mbajtësi rregullon uniformën
spaletat varen si spango nën çati;
xhamllëku shkëlqen në dhomën karshi
ku një bjondinkë mban formën.
Jam në dilemë, nuk di ku meton
fryma e ftohtë e bustit në odeon.
Unë zgjas kokën të gulfas dihatjen
celulari pret gishtin tim të rastit
era thotë kam tashmë furinë e çastit,
ajri rrokulliset për të fiksuar pamjen.
Jam në dilemë, nuk di ku kopjon
truri i çimentuar i bustit në odeon.
Akrepat lëvizin si në pandemi
hakërrohet sipari i qeltë si vetëtima,
koha kur noton në ajër edhe britma,
zhurma të ndotura që ndalen tek ti.
Jam në mëdyshje, nuk di ku ftillon
trupi i ngrirë i bustit në odeon.
Në dhomat e ngrohta shkëlqejnë flakët,
një varrezë e mermertë është në spot
Perëndia ka punë mjaftueshëm edhe sot,
maskat zhbirojnë me ajrin e pakët
Jam në kërkim, nuk di ku ndalon
forma që pikturon busti në odeon.
Bota prej asgjësë stilohet mbi fjalë,
kënga është në buzë të shpateve të shkumës,
ndjek njeriu – njeriun me sytë e turmës
virusi monstruoz kërkon njeriun e gjallë.
Jam në përpjekje, nuk di kë sfidon
ajri që përthith busti në odeon.
Një tym disi gri del nga gazetat
mbartësi i fjalës prek me barrën e tij,
unë dëgjoj, mes zhurmës së tillë,
tremorët që zvarriten nga letrat.
Jam në dilemë, nuk di kë alarmon
britma që nxjerr busti në odeon.
Maska ia ka mbyllur gojën urisë,
fjala është vetëizoluar në banesë,
urtia urtinë provon të shesë,
asgjë më shumë se sa një tis.
Jam në dilemë, nuk di kë mbron
maska që mbulon bustin në odeon.
Comments