top of page

BURRI, LEVA QË LËVIZ BOTËN


NATASHA XHELILI

NATASHA XHELILI

BURRI, LEVA QË LËVIZ BOTËN

( shënime mbi poezitë e librit “Të gjitha të drejtat janë të rezervuara” të Rudina Çupit”)

Nuk besoj se ekziston diçka, e cila të quhet e vërtetë. Ka vetëm këndvështrime.”

Allen Ginsberg.

Duke rendur në rrjedhën e vet si një lumë i pushtuar herë pas here nga stuhitë, jeta ngjall pafundësi përfytyrimesh që të joshin me pamjet e tyre. Me kalimin e kohës ato mbivendosen e mbivendosen derisa i japin emrin e vet me kryeneçësi çdo periudhe. Këndvështrimi i një poeti dirigjon gjithë turmën e madhe që e lexon atë, që e merr të mirëqenë dhe e imiton padashur.

Rudina Çupi në një botë të mbushur me imazhe figurative, në korpusin e saj krijues, sjell këndvështrimin e veçantë për botën. Ajo vë gjithçka në dyshim, riinterpreton ngjarje e mendime ndoshta tabu të njerëzimit, duke shkrirë në botën e vet poetike histori njerëzore që bymehen e tkurren muzës së saj.

Në qendër të vëmendjes është një burrë që pritet të jetë heroi që do të bëjë ndryshimin. Burri është leva që lëviz botën. Ai lartësohet në misionin që ka në shoqëri si vendosësi i parë i kufijve, si hapësi i shtigjeve të reja, si lumturuesi i gruas, si shpalosësi i mëkateve. Ajo i drejtohet: Ji burrë, për atë Zot, ji burrë!/ Fillo të ndahesh nga turma me të tjerë, kope. Ajo jep edhe gjykimin e saj se si duhet të jetë një burrë: një burrë është një kuvendim,/ një burrë është një krah që zotëron,/ sa është dhe dorë që përkëdhel. Ashtu si shprehet edhe Migjeni: Të lindet një njeri/ i madh si madhni/ dhe ndërgjegjet tona ti ndezi në dashni/për një ide të re, ideal bujar…” edhe Çupi i ka drejtuar të gjitha shpresat drejt tij.

Momentet intime rrëfehen me një gjuhë poetike të pasur sidomos me metafora e krahasime pa lënë pas figura të tjera poetike

Autorja i drejtohet Atij duke e quajtur: “Lugë e futur në gotën e qumështit të nxehtë/ që të mos plasë - je Ti” ajo e sheh burrin si një pjesë e pandashme e të domosdoshme për të siguruar qëndrueshmërinë e gruas. Nuk ka drojë në komunikimin mes tyre. Ajo i thotë pa të keq : “Futu në ditët e mia”dhe “qëndro si direk të kapem pas teje”. Gjithçka mes tyre është e qartë dhe pa mëdyshje ata kanë gjetur sintoninë që “të mos ndihem e vogël” “si një fjalë e rrallë,/si fjala “Kuçumele”/ në një fjalor të madh’’. Kjo sintoni vazhdon edhe në momentet më intime mes tyre që shfaqen lirshëm e pa pompozitete të mëdha : “ të shndërrohemi puthitur/ si dy mentesha në lëvizje/ që këlthasin nga era”.

Dashuria jeton në pafundësi, ajo nuk është një çast fatlum që tretet lehtë. Ajo përjetohet në mijëra forma e mënyra që përshfaqen njëra më e bukur se tjetra, si në një mjedis tjetër, larg rropullive të jetës e çoroditjeve të shkaktuara nga rutina: Ti nuhat se çka dua është një vallëzim/ ngjitur e lundrues në muzikë/si dy copa akulli që shkrihen ngushtë në gotën e uiskit/ duke bërë kokla-avitje”. kjo gjendje vazhdon derisa “shpërthejmë lëkurën e bëhemi yj.”

Në poezinë “ SEKSI DHE QYTETI” autorja ngjitet diku lart të vështrojë qyetin në lëvizje që i ngjan me një qënie të gjallë ku rrugët janë enët e gjakut, dielli një gjëndër që derdh dritë të majmur, makinat gjaku në organin e burrit. Në tërë këtë “ gjellëtirë” ajo pluskon dhe kupton se “ qyteti të zë kur je vetëm”. Si urë shpëtimi: “Ti. Përballë” dhe një çmontim i gjithë trupit të përfshirë në dëshirë : “si dy gjarpërinj ndërkallur në një lëkurë

Pranëvënia e dy gjendjeve krejt të kundërta në këtë poezi: Koka - shtëllungë me lagështirë më zbret si zhivë,” dhe “Rruazat e kuqe piklojnë në vërtitje si në galaktikë”,njëra pasive dhe tjetra aktive i jep tone të larta poezisë. Ajo përpiqet të përfshijë lexuesin në të duke i bërë pyetje të drejtpërdrejta: “E ke vënë re? Qyteti të zë kur je vetëm,/siç të zë pija kur je pa ngrënë.” Përgjigja që jep duke shprehur opinionin e saj, përligj pjesën e dytë të poezisë.

Në poezinë që i ka dhënë titullin vëllimit “TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA” kemi një pamje krejt tjetër: një burrë që qan. Autorja e vë përballë vetes dhe rrëfen brengën e tij. I panjohuri “më flet për të, për to, por jo për veten e vet,/ më flet për adresat e shpeshndërruara të dashurive të tij,/ më flet për të gjitha gratë që ka pasur,/siç flet piktori për veprat/ se si kohët u shndërruan nga bollëk në boshllëk...” ajo e përshkruan shkurt gjendjen e tij: “Ky burrë- gur pa lëkurë” me “vështrimin përtac që lëndrrohet si i pirë...” , gjestet e ngordhura si duar pa fuqi” dhe “Një burrë, si tubet i shtrydhur boje”për ta mbyllur me krahasimin “Ai është mpakur e kërrusur si ©”. Ajo i vë përballë heshtjen, sepse “nuk mund t’i them të mos përvuajë, sepse e di mirë: “Të gjitha të drejtat janë të rezervuara” për çdo njeri /të drejtën për të pasur pjesën e vet në vuajtjet e gjëllimit të tij...”nuk rreket të na tregojë historitë e tij, ato janë të ngjashme me historitë e secilit prej nesh, përpiqet të ruaj privatësinë e gjendjes dhe të jetë një dritare në të cilën “ Ai” mund të trokasë përsëri.

GRUAJA

Çupi e sheh veten të aftë për të dhënë këshilla në marrëdhëniet grua-burrë në poezinë “ Sa lehtë!” ajo shpalos në hyrje të poezisë gjendjen që krijohet mes çiftit kur burri dëshpërohet: “Sa lehtë është të dëshpërosh një burrë/ta përbaltësh në pije sa lotët t’i zhgërryhen në bark/sa zhgënjimi ta kafshojë në zverk,/ta palosë më dysh sa ndjenja t’i përhumbet përfund...”ajo flet me vetëbesim dhe e sigurt se: “grua,/je E VETME dhe E PËRVEÇME!/ ngrije veten lehtë/ me një hap kanguri/ me burrin në xhep (që herë futet e herë del)/ bëje hapin e parë/ nga “vetëm”, tek “e përveçme”! Është një thirrje e hapur dhe e mençur, një thirrje e nevojshme në gjendjen e gruas shqiptare dhe shoqërisë në përgjithësi për rolin dominues që duhet të ketë femra në familje. Konstatimi : “Burri është fëmija yt i jashtëm”është kuptimplot dhe novator që vjen prej në poeteje që e vlerëson rolin që duhet të ketë në shoqëri vepra e saj.


Alma Çupi

Çupi shkon përtej metaforës, duke i çsendërtuar objektet që na qerthullojnë dhe kur ne mjaftohemi me shpjegimet e fjalëve e dukurive në fjalor,ajo na jep një palë sy të tjerë për ta parë natyrën si një familje. Toka shihet si një grua, malet si gjinjtë e saj, retë –fëmijë të uritur. Një situatë e tillë shtjellohet në poezinë “Mishi dhe Liria”Nga mishi i tokës/ gufojnë malet – gjinjtë thithbardhë./ Retë topolake zhysin gojët,/ thithin qumësht e marrin peshë./ Të ngopura – rendin të lodrojnë diku gjetkë. / Kur uria i merr prapë/ kthejnë kokën matanë,/ vërejnë gjirin e picërruar larg, larg.../e ia krisin me të qarë... / Më vjen si retë të shkrij/ kur mendoj pse atdheu nuk është liri.

Pyetja retorike e zhdrejtë, që ngrihet si një satelit mbi tokë në vargun e fundit, është një rënkim i përligjur. Atdheu është nëna, familja, nëse ato nuk janë liri, do të shkrihet si retë, sepse nuk mund të ushqehet më.

Edhe ndaj artit poetik ka qëndrimin e vet. Ajo i ndan në dy grupe poetët: “ata të vegjël e naivë që flasin për frymën, për dashurinë dhe poetët e mëdhenj, modern që merren me gjëra që kanë fuqi/ me mendimin, ironinë”.Kushtet në të cilat zhvillohet letërsia e sotme, janë të vrazhdëta. Ato prodhojnë një letërsi “që nuk të jep shend”, kur cilësohet: “Letërsi me thonj është kjo që bëhet sot, miku im,/e zbehtë dhe e egër, e etur të zënë vend / me fjalë-troç që vrasin ngjyrat…”

Vallë po e kryen letërsia e sotme misionin e saj të përhershëm? A do të mund t’i bashkangjitet ajo rrjedhës së artit poetik, me një derdhje cilësore? Apo gjithçka që “ bën bum e bujë” është vetëm një flluckë gjigande së cilës i shijojmë madhësinë dhe formën dhe pastaj zhduket pa lënë gjurmë? Kjo letërsi “ e holluar si vera me ujë” , ka romanin që “do gjak, është mishngrënës”, “ndryshe nga poezia që ushqehet me bimë”

LIRIA

Autorja thërret pranë vetes një bashkëbisedues të cilin e quan “miku im” ose “Ti” dhe me të ndan perceptimet e saj për realitetin. Ajo i rrefehet atij. Rrëfimet fillojnë me një pohim dhe pastaj me vërtetimin apo arsyetimin e saj rreth atij pohimi. Në poezinë Nën-natyrë ku fjala Nën është edhe në kuptimin e nënës, ajo ndërton një historinë e re njerëzore, krejt e padëgjuar më parë. I pari qe zbulimi” e dyta qe shpikja, i treti qe krijimi, pastaj në pjesën e dytë fillon me një fjali të rrallë: “Ne qytetëruam bri fjalesave/ të gjata si lumenjtë, si rrugët, si kërthiza.”Rindërtimi i historisë me autoren-Evë dhe bashkëbiseduesin-Adam, kalon në të gjitha fazat që njihen, por të ridimensionuara. “Ti i pari vure re se qielli ka kurdoherë një stoli, ndriçimin:/ ditën diellin, natën yjet, në shtrëngatë vetëtimën... ose “ishte dimër / kur ne shpikëm zjarrin me të fërkuar”

Ajo nuk dorëzohet as para tabuve të njerëzimit: “në gojë na shpon një gjemb kur themi “Në emër të Atit, të Birit, të Shpirtit të Shenjtë!” ti thua se është formulë gruaje për të dashurit e saj,/ unë them është formulë burri për pushtetin e tij,…” shpreh mendimin e saj rreth tyre, parë në këndvështrim tjetër, e çliruar nga paragjykimet.

Poezia e Rudina Çupit sjell një lloj të veçantë poezie që të ngërthen me gjetje të shumta, me fjalorin e pasur që gjallon në të, me fjalët e reja të kijuara në laboratorin e saj. Mund të sjell këtu fjalë si : ujkohem, përhimem, përqumshtem, i gabimtë, apo trungnajë

Rudina Çupi di të përdor me shumë fantazi paraqitjen grafike të shkronjave, fjalëve apo figura të sendërtuara të tyre duke dhënë efekte të pëlqyeshme për syrin e lexuesit. Që nga paraqitja mendon i çlirët për vargjet që do të lexosh. Ajo shkruan si një shpirt i lirë në fluturim duke përshfaqur ndjenjat e heroinës lirike, pa kurrfarë droje dhe mos e çensuuar vetveten si një ballkanase me mendje të hapur.

Mbi të gjitha është mjeshtre e krahasimit, duke u nisur nga jeta e veprimet e përditshmërisë, ajo i ngre në art me shumë natyrshmëri. Le të sjellim disa nga krahasimet e saj: si mish i gatuar me lëngun e vet,si tesha të ndera në erë, si kokrra idesh në degë, si bimë insektngrënëse kapin psherëtimat, si dy lëngje të një tretësire, si bakllava të pjekur mirë, mendimet nuk mund t’i zhvesh si tesha etj. Siç shihet bota e saj e madhe e ka fillesën në gjëra të vogla, të cilat vishen me tisin e misterit dhe serviren duke dhënë kënaqësi estetike.

Poezia e Rudina Çupit çel në lëndinën e poezisë shqipe me ngjyrën dhe aromën e saj, me veçantinë e të shkruarit si një prozë poetike që edhe rimon, që shpaloset me talentin e një artisteje grafikisht, që trajton me kujdes tematika të ndryshme, që gris perden e “të pathënave” me shumë guxim, që beson te dashuria dhe fuqia e saj për t’i bërë njerëzit më të mirë.

Delvinë 14 shtator 2019


104 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page