top of page

“Bunari” është një nga romanet e pakët filozofik, që kam lexuar


Prof Dr Ilinden Spasse

“Bunari” është një nga romanet e pakët filozofik, që kam lexuar

Mbresa mbi romanin “Bunari” të Fatmir Terziut


Nga Prof Dr Ilinden Spasse


Sapo mbarova së lexuari romanin “Bunari” të Fatmir Terziut. E lexova shumë shpejt, brenda natës. Për mua është një prozë poetike ku me një gjuhë të pastër e të pasur, shpesh herë edhe alegorike e filozofike, gërshetohet talenti dhe kultura e gjithanshme e autorit ... Shkrimtari me këtë roman trajton një temë sa të vështirë aq edhe të panjohur për mua. Në këtë vepër operon midis legjendës dhe realitetit, midis paganizmit dhe kohës së tanishme, moderne... Terziu përpiqet të zbërthejë copëza jete të harruara, copëza historie të harruara nga koha që ikën aq shpejt e nuk kthehet prapa, por që shpesh lë gjurma nëpërmjet folklorit popullor, gojëdhënave, përrallave, legjendave, këngëve etj. Shumë domethënës është edhe ky varg, që e përsërit, me shkak autori disa herë: “Oh, rosa rosit na arbanosko zemlja” (Oh, vesa veson në tokën arbërore).... Në këtë roman Terziu mbështetet shumë edhe në dëshmitë arkeologjike, siç është vetë “Bunari” (pusi), siç është lumi i vogël i Ostrenit...., siç janë simbolet e ndryshme të gdhendura nëpër shkëmbinjtë, pllakat e varreve apo nëpër armët luftarake etj. etj. Në roman autori është përqendruar më tepër në familjen e Kastriotëve, flet për stemën e shqiponjës me dy kokë, për kapelen e Skënderbeut, me simbolin e bricjapit, për përkranaren e tij të veçantë dhe shpatën, që sipas gojëdhënave “ndante” shkëmbin më dysh, relikte këto që ruhen edhe sot në muzeun e Vjenës....



Në këtë roman skaliten personazhe mjaft interesantë, të shtrirë në kohë të ndryshme. Flitet për krijimin e tempujve mijëra vjet më parë, por edhe për kooperativat dhe “tufëzimin” e bagëtive, të kohëve tona moderne; për Kështjellën e “Sfetigradit”, ku Skenderbeu pesëqind vjet më parë, pësoi disfatën e madhe nga tradhëtia që iu bë, duke ia mbyllur “rubinetin” e ujit kështjellarëve por edhe për atë që tentoi të kalonte kufirin, e që u quajt “armik i popullit” i kohëve tona. Shkrimtari flet për delet e buta, që ndjekin njëra tjetrën edhe kur bien në gremina të thepisura..., por flet edhe për dhitë autoktone, që nuk bien pre si delet e urta, për simbolet e brirëve të cjepërve, që banorët i ngulnin nëpër dyert e shtëpive të tyre... për fat; flet dhe për mutacione, për ADN, për gene etj... I bëj pyetjen vetes, se ku e gjen atë forcë intelektuale, që të gërshetohet aq bukur fantazia krijuese me fenomenet e natyrës, legjendat me historinë, që të flitet për varrin e Ançës, vajzës bukuroshe (që për mendimin tim është personazhi më i realizuar, i këtij libri...) për arrën budallaqe, qershitë e Muharremit, të trashëguar nga i ati Lamja, për hithrat dhe qershitë si bimë ushqyese dhe kurative... Me siguri, kjo ka të bëjë në radhë të parë me dashurinë që ushqehet për vendlindjen... Pa këtë dashuri nuk mund të “çahen” shkëmbinjtë, nuk do të kishte mundësi t’u jepej “gojë”, burimeve, përrenjve, fushave dhe maleve.... Zgjidhja e enigmës ku ...Prapa këtyre rreshtave personifikohet forca gjenetike e jetës, fshihet edhe forca e dashurisë së autorit për vendlindjen e tij... Një shkrimtar, nuk mund të bëhet i madh, në qoftë se në krijimtarinë e tij nuk merr personazhe nga vendlindja, nuk trajton folklorin e vendlindjes me të cilën ai është “mëkuar” që fëmijë nga tregimet, gjëegjëzat, përrallat, legjendat e gjysh-stërgjyshërve të tij, në qoftë se ai nuk është i “mbarsur” nga gurët dhe drurët e vendlindjes, nga malet, lëndinat, luginat, nga gurgullimat e ujëvarreve që i ka shkelur e dëgjuar kushedi sa e sa herë me prindërit, me shokët, me ...librat.... Pa dashurinë për vendlindjen nuk mund të jepen mesazhe të tilla të shkëlqyera si: “Duhet të dimë se me natyrën ne jemi borxhlinj, dhe jo vetëm ndaj natyrës, por edhe kohës së ikur. Koha mblidhet në një grusht germash në histori, histori të ngatërruar...” etj, etj. Autori ka aftësi të çuditshme sintetizuese: Në 123 faqe flitet për krijimin e tempujve mijëra vjet më parë, dhe për “shkatërrimin” e tyre në vitet gjashtëdhjetë; për tradhtinë që ndodhi për rënien e kështjellës së Sfetigradit pesëqind e ca vjet më parë, me “tradhëtinë” e ushtarit që kaloi klonin 30 vjet më parë... Pra me një grusht fjalësh e fjalish autori sintetizon kohën, historinë, dhe bën të flasin në 123 faqe edhe gurët, edhe lumenjtë, bën të “çahet” mali më anë të shpatës së Skënderbeut, bën të flasin edhe drurët, edhe qershitë, edhe hithrat, edhe arra budallaqe... Për mua ky është një nga romanet e pakët filozofik, që kam lexuar, e që shkrimtari e ka realizuar aq bukur, si me kompetencë shkencore, ashtu dhe me kompetencë letrare e filozofike. I lumtë. Suksese...

20. 05.2019

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page