top of page

BUKURIA E TREGIMIT TË SHKURTËR


Halil Zendeli


 PREND BUZHALA

    Bukuria e rrëfimit, në tregimet e Halil Zendelit (Shkup), përbën atë “elementin e pestë” të krijimit të universit letrar të librit me tregime “Vite çmendurie”. Këto tetëmbëdhjetë tregime ngërthejnë ndjeshmëri të veçantë, prirje të posaçme për të ngritur një mikrokosmos të personazhit a të qenies njerëzore e, së andejmi, për ta rrëfyer dramatikën e brendshme të personazheve.

    1.     E kjo dramatikë shtrihet në tri nivele rrëfimi: në nivelin e rrëfimit të tensionuar, në të cilin realizohen situata të ethshme, të ankthshme jetësore-ekzistenciale, apokaliptike, do të thoshim; në nivelin e rrëfimit të hiperbolizmit apo të zmadhimit, të fantastikës e të së çuditshmes, në të cilat paraqiten forcime të efekteve emocionale, pamore apo “tingullore” (Jehonat e një zëri, tingulli etj.), si dhe në nivelin e dramatikës së depërtimit, do të thotë, të depërtimit në thellësitë e shpirtit e të qenies, që nuk arrin t’i shohë syri njerëzor. Të duket sikur autori flet për do kohë të shkuara, për do “vite çmendurie”, nga të cilat tashmë personazhi i Zendelit është i çliruar. E megjithatë, koha e rëndë, me vizionet e saj apokalitpike, qëndron këtu, në ne e brenda nesh, me gjithë ato ndërliqësi të fatit e të ekzistencës. Sepse askush nuk e di se kur mund të ndodhë një situatë e tillë, apokalpitike, si murtaja, përmbytja apo lufta. Dhe këtu qëndron esenca e narracionit dhe e një situate të tillë, të nderë, në të cilën ndodhet personazhi: njeriu duhet ta ndiejë e ta ketë parasysh gjithnjë e gjithnjë përgjegjësinë para vetvetes dhe jetës së tij. “Çka është apokalipsa?” pyet krijuesi e esesiti Andrej Tarkovski dhe përgjigjet: “Është pamja e shpirtit të njeriut, me përgjegjësitë e obligimet që i takojnë. Secili njeri e përjeton atë që përbën temën e Apokalipsit të Shën Gjonit. Domethënë, nuk ka se si të mos e përjetojë”. Kurse, Zendeli, sipas Frojdit, niset nga e bukura për të depërtuar drejt së rrëqethshmes, bizares. Dhe, së fundi, për të na çliruar, nëpërmes katarzës, nga ky bizaritet ekzistencial. Kështu, në tregimin “Magjia e të vdekurve”, kjo “kohë çmendurie” ngjallet nëpërmes kujtesës narrative. Janë, ato, do kohë, në të cilat “nuk flitej me gojë e nuk mendohej me kokë, po me shpirt e zemër...”, personazhi i tregimit kthehet pas shumë vjetësh në truallin e shtëpinë e tij në vendlindje. Ndryshimi i kohëve ka sjellë edhe ndryshime të tjera, kurse në kujtesë janë thadruar, amshueshëm, do kohë të tjera, njerëz të tjerë. Gjithçka ngjet si në një halucinacion: në xhami ai flet e rri me të vdekur, kurse të gjallët nuk janë askund. Metaforë që kohët jetohen e përjetohen në përmasa të tjera me njerëzit e ngjarjet. Pas këtij ankthi halucinativ, në fund fekson një dritë çlirimi. Fanatastikja, e çuditshmja, halucinacioni, ankthi apo shajnia, përshkojnë edhe tregimet “Varrimi i djallit”, “Hija”, “Lumi”, “Kohë e shqetësuar”, “Plaku dhe gjarpërinjtë”, “Ethe e jerm”, “Druri i madh dhe milingonat” etj. Apokalipsa shpirtërore ndodh: pa rrënime shtëpish, sepse njeriu pa shpirt është kufomë, kufomë e gjallë. Kurse autori na sugjeron se më triumfin e kësaj përgjegjësie njerëzore para vetvetes, njeriu pikësynon pavdekësinë ose triumfin mbi vdekjen, se Ëndrra për Një Kohë Më të Mirë është pikësynim i ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë, se të gjendesh në pritje të përfundimit të një kohe të vështirë a vitesh të çmendura, atëherë ti ke hyrë në një nivel tjetër, më të lartë, të ekzistencës: në jetën e dytë të shpirtit. 2.  Procedimori i tillë i tregimit të Zendelit, sikur na legjiton se njeriu, megjithatë, më mirë njihet në raport me fantasiken e të çuditshmen. Prandaj, këto dy kategori procedimore nuk janë në opozicion me realitetin. Tregimet e këtij autori i ligjëron triumfi i jetës mbi vdekjen, i fantastikës mbi fatalitetin i ringjalljes mbi vdekjen. Fantastikja është trajta më e thellë e realitetit (Donat), kurse situatat e ngjethshme thuren për ta paraqitur këtë esencë: sikur jeta njerëzore në këtë botë është ajo që më së paku mohet e pikërisht ajo duhet çmuar më së shumti (shih gjithë ato përmbysje, luftëra, e çkamos tjetër). Janë do kohë të traumatizuara, të çmendura, të lemeritshme, që pikërisht e shtyjnë njeriun të ëndërrojë pavdekësinë, atë ëndrrën e kryehershme për vazhdimësinë e jetës, të ideve njerëzore, posi Gilgameshi, ky njeri i madh që nuk deshi të vdiste (J. Boottero). Vetë fjala apokalipsë ka domethënie të dyfishtë: si zbulesë e një kohe që do të vijë dhe si sinonim i shkatërrimit. Proza postmoderne, tek i ngërthen dhe i ngjiz strukturat zhanrore letrare, joletrare a jashtëletrare; realizohet si një ars kombinatoria, që shfrytëzon mundësi të pakufishme të artistike-gjuhësore, narrative, kombinemesh të pazakonshme e të jashtëzakonshme të elementeve narrative-fantastike. Tregimi i shkurtër lexohet me kënaqësinë e përjetimit të lojës narrative-tekstore-kombinatorike. 3. Sa libra tregimesh, aq poetika. Së paku, proza e Halil Zendelit dëshmon se, jo vetëm nga decenia në decenie, po edhe nga libri në libër, interesimet e poetikës narrative tregimtare ndryshojnë. Fantastika folklorike është burimi kryesor i tregimit të Zendelit: jo vetëm me ritet, bestytnitë, ceremonitë magjike, mitet, legjendat, po edhe me energjinë e mbinatyrshme që rrezatojnë ato: realitetet “joreale”, fantastike, rikrijohen me energjinë narrative për të strukturuar e realizuar botën artistike të tregimit. Realiteti në këto tregime është i pranishëm me ndihmën e transponimeve në mënyra të ndryshme, me procedimet krejtësisht të skajshme artistike: prej groteskës e parodisë e deri te tematika e filozofisë së absurdit; prej ironisë e transponimit statik e deri te fantastika e “realitetit”. Porse, nuk has sot, në teoritë letrare, ndonjë përkufizim të përbashkët e të saktë: çka është fantastike e çka e çuditshme ose e çrëndomtësuar, anise këto ecin bashkërisht në hapësirat narrative të letërsisë. Anise Rozhe Kajoa i ndan ato, fantastika realizohet në trajtën e ëndrrës, shajnisë, vegimit, halucinacionit e tronditjes, si anomali biologjike ose si dukuri parapsikologjike (spiritizmi, telepatia, ëndrrat e nduarnduarta e parashikuese). Të gjitha këto trajta i takojmë edhe në tregimet e Zendelit, nga tregimi në tregim. Së këndejmi, ato përshkohen nga e njëjta frymë strukturimi e realizmi tekstor-narrativ e procedimor, madje, sikur tregimi i Zendelit as nuk mund të ecë pa praninë e fantastikës e të çuditshmes, gjithnjë në gërshetë me këndëvështrimin apokaliptik të jetës e të realitetit. Prandaj, pas një situata të tillë të ankthit, hulacionacionit apokaliptik, përmbytjeve, fatalitetit etj., vjen një përfundim mbi këtë gjendje, një si hapy and a triumf forcash të energjisë këndellëse jetësore. Mbas këndëvështrimit apokaliptik që vjen si përmbytje mbi fatin ekzistencial-jetësor, autori nuk i shpall të vdekur as njeriun e as hyjninë. Jo. Sepse, sado që Hyji është ai, i cili hesht, që qëndron aq larg e larg njeriut, megjithatë personazhi i Zendelit shtegton nëpër këto hapësira të mistikës, aty ku i takon qeniet e dërguara nga hyji, si parashenja e tregues të një gjendjeje që do të ndryshojë për të mirë a për të keq, si shpërblim për të mirat apo për të këqijat që vijnë në jetë.


19 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page