top of page

BUJAR  QESJA: Për Edlira Qesja Gjymyshkën, me dashuri e respekt

Një 40-të vjetor pa ajkë e lule por me shumë  zemër


Për Edlira Qesja Gjymyshkën, me dashuri e respekt

BUJAR  QESJA


Ka mbrëmje që nuk janë të shkruara në kalendar, nuk paralajmërohen me bujë, nuk i paraprin rregullimi i sallave, buqetat, muzikat e forta e as ftesat e shumta. Janë mbrëmjet e zemrës, ato që të vijnë papritur dhe të lënë gjurmë. Një nga këto ishte festa e vogël, intime dhe e dritshme për 40-vjetorin e lindjes së Edlira Qesja Gjymyshkës, vajza e vëllait tim, Yllit, një prej njerëzve më të dashur e më të respektuar në jetën time dhe në qytetin tonë.

Në shtëpinë e saj, të ngrohtë si vetë shpirti i Edlirës, u mblodhëm si një familje që njeh vlerën e qetësisë, të sinqeritetit dhe të thjeshtësisë. Aty nuk kishte dekorime të tepruara, as skenografi të zhurmshme. Kishte një tryezë modeste, njerëz të dashur dhe një atmosferë që të kujtonte se lumturia nuk matet me madhësinë e festës, por me thellësinë e ndjenjave. Çifti Elvis dhe Edlira Gjymyska, u kujdesën për ta mbajtur të ngritur atmosferën e rrallë shpirtërore.

Edlira mesuese e gjeografisë dhe historisë në gjimnazin “Leonik Tomeu”, është një prej atyre figurave që i jep dritë profesionit të vet. Mënyra si flet për nxënësit, mënyra si gjen gjuhën me çdo brez, serioziteti me të cilin punon dhe pasioni i qetë që e udhëheq, e bëjnë të jetë shembull i bukur mësuesie. Gjurmët që lë çdo ditë në shkollë, nuk janë vetëm njohuri, por edhe edukatë, kulturë qytetarie dhe një lloj butësie, që sot është gjithnjë e më e rrallë.

Në këtë mbrëmje të vogël, simbolike, Edlira kishte pranë tre dhurata të gjalla, tre fllade shprese që e mbajtën ndezur gëzimin e saj: Herën, Enea dhe Elodian. Në këtë “skenë” të improvizuar familjare, në dhomën ku drita e shtëpisë përzihej me dritën e syve të tyre, ndodhi një koncert i vogël e i mrekullueshëm.


Mbesa me xhaxhain e saj të nderuar
Mbesa me xhaxhain e saj të nderuar

Hera Qesja, nxënëse e klasës së gjashtë në shkollën “Marie Kaçulini”, e nisi programin me violinën e saj, e cila tingëllonte e qartë, e pastër, sikur të vinte nga një pemë që sapo ka çelur pranverë. Pas saj, Enea Gjymyshka, vetëm 10 vjeç, e pasoi me një siguri që nuk e gjen shpesh në këtë moshë. Duart e vogla, por të sakta, shpalosën nota që sillnin gëzim dhe përkushtim. Dhe pastaj Elodia Qesja, vetëm 5 vjeç, që me lojën, recitimin dhe kërcimin e saj solli dritën e plotë të fëmijërisë, atë dritë që s’ka nevojë për fjalë, sepse flet vetë.

Ata të tre së bashku krijuan një mbrëmje që nuk e kishte luksin e sallave, por kishte madhështinë e shpirtit. Violina, recitimet dhe kërcimet u shkrinë me bisedat e ngrohta, me qeshjet e fëmijëve, me emocionin e prindërve dhe me krenarinë e Yllit, vëllait tim, 77 vjeç, mësues dhe drejtor shkolle në pjesë të jetës.. Ylli i ka dhënë arsimit tonë një jetë të tërë dhe sot ai sheh tek vajza e tij Edlira, vazhdimin më të bukur të asaj rruge. Shikimi i tij i butë e krenar të ngrinte peshë zemrën.

Edlira i mbushi 40 vjet me një qetësi të bukur, me atë maturinë që ia jep jeta kur je rritur me punë, dinjitet dhe dashuri familjare. Ajo nuk kërkoi as zhurmë, as festa të mëdha. E priti këtë ditë me buzëqeshje të ndrojtur, me atë fisnikërinë e qetë që e shoqëron. Dhe unë, teksa rrija pranë saj për të bërë fotografinë që do ta ruaj gjatë, mendova se sa shumë vlerë kanë njerëzit që rrinë të heshtur, punojnë, ndihmojnë, rrisin fëmijë, mbjellin kulturë dhe japin dritë, pa kërkuar asgjë në këmbim.

Ky 40-vjetor nuk kishte ajkë e lule, sepse kishte diçka më të çmuar, zemër. Kishte familje. Kishte përqafime të sinqerta, gëzim të pastër, rrethana që të bëjnë të kuptosh se jeta është më e bukur kur ndahet në rreth të ngushtë, me njerëz që duam dhe na duan.

Dhe unë, si xhaxhai i saj, e ndjeva këtë ditë si një gëzim personal, si një festë që e meriton të kujtohet. Prandaj vendosa të shkruaj këto rreshta, si një dhuratë zemre për Edlirën, për t’i thënë:Gëzuar 40-vjetorin, mbesa ime! Të qoftë jeta e gjatë, e qetë, e mbushur me dashurinë që ti vetë di t’ua japësh të tjerëve! Qoftë kjo mbrëmje e vogël, kujtim i bukur për vite e vite me radhë dhe fotografia jonë bashkë, dëshmi e thjeshtë e një dashurie që nuk shuhet kurrë.

Urimet më të përzemërta, me respektin dhe admirimin që kam për ty si njeri, si nënë, si mësuese dhe si grua e qytetëruar.

Bujar Qesja

Durrës: 10 dhjetor 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page