Bujar Qesja: Katër profile, një tavolinë, një kohë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 18, 2025
- 2 min read

U ulëm tek " Riçardi", i Fred Shoshit këtij zotnie të biznesit, sportit të boksit dhe miqësisë. Fredi është në një bast me veten, për ta pergatitur si boksjer të madh të birin 15 vjeçar Gracianon.
Nuk ishte një takim protokollar. As biznes, as intervistë, as tryezë formale. Ishte një nga ato çaste të rralla, ku njerëzit me rrugë të ndryshme ndalen për pak dhe e shohin njëri tjetrin jo nga kartëvizita, por nga përvoja.
Në një tavolinë u ulën Maksim Marku, Adrian Reçi, Kastriot Xherrai dhe Bujar Qesja. Katër botë që nuk përplasen, por bashkëjetojnë.
Maksim Marku, president i Max Optika, e sjell me vete qetësinë e njeriut që ka mësuar të shohë përtej sipërfaqes. Nuk flet shumë, por çdo fjali ka fokus, si një lente e rregulluar me kujdes.

Për të, shikimi nuk është vetëm funksion biologjik, por akt përgjegjësie, të shohësh drejt, qartë dhe pa shtrembërime. Në bisedë, kjo përkthehet në mendim të matur, në refuzim të teprive, në besimin se saktësia është formë etike.
Përballë tij, Adrian Reçi, president i Ital Inox, sjell energjinë e njeriut të ndërtimit dhe strukturës. Fjala e tij është si materiali me të cilin punon. E fortë, rezistente, pa dekor të panevojshëm. Beson te qëndrueshmëria, jo vetëm e metalit, por edhe e karakterit.
Kur flet për punën, flet për disiplinë, për durim, për kohën që duhet t’i japësh çdo gjëje që do të zgjasë. Në mendimin e tij ka një filozofi të heshtur: ajo që ndërtohet shpejt, shembet shpejt.
Kastriot Xherrai, nga firma “Kastri Parket”, është ndryshe. Flet si njeri që punon me sipërfaqe, por mendon në thellësi. Parketi për të nuk është thjesht material ndërtimi, por hapësirë jete, tokë e brendshme e shtëpisë.
Në bisedë, Xherrai sjell ndjeshmëri, vëmendje ndaj detajit, bindjen se bukuria nuk është luks, por nevojë njerëzore. E shikon punën si marrëdhënie mes njeriut dhe mjedisit ku jeton, por që kërkon respekt.
Dhe mes tyre, gazetari Bujar Qesja. Jo si moderator i shpallur, por si dëgjues aktiv. Me përvojën e gazetarit që ka parë kohë, njerëz dhe sisteme të ndryshojnë, Qesja di një gjë thelbësore, historia e vërtetë nuk bërtet. Ajo vjen ngadalë, në mes të një bisede, në një pauzë, në një fjali të thënë, pa qëllim për tu dukur, por për tu treguar..
Biseda nuk rrotullohej rreth suksesit, por përgjegjësisë që vjen me të. Nuk flitej për fitime, por për kohën. Për punën që mbetet. Për emrin që lë pas. Secili, në mënyrën e vet, fliste për të njëjtën gjë, nevojën për të qenë i drejtë me atë që bën.
Jemi në një takim miqsh të sinqertë ku biznesi, etika dhe përvoja njerëzore, u ulën në të njëjtën tavolinë, pa hierarki. Dhe ndoshta kjo ishte ajo që e bënte të veçantë. Fakti që askush nuk përpiqej të dukej më shumë se ç’ishte.
Kur u ndamë, nuk mbeti një lajm. Mbeti një ndjesi. Se në një kohë zhurme, ende ekzistojnë njerëz që flasin me ton të ulët dhe bëjnë punë që flet vetë.
Katër rrugët e këtyre njerëzve vazhdojnë, me një miqësi të lidhur, që sigurisht edhe kjo do të vazhdojë.









Comments