Bruna Gjoni Pervathi: Pa vete
- 1 hour ago
- 1 min read

Kur bie nata,
nis e kërkoj veten time te ti.
Në duar mbaj busullën që të humbi ty para një viti,
në kishën e vjetër, ku duart tona
u bashkuan në të njëjtën lutje.
Ti je ende atje,
i ajërt,
si frymë që nuk e prek dot.
Me sytë nga dritarja e hapur, ku bliri derdh degët e tij të reja
dhe era i shkund si bekim.
Atje ku një ujëvarë këndon me lahutë këngë kreshnikësh,
e zotat me kurora ulliri
rrëfejnë legjenda dashurie
që koha nuk i mplak.
Ndërsa unë…
unë, pa veten time, flas me fluturat
që më sillen rreth dritës së syve.
Ndërtoj e rrënoj ëndrra brenda natës.
Kthehem në zokth trishtimi.
Hap e mbyll fletë ditari,
ku mbaj të vizatuara dy duar që luten…
Luten edhe kur nuk ka meshë.
Kur bie nata,
ti bëhesh edhe më i bukur.
Yjet i kthen në rruzare,
hënën në një qiri lutjeje,
e qiellin në një kishë,
ku shenjtorët derdhin bekime mbi puthjen e parë.
Fli…
Fli bashkë me veten time,
që prej kohësh më ka lënë pa vete.








Comments