Bilall Maliqi: POEZI TË MBËSHTJELLURA ME PETKUN E DHIMBJES
- Mar 31
- 6 min read

Bilall Maliqi
(Sadbere Gagica “Përtej dhimbjes”, sh.b. “Kurora” Gjilan, 2026, fq.137).
Kur dhimbja i troket krijuesit në deriçkën e shpirtit, ato dëshirojnë t’i futen brenda, mandej të dalin të zjarrosura, ashtu siç e ndjen me forcë krijuese. Dhembja si koncept manifestohet sidomos në poezi që brenda semantikës së tyre kanë këtë tematikë, e cila ngjeshet me ngjarje apo ndodhi poetike. Poezi të tilla të mbushura dhe të stërmbushura me dhimbje kemi te libri më i ri me poezi i poetes tashmë të njohur për lexuest , Sadbere Gagica, me titull “Përtej dhimbjes”.
Brenda këtij libri gjendet një botë krijuese e autores, kushtuar motrës së saj të ndjerë, e cila është subjekt i të gjitha poezive të këtij libri, pos ciklit të fundit. Këto poezi japin një pasqyrim të qartë për dhimbjen e autores për humbjen e motrës së saj dhe këtë dhimbje ajo bukur mirë e ka manifestuar nëpër vargje poetike të qëndrueshme, të pajisura me porosi që ngjallin dhembje, jo veç për autoren e librit, por edhe për të gjithë ata që e lexojnë me vëmendje.
Libri është i ndarë në katër cikle poetike: /Malli më djeg/, Motra ime, gjysma ime/, /Shpresa pulson/ dhe /Ju dua si nëna ime/.

Që nga cikli i parë e deri te cikli i tretë, protagoniste e poezive është motra, të cilën e portretizon në secilën poezi, me gjetje të ndryshme, me fjalë të zgjedhura, të dala nga thellësia e shpirtit, ato fjalë dalin natyrshëm, jo të dhunuara, dalin si psherëtima të lagura.
Brenda poezive ka lutje, ka shpresë për shërim, edhe pse autorja mirëfilli e dinte llojin e sëmundjes vrastare, e cila ja mori vetëm fizikisht motrën e asnjëherë nga kujtimet, nga vargëzimet e saj, sepse ajo tanimë është si një hije e padukshme brenda vargjeve poetike, brenda këtyre përkushtimeve të fuqishme të poetes, të shoqëruara me fjalë të zgjedhura, e jo të rastësishme, të cilat i japin fuqi shpirtërore për ta përballuar ndarjen, dhimbjen e saj dhe mungesën e munguar. Ajo i ka përcjellur bukur mirë ecejaket e zhvillimeve të shëndetit të motrës së saj në spital, duke përshkruar bukur mirë edhe diagnozat e morfiumet që i jepnin për t’ja ndalur apo fashitur sado pak dhimbjet nga kanceri vdekjeprurës:
“Ushqejmë me morfij shpresat që shuhen
Dhimbjet tua i fshehim nën qetësinë e rreme
Në sy të mbetën ëndrra të këputura
Peng i jetës që nuk u jetua kurrë”.
(poezia “Morfiumi i fundit” fq.13).

Pra këtu shihet qartë pasqyrimi i dy dhimbjeve, në njërën anë të protagonistes (motrës), e cila i pushon dhimbjet nën ndikim të morfinës, alkaloid i fuqishëm nga opiumi për t’i lehtësuar dhimbjet e forta të shkaktuara nga kanceri, dhe dhimbja e autores e cila ja dëgjon dhimbjet, ja shikon fytyrën e zbehur, të lodhur edhe nga sëmundja edhe nga barërat e marra, të cilat kanë edhe efektet anësore. E autorja dhimbjen e motrës dhe të sajën bukur mirë e shkrin në vargje poetike, të cilat ngjallin edhe rrjedhje lotësh, sidomos për ata që lehtë i tradhton loti.
Poezi të tilla me të njëjtën tematikë, por që autoja shëtitet nëpër kohë dhe situata të ndryshme me motrën e saj, kuptohet nëpër kujtime të ëndërruara, të cilat shfaqen si një epizod filmi me syzhe dhembjeje. Këto të gjitha Sadberja ka dëshiruar dhe dëshiron t’i shkrij në vargje, t’i ketë si një kujtim që nuk shlyhet dot, por do të ngelet përgjithmonë në mbamendjen e saj si të freskëta, sepse sa herë që ti lexojë poezitë përkushtimore asaj i del përpara motra e saj në spital, mantelbardhët, morfina, aroma e ilaçeve dhe e injeksioneve, përcjellja e dhimbjeve të saj deri në shuarje. E përtej dhimbjes, prapëseprapë ka dhimbje, të cilat nuk shërohen dot, ato ngelin deri në botën e përtejme, te takimi me të motrën, ashtu të buzëqeshur siç duan të dyjat.
Pas dorëzimit të shpirtit tek Krijuesi i Gjithësisë, autorja na shpien te dhimbja tjetër, te varrezat, aty ku prehet trupi i saj, vend ky që dhimbja shndërrohet në dhembje e dhembja në ngricë shpirti, aty ku shkëputet jeta, por ngelet dhimbja me kujtime të lagura. Këtë autorja e shpreh përmes vargjeve:
“Sot nuk është thjesht varrim
Sot u këput gjysma ime
Sot m’u thye zemra në dysh pa zë
Si qelq i hollë para stuhisë”.
(Poezia “Sot u këput gjysma ime”, fq.31).
Pra, këtu shihet një ilustrim tjetër i dhimbjes së Sadberes, e cila nuk mund të pajtohet me humbjen e motrës, por tregon humbjen e një gjysmë nga shpirti i saj, gjysmë kjo që do ta shoqërojë deri në amshim. Nuk është Sadberja e vetmja krijuese që e ka goditur një humbje e tillë, kjo i ka goditur edhe krijues të tjerë.
Humbja e një motre ka qenë historikisht një nga temat më prekëse dhe më të rënda në letërsi. Shumë poetë i kanë kthyer vargjet e tyre në përmendore shpirtërore për motrat që nuk jetojnë më.Tani do t’i përmendi disa nga poetët më të njohur (shqiptarë dhe botërorë) që kanë shkruar libra apo cikle të rëndësishme poetike për motrat e tyre të ndjera:Lasgush Poradeci. Poeti i madh i lirikës shqiptare i ka dedikuar vargje drithëruese motrës së tij, Katerinës. Humbja e saj la gjurmë të thella në shpirtin e tij, duke u reflektuar në poezi ku dhimbja gërshetohet me metafizikën dhe vdekjen. Ndre Mjeda ka shkruar njërën prej elegjive më të bukura dhe më të njohura në gjuhën shqipe, "Vaji i Dallëndyshes". Kjo poezi i kushtohet motrës së tij të vdekur dhe është një kryevepër e melodisë dhe e trishtimit njerëzor.Stephane Mallarmé. Poeti simbolist francez mbeti i traumatizuar nga vdekja e parakohshme e motrës së tij, Maria, kur ai ishte vetëm 15 vjeç. Figura e saj shfaqet në shumë prej poezive të tij të hershme si një imazh i pastërtisë dhe i idealit të paarritshëm. Alfred Tennyson. Ndonëse njihet më shumë për elegjinë kushtuar mikut të tij (In Memoriam), Tennyson shkroi vargje prekëse edhe për motrën e tij. Poetja e njohur angleze ka shkruar shpesh për vdekjen dhe zinë. Ajo kishte një lidhje shumë të fortë me motrën e saj, Maria Francesca Rossetti, dhe pas vdekjes së kësaj të fundit, temat e humbjes dhe shpresës për bashkim shpirtëror u bënë qendrore në krijimtarinë e saj.
Në letërsinë shqipe, elegjia për motrën është një motiv i shpeshtë edhe te poetët bashkëkohorë, ku dhimbja personale kthehet në art për të përjetësuar kujtimin e njeriut të dashur, porse dhimbjet e tyre në një masë të madhe ngjasojnë në njëra- tjetrën, veç dallojnë nga prurjet, gjetjet e fjalëve, fuqizimin e vargjeve, prandaj edhe poezitë e Sadberes që për protagoniste ka motrën e saj kanë të njëjtin dimension, dhimbjen.
Poezitë e librit janë shumica të gjata, por kanë qëndrueshmërinë poetike, kanë porosinë e fuqishme, kanë simbolikën e tyre. Autroja i ka ndarë në cikle sa për t’i dhënë lexuesit pushim ndërmejt poezive, për të marrë frymë, për t’i fshirë lotët, e për të vazhduar nëpër dhimbjet tjera të cilat i ka shtrirë nëpër poezitë e dy cikleve të tjera, poezi këto të shoqëruara me fjalë të zgjedhura, fjalë poetike, pa ndonjë fjalë që e vret vargun apo e dëmton poezinë në përgjithësi.
Autorja assesi nuk mund të dalë nga koncepti i dhembjes. Ajo përmes vargjeve shpalos humbjen e buzëqeshjes saherë që e dridh kujtesa për motrën:
“…S’ka mbetur buzëqeshje, dita qan me lotë
Ç’faj ka muza që sonte nuk ngjitet
Nëpër shkallë
Dhembjet janë shumëzuara në përmasa kozmike
Jetoj e s’di të qesh as këngë nuk di të këndoj
Pa ty”
(Poezia “S’di të qesh” fq.115).
Me këto shumëzime të dhimbjeve, autorja e librit i ka stërpik të gjitha poezitë në këto tre ciklet poetike të dedikuara motrës së saj, nëpër forma të ndryshme, pa ndonjë përsëritje të panevojshme të ndonjë fjale apo shprehje, porse ato kanë dalë krejt natyrshëm, pa dhunim apo inponim.
Edhe cikli i fundit i këtij libri, njëjtë shoqërohet me poezi që shëprfaqim dhimbje dhe dhembje, por ky cikël i dedikohet prindërve, nënës, babait, Bulit dhe vëllait, vargje të mbushura me mallëngjim të pa sosur kurrë. Të gjitha këto manifestohen bukur nëpër vargje poetike, të cilat japin një pasqyrim të qartë se Sadberja është munduar t’i derdh të gjitha ato ndjesi të mbledhura në tumën e shpirtit, të (ç)lirohet nga pengmarrja e dhimbjes e cila nuk bën të ngelet në brendi, por të dalë jashë guackës së shpirtit.
“Çdo mëngjes shkoj te varri yt nënë
Me duar të mbushura me trëndafila
Duke folur me ty si dikur
Por heshtja përgjigjet me boshllëk”
(Poezia “Për nënën time” fq.121).
Apo poezia kushtuar babait, ku ikjen e tij e krahason me të Orfeut:
“…Ti u largove si Orfeu
Pa u kthye në këngë,
Dhe ne mbetëm këtu me heshtjen
Që s’dinte të këndojë”
(Poezia “Babi” fq. 125).
Babai është shtylla e shtëpisë mbështetje për familjen në të gjitha sferat e jetës, prandaj, poetja e ka ilustruar bukur mirë në vargje /…se ti e mbajte qiellin përtej dhimbjes/, /kur u rrëzove , pesha ra mbi shpatullat tona, babi/.
Sadberja, vargje përkushtuese i shkruan Fulit dhe vëllait të saj, që fati i tij e deshti që të ngelet në karrocë.
Libri me poezi përkushtuese me titull “Përtej dhimbjes” i poetes Sadbere Gagica, përthekohet me poezi të ndërtuara me mjete poetike. Nëpër vargje gjejmë figuracion të bollshëm poetik, si: krahasimi, metafora, personifikimi, epiteti, antiteza, përsëritja etj., të cilat tok me forcën shprehëse të poetes, rregullimin e vargut, qëndrueshmërinë e barazpeshës së poezive, i japin librit vlerën begatshme artistike.
Preshevë, shkurt 2026








Comments