top of page

BILAL XHAFERRI MJESHTËR I PROZËS SË SHKURTËR


Prof.dr.Resmi Osmani

Sprovë


Në trashëgimin letrar të Bilal Xhaferrit, proza e shkurtër, tregimet, novela dhe reportazhi, zenë vend të veçantë dhe u takon të trajtohen si të tilla.Tregimet dhe novelat u publikuan në organet letrare te kohes nga viti 1959 deri ne vitin 1966.Ai i permblodhi keta dhjete tregime ne librin”Njerëz të rinj tokë e lashtë”. Ishte i vetmi liber i tij që qarkulloi 3-4 vjet, pasi të tjerët u ndaluan dhe u kthyen në karton. Në botimin e Ndërmarrjes botuese Rilindja të prishtinës më 1995, janë shtuar edhe nëntë tregime të tjera dhe një fragment romani, të botuara më parë në revistën “Krahu i shqiponjës”,që ishte themeluar dhe botohej në Amerikë nga Bilali.

Tregimet u priten me entusiazëm nga lexuesit, por edhe nga rrethi i letrarëve dhe artistëve.N.Mane[1], dëshmon se Safo Marko, që ilustronte tregimet e Bilalit me skica plot finesë dhe elegancë, kur u takua me të i tha: -Ku je o Bilal Xhaferri, se me novelën “Përtej largësive” ke çmendur pleq e të rinj! Kaq u pëlqye kjo novelë, sa shume djemve të lidur ne ato kohë, u vunë emrin Ergys!

Për nga tipologjia, tregimet ndahen në tre grupe:

Me subjekt nga lufta Nacional-Çlirimtare tre tregime “Ti je partizane,” U këput një yll”, dhe “Ëndërr e ndriçuar”.

Nga përditësia e kohës, tregimet”Largim”,” Në rrugë”, “Dallëndyshja e furtunës”,”Në mes të natës deri në agim”, “Reportazh I vogël”,”Era shtyn mjegullat e mbrëmjes” dhe “Dashuri dhe fate”

Dy tregime janë përtej kohës “Përtej largësive’ dhe “Purpuranti”. Purpuranti, për nga bukuria, mjeshtëria artistike dhe mjetet stilistike të përdorura, është(për mua) tregimi më I bukur I librit. Tema është fitorja e brendshme, morale, në disfatë dhe mbijetesa kur humben të gjitha! Mesazhi: qëndresë, besim, se ditët e fitoreve do të vinë.

Është me interes, të shqyrtohet këtu dilema e këtij shkrimtari dhe metoda e tij krijuese për ti shpëtuar lakut të çensurës dhe metodës së soc-realizmit. Brenda tij luftonin dy kundërshti: nga njera anë dëshira përvëluese për të shkruar e shprehur lirisht mendimet, ndjenjat, botkuptimin dhe filozofinë e tij humane dhe atdhetare, që ja impononte talenti, dhuntitë dhe intelekti i spikatur. Nga ana tjetër ishin kufizimet që impononte me kërkesat e veta të padiskutueshme letërsia zyrtare militante, e partishme. Pranimi i kësaj skeme, do të thoshte që ai të mos ishte vetvetja. Protagonistët e tij nuk mund të ishin skematik butaforik, qesharak, me partishmëri proletare, sipas atij kallëpi që quhej “Njeriu i ri”, por njerëzit e zakonshëm, me dëshirat, brengat, aspiratat, vuajtjet, dashurinë dhe dramat e tyre. Ishin bashkëkohësit e tij, me ta jetonte e punonte. Para tij ishin dy mundësi: të shkruante për kënaqësinë e tij dhe t’i mbyllte tregimet në baulen e tij prej endacaku dhe t’i lexonte më mbrëmjet e vetmisë së trishtuar, ose artin e tij të realizuar me mundim, ta përcillte te lexuesit. Ai donte të ishte i ndershëm me veten dhe lexuesin. Kjo i mprehu mjeshtërinë për të qenë i veçantë, i ndryshëm nga disa prej shkrimtarëve të brezit të tij. Ai kërkoi dhe i gjeti zgjidhjet.

Së pari; duhet ti vishte ngjarjet që transmetonin idetë e tij me bukuri dhe hijeshi artistike, që ato të ishin një befasi me bukuri verbuese, që të pëlqeheshin nga lexuesi e ta kalonin censurën. Të tilla ato janë. Në lexim të parë, lexuesi që kërkon të gjejë bukuri dhe kënaqësi estetike, i gjen në çdo tregim, për hir të mjeshtërisë artistike tërë bukuri dhe delikatesë, me zhdërvjelltësinë e thurjes së subjektit dhe natyrshmërinë e zhvillimit të ngjarjeve.

Së dyti, në kërkim të mënyrës së trasmetimit të ideve, ai zgjodhi që mesazhin e vërtetë, ta vendoste si shkëmbinjtë detarë, nën sipërfaqen shkëlqimtare të ujit. Që ti gjesh duhet të zhytesh nën ujë. Përdor simbolet dhe metaforat, lexuesi duhet të lexojë midis rreshtave, atje do të gjejë atë që kërkon. Të tilla maniera ka përdorur në tregimet”Ti je partizane”, “Errësirë e ndriçuar”, u “Këput një yll”etj. Ku paralajmërohet ndarja në “ne” dhe “ata”, lufta e ardhshme e klasave, dasitë, idealet e tradhëtuara demokratike etj.Heronjtë e tregimeve të tij, nuk janë pesimistë, edhe nga disfata, ata dalin me fitore morale, me besim në kauzën e drejtë, me mesazhin se shpresa asnjë herë nuk duhet humbur dhe se një ditë fitoret do të vinë.

Së treti, Duke dyshuar se censura mund të hamendësonte për dykuptimësinë dhe domethënien e vërtetë të simboleve dhe metaforave, në fund të tregimeve ,sidomos ato për aktualitetin, sit e “Reportazhi i vogel”, “U keput një yll” ai vë si mbyllje një pasazh të detyruar, me ngjyrime politike, ideologjike,retorikë partiake butaforike të kohës, që sado të stilizuara e në harmoni me përmbajtjen, duken si mish i huaj në trupin e tregimit. Por nuk kishte ç’të bënte, ky “mish” ishte haraçi, që duhej paguar për të nginjur oreksin e peshkaqenëve të censurës dhe redaktorëve pedantë, që siç thoshte Xh.Londoni, ishin qen roje të redaksive!

Tregimet e Bilalit janë thellësisht realiste, të veçanta, jashtë skemave të atyre viteve kur u shkruan dhe i takojnë zhanrit të tregimit modern. Kësaj gjinie të shkurtër, të vështirë por edhye me shumë mundësi për përkryejen e mjeshtërisë dhe që i jep mundësi më të mëdha autorit , që të komunikojë dhe përçoje idetë e tij te lexuesit. I nisur nga këto cilësi dhe mundësi të prozës së shkurtër, ai sjell disa risi në tregimet e veta:

Në kompozicionin e tregimeve të shkurtëra, përgjithësisht mungojnë hyrjet, tregimi nis direkt si një bisedë e lënë përgjysmë, ngjarja rrjedh e qetë dhe natyrshëm, në shtratin e saj, nuk ka kulminacione apo kundërshti të dukshme dhe përgjithësisht mungojnë konfliktet e ashpra. Zgjidhjet dhe përfundimi nuk janë të lumtur, por rrjedhimi i logjikës dhe zhvillimit të idesë së brendshme të ngjarjes që rrëfehet. Shmang inflacionin e fjalëve dhe teprimet, zvarritjet dhe ekonomizon si nikoqir i mirë fjalët dhe kohën.

Veprimet e personazheve dhe rrëfimi i ngjarjeve zhvillohet jashtë mjediseve të brendshme, ata janë të paqetë, me një shqetësim të brendshëm dhe në lëvizje të përhershme, në kërkim të lumturisë, në rrugë apo në kantiere, gryka e qafa malesh,në pyje e lugina. Sfondi i përhershëm dhe skena e veprimit është natyra, e cila ofron gjithnjë pamje magjepsëse dhe i jep tregimit dritë, hapësirë dhe frymëmarrje të gjerë.

Personazhet ai i gjen në kantiere, në miniera, ata janë ndërtues rrugësh, urash, minatorë të thjeshtë,banorë të qytezave të largëta. Ai punonte dhe jetonte me ta, i njihte dhe dinte të çmonte botën e tyre shpirtërore, kurajën, humanizmin dhe fisnikërinë e ndjenjave. Këta ishin të ndryshëm dhe bënin kontrast me heronjtë pozitiv, me të famshmin “njeri të ri”, të stisur si një parafabrikat, kopje e shëmtuar e Lei Fenit kinez, që i trumbetonte propaganda zyrtare. Edhe në tregimet përtej kohës, personazhet kryesorë, Ergysi,Alkaldi, Stresi, vijnë nga shtresa e fshatarëve dhe malsorëve të lirë. Ai besonte në vitalitetin dhe forcën e popullit dhe jo në të elitave.

Në të gjitha tregimet, kanë vendin dhe rolin e tyre personazhet femërore. Autori shkruan me shumë dashuri dhe ngrohtësi për to.Ai ka stereotipin dhe idealin e tij për bukurinë femërore. Të gjitha janë të bukura: flokët të verdhë sit ë ngjyera si me dritë hëne, sytë të kaltër si qielli i kthiellët, lëkura me me butësinë dhe bardhësinë e petlave të zambakut. Të dashura, të urta, të mençura, me natyrë fisnike dhe bukuri të ëmbël. Ngjajnë si një buqetë me lule pylli, sat ë ngjashme po edhe aq të ndryshme në pamje e bukuri. Janë të brishta, të ndjeshme, ëndërruese dhe në kërkim të dashurisë, fatit të mirë e lumturisë, që është një motiv i përhershëm i tyre. Ato sjellin në tregime botën e tyre ëndërrimtare,por edhe forcën e tyre shpirtërore, ndjenjën e detyrës dhe të sacrifices. Në arritjen e ëndërrave të tyre shpesh i pret zhgënjimi. Lumturia është një nga gjërat e vështira për tu arritur në jetë, por pjesëza të saj, të përjetuara qoftë edhe në çaste të shkurtëra e fragmentare, sjellin në jetën e tyre rreze drite e shprese. Lexuesi i do, vuan dhe gëzon bashkë me to. Këto vajza, nuk janë aspak të ngjashme me ato heroina të veshura me kominoshe, me pushkë e kazmë në dorë, që paraqiteshin ato vite në pllakate, ekspozita pikturash, apo që u këndohej në festivalet e këngëve, stereotipe të femrës së shfytyruar dhe pa feminilitet.

Kjo kundërvënie, është një nga risitë e atyre viteve, që donte kurajë dhe guxim krijues, Por Bilal Xhaferrit nuk i mungonte ky guxim.

Ndër veçoritë dalluese të stilit të të shklruarit është se shkrimtari rrëfen ngjarjen me një prozë të bukur, elegante, shtjellon psikologjinë dhe filozofinë e personazheve dhe e përdor me kursim dialogun, vetëm në rastet e domosdoshme, për një thyerje të vijimësisë. Ka tregime ku dialogu thuajse mungon. Në prozat mediokre apo përshkruese, të gjata e të lodhshme të shumë autorëve, lexuesi e kerkon dialogun si një stacion pushimi, që do më pak përqëndrim. Bilali ka arriotur ta kapërcejë mjeshtërisht këtë dukuri, proza e tij nuk të lodh, përkundrazi. Lexuesi ndjehet mirë dhe lexon me ëndje, sepse ajo është një prozë plot me botë e me mendim, por edhe e qëndisur me figura brilante, njëra më e bukur se tjetra, të marra nga natyra, me shumëllojshmëri e larmi befasuese.

Në disa nga tregimet, rrëfimi i një paragrafi, mbyllet me një pasazh të bukurisë mjedisore ku zhvillohet ngjarja, pastaj lehtësisht e si pa u kuptuar, mendim,I zhvillohet në një paragraph të ri, i cili gjithashtu mbyllet me një kornizë të bukur, e kështu deri në mbarim, si një peisazh ekspresionist në akuarel. Kjo bën që secila nga pjesët e veçanta , që përbëjnë të tërën të mbetet gjatë në kujtesë medetajet e saj të veçanta. Ato I ngjajnë një tabloje, ku midis toneve të qeta, hidhen penelata të ngjyrave të ndezura dhe me ndriçim që të lbyr sutë e mendjes. Në tregime të tjera, proza e gjitha është si një ornament, e stolisur me ngjyra, me dritë dhe hije(“Purpuranti”,”Reportazhi i vogël” etj. Aq sa ajo i ngjan një livadhi në mëngjesin pranveror, të stolisur nga lulet dhe ku piklat e vesës në çdo fije bari, shndrisin nën dritën e diellit si diamante.Në këtë sfond, personazhi thuajse shkrihet e bëhet njësh me natyrën, si te tregimi “Purpuranti”.

Midis të tilla bukurive lëvizin personazhet, me hallet, dëshirat dhe brengat e tyre, në kërkim të së mirës, njerëzores, dashurisë dhe lumturisë.

* * *

Në mbyllje, pa pretenduar se janë thënë të gjitha, mund të bindemi se proza e shkurtër e këtij shkrimtari, është një model i të shkruarit bukur dhe me ide, lëndë letrare ku lexuesi, esteti, studjuesi dhe kritiku i artit do të gjejnë vlera të veçanta e të reja pas çdo leximi, sikur të ishin shkruar sot, kjo është vlera e letërsisë së madhe, që i qëndron kohës.


[1] N. Mane, “Diplomacia e vetëmohimit”: Miku I të gjithëve.

48 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page