BILAL XHAFERRI MJESHTËR I PROZËS SË SHKURTËR


Prof.dr.Resmi Osmani

Sprovë


Në trashëgimin letrar të Bilal Xhaferrit, proza e shkurtër, tregimet, novela dhe reportazhi, zenë vend të veçantë dhe u takon të trajtohen si të tilla.Tregimet dhe novelat u publikuan në organet letrare te kohes nga viti 1959 deri ne vitin 1966.Ai i permblodhi keta dhjete tregime ne librin”Njerëz të rinj tokë e lashtë”. Ishte i vetmi liber i tij që qarkulloi 3-4 vjet, pasi të tjerët u ndaluan dhe u kthyen në karton. Në botimin e Ndërmarrjes botuese Rilindja të prishtinës më 1995, janë shtuar edhe nëntë tregime të tjera dhe një fragment romani, të botuara më parë në revistën “Krahu i shqiponjës”,që ishte themeluar dhe botohej në Amerikë nga Bilali.

Tregimet u priten me entusiazëm nga lexuesit, por edhe nga rrethi i letrarëve dhe artistëve.N.Mane[1], dëshmon se Safo Marko, që ilustronte tregimet e Bilalit me skica plot finesë dhe elegancë, kur u takua me të i tha: -Ku je o Bilal Xhaferri, se me novelën “Përtej largësive” ke çmendur pleq e të rinj! Kaq u pëlqye kjo novelë, sa shume djemve të lidur ne ato kohë, u vunë emrin Ergys!

Për nga tipologjia, tregimet ndahen në tre grupe:

Me subjekt nga lufta Nacional-Çlirimtare tre tregime “Ti je partizane,” U këput një yll”, dhe “Ëndërr e ndriçuar”.

Nga përditësia e kohës, tregimet”Largim”,” Në rrugë”, “Dallëndyshja e furtunës”,”Në mes të natës deri në agim”, “Reportazh I vogël”,”Era shtyn mjegullat e mbrëmjes” dhe “Dashuri dhe fate”

Dy tregime janë përtej kohës “Përtej largësive’ dhe “Purpuranti”. Purpuranti, për nga bukuria, mjeshtëria artistike dhe mjetet stilistike të përdorura, është(për mua) tregimi më I bukur I librit. Tema është fitorja e brendshme, morale, në disfatë dhe mbijetesa kur humben të gjitha! Mesazhi: qëndresë, besim, se ditët e fitoreve do të vinë.

Është me interes, të shqyrtohet këtu dilema e këtij shkrimtari dhe metoda e tij krijuese për ti shpëtuar lakut të çensurës dhe metodës së soc-realizmit. Brenda tij luftonin dy kundërshti: nga njera anë dëshira përvëluese për të shkruar e shprehur lirisht mendimet, ndjenjat, botkuptimin dhe filozofinë e tij humane dhe atdhetare, që ja impononte talenti, dhuntitë dhe intelekti i spikatur. Nga ana tjetër ishin kufizimet që impononte me kërkesat e veta të padiskutueshme letërsia zyrtare militante, e partishme. Pranimi i kësaj skeme, do të thoshte që ai të mos ishte vetvetja. Protagonistët e tij nuk mund të ishin skematik butaforik, qesharak, me partishmëri proletare, sipas atij kallëpi që quhej “Njeriu i ri”, por njerëzit e zakonshëm, me dëshirat, brengat, aspiratat, vuajtjet, dashurinë dhe dramat e tyre. Ishin bashkëkohësit e tij, me ta jetonte e punonte. Para tij ishin dy mundësi: të shkruante për kënaqësinë e tij dhe t’i mbyllte tregimet në baulen e tij prej endacaku dhe t’i lexonte më mbrëmjet e vetmisë së trishtuar, ose artin e tij të realizuar me mundim, ta përcillte te lexuesit. Ai donte të ishte i ndershëm me veten dhe lexuesin. Kjo i mprehu mjeshtërinë për të qenë i veçantë, i ndryshëm nga disa prej shkrimtarëve të brezit të tij. Ai kërkoi dhe i gjeti zgjidhjet.

Së pari; duhet ti vishte ngjarjet që transmetonin idetë e tij me bukuri dhe hijeshi artistike, që ato të ishin një befasi me bukuri verbuese, që të pëlqeheshin nga lexuesi e ta kalonin censurën. Të tilla ato janë. Në lexim të parë, lexuesi që kërkon të gjejë bukuri dhe kënaqësi estetike, i gjen në çdo tregim, për hir të mjeshtërisë artistike tërë bukuri dhe delikatesë, me zhdërvjelltësinë e thurjes së subjektit dhe natyrshmërinë e zhvillimit të ngjarjeve.

Së dyti, në kërkim të mënyrës së trasmetimit të ideve, ai zgjodhi që mesazhin e vërtetë, ta vendoste si shkëmbinjtë detarë, nën sipërfaqen shkëlqimtare të ujit. Që ti gjesh duhet të zhytesh nën ujë. Përdor simbolet dhe metaforat, lexuesi duhet të lexojë midis rreshtave, atje do të gjejë atë që kërkon. Të tilla maniera ka përdorur në tregimet”Ti je partizane”, “Errësirë e ndriçuar”, u “Këput një yll”etj. Ku paralajmërohet ndarja në “ne” dhe “ata”, lufta e ardhshme e klasave, dasitë, idealet e tradhëtuara demokratike etj.Heronjtë e tregimeve të tij, nuk janë pesimistë, edhe nga disfata, ata dalin me fitore morale, me besim në kauzën e drejtë, me mesazhin se shpresa asnjë herë nuk duhet humbur dhe se një ditë fitoret do të vinë.

Së treti, Duke dyshuar se censura mund të hamendësonte për dykuptimësinë dhe domethënien e vërtetë të simboleve dhe metaforave, në fund të tregimeve ,sidomos ato për aktualitetin, sit e “Reportazhi i vogel”, “U keput një yll” ai vë si mbyllje një pasazh të detyruar, me ngjyrime politike, ideologjike,retorikë partiake butaforike të kohës, që sado të stilizuara e në harmoni me përmbajtjen, duken si mish i huaj në trupin e tregimit. Por nuk kishte ç’të bënte, ky “mish” ishte haraçi, që duhej paguar për të nginjur oreksin e peshkaqenëve të censurës dhe redaktorëve pedantë, që siç thoshte Xh.Londoni, ishin qen roje të redaksive!

Tregimet e Bilalit janë thellësisht realiste, të veçanta, jashtë skemave të atyre viteve kur u shkruan dhe i takojnë zhanrit të tregimit modern. Kësaj gjinie të shkurtër, të vështirë por edhye me shumë mundësi për përkryejen e mjeshtërisë dhe që i jep mundësi më të mëdha autorit , që të komunikojë dhe përçoje idetë e tij te lexuesit. I nisur nga këto cilësi dhe mundësi të prozës së shkurtër, ai sjell disa risi në tregimet e veta:

Në kompozicionin e tregimeve të shkurtëra, përgjithësisht mungojnë hyrjet, tregimi nis direkt si një bisedë e lënë përgjysmë, ngjarja rrjedh e qetë dhe natyrshëm, në shtratin e saj, nuk ka kulminacione apo kundërshti të dukshme dhe përgjithësisht mungojnë konfliktet e ashpra. Zgjidhjet dhe përfundimi nuk janë të lumtur, por rrjedhimi i logjikës dhe zhvillimit të idesë së brendshme të ngjarjes që rrëfehet. Shmang inflacionin e fjalëve dhe teprimet, zvarritjet dhe ekonomizon si nikoqir i mirë fjalët dhe kohën.

Veprimet e personazheve dhe rrëfimi i ngjarjeve zhvillohet jashtë mjediseve të brendshme, ata janë të paqetë, me një shqetësim të brendshëm dhe në lëvizje të përhershme, në kërkim të lumturisë, në rrugë apo në kantiere, gryka e qafa malesh,në pyje e lugina. Sfondi i përhershëm dhe skena e veprimit është natyra, e cila ofron gjithnjë pamje magjepsëse dhe i jep tregimit dritë, hapësirë dhe frymëmarrje të gjerë.