top of page

Fatmir Terziu: Një roman nga Drita Ademi që sjell dritë përtej errësirës

ree

 

 

Që nga Bibla, e më tej tek Shekspiri, Pope, e deri tek Joyce, shkrimet janë të thelluara me nocionin filozofik të errësirës. Errësira si e tillë edhe në romanin e Dritës, jo thjesht nga përdorimi i mbi tridhjetë përsëritjeje të saj, por nga thelbi i saj simbolik, i jep vetë titullit të romanit „Dritë e burgosur“ (Ademi, Drita; 2025) një gamë të gjerë konceptesh abstrakte. Ndërsa në një roman, errësira mund të citohet si një aspektualitet që merr në konsideratë të përfshijë të keqen, injorancën, misterin dhe të panjohurën, në këtë mision letra prozaik të poetes Drita Ademi, shpesh mbetet në kontrast me dritën që përfaqëson të mirën dhe dijen, dhe kështu e bën këtë hap të ri të shkrimtares një pozitë të qëndrueshme dhe të ndjeshme. Gjithashtu me këtë kontekst thellësia e simblikës në fjalë në këtë roman mund të tregojë praninë e forcave të determinuese, boshllëkun, po aq edhe fshehjen. Në një notë më pozitive, errësira tek „Dritë e burgosur“ simbolizon edhe një periudhë të nevojshme ngushëllimi, siç shihet në inicimet ku individët dalin me njohuri të reja: „Diçka në të ishte e huaj, e panjohur, po prapëseprapë gjeta një qetësi të çuditshme në errësirën që e rrethonte.“ (faqe 7)

Në aspektin e marë në konsideratë autorja është shumë koncize kur bëhet fjalë për realitete dhe për aq sa ajo ndërton një narrativ ku ka pak, ose fare pak trillime. Drita dhe errësira nënkuptojnë gjëra krejtësisht të ndryshme në këtë roman. Drita i referohet të vërtetës që buron nga realiteti. Realiteti nuk mund të gënjejë. Ajo që shkruan shkrimtarja është mishërimi i së vërtetës, dhimbjes, dhe dhimbja si nocion në këtë roman është përdorur mbi nëntëmbëdhjetë herë.

Ajo që është errësirë ​​në në këtë roman, nuk është thjesht një simbolikë, nu është as dhe një dhimbje, por dhe një ndjesi për të kuptuar diskursin njerëzor. Në këtë pikë errësira i referohet verbërisë shpirtërore që është gjykim, dhe që është një paaftësi për të parë të vërtetën dhe për t'u shpëtuar nga ajo që mbetet disi e padukshme në këtë errësirë. Errësira në këtë roman nuk është thjesht si nata, është një errësirë ​​e rëndë që mund ta ndjeni, një e mbushur me gjëra të tmerrshme. Është një kënd ku autorja sqaron: „Kam humbur gjërat e bukura, kam humbur njerëzit e dashur, dhe brenda meje ka mbetur vetëm errësira. - Filloi të fliste ajo me zërin që i dridhej.“ (faqe 9)

Errësira shpirtërore është trajtesë e bukur narrative për shkak të faktorit trajtues të qëllimshëm. Është një gjendje e gjerë diskursive në të cilën vlerat janë tek e kundërta, tek drita, ajo dritë që i jep thelbin tërësisë narrative që nis tek thelbi: „Si mund ta ndihmoja një paciente psikologjike? Si mund t’ia shtrija dorën dhe ta nxirrja nga errësira?“ (faqe 11-12)

Ndërsa të gjitha mblidhen së luftuari kundër teje për të të penguar të pasqyrosh njerëzoren, autorja shkon në labirinthet më të ndjeshme të zhbiroj faktorët për të sjell dritën e duhur. Është sikur të thotë: „Ky ishte vetëm një çast, një frymëmarrje e shkurtër qetësie para se errësira të më mbulonte sërish.“ (faqe 26) ose më tej „E kisha mbushur shpirtin tim ding me ëndrra të vjetra, duke jetuar mes kujtimeve dhe mallit të pashuar, teksa tani, ndonëse trupi më dridhej nga dhimbja, zëri i brendshëm që teptiste prej atij kujtimi më mbajti, më nxori prej errësirës ku po zhytesha ngadalë e pandalshëm.“ (faqe 29).  

Për një nga temat më të rëndëishme në „The Guardian“ mbetet si shpjegim se „Errësira është një temë kaq e butë dhe aromatike, që përfshin terrorin, ngushëllimin, mençurinë, marrëzinë, të qenit i humbur, të qenit i larguar, të qenit dinak, të qenit një problem kohor“, ashtu sikurse shkrimtarja e këtij romani Drita Beqiri Ademi e ngajson „Ndoshta koha prej shtatë ditësh që ajo kërkonte ishte përpjekja e fundit për të gjetur kupti-min e për të nxjerrë nga errësira gjithçka që ndrynte brenda vetes.“ (faqe 31) dhe mësaktë kur shkruan qartë: „Mendova për veten, për jetën time të qetë, e mandej mendova për Dalinën, e cila ishte përballur me një errësirë që unë as që mund ta imagjinoja.“ (faqe 33)

Romani „Dritë e burgosur“ i autores edhe pse i pari i kësaj sprove, duket si një tërësi narrative që hyn apriori në histori të tilla. Këto histori tregojnë ndryshimin dhe gjithashtu tregojnë se si errësira mund të përdoret për të simbolizuar dhe ilustruar se si njerëzit përballojnë një ndryshim. Kjo shihet më së qarti tek: „Më dukej sikur prania e tij [Florit] do të kishte fuqinë të ma largonte errësirën dhe të më rikthente dritën që më mungonte.“ (faqe 48); ose „Më shumë se sa një tregim fjalët e Dalinës ishin një dëshmi e forcës së njeriut për të gjetur dritë edhe në mes errësirës më të thellë. Ajo nuk ishte vetëm një grua që përpiqej të ikte, por dhe një shpirt që luftonte për të mbijetuar.“ (faqe 68)

Por më tej rrethnaja, qetësia dhe tërësia rrethuese e thellojnë më së shumti narrativin në këtë pikë: „Çdo gjë rrotull ishte e mbuluar nga një qetësi e errët, e ftohtë dhe misterioze. Kur ndaluam pranë një lisi të madh, nata tashmë kishte zbritur plotësisht dhe qemë zhytur në një errësirë që na e mbulonte fytyrën dhe shpirtin. Mes asaj frike e pasigurie dë-gjoja vetëm frymëmarrjen time të rënduar dhe zhurmën e lehtë të gjetheve që fluturonin nën prekjen e një flladi të lehtë.“ (faqe 68-69). Dhe kështu i japin romanit një sfidë të bukur leximi.

 

Aspekti gjuhësor dhe stilistik

 

Errësira në romanin e shkrimtares Drita Ademi mund të thuhet se është i krehur mirë gjuhësisht dhe stilistikisht. Ai ka një trajtesë të bukur dhe një përdorim të bukur gjuhësor dhe stilistik, si tek nënteksti i qasur bukur në lidhje me këtë tematikë „Dhe kur errësira më afrohet, dëgjoj zërin e saj që më pëshpërit: “Mos u dorëzo… zemra jote ka lindur për të mbijetuar.”“ (faqe 126). Pra, sikurse kuptohet tashmë prezantimi i episodeve të romanit përçohet në forma të ndryshme, të cilat tregojnë errësirë: „Ishte një lloj paqeje e çuditshme, e brishtë, por e mjaftueshme për të mos më lënë të përmbytesha nga errësira ime e brendshme.“ (faqe 105).

Romani fillon dhe mbaron me një narrator ku bie në sy e thjeshta dhe e ndjeshmja. Përveç kësaj, vende të shumta trajtohen edhe kur nuk shpjegohen, apo dhe kur nuk shfaqen kurrë. Fjala „Zvicra“ shfaqet vetëm një herë. Përveç kësaj, njerëzit emërtohen, por edhe identifikohen nga punët e tyre. Zbërthimi është një tjetër tregues i errësirës. „Më në fund errësira u davarit plotësisht.“ (faqe 77)

Për më tepër, fjalët ku vetësiglohet „e errëta“ shtojnë më shumë kuptim „Një ëndërr e bukur mund të të çlirojë nga men-dimet e errëta.“ (faqe 126); „Ai që kishte qenë pranë saj në kohët më të errëta, tani nuk ishte më pjesë e kujtimeve që po ndante me mua.“ (faqe 89); „E kredhur në humnerën e fatkeqësisë, mes men-dimesh të errëta që më kishin mbuluar si një mjegull e dendur, më vegoi përpara fytyra e Albanit.“ (faqe 28)

Vetë situata dhe rrethnaja janë plot errësirë ​​që nga fillimi deri në fund: Kontrasti midis dritës dhe errësirës është i qartë në temën e vendit. Vendi i romanit është shumë kritik. Të gjitha incidentet në të gjithë librin tregojnë errësirë. Dalina, për shembull, tregon historinë e saj në një errësirë ​​aq të thellë sa nuk mund t'i ndjesh tërësitë rrethuese, duke krijuar një ndjenjë të keqe që rrethon historinë.

Një temë tjetër e rëndësishme që zhvillohet në këtë kapitull është perceptimi i për mjedisin dhe situatat e tjera. „Dhe kur errësira më afrohet, dëgjoj zërin e saj që më pëshpërit: “Mos u dorëzo… zemra jote ka lindur për të mbijetuar.”“ (faqe 126). Tani mund të thuhet se errësira e trajtuar aq bukur nga Drita Ademi i referohet jo vetëm simbolikave por dhe ndjenjave humane të dukshme e të padukshme, duke i bërë diskurs më vete, që fiton madje dhe dendësi strukturore në mirëkuptim „Me largimin e tij errësira u bë akoma më e dendur.“ (faqe 75).

 

Konkluzion

 

Duhet thënë së fundi qartësisht se autorja në romanin e saj të parë ka trajtuar bukur konceptin e „errësirës“. Romani ka përfshirë një narrativ të bukur që me një analizë mjaft të detajuar gjuhësore dhe stilistike të romanit në aspektin e vendosjes, zgjedhjeve leksikore dhe simbolikave, na jep faktin se që të gjitha tregojnë mister, errësirë, turbullirë dhe më pas errësirë. Një analizë gjuhësore dhe stilistike e romanit u përdor për të treguar vlerën letrare të romanit. Më konkretisht, të gjitha mjetet gjuhësore dhe stilistike të përdorura jo vetëm që mund të ofrojnë një bazë të detajuar përshkruese për interpretimin e romanit të parë të kësaj autoreje, por edhe të identifikojnë tiparet e rëndësishme gjuhësore që mund të mos vihen re nga kritikët, lexuesit e tjerë, apo dhe vetë ata që do ta kenë në bibliotekën e tyre.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page