top of page

BIBLIOTEKA E PEJËS, INSTITUCION ME RËNDËSI TË VEÇANTË KULTURORE DHE ARSIMORE





Bisedë me u. d. së drejtorit të Bibliotekës Rajonale “Azem Shkreli” në Pejë, znj. Shengyl Kelmendi Gashi

Sherif BLLACA:

BIBLIOTEKA E PEJËS, INSITUTCION ME RËNDËSI TË VEÇANTË KULTURORE DHE ARSIMORE

Biblioteka Rajonale “Azem Shkreli” në Pejë, është njëra prej institucioneve më me rëndësi kulturor dhe arsimor, e cila u themelua qysh në kohën e perandorisë osmane, respektivisht, sipas shënimeve që disponon biblioteka, në vitin 1836. Kjo, bibliotekë, në atë kohë, sipas të dhënave u themelua në periudhën osmano-franceze, dhe prej asaj kohe bëhet vatër e arsimimit, e librit dhe e diturisë, për t’u zgjeruar pastaj në një qendër të rëndësishme ku janë zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme letrare dhe ku kanë zënë dituri shumë kuadro të njohura jo vetëm në Pejë.

Mirëpo, me zhvillimin dhe me ndërrimin e periudhave kohore dhe politike e historike, biblioteka e Pejës, ecën bashkë me kohën, gjatë të cilave ka pësuar edhe ndryshme. Mirëpo, përkundër sunduesve dhe pushtuesve të ndryshëm, ajo gjithnjë ishte vend ku dituria dhe mësimi bëheshin faktorë me rëndësi duke e përqafuar rolin e librit, pa marrë parasysh gjuhën apo edhe literaturën që dominonte.

_________________

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, biblioteka e Pejës, luante një rol të veçantë në kompletimin e dituri dhe njohuri arsimore, kulturore dhe shkencore. Ndërsa, krahas kësaj, përmes bibliotekës,organizoheshin edhe manifestime të shumta kulturore. Ndërkaq, pas lutës së fundit në Kosovë, duke pasur parasysh rëndësinë shkollimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, por edhe të studimeve shkencore, në vitin 2002, biblioteka e qytetit të Pejës organizohet, dhe merr emrin e një krijuesi të devotshëm të letrave shqiptare dhe të një intelektuali, i cili vjen nga kjo komunë, nga ky qytet, pra emërtohet “Azem Shkreli”.

Pas luftës, biblioteka u vendos në lokalet e shoqatës së pensionistëve

Fillimisht, duke pasur parasysh se Shtëpia e kulturës, pas luftës ishte në funksion të organeve ndërkombëtare që vepronin në Kosovë, respektivisht të Policisë së UNMIK-ut, biblioteka u vendos në ambientet e Shoqatës së Pensionistëve, e cila në atë kohë bukur shumë i plotësonte kushtet për punë normale. Kjo, ngase, në dispozicion ishin disa hapësira për vendosjen e librave, dhe çfarë ishte më me rëndësi, ishte salla shumë e përshtatshme për organizimin e manifestimeve kulturore dhe letrare, siç ishin orët letrare dhe promovimet e librave. Po ashtu, kjo sallë ishte e përshtatshme edhe për sallë leximi për të gjithë ata që dëshironin të mësonin në ambientet e bibliotekës.

Kështu, për një kohë të shkurtër, radhët e organizimit të punës u konsoliduan bukur shumë, dhe tani një numër i madh lexuesish u anëtarësuan për tu pajisur me literaturë dhe lektura shkollore. Vlen theksuar se pas luftës, biblioteka e Pejës, nuk kishte më shumë se 16. 550 libra, një pjesë e të cilave edhe ishin dukshëm edhe të dëmtuar. Mirëpo, kohë pas kohe, me mbështetjen e qeverisë së pasluftës por edhe të qeverisjes lokale si dhe të shumë krijuesve e qytetarëve, fondi i librave shtohej prej dite në ditë.

Biblioteka tani është e vendosur në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Pejës

Siç thekson udhëheqësja e këtij institucioni, znj. Shengyl Kelmendi Gashi, kushtet në ambientet e Shoqatës së pensionistëve, tanimë nuk ishin adekuate për punë normale dhe profesionale, kurse dukshëm fondin e librave e dëmtonte edhe lagështia që i përfshinte lokalet e këtushme.

Tani, edhe në Shtëpinë e Kulturës, kushtet nuk janë edhe aq adekuate për punë normale, sepse, numri i anëtarëve dhe i lexuesve, prej dite në ditë po shtohet, kurse tri salla, të cilat edhe pse janë të pajisura bukur mirë, nuk mjaftojnë për punë komode dhe për lexim e studim të rehatshëm.

Biblioteka, edhe pse momentalisht disponon me mbi dyzetmijë libra të strukturave e të degëve të ndryshme, nevojat janë që numri të shtohet gjithnjë e më shumë. Tani, kjo qendër e diturisë, disponon me mbi dhjetëmijë libra si literaturë, njëzetmijë beletristikë dhe me afro dhjetëmijë libra shkencorë.

Prandaj, tani biblioteka ka tri lloj shërbimesh: për nevojat e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, për studentë dhe për ata që merren me studime shkencore. Kjo, deri diku edhe ka shtuar interesimin e anëtarëve të rinj. Ndoshta, një gjë e tillë ka ndikuar, sepse, këtu sidokudo kushtet janë më të volitshme edhe për të mësuar, por edhe për të arritur dituri në fushën e studimeve.

Mbi dymijë anëtarë dhe lexues të rregullt

Duke u mbështetur në numrin e madh të lexuesve, punëtorët e bibliotekës gjithnjë e më shumë përpjekën për të krijuar kushte dhe atmosferë pune. Tani, këtu theksojnë se janë afro tetëqind nxënës lexues të rregullt, rreth shtatëqind studentë dhe mbi pesëqind e pesëdhjetë të tjerë që i takojnë fushave të studimeve shkencore.

Është karakteristike për t’u theksuar se me themelimin e dy universiteteve në Pejë, njëri publik dhe tjetri privat, është shtuar interesimi për t’u anëtarësuar si lexues një numër shumë më i madh studentësh se më parë. Andaj, tash edhe strukturave e anëtarëve, respektivisht, e lexuesve është ndryshuar.

Mirëpo, kur është fjala për përfshirjen e të gjithave strukturave të lexuesve, e veçmas të pensionistëve dhe të atyre me aftësi të kufizuara, padyshim se pengon e dhëna, se biblioteka gjendet në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës, kështu që pa ashensor atyre u cungohet mundësia për të qenë anëtarë dhe lexues të rregullt në këtë bibliotekë. Mirëpo, shpresohet se në një të ardhme jo të largët, do të vendoset për ndërtimin e ri të objektit të bibliotekës së qytetit të Pejës. Atëherë, do të krijoheshin kushte optimale për punë cilësore dhe profesionale të këtij institucioni, duke përfshirë këtu edhe sistemin elektronik të librit, i cili përveç në Prishtinë dhe Prizren deri diku, tjetërkund nuk është zbatuar.

Megjithatë, edhe tani biblioteka e këtushme, hapësirat që i ka në dispozicion, i mirëmban dhe i sistemon në mënyrë profesionale.

Degët e bibliotekës në bashkësi territoriale duhet të organizohen më mirë

Biblioteka e Pejës, përherë është angazhuar që libri të jetë sa më prezentë edhe në bashkësitë territoriale. Kështu, tani për momentin janë tri degë; një në Novo Sellë dhe tjetra në Vitomericë me afro pesëmbëdhjetë mijë libra. Mirëpo, përkundër kësaj, në këto degë ende nuk ka interesim të duhur për librin.

Përveç këtyre dy degëve, është bërë përpjekje që të fillojnë nga puna edhe bibliotekat në Baran, Zahaq, Radac dhe në Leshan. Mirëpo, edhe pse janë siguruar numër bukur i duhur librash, në këto bashkësi territoriale, bibliotekat lokale ende nuk funksionojnë për shumë arsye. Njëra prej tyre është edhe mungesa e mjeteve për punësim të bibliotekistëve, por shkas është edhe mosinteresimi për librin.

Mirëpo, përkundër këtij problemi, biblioteka e qytetit të Pejës, në kuadër të punës së vetë, tani e sa vite ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me shkollat fillore dhe të mesme, veçmas kur është fjala për organizimin e orëve letrare dhe të promovimit të librave të krijuesve të rinj, posaçërisht me rastin e festave të ndryshme kombëtare dhe komunale.

Në këtë kontekst, duhet theksua se puna e bibliotekave shkollore aspak nuk është në nivel të duhur. Në disa prej shkollave ku ka biblioteka, ato ose rrinë të mbyllura ose nuk janë të organizuara sa e si duhet.



Autori i shkrimit, Sherif Bllaca në bisedë me u. d. të drejtoreshës së Bibliotekës Rajonale “Azem Shkreli” të Pejës, znj. Shengyl Kelmendi Gashi

Synimi i bibliotekës ndërtimi i objektit të ri

Në të ardhmen, biblioteka e Pejës, përveç avancimit të punës dhe formës së elektronike të bibliotekarisë, ajo do të synojë që t’i bëjë funksionale degët e saja në bashkësi territoriale, por, po ashtu edhe të thellojë dhe begatojë bashkëpunimin me shkolla fillore dhe të mesme të kësaj komune, numri i të cilave arrin në tridhjetë e tri fillore dhe në pesë shkolla të mesme.

Ndërkaq, ndërtimi i objektit të ri të bibliotekës është domosdo dhe imperativ i kohës, thotë znj. Shengyl Kelmendi-Gashi në fund të bisedës që zhvilluam me te.

71 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page