Besnik Fishta: Pasqyra e trashëgimisë arkeologjike në filatelinë e Kosovës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 8 hours ago
- 8 min read

Arkeologjia dërgon një mesazh të qartë:
“Ne jemi një popull me rrënjë të lashta,
me kulturë që lidhet me fillimet e
qytetërimit evropian.”
Në filatelinë botërore paraqitja e motiveve arkeologjike fillimisht u shfaq si pasqyrim i trashëgimisë kulturore të qytetërimeve të lashta. Pasi pullat e para postare përfshinin vetëm figura mbretërore dhe simbole shtetërore, me kalimin e kohës ato nisën të përfshijnë edhe motive kulturore, monumente, skulptura e tempuj antikë. Greqia, Egjipti, Italia dhe Iraku ishin ndër vendet e para që e shndërruan arkeologjinë në subjekt të filatelisë së tyre, duke e lidhur artin postar me trashëgiminë historike. Në Evropë, tematika arkeologjike u bë një pjesë e qëndrueshme e filatelisë. Shtete të ndryshme paraqitën në pulla figura mitologjike, monumente dhe objekte muzeale, duke i dhënë kështu një dimension edukues dhe kulturor këtij mediumi. Në Ballkan, Greqia dhe më pas vendet e tjera të rajonit pasqyruan në pulla trashëgiminë e tyre antike, si tempuj, skulptura dhe lokalitete të hershme arkeologjike. Në hapësirën shqiptare, filatelia u përdor për të promovuar trashëgiminë kulturore kombëtare. Në Shqipëri u realizuan seri të ndryshme kushtuar monumenteve arkeologjike të Butrintit, Apolonisë e qyteteve të tjera të lashta, duke e shndërruar pullën në një dokument vizual të historisë kombëtare. Në Kosovë, lidhja ndërmjet filatelisë dhe arkeologjisë ka marrë një kuptim të veçantë. Kjo marrëdhënie është shndërruar në një mjet për të dëshmuar vazhdimësinë historike dhe për të afirmuar identitetin e saj kulturor. Kosova përfaqëson një hapësirë të pasur arkeologjike, me dëshmi të jetës njerëzore që nga periudhat prehistorike deri në ato romake dhe bizantine. Ndër lokalitetet më të rëndësishme përmenden Ulpiana,Vlashnja etj që dëshmojnë për zhvillime të hershme urbane, kulturore e fetare. Këto pasuri janë bërë pjesë e serive filatelike të Postës së Kosovës, duke krijuar një ndërthurje mes shkencës arkeologjike dhe artit vizual të pullës postare. Shumë prej tyre shoqërohen me përshkrime dygjuhëshe dhe materiale shpjeguese, që synojnë të komunikojnë vlerat e trashëgimisë edhe përtej kufijve shtetërorë. Në aspektin simbolik, filatelia e Kosovës funksionon si instrument i kujtesës kombëtare dhe si mjet i diplomacisë kulturore. Përmes motiveve arkeologjike, vendi afirmon lashtësinë e pranisë së tij kulturore në hapësirën ballkanike dhe kontribuon në njohjen ndërkombëtare të trashëgimisë së vet. Pullat shndërrohen kështu në “artefakte të reja”, që bartin jo vetëm vlera estetike, por edhe njohuri historike. Ato mund të konsiderohen si një formë e arkeologjisë vizuale, ku imazhi lidh të kaluarën me identitetin bashkëkohor. Në planin krahasues, trashëgimia arkeologjike e Kosovës paraqet ngjashmëri të dukshme me atë të Shqipërisë, çka lidhet me përkatësinë e përbashkët etnike dhe historike të popullsisë shqiptare në të dy anët e kufirit. Kjo afërsi reflektohet edhe në motivet e përzgjedhura në filatelinë përkatëse: Shqipëria ka paraqitur në pulla monumente të Butrintit, Apolonisë, Bylisit, ndërsa Kosova ka vënë në qarkullim imazhe të Ulpianës e Vlashnjës, duke ndërtuar një narrativë të përbashkët kulturore. Të dyja vendet ilustrojnë mënyrën se si filatelia mund të shërbejë si mjet komunikimi për historinë e përbashkët dhe qytetërimin shqiptar ndër shekuj. Arkeologjia, në këtë kontekst, bëhet një urë bashkuese që forcon lidhjet kulturore dhe kombëtare. Pulla postare, përtej funksionit praktik nuk është vetëm një pasqyrë e trashëgimisë arkeologjike, por edhe një formë interpretimi të historisë kombëtare përmes imazhit, që ndihmon në afirmimin kulturor të shtetit dhe në ruajtjen e lidhjeve natyrore me hapësirën më të gjerë të kulturës shqiptare.

Fig 1. 2005
Në figurën 1 paraqitet emetimi i vitit 2005, periudhë kur Kosova ishte nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut, dhe në imazhet e pullave ende nuk figuronte emërtimi “Republika e Kosovës”. Në këtë emision të parë paraqiten katër pulla postare me motive arkeologjike shqiptare.Në imazhin e pullës së parë paraqitet një objekt arkeologjik metalik (duket si fragment fibule ose mjet simbolik prej bronzi), që duhet t’i përkasë periudhës prehistorike ose asaj ilire të hershme.E dyta tregon figurinën e një atleti vrapues (statujë bronzi), të periudhës antike të qytetërimit iliro-helenistik, e cila përfaqëson forcën fizike dhe shpirtin sportiv të qytetërimeve të lashta në zonën e Epirit dhe të Ilirisë së Jugut.Pulla e tretë paraqet bustin e një gruaje (skulpturë guri, ndoshta hyjneshë ose figurë romake), që mund të jetë gjetur në një qytet antik ilir dhe tregon arsimimin, qytetërimin dhe artin e zhvilluar në periudhën romake.Pulla e fundit paraqet maskën funerare ose rituale prej bronzi (me brirë të vegjël dhe sy të theksuar), të periudhës prehistorike ose ilire, që simbolizon besimet dhe kultet shpirtërore të popullsive të lashta shqiptare.

Fig 2. 2011
Në figurën 2, në emisionin e dytë të vitit 2011, paraqitet një seri pullash postare kushtuar “Ulpianës së Vjetër”, një prej qendrave më të rëndësishme arkeologjike të Kosovës dhe të gjithë Dardanisë së lashtë. Përdorimi i pullave si mjet komunikimi kulturor e bën këtë seri një mjet promovues të trashëgimisë historike dardane.Pulla e parë paraqet një pamje të varrezave antike në Ulpianën e Vjetër, ku duken sarkofagë guri të zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike. Kjo pullë tregon nivelin e zhvilluar të kulturës funerare në periudhën romake, që i përket periudhës së shekujve II–IV pas Krishtit. Në pullën e dytë përshkruhet një zonë tjetër e nekropolit me strukturë varresh dhe sarkofagë të hapur, qe thekson rëndësinë e arkeologjisë si dëshmi e jetës urbane dhe e ritualeve të lashta.Pulla e tretë paraqet një sarkofag monumental me reliev antropomorf, ndoshta figurë e personalizuar, portreti i të ndjerit. Ky lloj sarkofagu është tipik për periudhën romake të shekujve II–III p.K., kur Ulpiana ishte qytet i organizuar me status municipiumi.

Fig 3. 2015 Labirinti Smires
Në figurën 3, emetimi i vitit 2015 paraqet “Labirintin rrethor të Smirës”, pjesë e serisë filatelike që trajton trashëgiminë arkeologjike të Kosovës. Imazhi paraqet një motiv shumë interesant dhe simbolik. Ky objekt është një mozaik ose simbol guri me formë rrethore dhe vijëzime gjeometrike të ndërthurura, që krijojnë modelin e një labirinti.Labirinti, si simbol, përfaqëson harmoninë, udhëtimin e njeriut drejt njohjes dhe përjetësisë. Ky motiv njihet në arkeologji si simbol i rrugëtimit shpirtëror dhe i jetës, i lidhur me kulturën antike mesdhetare.Labirinti në Smirë dëshmon praninë e ndikimeve helenistike dhe romake në Dardani, zhvillimin e artit dekorativ në strukturat arkitektonike të periudhës së antikitetit të vonë, si dhe nivelin e lartë kulturor e estetik të banorëve të asaj kohe. Kjo pullë është një homazh ndaj qytetërimit të lashtë dardan, që kishte lidhje me qendrat më të zhvilluara të Mesdheut.
Fig 4. 2016

Në figurën 4, emetimi i vitit 2016 paraqet një pamje me temë arkeologjike, ku shfaqen figura antropomorfe të lashta, të punuara në terrakotë (argjilë e pjekur). Në pullë shfaqen dy figura të vogla arkeologjike, objekte të trashëgimisë prehistorike, me trupin e njeriut, por me tipare të thjeshtuara dhe të stilizuara. Janë figura femërore, gjë që nënvizohet nga forma e ijeve dhe qëndrimi me duar mbi supe ose mbi bel. Këto figura janë simbol i jetës, pjellorisë dhe krijimit. Siç njihet në kulturat e lashta të Ballkanit dhe të Mesdheut, figurat femërore prej terrakote (si “Venuset prehistorike”) përfaqësonin nënën Tokë burimin e jetës, fuqinë riprodhuese dhe mbrojtëse të natyrës, balancën midis njeriut dhe tokës, trupit dhe shpirtit.Forma e thjeshtë e trupit, pa detaje të fytyrës, sugjeron se nuk përfaqëson një person të veçantë, por parimin e përbotshëm të feminitetit, të qenies nënë, krijuese dhe ruajtëse të jetës.
Fig 5. 2017 Pagezimorja e Ulpianes

Në figurën 5 tregohet emisioni i vitit 2017 me titull “Pagëzimorja e Ulpianës”, e ndodhur afër fshatit Graçanicë, rreth 9 km në juglindje të Prishtinës, në territorin e Dardanisë antike, që gjatë shekujve V–VI pas Krishtit ishte pjesë e Perandorisë Bizantine.Ajo është pjesë e kompleksit të Bazilikës së Madhe Paleokristiane, një prej monumenteve më të rëndësishme të krishterimit të hershëm në Kosovë, e destinuar për kryerjen e ritit të pagëzimit.Pagëzimorja ka formë tetëkëndëshe (oktagonale), formë që në simbolikën e krishterë përfaqëson ringjalljen dhe fillimin e një jete të re shpirtërore. Në qendër ndodhet pishina pagëzimore, e cila përdorej për zhytjen e besimtarëve gjatë aktit të pagëzimit. Dyshemeja e saj është e zbukuruar me mozaikë shumëngjyrësh me motive gjeometrike dhe bimore.Pagëzimorja e Ulpianës është një nga monumentet më të ruajtura të arkitekturës paleokristiane në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ajo përfaqëson një vlerë të veçantë të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore shqiptare, duke dëshmuar vazhdimësinë historike të qytetërimit në këtë trevë.
Fig 6. 2022 Pikturimi Vlashnjes

Në figurën 6 paraqitet emetimi i vitit 2022, i kushtuar trashëgimisë kulturore parahistorike të vendit, me titull “Pikturimi parahistorik i Vlashnjës”, që i referohet vizatimeve shkëmbore të zbuluara në shpellën e Vlashnjës, pranë Prizrenit,një nga dëshmitë më të hershme të artit në Ballkan.Këto vizatime shkëmbore paraqesin një nga dëshmitë më të lashta të shprehjes artistike në rajon. Në qendër shfaqen figura të stilizuara kafshësh (me gjasa drerë), të realizuara me ngjyrë të kuqërremtë, duke imituar pigmentet natyrore që përdornin njerëzit e epokës së gurit. Kjo përfaqëson mënyrën se si njeriu parahistorik dokumentonte jetën, gjuetinë dhe botën përreth përmes artit.
Fig 7. 2023 Fibulat ilire

Në figurën 7, emetimi i vitit 2023 paraqet një bashkësi sendesh që krijojnë temën “Fibulat ilire”, të cilat janë ndër artefaktet më të rëndësishme të zbuluara në lokalitete arkeologjike në Kosovë.Fibulat bëjnë pjesë në objektet më të përdorura të zbukurimit nga të gjitha fiset ilire. Në disa raste, përmes stolive është dëshmuar edhe përkatësia etnike ilire. Format dhe varietetet ishin të ndryshme: disa të thjeshta në formë harku, e disa të ndërlikuara, si fibula me dy spirale të ngjitura në mes.Forma të tjera që shfaqen në epokën e hershme të hekurit përfshijnë fibulat me hark, karficat në formë kafshe, karficat në formë gjarpri etj.Fibulat janë pjesë e trashëgimisë me vlera të veçanta për territorin e Kosovës, pasi dëshmojnë për diferencimin social dhe ekonomik të individëve apo të shtresave elitare në periudhën e neolitit dhe në kohën e vonë të hekurit.
Fig 8. 2024 Cjapi bronzet

Në figurën 8 paraqitet një emetim interesant, i titulluar “Cjapi i bronztë”. Kjo pullë, me motivin e saj, paraqet një gjetje arkeologjike të rrallë dhe të veçantë, figurën e bronztë të një cjapi të ulur, që i takon shekullit VI p.e.s. Sipas të dhënave, ajo është zbuluar rastësisht në vitin 1939, në Jaglenicë, një lagje periferike e Prizrenit.Figurina ka gjatësi 6,5 cm, gjerësi rreth 3 cm dhe peshon 380 gram. Aktualisht, kjo figurë e cjapit të ulur është e ekspozuar në Muzeun e Vranjës (në Serbinë jugore).
Fig 9. 2025 Ulpiana

Në figurën 9, pulla e parë paraqet imazhin e një mozaiku të zbuluar në Ulpianë. Në të shihet figura e një zogu, e realizuar me gurë mozaiku shumëngjyrësh, të vendosur mbi një sfond të ndritshëm. Motivi i zogut është mjaft i pranishëm në artin romak dhe bizantin, veçanërisht në mozaikët që zbukuronin dyshemetë e bazilikave, banesave dhe objekteve të kultit. Në kontekstin e Ulpianës paleokristiane, zogu zakonisht simbolizon shpirtin që ngjitet drejt qiellit, ringjalljen apo paqen shpirtërore. Përdorimi i ngjyrave neutrale dhe të errëta për trupin e zogut, në kontrast me sfondin e bardhë, dëshmon për një kompozim realist dhe dekorativ tipik të shekujve IV–VI pas Krishtit. Në pullën e dyte shihet një mbishkrim latin i gdhendur në gur, pjesërisht i dëmtuar nga koha. Pjesët e lexueshme përmbajnë fragmente fjalësh dhe emrash që i përkasin periudhës romake (rreth shek. II–III pas Krishtit). Mbishkrime të tilla janë zakonisht dedikime zyrtare ose lapidarë përkujtimorë, që mund të lidhen me ndërtimin e një ndërtese publike (si tempull, banjë, apo rrugë); nderime ndaj perandorit ose një zyrtari romak apo përkujtim të një ngjarjeje fetare ose civile. Megjithëse Posta e Kosovës, me korrektësi të plotë, emetoi tematikën “Europa 2025”, që këtë vit kishte pikerisht temen e arkeologjise, ajo nuk mori pjesë në konkurimin për pullën më të bukur “Europa 2025”. Kjo ndodhi për shkak se filatelia e Kosovës ende nuk është anëtare e Unionit Postar Universal (UPU), një status që shpresojmë ta kete së shpejti. Për kureshtjen e lexuesit, tregojme se vendin e parë në këtë tematikë e fitoi Norvegjia, te dytin Holanda ndërsa të tretin Grecia.









Comments