Besnik Fishta: Nga Shkodra nisi gjithçka
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 13, 2025
- 10 min read

Rrëfimi per një klub filatelik që bëri histori
Pergjate viteve ’30 ne shekullin e njezete, pasioni elitar për koleksionimin e pullave postare ne Shqiperi shoqëronte pothuajse çdo intelektual. Disa prej tyre provuan te anëtarësohen në klubet më të njohura filatelike evropiane. Anëtarësimi në këto klube i ndihmoi filatelistët shqiptarë të thellonin njohuritë në këtë fushë dhe të kuptonin rëndësinë e krijimit të një organizimi të tillë edhe në vendin e tone.Megjithatë, pavarësisht dëshirave, brenda vendit nuk u bë e mundur të krijoheshin klube filatelike. Madje nuk u realizua asnjë aktivitet me natyrë filatelike, qoftë edhe lokal. Fillimi i luftës ndërpreu çdo nismë në këtë drejtim. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, u konsiderua se ishte momenti i duhur për të ndërmarrë një hap të rëndësishëm, duke hyrë në rrugën e organizimit, njësoj si homologët evropianë. Duke kërkuar dokumentacion në arkiva, u konstatua se përpjekjet e para për këtë qëllim u bënë fillimisht në Tiranë, më pas në Korçë dhe më vonë në Shkodër. Por, në të vërtetë, rendi i krijimit të tyre ishte i kundërt: fillimisht në Shkodër, më pas në Korçë dhe së fundmi në Tiranë. Arkivi Qendror i Shtetit ka në fondin e tij shumë pak dokumentacion lidhur me fillimet e lëvizjes së organizuar filatelike. Megjithatë, prej këtij materiali mund të nxirret një pasqyrë e përgjithshme për atë që ndodhi në vitet e para pas luftës. U gjetën dy kërkesa nga një grup filatelistësh në Tiranë, një projekt-rregullore me katër faqe dhe një projekt-statut me tre faqe. Në kërkesën e parë, të datës 12 shkurt 1945, më pak se dy muaj pas përfundimit të luftës, ata i drejtoheshin Ministrisë së Punëve Botore. Ndër të tjera shkruhej: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se grupi nismëtar i nënshkruar këtu më poshtë, mbasi pa nevojën e plotësimit të një mungese të jetës sonë shoqërore, vendosi të krijojë një “Klub Filatelik Shqiptar”... Duke marrë parasysh qëllimin kulturor të klubit, jemi të sigurt se ajo e ndershme Ministri jo vetëm që do ta aprovojë statutin dhe rregulloren, por nuk do të na kursejë, sipas rastit, edhe përkrahjen morale dhe materiale të saj.” (1) Nënshkrues janë 15 vetë. Disa emra identifikohen, si p.sh. Milto Korçari (një nëpunës i vjetër në administratën e vitit 1913), Zef Ndoci, Gjon Temali , Hysein Gjinaj, Aleks Pjetri etj. Më poshtë ndodhen emra të tjerë të paqartë, të shoqëruar me firmat përkatëse, për të cilët do të kishte interes të njiheshin. Kjo kërkesë, me sa duket, mbeti pa përgjigje. Por një pjesë e të njëjtit grup filatelistësh u treguan këmbëngulës dhe e përsëritën kërkesën më 2 korrik ne te njejtin vit,1945. Ndër të tjera thuhej: “Grupi nismëtar vendosi me krijue Klubin Filatelik Shqiptar, sikur janë krijuar në të gjitha shtetet e tjera, të cilat i japin një rëndësi të madhe zhvillimit të filatelisë, mbasi me anë të saj shteti bën një propagandë të madhe për njohjen e tij në botën e jashtme... për të bashkëpunuar me klubet e tjera dhe me revistat e këtyre klubeve filatelike...” (2) Në këtë dokument, numri i personave që firmosin ishte dukshëm më i vogël se herën e parë, ndoshta nga humbja e besimit, por sigurisht edhe për shkak të presionit të regjimit. Pas kësaj kërkese në Tiranë, çdo përpjekje u ndërpre dhe vetëm shumë vonë, në vitin 1959, një brez tjetër filatelistësh do të arrinte të ligjëronte një shoqatë filatelike. Qyteti i dytë, Korça, u bë protagonist i një kërkese të tillë. Në këtë qytet me tradita në këtë fushë, kishte një grup filatelistësh pasionantë. Ata ndërmorën një përpjekje në vitin 1946 për krijimin e një klubi të quajtur “Albania EC”, që do të shërbente për shkëmbime dhe korrespondencë me jashtë. Por ne një dokument tjetër arkivor, si përgjigje ndaj këmbënguljes së tyre, i drejtohet Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Korçës, konkretisht përgjegjësit të kulturës. Ndër të tjera thuhet: “Bashkëngjitur po ju dërgojmë një fletë e cila rastësisht na ra në dorë dhe që flet mbi formimin e një klubi për korrespondencë dhe shkëmbime filatelike... Komiteti i Kulturës do të arrijë në një studim, dhe do të njoftojë për detyrat që do t’u përkasin. Prandaj nuk është e nevojshme që Shtëpia e Kulturës, e cila nuk është një ent privat, të ketë një seksion filatelik. Atëherë personat e interesuar që duan të formojnë me nismën e tyre një klub, siç formulohet..., duhet t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë lejen përkatëse.” (3) Kjo përgjigje tregon qartë se çfarë guximi dhe, pa tepruar, çfarë “aventure” përbënte tentativa per krijimin i një klubi të tillë në atë kohë. Çdo nismë duhej të kalonte në filtrin e Ministrisë së Brendshme. Si rezultat i këtij presioni, filatelistët korçarë u tërhoqën, por mundën të krijonin klubin pak vite më vonë, në vitin 1949, tashmë me shembullin e dhënë nga qyteti i Shkodrës. Pas deshtimit te Tiranës dhe Korçës, Shkodra ishte e treta që ia doli me sukses.Lind natyrshëm pyetja: Mos vallë Shkodra ishte e preferuara e regjimit? Të gjithë sot e dimë që jo.Cila ishte, pra, arsyeja që ky qytet ia doli, ndryshe nga Tirana dhe Korça? Nuk është e lehtë të nxjerrësh një përfundim të menjehershem për këtë çështje, aq më tepër kur në arkivat, si në Tiranë, ashtu edhe në Arkivin e Prefekturës Shkodër, nuk është gjetur asnjë dokument për këtë ngjarje. Një ndihmesë të madhe do të jepte arkiva e vetë klubit, e cila për një kohë të gjatë ishte mbajtur me kujdes dhe mund të shfrytëzohej sot. Do të duhej të ruheshin që nga kërkesa e parë dhe dokumenti i ligjërimit të klubit, lista e filatelistëve që firmosën, procesverbalet, planet e punës, studimet dhe diskutimet shkencore, fotografitë e shumta, deri te libreza bankare e klubit që do të tregonte seriozitetin në aspektin financiar. Humbja pas vitit 1992 e këtyre dokumenteve autentike te 45 viteve ekzistence te Klubit shkodran filatelik, ka pasoja të drejtpërdrejta në pasqyrimin e saktë dhe të plotë të një periudhe që, per hire te vertetes, nuk është aq e largët në kohë. Për shembull, data themeluese e Klubit Filatelik Shkodër jepet ndryshe në dokumente të ndryshme, herë 4 prill, herë 11 apo 12 prill, dhe ndonjëherë 14 prill. Po ashtu ndodh edhe me datat e ekspozitave. Çfarë mund të themi, atëherë, për dhjetëra veprimtari e ngjarje të tjera filatelike? Për listën e parë të anëtarëve nuk mund të jepet një version i saktë për sa kohë nuk kemi një dokument zyrtar të kohës. E njëjta vlen edhe për listat e mëvonshme, në dekadat deri në vitin 1992, kur numri i anëtarëve ishte i konsiderueshëm. Në mungesë të dokumenteve arkivore, kërkimi duhet të orientohet drejt burimeve të tjera, në veçanti në arkivat familjare, të cilat mund të ruajnë korrespondenca ndërmjet filatelistëve,dhe mundet logjikisht te orjentohemi ne mesimin e te vertetave. Unë do të parashtroj dy letra dhe dy informacione të botuara në shtypin lokal dhe kombëtar, në kohë reale , pra, të vitit 1947. Familja e filatelistit të njohur korçar Petraq Dini ka të ruajtura në arkivën familjare letra të viteve ’40, dërguar nga Shkodra në Korçë. Këto letra janë dëshmi autentike në mungesë të dokumentacionit shtetëror. Në një letër nga Idriz Fishta, dërguar nga Shkodra në shkurt 1947 (dy muaj para krijimit të klubit), shkruhej: “Klubi për të cilin të pata shkru, na u kthye përgjigjja prej Ministrisë. Më duket pozitive, por duket se diçka e ka ndalë dhe nuk po don me ecë përpara. Kjo ka ndodhë nga shkaku se referenti i kulturës këtu ka dashtë me na mbledhë filatelistët dhe me na pyet se në ç’pikëpamje na mendojmë me ba atë klub. Duket se ai ndoshta ka direktiva që të sillet në këtë mënyrë. Një ditë, si tue qeshë, ai na pat thanë: – Bini këtu pullat dhe formojmë klubin. Mirëpo shumë shokë janë trembë e friksue. Unë qëndroj në krye të situatës. Në njërën anë sqaroj referentin dhe në tjetrën afroj filatelistët.” (4) Në një letër tjetër të datës 16 dhjetor 1947, Idriz Fishta i shkruan Petraq Dinit: “Si e pritët ekspozitën filatelike që u ba në Shkodër nga 28 shtatori deri më 5 tetor 1947? Kjo ka kenë ekspozita e parë filatelike që u ba në vendin tonë. Unë, si gjithmonë, isha iniciatori dhe organizuesi i saj. Këtu, siç mund ta keni lexuar në gazetën ‘Bashkimi’ të datës 11 tetor 1947, u paraqitën pullat e Shqipërisë që nga viti 1912 e deri në atë ditë, pullat e Jugosllavisë, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Greqisë, dhe të Bashkimit Sovjetik. Shumica e serive ishin të reja, me gomë dhe të plota. Ekspozita u vizitua nga afro 4000 vetë. Të gjithë mbetën të kënaqur dhe lanë fjalë lavdërimi në librin e përshtypjeve. Me këtë rast, patëm njoftuar të gjitha Shtëpitë e Kulturës në qytetet e tjera, si dhe jashtë vendit – në Jugosllavi, Bullgari, Rumani dhe Bashkimin Sovjetik. Vetëm një përgjigje falënderimi na erdhi nga Federata Filatelike e Kroacisë, të cilët na kërkuan një artikull për themelimin e seksionit dhe përshkrimin e ekspozitës, që ne ia dërguam për t’u botuar në revistën e tyre. Në vitin pasardhës kemi premtuar një ekspozitë më të bukur dhe më madhështore. Shumica e pullave në ekspozitë ishin të miat. Na vjen keq që nuk u vu në qarkullim një pullë përkujtimore, por patëm frikë se nuk do na lejohej, megjithatë më pas na u dha leja nga Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Shkodrës...” (5)
Jehona në shtypin e kohës dhe zhvillimet pasuese.
Po citojmë edhe dy burime shtypi që dëshmojnë për rëndësinë dhe jehonën që pati kjo ngjarje. Gazeta “Bashkimi”, 11 tetor 1947, në një artikull kushtuar ekspozitës, shkruan: “Me iniciativën e seksionit filatelik të Shtëpisë së Kulturës, u hap ekspozita e parë filatelike. Në të u ekspozuan pulla të Shqipërisë nga viti 1912 e deri më sot, pulla të Bullgarisë që nga viti 1860 e në vazhdim, pulla të Greqisë nga 1890 deri në kohën e okupacionit italo-gjerman, si dhe pulla të Bashkimit Sovjetik që nga 1860, përfshirë edhe ato të periudhës së carizmit, të familjes Romanov, të revolucionit, të paraluftës, të luftës dhe të rindërtimit.”Më tej theksohet:“Për ta bërë sa më të njohur filatelinë, seksioni ka përpiluar një program të mbështetur në këto pika: – të popullarizohet filatelia te masat, sidomos te të rinjtë; – të zhvillohet si art dhe jo për qëllime spekulative; – të krijohen marrëdhënie me filatelistët brenda vendit dhe me ata të vendeve demokratike. Për realizimin e këtyre objektivave, nevojitet sigurimi i materialit filatelik si katalogë, revista të huaja, pinceta, albume, zarfa transparente dhe lente.” (6)
Gazeta lokale “Koha Re”, 10 dhjetor 1947, në rubrikën “Shtëpia e Kulturës dhe veprimtaria e saj”, shkruan: “Seksioni i filatelisë, në fund të shtatorit, hapi një ekspozitë filatelike, të parën e këtij lloji në Shqipëri. Vërtet që filatelia është pak ose aspak e njohur në vendin tonë, por duhet pranuar se kjo ekspozitë ka qenë ndër më të bukurat dhe më simpatiket që janë hapur në qytetin tonë. Shpresojmë se rrethi i filatelisë s’do të mbetet me kaq.” (7)
Zhvillimet gjatë dekadave në vijim.
Gjatë viteve që pasuan, numri i aktiviteteve të klubit u rrit ndjeshëm. Ato zhvilloheshin në Shtëpinë e Kulturës, në Muzeun Popullor, në shkolla, institucione dhe qendra pune. Veçanërisht pas vitit 1958, klubi përjetoi një hap cilësor:
U emetuan për herë të parë në Shqipëri më shumë se 10 zarfa lokale përkujtimore (FDC) në nderim të datave dhe ngjarjeve të rëndësishme kombëtare.
U shtua prania në shtypin periodik.
U rrit ndjeshëm numri i anëtarëve, sidomos të rinjtë.
U krijua një rreth filatelik në Shtëpinë e Pionierëve.
U shtuan aktivitetet edukative në shkolla.
U zhvillua bashkëpunim me klube të qyteteve të tjera.
Klubi shkodran, pas emetimit të zarfeve përkujtimore, realizoi edhe një tjetër risi: Sesione shkencore -- 28 prill 1970 sesioni i parë me katër referime - 26 nëntor 1973: sesioni i dytë me tre referime - 28 tetor 1975: sesioni i tretë, gjithashtu me tre referime.
Çdo sesion shoqërohej me ekspozita dhe kishte të ftuar nga klube të tjera të vendit. Ekspozitat vizitoheshin nga qindra qytetarë dhe kishin jehonë pozitive.
Pulla – “dritarja” e vetme e vrojtimit te botës gjatë izolimit.

Filatelistët shkodranë ishin të vetëdijshëm për rolin emancipues dhe edukues të filatelisë. Në një kohë pa televizion, pulla ndonëse e vogël në përmasa kishte një fuqi simbolike dhe informative të jashtëzakonshme. Ajo ishte dritarja e vetme e lejueshme që lidhte Shqipërinë me botën përmes imazheve dhe ideve. Në një kohë kur censura kontrollonte gjithçka, librat, filmat, TV-në, teatrin , pulla ishte e vetmja që s’mund të bllokohej plotësisht. Ajo sillte në Shkodër, dhe në të gjithë vendin, pamje nga Lindja, Perëndimi dhe çdo cep i botës. Kjo shpjegon si u krijuan, në një vend të izoluar si Shqipëria, koleksione të plota nga Vatikani, Izraeli, Spanja, Franca, Anglia, Gjermania Perëndimore, kolonitë franceze e britanike, dhe me dhjetëra vende të tjera me të cilat nuk kishim as marrëdhënie diplomatike. Nëpërmjet pullave mbërrinin edhe simbolet e organizmave ndërkombëtarë si OKB-ja, figura të politikës, filozofisë, shkencës, artit e kulturës botërore. Filatelia shërbeu si shkollë joformale për edukim estetik, historik dhe kulturor, sidomos për të rinjtë.
Pasioni që i mbijetoi çdo pengese
Është e rëndësishme të theksohet se opinioni sipas të cilit regjimi i kaluar inicioi dhe drejtoi veprimtarinë e klubeve filatelike nuk qëndron. Nuk ekziston asnjë dokument arkivor që të dëshmojë mbështetje apo nxitje nga shteti për krijimin apo drejtimin e tyre. Përkundrazi, kjo veprimtari u mbikëqyr me rreptësi. Korespondenca e brendshme dhe ajo ndërkombëtare e filatelistëve survejohej vazhdimisht, dhe shpesh kjo krijonte një klimë frike dhe pasigurie. Ruhen dokumente nga vitet ’80, të cilat tregojnë qartë brutalitetin dhe abuzimin ndaj këtij pasioni qytetar e patriotik. Disa prej tyre janë letra zyrtare, të drejtuara kryetarit të Klubit të Shkodrës, Idriz Fishta, me të cilat kërkohej me arrogancë dhe pa asnjë konsideratë ligjore dorëzimi i koleksioneve personale per ti shitur me pas kompanive te huaja filatelike. Keto dokumente dëshmojnë qartë se nuk ishte mbështetja institucionale ajo që mbajti në këmbë filatelinë shqiptare, por thjesht dashuria e thellë për këtë pasion.
Klubi i Shkodrës – një histori suksesi
Në përfundim, veçanërisht për Klubin Filatelik Shkodër, mund të thuhet me bindje se gjatë gjithë ekzistencës së tij, ai i kapërceu me sukses të gjitha vështirësitë, të cilat në kohën e vet ishin aspak të lehta. Në këtë klub, ku natyrshëm përfshiheshin individë të shtresave të ndryshme, madje edhe nga ato që mund të goditeshin lehte nga famëkeqja “lufta e klasave”, nuk u shënua asnjë rast përndjekjeje, çka është një arritje më vete. Kjo u arrit falë:kujdesit për njëri-tjetrin, dashurisë për pasionin, unitetit dhe bashkëpunimit, miqësisë së sinqertë dhe largimit nga intrigat dhe egoizmat. Filatelistët e qytetit te Shkodres ndërtuan një histori suksesi, që i ka dhënë vlera progresive dhe krenari brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
1. Kerkesa e pare e dates 12 shkurt 1945, nga nje grup filatelistesh ne Tirane
2. Kerkesa e dyte e 1 korrikut 1945,tashme vetem nga nje pjese filatelistesh te grupit te pare.
3. Projekt statut dhe projekt rregullore e kerkesave te vitit 1945.
4. Filatelistave te Korces i jetet pergjigje negative ne shkurt te vitit 1947.
5. Pjese nga korrespondenca mes filatelisteve e dates 11 shkurt te vitit 1947.
6. Gazeta Bashkimi e dates 12 tetor 1947 pasqyron jehonen e ekspozites se pare filatelike ne Shqiperi, realizuar qytetin e Shkodres.
7. Gazeta locale “Koha e Jone” e dates 10 dhjetor 1947 pasqyron jehonen e ekspozites se pare filatelike.
Referenca:
(1) Arkiva shtetit Fondi 513.Viti 1945 dosja 49
(2) Arkiva shtetit Fondi 513, viti 1945,dosja 49
(3) Arkiva shtetit Fondi 513,viti 1945,Dosja 49
(4) Arkiva shtetit Fondi 513,viti 1946,dosja 28
(5) Leter e I.Fishtes drejtuar P.Dinit,16 dhjetor 1947.Arkive familjare.
(6) Gazeta “Bashkimi”, 11 Tetor 1947
(7) Gazeta “Koha jone”, 10 Dhjetor 1947





















Comments