top of page

 Besnik Fishta: Gastronomia si kujtesë kulturore në pullat e Kosovës

ree

  “Gastronomia nuk është thjesht arti i të ushqyerit, por një mënyrë përtë ruajtur  shpirtin e një kombi.”



           Filatelia e shekullit XXI po përjeton një rilindje tematike. Nga një pasion që dikur përqendrohej në historinë, monumentet apo figurat shtetërore, ajo është shndërruar në një pasqyrë të gjallë të identitetit kulturor dhe estetik të kombeve. Sot, përmes një pullë poste, nuk përcillet më vetëm një simbol zyrtar, por edhe si perceptim i shpirtit të përditshëm të popullit. Në këtë mozaik të ri tematikash filatelike, gastronomia është shfaqur si një nga fushat më njerëzore dhe nje trend i filatelisë bashkëkohore.

Vrojtimi i pullave postare ka diçka magjike në vetvete. Ato që paraqesin florën, faunën, sportin apo teknologjinë ngjallin një kënaqësi qe lidhet me moshen apo deshirat individuale te individeve te ndryshem. Por, kur syri ndalet te tematika e gastronomisë, ndjesia ndryshon,sepse ndodh qe vështrimi nuk kalon më sipërfaqshëm por ai ndalet, thellohet, kërkon, sikur të donte të ndiente aromën që fshihet pas ngjyrave. Në fytyrën e shikuesit lexohen emocione të tjera, një lloj përhumbjeje e ëmbël, një adhurim i heshtur për imazhin që e ngacmon. Shumë psikologë e shpjegojnë këtë me faktin se ndjesitë e shijes dhe ato të pamjes janë më të lidhurat në përvojën njerëzore, bashkimi i tyre krijon një harmoni të rrallë, ku kujtesa, ndjenja dhe estetika përzihen në një unitet që ngjall kënaqësi të thellë. Ndoshta prandaj, përballë pullave që i kushtohen gastronomisë, njeriu nuk sheh më vetëm një figurë të shtypur mbi letër, por një fragment të shpirtit kulturor, te origjines se tij, një hymn të vogël ndaj identitetit.

Gjatë shekullit XX, tematika e gastronomisë ne filateline boterore ishte pothuajse e padukshme, sepse ne shumice zoteronte vecanersht politika apo ideologjia. Emisionet që e trajtonin këtë temë ishin të pakta dhe zakonisht kufizoheshin në ilustrime të frutave, pijeve apo elementeve të tregut ushqimor, më shumë dekorative se sa përmbajtësore. Në dekadat e para të shekullit XXI panorama ndryshoi ndjeshëm. Në një botë gjithnjë e më të hapur, me qarkullim idesh, njerëzish dhe kulturash, edhe ndjesia e shijeve filloi të udhëtojë. Gastronomia hyri me dinjitet në botën e filatelisë, duke u shndërruar në një tematikë moderne dhe tërheqëse. Rritja e turizmit ndërkombëtar, vëmendja ndaj trashëgimisë jomateriale dhe orientimi i organizatave si PostEurop dhe Euromed Postal drejt dialogut kulturor, e kanë kthyer ushqimin në një ambasador të identiteteve kombëtare. Sot, një pullë që paraqet një gatim tradicional apo një produkt tipik nuk është më një ilustrim i bukur, por një ftesë për të “shijuar” kulturën e një vendi.

Në këtë zhvillim, filatelia nuk është kufizuar vetëm në përmasën vizuale. Inovacionet bashkëkohore, si pullat aromatike (scented stamps), kanë hapur një dimension të ri përvojash shqisore, ato i ofrojne njeriut jo vetëm të shohë, por edhe të ndiejë aromën e motivit që pasqyron imazhi i pullës, qoftë kafeja, çokollata, vera apo erëzat mesdhetare. Këto eksperimente, të ndërmarra nga vende si Franca, Zvicra, Portugalia apo Tajlanda, e kanë kthyer filatelinë në një art sensual, ku imazhi bashkëjeton me aromën dhe kujtesën. Sigurisht, kjo ka hapur edhe debate mbi rrezikun e humbjes së karakterit klasik të pullës postare. Por, si çdo art që evoluon, edhe filatelia kërkon ekuilibrin e saj midis traditës dhe risisë, një zhvillim që nuk mohon të kaluarën, por e përfshin në një përvojë të re estetike.

Në rastin konkret,te cilen do te shqyrtojme, filatelia kosovare ofron një shembull domethënës se si tradita mund të marrë formë të re. Në kulturën e Kosovës, tryeza është simbol i bujarisë dhe bashkësisë familjare, dhe kjo e bën gastronominë një burim të natyrshëm frymëzimi. Që nga fillimi i viteve 2000, kur Kosova nisi kapitullin e saj filatelik, identiteti kulturor u vendos në qendër të krijimtarisë. Krahas temave themelore te paqes, simboleve shtetërore, trashëgimisë historike dhe figurave kombëtare, filatelia kosovare ndoqi me vëmendje edhe prirjet evropiane, duke përfshirë temat që lidhin artin me jetën e përditshme. Në këtë frymë, gastronomia u bë një fushë e re shprehjeje, një mënyrë për të dalluar kulturat, por edhe për të nxjerrë në pah të përbashkëtat e tyre. Fillimisht, ajo u shfaq në mënyrë modeste, përmes motiveve bujqësore e artizanale, drithërat e arta, rrushi i Rahovecit, mjalti i bletëve të Sharrit apo frutat e maleve, simbole të një toke të begatë e punëtore. Më pas, në dekadën e fundit, temat gastronomike u zhvilluan me një stil gjithnjë e më të përpunuar artistikisht. Seritë kushtuar trashëgimisë kulturore jomateriale sollën në miniaturë flinë, piten, lakrorin, verën e Rahovecit dhe shumë shije të tjera që përbëjnë sofrën shqiptare të Kosovës. Këto emetime nuk janë më thjesht përshkrime të produkteve ushqimore, por simbolika të mikpritjes, bashkimit dhe gëzimit që sjell buka e përbashkët. Nëpërmjet gastronomisë, filatelia kosovare ka ruajtur një ekuilibër të bukur midis thjeshtësisë rurale dhe artit të sofistikuar të shijes, duke përcjellë mesazhin se jemi një popull që di të ruajë traditën e vet kulinare. Këto reflektime gjejnë përmbajtje të gjallë në mënyrën se si Posta e Kosovës ka trajtuar temën e gastronomisë në emetimet e saj filatelike. Nga motivet bujqësore e artizanale të viteve të para, deri te seritë më të sofistikuara kushtuar trashëgimisë jomateriale, filatelia kosovare ka ndërtuar një narrativë të qëndrueshme përmes së cilës ushqimi bëhet metaforë e kulturës dhe e mikpritjes shqiptare.


ree

Fig.1: Emisioni i Postës së Kosovës me temën “Gastronomia e Kosovës”, që i kushtohet trashëgimisë kulinare tradicionale dhe mënyrës se si ajo përfaqëson shpirtin e një populli. Në këtë fragment filatelik, ushqimi nuk është më thjesht ushqim, por një simbol identiteti, një dëshmi për mënyrën se si kujtesa kulturore ruhet përmes aromës së bukës, shijes së djathit apo ngjyrës së verës. Në pullën e parë, paraqiten prodhime tradicionale të qumështit , djathi dhe gjalpi i vendosur në “kacë” prej druri,me pamje te thjeshtë përmbledh një mënyrë jetese të lashtë, të rrënjosur në baritorinë kosovare, aty ku njeriu dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni. “Kaca”, me formën e saj piramidale, nuk është thjesht një enë ruajtjeje, por një simbol i përvojës artizanale që ka mbijetuar brez pas brezi, duke i dhënë çdo produkti një shije të papërsëritshme autenticiteti. Në pullën e dytë, shpaloset tryeza e madhe kosovare, e shtruar me dashuri e kujdes, ku çdo pjatë bart historinë e një zakoni, të një feste, të një përkujdesjeje. Pitet, turshitë, kosi, e gjithë kjo pasuri ngjyrash dhe formash qëndron mbi një mbulesë me motive etnografike shqiptare, duke rikujtuar se ushqimi në Kosovë nuk është thjesht ushqim, por komunikim, mikpritje dhe respekt për traditën. Këto dy imazhe, të bashkuara në një kompozim të ngrohtë e emocional, përçojnë një respekt për kuzhinën tradicionale kosovare, për tokën që ushqen dhe për njerëzit që dinë ta kthejnë ushqimin në kulturë. Në një copëz letre me pullë, ruhen jo vetëm imazhet e gatimeve, por edhe kujtimet e fëmijërisë, aromat e oxhakut, dhe shija e asaj që quhet shtëpi.

ree

Fig.2:    

Ne fig.2, te emisionit tematik “Gastronomia; Vreshtaria e Kosovës” (2015) qe është pjesë e ciklit të pullave që promovojnë trashëgiminë bujqësore dhe kulturore të vendit përmes filatelisë, ku përmes katër pullave të kuruara me ndjeshmëri artistike e tematike, shpalos një nga traditat më të lashta të jetës rurale shqiptare, kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës. Në pullën e parë, shfaqet një figurë gruaje e veshur me kostum tradicional, e cila mbledh rrush me kujdes nën hijen e hardhive. Ky imazh bart në vetvete një simbolikë të dyfishtë, ajo është shenjë e frytdhënies së tokës dhe e rolit të gruas shqiptare si bartëse e traditave bujqësore. Në dy pullat pasuese, arti filatelik gërsheton artin fotografik me ndjesinë pikturale. Një tufë rrushi e ndritshme, e gjelbër dhe e mbushur me jetë, na çon drejt vreshtave të Rahovecit, zemrës së vreshtarisë kosovare. Ndërsa shporta me rrush të purpurt në pullën tjetër ngjason me një natyrë të qetë të pikturës klasike, duke nënvizuar bukurinë dhe thjeshtësinë e frytit të korrjeve. Këtu vreshtaria nuk është thjesht ekonomi, por një mënyrë e të jetuarit që mishëron lidhjen e njeriut me tokën dhe ciklin e natyrës. Kurse në pullën përmbyllëse, rrushi shndërrohet në verë, simbol i mikpritjes, gëzimit dhe bashkimit njerëzor. Gotat e mbushura me verë të kuqe flasin për tryezat shqiptare, për ngrohtësinë e familjes dhe shijen që shkon përtej ushqimit, drejt kulturës. Ky kalim nga vreshti në gotë, nga natyra në tryezë, përbën natyrshem kalimin, nga puna te festa, nga toka te fryti i shpirtit.


ree

   Fig.3   

Fig.3, te vitit 2016, tregojne tre pulla postare të emetuara nga Posta e Kosovës i përkasin një cikli tematik të titulluar “Pemëtaria” (Frutikultura), që i kushtohet pasurisë bujqësore dhe traditës së prodhimit vendas të frutave. Pulla e pare paraqet mollën, frutin simbol të shëndetit dhe pjellorisë, e vendosur mbi një sfond me motive kulinare. Ajo duket sikur fton shikuesin të ndiejë aromën e freskisë së fshatit kosovar. Pulla e dyte sjell në qendër dardhën, shoqëruar me elementë të tjerë ushqimorë si qumështi dhe mjalti, që përfaqësojnë bujarinë e tryezës tradicionale, dhe pulla e trete paraqet manin dhe kumbullën, të lidhura me prodhimin artizanal të reçelit dhe traditën e ruajtjes së frutave në dimër, një zakon i hershëm në shumë familje kosovare. Në plan simbolik, këto pulla nuk janë thjesht një përshkrim i prodhimeve bujqësore, ato janë një demostrim për lidhjen e njeriut me tokën, për shijen e punës së ndershme dhe për kujtesën e tryezave familjare.


ree

    Fig.4   

Fig.4. tregon tri pulla postare të emetuara nga Posta e Kosovës në vitin 2021 qe i përkasin ciklit tematik “Frutat e malit”, një seri që sjell në qendër bukurinë dhe vlerat ushqyese të pasurisë natyrore të vendit. Ato janë një himn vizual për shijen e pyjeve dhe ajrin e pastër të maleve kosovare, ku natyra ruan ritmet e saj. Pulla e treguar nga  e djathta tregon Mjedren (Rubus idaeus), qe përfaqëson frytin që rritet në terrene të pastra, aty ku njeriu ndërthuret butësisht me pyllin. Pulla e dyte ne mes eshte Dredhëza e egër (Fragaria vesca) e pozicionuar në një çast natyral, në mes të gjetheve të gjelbra, kjo pullë përçon aromën e freskisë dhe ndjesinë e thjeshtësisë rurale. Dredhëza është fruti i kujtimeve verore dhe simbol i fëmijërisë. Pulla e trete majtas, eshte Qershiza (Vaccinium myrtillus) me ngjyrën e thellë blu dhe sfondin e errët të pyllit, ajo shpreh misterin dhe bukurinë e maleve të Kosovës. Ky frut i vogël, por me vlera të mëdha ushqyese, përfaqëson natyrën që gjallon, duke ushqyer njeriun qe nga lashtesia. Artistikisht, pullat nepermjet realizmit fotografik, shpreh mendimin qe çdo frut bëhet metaforë e gjallë e jetës dhe e natyrës së paprekur. Në plan simbolik, seria “Frutat e malit” është një himn për autenticitetin dhe natyrën e pastër të Kosovës, një kujtesë se pasuria e vërtetë e një vendi nuk qëndron vetëm në teknologji apo zhvillim urban, por në ruajtjen e ekosistemeve që i japin jetë dhe identitet kombëtar.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page