BESA SHQIPTARE E KOSTANDINIT…dhe varianti serb i baladës…

Updated: Nov 4, 2020




Timo Mërkuri, studiues

Nga Timo Mërkuri

Balada e “besës”, siç quhet zakonisht balada “Kostantini dhe Doruntina” përtej çdo hamendësimi gjëndet edhe në gjuhën serbe dhe boshnjake, por ajo që të bën përshtypje te këto dy variante është fakti se teksti është i njëjtë, jo vetëm si kuptimshmëri, por është i njëjti tekst me 122 vargje, veçse është i shkruar boshnjakisht te njeri variant dhe serbisht te tjetri. Këto dy variante gjënden te antologjia EMOS “Antologjia e poezisë ballaknike ”Athinë 2006, ku varianti serb ndodhet në f.q.390-393 i përkthyer nga Emin Kabashi, ndërsa varianti boshnjak ndodhet në f.q.100-101, i përkthyer nga Fatime Imeraj –Zeqiri. Ngjashmëria e tyre shpjegohet me faktin se të dy tekstet kanë të njëjtin burim, Antologjinë e poezisë popullore (Narodna srbska pjesnarica) të Vuk Stefanoviç Karaxhiqit[1], botuar në Vjenë në vitin 1815[2]. Do vlente së tepërmi po të na jipej edhe emri i rapsodit prej të cilit është regjistruar si dhe fakti në se këtë regjistrim e ka bërë vetë Vuk Karaxhiqi apo ja kanë dërguar në Vjenë bashkëpunëtorët e tij[3]. Kjo baladë gjëndet në Antologjinë “Këngë e sllavëve të jugur[4]” me nr 513 dhe ka shënimin: “Përkthyer nga teksti i përmbledhjes: Karadžič, vëll. II, № 5. Regjistruar nga një vendas i Serbisë jug-perëndimore. Balada u përdor gjerësisht mes sllavëve të jugut. Në sllavët e lindjes, kjo baladë është e njohur në formë përralle[5]”.

Në lidhje me këtë baladë, është interesante fakti që studiuesit serbë janë mjaftuar me botimin te antologjia“Këngë e sllavëve të jugurt” dhe nuk i kanë bërë ndonjë reklamë, thua se u rëndonte akti i tjetërsimit të tekstit te varianti shqiptar, prej nga e morën.Veprimet e së kaluarës janë peshë e rrëndë dhe nuk mund të kalohet deti me ‘to në shpinë. Arsyet e heshtjes serbe mund të jenë të shumta, por e pakuptim është heshtja e folkloristikës shqiptare, në një kohë që kjo kishte shumë për të folur për variantin serb të kësaj balade dhe raportin e saj me variantin shqiptar.

Mendojmë të shprehemi për këtë baladë dhe për raportin e saj me variantin shqiptar, por për tëkuptuar drejt debatin, le të lexojmë së pari variantin serb të përkthyer në shqip, si më poshtë :

Vëllezërit dhe motra[6]

Lindi nëna nëntë djem të dashur

Dhe të dhjetën të bukurën surgareshë.

U kujdes derisa i rriti

Derisa djemtë u bënë për martesë.

5-Kur vajza u bë për tu dhënë

Atë e kërkuan shumë beqarë

Njëri han, tjetri general

I treti shkues nga fshati fqinjë.

Nëna e jep në fshatin fqinjë

10-Vëllezrit ja japin hanit përtej detit.

Edhe vëllezërit me motrën biseduan

-Unë të dhashë motra jonë e dashur

Unë të dhashë te hani përtej detit.

Por më shpesh do të të vijmë

15-Gjatë vitit për çdo muaj

Gjatë muajit për çdo javë.

Dhe motra vëllezërit i ka dëgjuar

Ajo shkoi te hani përtej detit.

Po të shohësh çudinë e madhe!

20-Zoti lëshoi një sëmundje të rëndë

Dhe i mori të nëntë vëllezërit e dashur,

Vetëm mbeti nëna plakë

Kështu mbeti për tre vjet.

Hidhet klithë motra Jelica:

25-Zot i madh të qofshim falë,

Pse vëllezërit nuk duan të më vijnë?

Atë ashpër e qorton kunata:

-Kudër e keqe kunata jonë

Ti shumë ashpër vëllezërit i qortove

30-Se ty vëllezërit nuk kanë për të ardhur.

Hidhet klithë motra Jelica

Hidhet klithë në mëngjez e në mbrëmje.

Por zoti i madhe e mëshiroi

Dhe ai dërgoi dy ëngjëjt të tij.

35-Shkoni poshtë, dy ëngjëjt e mi

Dhe të varri i bardhë i Jovanit,

I Jovanit, vëllait më të vogël,

Me shpirtin tuaj i jipni shpirt,

Nga varri kalin ia mbaroni,

40-Nga dheu ia gatuani bukën,

Nga qefini ia bëni dhuratat,

E përgatitni të shkojë te e motra.

Shpejt shkojnë dy ëngjëj të Zotit

Te varri i bardhë i Jovanit.

45-Nga varri kalin ia mbarojnë,

Me frymën e tyre shpirtin ia japin,

Nga dheu ia gatuajnë bukën,

Nga qefini ia bëjnë dhuratat.

E përgatisin te motra të shkojë.

50-Shpejt po shkon vëlla Jovani.

Kur arin afër oborit

Që larg motra e sheh,

Pak më afër ajo i afrohet

Nga dhimbja zë dhe qan.

55-Duart i hap dhe në fytyrë e puth;

Dhe motra zuri ta pyesë vëllanë:

-A më keni premtuar vëlla,

Kur të re mua më martuat,

Se shumë shpesh do të vini

60-Gjatë vitit për çdo muaj,

Gjatë muajit për çdo javë?

Sot u bënë plot tre vjet

Asnjëherë nuk më kini ardhur!

Dhe më tejë motra po i thotë:

65-Pse ashtu vëlla je i zbehur,

Mu sikur të kishe qenë nën dhe?

E ndërpreu bisedën djalë Jovani:

-Hesht motër, në se e din Zotin!

Më ka ndodhur fatkeqësi e madhe

70-Deri sa tetë vëllezër i martova

Dhe i mora tetë kunata të dashura,

Dhe sa vëllezërit u martuan,

Nëntë shtëpi të bardha i ndërtuam;

Për këtë shkak jam zbehur.

75-Dhe ai qëndroi tri ditë të bardha.

U përgatit motra Jelicë,

Dhe përgatiti dhurata për zotërinj,

Tu dhuronte vëllezërve dhe kunatave;

Vëllezërve u qepi këmisha pëlhure

80-Kurse kunatave rrathë dhe unaza.

Por Jovani shumë u ngushtua.

-Ti mos shko e dashur motër

Derisa vëllezërit nuk vijnë për vizitë.

Por Jelica nuk ka hequr dorë.

85-Ajo përgatiti dhurata për zotërinj.

Atëherë Jovani në këmbë u ngrit

Dhe me të motra Jelica.

Dhe kur afër oborit kanë ardhur

Afër oborit ishte kisha e bardhë,

90-Andaj foli djalë Jovani:

-Ti prit këtu motër e dashur

Derisa unë të shkoj në kishë të bardhë:

Kur vëllain e mesëm e martuam,

Unazën e arit e kam humbur,

95-Ta kërkoj motër e dashur.

Shkoi në varr djalë Jovani,

Mbeti motra Jelicë

Duke pritur djalë Jovanin.

E priti, por dhe e kërkoi,

100-E te kisha shumë varre të reja:

Aty menjëherë pikëllimin e ndjeu,

Mos ka vdekur djalë Jovani.

Shpejt shkoi në oborin e bardhë;

Kur afër oborit kishte ardhur,

105-Dhe në obor po këndonte qyqja,

Ajo nuk ishte qyqja motër,

Por ishte nëna e saj plakë.

Dhe Jelica në derë kur erdhi,

Bërtiti sa i zuri fyti i bardhë:

110-Nënë e mjerë, ma hap derën.

Nëna plakë nga obori i foli:

-Shko nga këtej murtajë e Zotit,

Nëntë djem m’i ke vdekur,

Më do dhe mua nënën plakë?

115-Dhe Jelica zuri dhe foli:

-Nënë e mjerë, ma hap derën,

Nuk është murtyaja e Zotit,

Por Jelica, vajza jote e dashur.

Atëherë nëna ja hapi derën,

120-Vajtuan si dy qyqe të mjera,

Me duar të bardha u përqafuan,

122-Të dyja vdekur për tokë ranë.

Përktheu : Emin Kabashi

Ky është teksti i baladës serbe të regjistruar nga Vuk Karaxhiqi dhe të publikuar në librinn e tij “Narodna srbska pjesnarica” botuar në Vjenë në vitin 1815, që i përkthyer në gjuhët e Ballkanit, përfaqson folkloristikën serbe në botimin EMOS.

I- Autorësinë serbe të kësaj balade e kundërshton fakti që serbët nuk kanë patur traditë në

këngë epike[7] dhe balada në vendorigjinë[8], për pasojë edhe shënimi i bërë te botimi i “Këngë të sllavëve të jugut” se “Në sllavët e lindjes, kjo baladë është e njohur në formë përralle[9]” është një alibi e rreme që synon të dëshmojë se serbët e kishin këtë baladë në vendorigjinën e tyre, veçse e kishin patur në variantet në prozë, duke haruar që variantet e baladave në prozë, janë variante të mëvonëshme të tyre[10].

Serbët nuk nuk e sollën me vete këtë baldaë se nuk e kishin në vend origjinë, për arsyen e thjeshtë se nuk e njihnin krishtërimin dhe ringjalljen para shek.VI- VII të e.s. Serbët e njohën krishtërimin nga grekët dhe shqiptarët, pas pushtimit prej tyre të territoreve ballkanike, për pasojë edhe ringjalljen (e Krishtit dhe Lazarit) e njohën në këtë periudhë. Shtojmë se shekujt e parë të pushtimit sllav ishin shekuj të luftës dhe shkatërimit[11], dhe jo kohë e “mësimit” të kulturës së vendasve apo kohë e “prezantimit” të kulturës së tyre të origjinës, kështu që edhe koha e njohjes së tyre me krishtërimin dhe ringjalljen është disa shekuj pas ardhjes së tyre në ballkan.

Ndërkohë, kur erdhën serbët në Ballkan, balada shqiptare lulëzonte në të gjitha trevat dhe hapësirat shqipfolëse. Serbët e kanë hasur këtë baladë në teritoret shqiptare që okupuan, por duke qënë se bota e baladës ishte larg botkuptimit të tyre, ata e kanë shpërfillur. Pas botimit të këngëve popullore (Narodna srbska pjesnarica) që bëri Vuk Karaxhiqi në vitin 1815, kur gjithë vëmëndja europiane u përqëndrua te balada “Zidanje Skadra”, kjo baladë mbeti në hije dhe serbët nuk e reklamuan, ndërsa shqiptarët as nuk u njohën me faktin e egzistencës së saj në folkloristikën dhe botimet serbe.

Në formën si është paraqitur balada serbe “Vëllezërit dhe motra” (Сестра и братья) i ngjan një anieje me direkë e vela të shkatëruara. Kjo mënyrë “lundrimi” ështe tepër e dukëshme te vargjet 85-110 të kësaj balade, ku duket se rapsodi ka “haruar” rradhën dhe llogjikën e subjektit kur ngatron fshatin e Jovanit me fshatin ku është martuar Jelica, kishat e tyre, varrin e Jovanit dhe shtëpinë e nënës etj.

Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se me subjektin aktual, balada serbe nuk lundron në detin e dhimbjes vetmitare të nënës plakë, por vërtitet në liqenin e “mallit” të motrës Jelicë për vëllezërit, ndaj dhe Jovani shkon e bujt te motra tre ditë, ndërkohë që te varianti shqiptar, Kostandini i porsambritur te sheshi ku Dhoqina na hidhej valle., i thotë motrës … eja sikundër je, për të mos humbur kohë. Por në këtë rast është eleminuar nga subjekti vizita e nënës te varret e djemve dhe mallëkimi mbi varrin e Jovanit, mallëkim që trondit të birin në botën e përtejme dhe e ngre nga varri. Arsyeja e heqjes së kësaj vizite dhe këtij mallëkimi është e kuptueshme, ky “mallëkim” nëne ka forcën që ka edhe Zoti për të ringjallur të vdekurin, koncept që kisha serbe nuk e pranonte.

Normalisht që lind pyetja se pse kisha ortodokse dhe katolike shqiptare e pranoi këtë baladë me këto “blasfemi”? Krishtërimi shqiptar e pranoi këtë baladë me elementët e tij paganë që “sfidonin Zotin” për arsye se ai e gjeti të gjallë baladën kudo në teritoret ku, në kohën e ardhjes së tij, banonte popullata shqipfolëse. Pra, balada shqiptare kishte “lindur” shumë kohë para se të vinte krishtërimi. Dhe të mos harojmë se krishtërimi në Shqipëri u pranua qysh në shek.I të e.s. Arsye tjetër është se shqiptarët vërtet e pranuan krishtërimin, por ata thellë në shpirt vijuan të mbeten paganë. Kjo është arsyeja që kisha shqiptare, jo vetëm që nuk e ndaloi dot baladën, por ajo u përpoq (dhe ja ariti deri diku) ta vinte në shërbim të saj[12]. Kjo duket te varianti “Kënga e Dhoqinës” ku balada zhvillohet në ambiente dhe data fetare (Ditën e Pashkës në drekë, Ditën e Pashkës së Madhe, Unë do shkoj në ajodhimë etj.).

Varianti serb i baladës ngjan me një “anie” që i është rrëzuar direku me gjithë velat dhe ecën nga e shtyn era më e fortë apo nga e merr rryma më e shpejtë. Mungon udhëtimi plot kolorit e muzikalitet i kthimit hipur mbi..të njëjtin kal/ I vdekuri me të gjall.., mungojnë bisedat e zogjve dhe dialogu i “kalëruesve” mbi këto biseda, mungon ai ankth i “ndritshëm” që të mba në tension dhe interesim dhe kjo mungesë nuk është e rastësishme.

Kisha serbe jo vetëm që nuk do ta lejonte bashkë udhëtimin e të vdekurit me të gjallin, por dhe bashkëbisedimin e zogjve e quante mëkat, ndaj e ka redaktuar (rapsodi, botuesi apo Vuk Karaxhiqi), por është pikërisht ky“redaktim” që “ka rrëzuar direkun e anies” ku mbaheshin velat, ka çorientuar “busullën e lundrimit” dhe subjektin e baladës, madje e ka bërë atë llogjikisht të pakuptueshëm.

II-Regjistrimit dhe publikimi i baladës në vitin 1815 nga Vuk Karaxhiqi, nuk u jep serbëve autorësinë e baladës. Ky fakt u jep serbëve vetëm përparësinë e publikimit të variantit të tyre në formë të shkruar, ndaj publikimit të variantit shqiptar, por edhe kjo është e diskutueshme. Po të kemi parasysh dëshminë e Dozonit[13], sipas së cilës:- në bazë të baladës (variantit) “Kënga e Halil Garrisë” u krijua dhe balada e famshme e “Lenore-s” e Bürger-it[14], le të arsyetojmë se, ndërsa variant serb është botuar dhe prezantuar në Europë në vitin 1815, varianti shqiptar “Kënga e H