top of page

Bernard Zotaj: Libri i jetës së shkrimtarit Xhevat Beqaraj 

  • 2 hours ago
  • 3 min read

Një vepër me profil modern dhe vlera të veçanta njerëzore

 

Ditë më parë, publicisti dhe shkrimtari i njohur Xhevdet Shehu më dhuroi librin e jetës së shkrimtarit të njohur shqiptar, Xhevat Beqaraj. Ky libër vjen si një befasi e bukur për lexuesin, një vepër plot dritë, ndjenjë dhe pasuri shpirtërore. Në faqet e tij gjejmë rrëfime të një bote njerëzore të gjerë, të ndërtuar me kujtime, mall, dhimbje dhe dashuri për jetën. Parathënia e librit është shkruar nga Xhevdet Shehu, i cili me autoritetin e tij letrar dhe njerëzor e vendos veprën në dimensionin që meriton. Ai e sheh librin jo thjesht si një përmbledhje kujtimesh, por si një dëshmi të gjallë të kohës, të njerëzve dhe të shpirtit mallakastriot. Me shumë të drejtë, Fatmira Beqaraj ia besoi parathënien një biri të Mallakastrës, sepse vetëm një mallakastriot mund ta njohë në thellësi botën e ndjeshme dhe të fuqishme të autorit.

Libri “Nën qiellin e fëmijërisë – rrëfime” paraqet një profil të ri e modern të Xhevat Beqarajt. I njohur për krijimtarinë e tij në letërsinë për fëmijë, ai vjen këtu si rrëfimtar i jetës, si kronikan i kujtesës dhe si poet i shpirtit njerëzor. Titulli i veprës është domethënës dhe gjatë gjithë leximit shpalos dimensione të ndryshme të personalitetit të autorit. Është një libër që u flet të gjitha moshave.

Pas parathënies, libri shtrihet në kapituj të ndërtuar me kujdes e ndjeshmëri, si: “Kur ishim të vegjël”, “Muzg buzë lumit”, “Vendlindja”, “Shkollën e doja”, “Kulak”, “Librat”, “Përsëri në shkollë”, “Rikthimi” dhe “Përpara pllakave të granilta”. Secili kapitull mbart më vete një botë emocionesh dhe kujtimesh, por të gjithë së bashku ndërtojnë romanin e jetës së autorit.

Siç shprehet edhe Xhevdet Shehu, kjo vepër në të vërtetë është një roman i jetuar, i skalitur me durim gjatë gjithë jetës së autorit. Ajo vjen si një poemë dashurie për vendlindjen, për fëmijërinë dhe për njerëzit që autori deshi dhe nuk i harroi kurrë. Libri është një autoportret shpirtëror, por njëkohësisht edhe një dokument i gjallë i historisë njerëzore të Kutës dhe Mallakastrës.

Në këtë vepër, Xhevat Beqaraj sjell regjistrin e kujtesës së tij, duke rrëfyer me sinqeritet gjithçka ka parë dhe përjetuar. Ai shfaqet si njeri me vlera të spikatura morale dhe si krijues që kërkon të lërë gjurmë në kohë. Dhe ia ka arritur. Në faqet e këtij libri jetojnë Vjosa madhështore me simfonitë e saj të pambarimta, Kuta e dashur, Mallakastra krenare, Vlora dhe Fieri, por mbi të gjitha jetojnë njerëzit.

Personazhet që autori portretizon janë të gjallë dhe të paharrueshëm. Ai i paraqet me virtytet dhe dobësitë e tyre, me huqet, veset, dashuritë dhe plagët njerëzore. Në këto rrëfime ka humor dhe dhimbje, mall dhe mirësi, por kurrë urrejtje. Xhevati nuk i gjykon njerëzit; ai i kupton dhe i fal. Kjo e bën librin edhe më njerëzor.

Një nga pjesët më të ndjera të veprës është rrëfimi “Po ikte Zyba”, ku autori përshkruan me dhimbje plagën e rëndë të shpalljes “kulak” të familjes së tij. Ky episod është ndër më prekësit e librit, sepse sjell dramën e heshtur të një kohe që ndau njerëzit edhe nga të afërmit e tyre.

Rrëfimi për Zybën është shkruar me një ndjeshmëri të rrallë artistike. Dhimbja e ndarjes, mungesa e babait, heshtja e shtëpisë dhe pesha e “kulakllëkut” krijojnë një atmosferë që prek thellë lexuesin. Janë faqe ku letërsia bëhet kujtesë dhe kujtesa bëhet histori njerëzore.

Xhevat Beqaraj vjen në këtë vepër edhe si një tregimtar i lindur. Gjuha e tij është e pasur, me figura artistike dhe me ngjyresa tipike mallakastriote e jugore. Episodet e jetës ai i shndërron në mesazhe universale. Fragmentet mund të lexohen edhe më vete si tregime apo novela të arrira, por të gjitha bashkë formojnë një tërësi të fuqishme artistike.

Në fund të librit vjen një nga fragmentet më të bukura dhe më filozofike: “Përpara pllakave të granilta”. Është një meditim i thellë mbi jetën, kohën dhe ikjen e njerëzve të dashur. Autori qëndron përballë varreve të të afërmve dhe ndjen heshtjen e rëndë të kujtesës:

“Rrallë vij tani në fshat. Të panjohurit shtohen si dritat në muzg. Të njohurit pakësohen si fletët në vjeshtë…”.

Këto rreshta janë mbyllja e denjë e një libri që e vendos lexuesin përballë jetës së vet, përballë kujtimeve dhe përballë kohës që ikën.

“Nën qiellin e fëmijërisë – rrëfime” është një vepër me vlera të mëdha artistike, shpirtërore dhe njerëzore. Ajo e lartëson më tej figurën e Xhevat Beqarajt dhe mbetet një prurje e rëndësishme në letërsinë autobiografike shqiptare. Në çdo kapitull ndihet malli i autorit për vendlindjen, për njerëzit dhe për Vjosën, e cila rrjedh në të gjithë librin si simbol kujtese, jete dhe përjetësie.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page