Bernard Zotaj: Gjeneral Muhamet Prodani qëndroi luftëtarë në jetë
- Jan 26
- 9 min read

Gjeneral Muhamet Prodani qëndroi luftëtarë në jetë
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Pas gjurmëve të familjes patriotike u përfshi në Lëvizjen Antifashiste
Është një realitet i dukshëm që Kolonja është krahina e gjeneralëve të dalë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një nga ata Gjeneralë të dalë nga kjo luftë ishte dhe Muhamet Prodani. Ai në enciklopedinë ushtarake dhe atë shqiptare është cilësuar si një nga legjendat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një nga më të rrallët që mbante gradën ushtarake Gjenerallejtënant. Ishte një gradë ushtarake e fituar në aksionet e para të çetave partizane në zonën e Kolonjës, në sheshin e luftimeve dhe të betejave të zhvilluara në Shqipëri në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore. Ai së bashku me luftëtarët që udhëhoqi në këto luftime bënë gjithçka të mundur e që kishin dalë malit, për popullin dhe Atdheun e vet.
I lindur në fshatin Psar të Kolonjës, më 9 prill 1922, në një familje të madhe patriote dhe luftëtarë për atdhenë. Babai Myslym Prodani ishte i njohur dhe i dëgjuar për trimëri, bujari dhe fjalëmbajtur për çështjen kombëtare. Në këtë rrugë filloi dhe i biri, Muhameti që në bangot e shkollës së fshatit, ku dëgjoi histori për trimërinë dhe zgjuarsinë e të parëve luftëtarë të fshatit dhe të familjes Prodani. Me zellin për të studiuar vazhdoi më tej shkollën qytetëse në Korçë. Aty u njoh me mjaft antifashistë dhe krejt natyrshëm, si rinia e kohës u përfshi në luftë. Kështu në rrugicat e Korçës pushtuesi fashist e gjeti në radhët e para të demostratave, por dhe përçues i kësaj lëvizje edhe në fshatra të Kolonjës, duke u bërë një antifashist i tërbuar i orëve të para të lëvizjes, për ta vazhduar më tej në qytetin e Beratit, ku dhe u hodh në ilegalitet.
Kështu nisi rrugën luftarake të partizanit në çetën e Kolonjës, të udhëhequr nga komandant Petrit Dume dhe komisar Josif Pashko, të formuar në fshatin Kozel, ku emërohet dhe zëvendëskomandant i çetës. Në maj të vitit 1943, kur u formua Batalioni Partizan “Hakmarrja”, Muhamet Prodani, për guximin dhe karakterin e tij të paepur, e të treguar në luftime me çetën e Kolonjës u emërua zëvendëskomandant i Batalionin “Hakmarrja”.
Me formimin e BrIS në Vithkuq të Korçës, u komandua komandant i kompanisë parë të batalionit të parë në brigadë. Gjatë LANÇ-it Muhamet Prodani shkroi faqe nderi e lavdie në aktivitetin e tij luftarak. Ai nuk u shkëput nga lufta as atëherë kur u plagos rëndë në shpatull në Dukat të Vlorës. Shokët e tij të luftës e mbajnë mend Muhamet Prodanin si drejtues e luftëtar të zotin, i cili kur e ka dashur puna është përleshur edhe fyta-fyt me pushtuesit dhe bashkëpunëtoret e tyre. Muhamet Prodani ishte djalë i ri, por dinte të bënte muhabet si burrë vendi dhe të luftonte si trim i rrallë. Ai i udhëzonte partizanët të ruheshin nga plumbi në luftime se “plumbi nuk të bën dredha”. Në të gjitha luftimet e çetës partizane të Kolonjës, në aksionet e Vithkuqit, në Urën e Dukës e të Kovaçit, në luftën e Leskovikut, në operacionet e Kuqarit dhe të Përmetit, etj., tregoi trimëri të rrallë.
Edhe pse i ri, i dëgjohej fjala
Në korrik të vitit 1942 u formua njësiti partizan i fshatit Kozel, ndërsa në shtator kërkohej që njësiti të kthehej në çetë partizane. Orhan Frashëri, partizan dhe veteran i LANÇ ka treguar se kandidat për komandant ishte menduar për Zylfo Rajani nga fshati Rajan. Për t’ja propozuar Zylfo Rajani për komandant e mori përsipër Muhamet Prodani se kishte miqësi familjare. Muhamet Prodani së bashku me Petrit Dume dhe Orhan Frashëri që ishte caktuar komisar i çetës së Kolonjës, mbritën në shtëpinë e Zylfos. Muhamet Prodani e përshëndeti dhe biseda u përqëndrua për luftën, për ngjarjet në Kolonjë, për luftën kundër fashistëve, për çetën partizane etj. Bijtë e mij, jemi të vonuar, u thotë Zylfoja. Por ja, sa të gjejmë komandantin, tha Muhameti. Në Kolonjë, s’gjen dot komandantë - qeshi Zylfoja. Është menduar që komandant të jeni ju i tha Petrit Dume. Kur bëhet fjalë për të luftuar fashistët dhe për të çliruar vendin, ishte përgjigjja që morën Petriti dhe Muhameti dhe u nisën për te partizanët me komandant Zylfo Rajani. Por Zylfo Rajani u largua nga radhët e çetës partizane të Kolonjës dhe shkoi me Ballin Kombëtar. Kur dëgjoi Muhamet Prodani i dërgoi fjalë që të kthehej ku kishte nderin. Më 29 Nëntor 1944 në Shkodrën e çliruar takoi Zylfon, i cili ishte me plot ballistë të kapur nga partizanët. I rëndonte fjala e Muhametit të kthehej ku kishte nderin, dhe Zylfo u kthye në BrVIIS. Luftoi me trimëri dhe ra më 5 shkurt 1945 në sulm kundër nazistëve, me fjalën në gojë “se i thoni Muhamet Prodanit se Zylfo Rajani u vra për Atdhe”.
E çoi BrIS drejt fitoreve
Qysh në ditët e para të formimit BrIS e pagëzoi rrugën e saj luftarake me luftën e Vithkuqit e të Shtyllës. Muhameti luftoi në krye të batalionit të vet në Pogradec, Patos, Vlorë, Dukat, në Dunicë të Mokrës në Tendën e Qypit, në Martanesh, Labinot, Mushqeta, si dhe në kryeqytetin e vendit, Tiranë, ku drejtoi luftimet heroike të BrIS. Në qershor 1944 Muhamet Prodani u ngarkua me detyrën shumë të rëndësishme dhe me përgjegjësi të madhe, komandant i BrIS. Pra do të zinte vendin e Mehmet Shehut që kishte bërë emër dhe kishte fituar famë si komandant e BrIS. Muhamet Prodani kishte besim në aftësitë tij dhe detyrën për të çliruar atdheun e kishte të shenjtë. Me Muhamet Prodanin BrIS nuk e humbi lavdinë, por ajo u rrit dhe u forcua më shumë. Ajo mbeti brigadë legjendare: “shpresë për popullin dhe tmerr për armikun”. Muhamet Prodani ishte tashmë një ushtarak i lindur. Ai nuk i thoshte dy herë fjalët dhe urdhërat luftarak, ishte i përmbajtur dhe fjalëpak, luftëtarë e ushtarakë model. Në heshtjen e tij fshihej pjekuria, guximi, mënçuria, vetëpërmbajtja. Luftëtari dhe veterani i LANÇ-it, Xhafer Peçi është shprehur se Muhamet Prodanin e kam patur një mik të madh, sepse më shumë atij i ndiste ylli i ndershmërisë dhe zemra e madhe e mirësisë. E kam patur komandant të Br. I S dhe jam mrekulluar nga zotësia e tij për të drejtuar. Muhameti luftoi me trimëri të rrallë, drejtoi luftimet heroike të Br. I S, për 19 ditë me radhë, si komandant i saj, së bashku me Arif Haskon komisar. E pastaj si komandant i Divizionit III Sulmues…
Kundëradmirali Ziqiri Mero ka theksuar se Muhameti, kishte një natyrë tepër e veçantë. Ai nuk e kërkonte lavdinë, lavdia e ndiqte në heshtje. S’i pëlqente mburrja e sidomos vetëmburrja. Sjellja e mirë dhe të qenët njerëzor, nuk janë shenjë dobësie e dëshpërimi, por manifestim fuqie dhe vendosmërie. Askush nuk mund ta mohojë, se Muhamet Prodani ka luajtur rol të veçantë në çlirimin e Tiranës, si komandant dhe si luftëtar. Në luftën për çlirimin e Tiranës kanë marrë pjesë 11 brigada partizane, por në krye të tyre qëndronte Br.IS dhe komandanti i saj Muhamet Prodani, ashtu siç ishte në krye si komandant në çlirimin e Dibrës, të qyteteve në Jug e Veri dhe e jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai e kishte firmosur lirinë me plumba, me guxim, me gjakun e tij, me sakrifica të panumërta bashkë me shokë që nga mali i Gramozit e mal më mal nëpër Shqipëri dhe përtej kufijve të saj.
Në detyrat më të larta ushtarake
Muhamet Prodani, menjëherë pas çlirimit të vendit, më l dhjetor 1944, emërohet komandant i Divizionit III Sulmuese dhe në prill të vitit 1945 emërohet komandant i Prapavijës së Korpusit II K të Ushtrisë shqiptare, pastaj me detyra të ndryshme në MMP, në Komandën e Prapavijave, mandej komandant i Regjimentit të 2-të të Divizionit III K, zëvendëskomandant i Divizionit VIII për prapavijen, komandant regjimenti në Divizionin VIII, komandant i Brigadës “Mesapliku”, ku mori pjesë në luftimet e agresionit ushtarak në gusht 1949, me shërbim të veçantë në Ministrinë e Brendshme dhe në vitin 1950 emërohet drejtor i Drejtorisë së Kufirit Shtetëror.
Afirmimi i Muhamet Prodanit si ushtarak i lartë me reputacion e autoritet të padiskutueshëm, u kristalizua plotësisht sidomos pas kthimit nga studimet e larta, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Në Akademinë Ushtarake “Frunze” Muhameti ka punuar me vullnet të admirueshëm, duke asimiluar një program të ngjeshur bashkëkohor. Ai përvetësoi teorinë ushtarake më të përparuar të kohes dhe në të gjitha detyrat teorike-praktike të Akademisë, si dhe detyrat në kabinet apo terren, u dallua për marrje vendimesh e zgjidhje origjinale tepër interesante të detyrave pedagogjiko-mësimore dhe përvetësimin e taktikës së njësive të mëdha. Pedagogët e cilësonin si koleg dhe shfaqnin admirimin e tyre për këmbënguljen dhe kërkesën e lartë ndaj vetes.
Në vitin e kthimit të gjeneral Prodanit nga studimet e larta, Ushtrinë Shqiptare e prisnin shndërrime të mëdha organizative në fushën e pajisjes me armë të reja të ABD, FLD, Aviacionit etj. Më 19 shkurt 1954, ai emërohet komandant i Br.2K, ku shërbeu me sukses gati dy vjet. Në janar të vitit 1958 emërohet komandant i Komandës së Mbrojtjes Bregdetare në Durrës, që përfshinte në zonën e vet të mbrojtjes gjithë hapësirën bregdetare nga lumi Buna në veri, deri në Kepin e Stillos në jug, si dhe thellësinë 12.5 milje detare të ujërave territoriale në detet Adriatik e Jon. Në këtë komandë me shtrirje të gjatë gjenerali shërbeu një vit dhe vuri në dispozicion të kryerjes së detyrës të gjitha aftësitë e tij intelektuale, profesionale dhe komanduese. Horizonti i tij i gjërë teoriko-ushtarak dhe përvoja profesionale e ndihmuan së tepërmi shtabin e kësaj komande dhe shtabet e njësive dhe të reparteve për plotësimin e detyrave luftarake.
Gjeneral Prodani emërohet komandant i Br.4MBD të Durrësit, ku punoi e drejtoi më së miri, u emërua në MMP si komandant i Komandës së Mjeteve të Bliniduara. Në këtë periudhë, gjurmët e punës së talentuar e të vëllimshme të gjeneralit gjenden në dokumente luftarake e administrative, në shumë materiale teorike, leksione e tema studimore. Në vitin 1961 emërohet komandant korpusi dhe për disa muaj do të komandonte Korpusin VII K dhe mandej për 10 vjet rresht do të komandonte me përkushtim të lartë Korpusin II K në Gjirokastër, pesë vjetet e para si komandant dhe pesë vjetet e tjera si komisar i tij.
Në K2K gjeneral Prodani shpalosi me të gjitha përmasat intelektuale përvojën e tij të gjatë dhe shumë të vyer, si kuadër shtatmadhor e si komandant i shkallëve të mëdha operativo-strategjike. Shtabi i korpusit dhe shtabet e njësive e të reparteve të vendosura nga Përmeti, Tepelena e deri në Sarandë, nën drejtimin e sigurt të tij, jo vetëm që u rritën e u kompaktësuan si organizma luftarake, por në përgatitjen e përditshme luftrake të trupës, në shërbimet, fushimet, qitjet, marshimet, fortifikimet, furnizimet, përgatitjet e kuadrove të shtabeve etj., kudo ndihej ndikimi autoritar i gjeneralit. Është për t’u përmendur me admirim aftësia e veçantë e gjeneralit Muhamet Prodanit për të komunikuar me kuadrot kryesore të pushtetit të rretheve ku ishte vendosur korpusi. Ai ishte i zgjedhur në të gjitha forumet e partisë dhe të pushtetit në rreth dhe e ndiente veten në nivelet më të larta të detyrës, kur vinte puna për mobilizimet masive të njësive dhe të reparteve me rezervistë. Në stërvitjet e mëdha apo në stërvitjet e vogla taktike, gjenerali nuk i ndahej trupës. Çadra e tij fushore ngrihej pranë shtabeve që stërviteshin e që ndodheshin në situata luftarake mësimore të vështira. Atë e nderonin të gjithë pleqtë, nxënësit e shkollave dhe gratë që punonin e stërviteshin. Autoriteti i tij si komandant e prind i ushtarakëve ishte i jashtëzakonshëm. Ai ishte i gatshëm për të ndihmuar të gjithë nevojtarët dhe ata që binin në fatkeqësi.
Qëndroi deri në fund të jetës luftëtar
Gjeneral Prodani në vitet ’70 do të kryente detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Përgatitjes Luftarake dhe më pas të drejtorit të Drejtorisë Operative, ku shërbeu deri në korrik 1974. Pesë muaj shërbeu në MMP si komandant i Forcave Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore. Atë më pas e hoqën nga Ushtria e larguan nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Në dhjetor 1974, futet në listën e “zezë” të kuadrove ushtarakë të dënuara nga Ushtria si të padëshirueshme. Po në dhjetor me urdhër të MMP, gjeneral Muhamet Prodani, pas 32 vjetësh shërbimi, nxirret në pension. Më pas e largojnë nga Tirana familjarisht dhe e caktojnë punëtor ndërtimi në Shkodër. Pas disa vjet denigrimi e përbuzjeje të pamerituar, Hero i Popullit Muhamet Prodani arrestohet e dënohet si armik i pushtetit popullor në një grup ku ishin dhe tre gjeneralë të tjerë Hero i Popullit Sadik Bekteshi, Abaz Fejzo dhe Halim Ramohito.
Megjithëse me shëndet të shkatërruar, qëndrimi i gjeneralit në burgun e Burelit ishte burërror. Ai diti të përballojë goditjen e rëndë që i dha diktatura moniste, por sidomos goditjen dhe më të rëndë që i rezervoi fati me vdekjen e gruas, e cila i qëndroi pranë gjeneralit në të gjitha furtunat e jetës së tij ushtarake.
Më datën 2.10.1997, pas një lëngate të gjatë si rezultat dhe i burgimit të rëndë gjenerallejtënant Muhamet Prodani u nda nga gjiri i familjes, i Ushtrisë dhe i shokëve, duke lënë kujtimin e ndritur të një karakteri të fortë e të paepur që nuk ndenji kurrë hijeve, por në ballë të furtunës. Ai la pas kujtimin e një kuadri të madh, të një burri të mënçur e të shkolluar, të një njeriu që nuk u ngroh kurrë pas vatrës, por që shëndriti në tërë rrugëtimin e tij. Ai la pas një vepër të ndritur lufte, përpjekjesh dhe pune. Ai la pas një vepër të pasur studimore shkencore, duke dhënë kontribut teorik dhe praktik të rëndësishëm.
Për merita të veçanta në LANÇ dhe pas çlirimit gjenerallejtënant Muhamet Prodanit Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar titullin e lartë “Heroi Popullit”, si dhe 14 urdhra e medalje. Dy medalje i janë akorduar nga presidenti i Federates Ruse, si pjesëtarë i Luftës së Dytë Botërore. Muhameti ka qenë jo vetëm bir i ndritur e luftëtar i Kolonjës, por dhe deputet i saj në Kuvendin Popullor.







Comments