top of page

Bashkim Saliasi: RIKTHIMI NË PROFESIONIN E NDERUAR TË MËSUESIT

18 minutes ago
10 min read

Pas tetë vjet ndërprerjeje në mësimdhënie rikthehem përsëri në profesion. Diçka e dhimbshme për një mësues që detyrohet të braktisë profesionin për mbijetesë. Por, nëse do t’i referohemi shprehjes “Merre jetën si të vijë!”, nuk jam aspak “pishman” që në këto tetë vjet që punova në ndërtim arrita të mësoj disa zanate, por më tepër iu kushtova atij të hekurkthyesit. Zanat i vështirë, por shumë i bukur.

Viti 2004 ishte viti i rikthimit në profesionin e mësuesit. Ishte dita e parë e hapjes së shkollave në të gjithë Shqipërinë. Kisha disa vjet, që këtë ditë e kaloja me ankth dhe nuk kisha bindje se një ditë, do të rikthehesha përsëri në profesionin tim të mësuesisë. Dita e parë e hapjes së shkollës për 18 vjet radhazi ishte dita më e bukur e jetës. Kishin kaluar 18 vjet që nga dita e parë e fillimit të punës në vitet 1978-1996, kur u shpërngula nga qyteti i Poliçanit, shkolla e mesme “Avni Kondi” dhe u vendosa me banim në Tiranë.

            Për 7-8 vjet rresht u rropata më kot në dyert e drejtorive arsimore të qytetit dhe të fshatit në Tiranë. Nga 15 gushti deri më 15 shtator për tetë vjet me radhë kalova një stres të fortë që provon njeriu në jetën e vet, kur ka ankth dhe nuk gjen qetësi shpirtërore për disa muaj më pas.

Vitet kalonin jo pa lënë gjurmë dhe unë mbeta një punëtor ndërtimi, por falë intuitës dhe bashkëpunimit me nipin tim, Kastriot Hebibasin dhe vëllanë tim ndërtues, pas dy vjetësh kalova në profesionin e hekurkthyesit. Punimi në zanatin e hekurkthyesit ma largoi disi stresin që kaloja në ndërtimin e banesave private dhe pallateve me shumë kate.

Çdo mëngjes, pa filluar ende punën, si grup pinim kafe të shoqëruar me raki. Në një farë mënyre rakia shërbente si katalizator për fuqinë e muskujve gjatë ditës në kthimin e hekurit, por në mbrëmje ata shoqëroheshin me dhimbje të forta. Shpeshherë në drekë, kur drekonim, ose pinim kafe në mëngjes shokët e grupit më ngacmonin me shprehjen “Hë, profesor, si të duket ndërtimi?!” Kush e kaloi në ato vite këtë stad të zhvillimit të shoqërisë e di mirë se ç’do të thotë të të urdhërojë një nxënësi yt  që nuk di të shkruajë as emrin e tij, por kjo është jeta “me të përpjeta dhe të tatëpjeta” ...

Po halli ku nuk të çon ...

Nejse, ky ishte fillimi i kujtimeve të mia ku nuk më ndahen në asnjë moment të jetës sime ato ankthe e strese që kam kaluar në ato vite të ndërrimit të sistemit. Dita që prisja çdo fundgushti erdhi ashtu pa e kuptuar. Ime shoqe kishte disa ditë që ngulte këmbë që unë më 15 shtator 2004, do të filloja punë në një shkollë fshati në Tiranë. Si fillim, e mora me shaka dhe nuk ia prisha qejfin sime shoqeje duke e miratuar vendimin e saj.

 

Ishte data 15 shtator 2004, dita e parë e fillimit të vitit shkollor. Në mbrëmje, kur u ktheva nga puna, ime shoqe me priti gjithë entuziazëm duke më dhënë lajmin e mirë se të nesërmen nuk do shkoja më në punë në ndërtim, por do të filloja punë në arsim.

 

- Dale, dale, mos u shpejto dhe mos e bëj fakt të kryer se nuk e vendos ti me kolegen tënde, por shefi i Zyrës arsimore, - i thashë sime shoqeje që ishte gjithë gëzim.

           

- Kjo punë ka marrë fund, - nguli këmbë ime shoqe, - do ta shohësh nesër kur të marrësh fletën e punës. Nesër, në orën 7 e 15 do të jemi përballë parlamentit, ku na pret mësuesja e shkollës sime për të marrë vendimin. Gjithë natën qeshë në ankth dhe e gdhiva natën duke u trembur në gjumë nga ëndrrat e shumta që pashë. Në mëngjes ia tregova sime shoqeje të gjitha ëndrrat.

 

-Na daltë për hajër kjo punë që kemi nisur, - më qetësoi ime shoqe.

Në orën 6 të mëngjesit përgatita motorin “Piaxho” dhe së bashku me time shoqe arritëm para parlamentit. Gjatë rrugës ime shoqe qëndronte me vështirësi në motorin e markës “Piaxho”, por ndihej shumë në qejf, se më në fund ia kishte arritur qëllimit që edhe shoku i saj i jetës të futej  në profesionin e tij të mësimdhënies.

Ora po shkonte 6 e 30, kur nga larg pamë që drejt nesh po vinte kolegia e punës  së sime shoqeje, që ishte shumë në qejf se më në fund, pas bisedës me kushëririn e saj që kryente detyrën e drejtorit të Drejtorisë arsimore të Tiranës për zonën e fshatit kishte arritur ta bindte për të siguruar një vend pune për mua. Në përshëndetjen e saj kolegia e sime shoqeje  m’u drejtua, duke më thënë:

 - Që sot e tutje as mos të të shkojë më në mendje të zësh hekur me dorë se boll u rropate tetë vjet.

- Ashtu qoftë, - miratoi ime shoqe. Minutat po më dukeshin orë, por më në fund ankthi i pritjes u shua, kur drejtori thirri kushërirën e vet dhe, pasi u përshëndetën me njëri-tjetrin duke i kërkuar ndjesë, se nuk mund të pinte kafe se ishte vonë për në punë, u largua duke na përshëndetur me dorë që brenda nga makina.

Morëm rrugën drejt “Bar Kalasë” dhe u ulëm në një kafe përballë Drejtorisë arsimore të fshatit. Porositëm kafe, ujë dhe një konjak për vete. Emocionet sa vinin e shtoheshin. Nuk kishim parë akoma se çfarë shkruhej në atë copë letër që kolegia e sime shoqeje mbante në dorë.  Jo vetëm konjaku që nuk më largoi emocionet, por edhe flladi i mëngjesit, që më ledhatonte me puhizën e tij, më dukej sikur më thoshte:

 - E shoku, më në fund arrite të kthehesh në zanatin e mësuesisë, por kujdes se kanë kaluar vite dhe mos ndoshta e ke harruar zanatin ...! Me këto mendime dhe në  bashkëbisedim me veten, kolegia e sime shoqeje hapi zarfin dhe lexuan fletën e punës:

 

- Ua, more Bashkim, në Valias të ka çuar ...!

- Ku bie Valiasi? - pyeta flakë për flakë kolegen e sime shoqeje.

- Do të kalosh Kamzën dhe te nënstacioni do të kthehesh majtas për në Valias, atje ku ka qenë miniera, - nisi shpjegimin kolegia e sime shoqeje.

 E kisha humbur krejt dhe më përmendi ime shoqe duke më porositur e thënë që “ti shko një herë atje se më vonë do të të rregullojmë më afër.”

Nuk e zgjata, por përbrenda zieja nga inati se nuk kisha dijeni se ku gjendej kjo shkollë. Pagova faturën dhe u përshëndeta me mësuesen dhe time shoqe. I hipa motorit dhe mora rrugën për në Valias. Kisha tetë vjet që punoja në ndërtim dhe nuk kisha lënë cep të Tiranës pa punuar, por në zonën e Kamzës nuk kisha punuar asnjë ditë.

Rruga për në Kamzë ishte shumë e keqe. E kisha humbur krejt toruan dhe dy-tri herë desh u përplasa me makinat. Të sharat i bëra kabull dhe mendja nuk më rrinte te sharjet e fyerjet e shoferëve, por te rruga që nuk e dija se nga binte Valiasi. Me vështirësi kalova urën e Kamzës dhe dola në Kodër-Kamzë. Ndalova motorin dhe pyeta se ku binte Kamza dhe më pas Valiasi.

Më shpjeguan rrugën dhe më dhanë porosi, që kur të arrish në stacionin e fundit do ecësh dhe disa km ku ndodhen dy shtylla tensioni bashkë, merr djathtas e rruga të çon drejt e në Valias.

Me të arritur në Valias, pyeta se ku ndodhet shkolla “Niko Hoxha”.

- Ja, ajo ndërtesa njëkatëshe është shkolla që ti kërkon, - më sqaroi një mesoburrë. E falënderova dhe drejt e në shkollë. Si ditë e parë e shkollës, pasi kishte mbaruar cermonia e hapjes, nxënësit dhe mësuesit gjendeshin nëpër klasa. Drejtoria ndodhej në hyrje të shkollës, në krahun e majtë. Trokita dhe hyra brenda. Drejtori i shkollës ishte zhytur në morinë e letrave që kishte hapur mbi tavolinë. Ngriti kokën dhe më përshëndeti.

- Të prezantohem, jam mësues i biologji-kimisë që më kanë sjellë në shkollën tuaj.

U çua në këmbë dhe më uroi mirëseardhjen.

Pasi u prezantuam i thashë se qenkërka shumë larg nga Tirana dhe rruga qenka shumë e keqe.

-Mos u mërzit, - më qetësoi , -  se është dita e parë dhe të duket e vështirë, por do të mësohesh.

Mori vendimin dhe e vendosi në një dosje. I la të gjitha punët dhe më tha:

- Sot do shkosh në shtëpi, nesër hajde dhe fillo punë. Tani do të pimë një kafe bashkë dhe pastaj unë kthehem në punë dhe ti vazhdo për në Tiranë, se unë kam shumë punë. Është dita e parë e shkollës dhe kam problem me statistikat.

Së bashku shkuam te lokali në qendër të Valiasit. Atë ditë lokali ishte mbushur plot dhe vetëm një tavolinë gjendej e lirë, poshtë televizorit. Drejtori përshëndeti të pranishmit dhe, kur erdhi i zoti i lokalit, më prezantoi edhe mua.

-Mësuesi i ri i lëndës biologji-kimi nga Skrapari e me banim në Tiranë, - i tha ai.

I zoti i lokalit më hodhi një shikim përbuzës dhe u largua për të sjellë porosinë. Drejtori vazhdonte të  tregonte se edhe ai kishte mbaruar në ILP Shkodër në degën e letërsisë, por unë e kisha mendjen gjetiu. M’u duk shumë larg nga Tirana dhe isha në mëdyshje, nëse do të vazhdoja punë pranë kësaj shkolle apo jo!

Drejtori më psikologjisi mendimet e mia dhe më pyeti:

- Nuk më dukesh mirë, a ke ndonjë hall?

- Jo, jo, - i thashë, - por m’u duk shumë larg.

- Dita e parë është e vështirë për të gjithë, kur shkelin për herë të parë në një vend të panjohur, por mos u mërzit se bashkë do t’ia kalojmë shumë mirë.

Ishte burrë babaxhan dhe fliste shtruar. Nuk e di, por ky drejtor më hyri në zemër dhe unë sa ishte ai në detyrë, kalova shumë mirë me të.

Unë isha një nga mësuesit e parë që do të hapja serinë e mësuesve të rinj që u punësuan atë vit në shkollën “Niko Hoxha”, Valias. Mësues të ardhur nga rrethe të ndryshme, por sidomos veriorë u emëruan pas meje në këtë shkollë. Ishte dita e dytë dhe po merrja ngarkesën mësimore në drejtori, kur befas u hap dera dhe një mësuese e re hyri duke bërtitur, sikur ia kishte fajin drejtori që këtë mësuese e kishin transferuar nga shkolla e Kërrabës në Valias.

-Mos u mërzit, drejtor, se kështu e ka dita e parë e ndërrimit të shkollave, do të shtrohet dhe kjo mësuese e re e edukimit fizik, - e qetësova drejtorin, pasi u largua mësuesja e porsaardhur nga zyra, e cila lëshoi një breshëri sharjesh, sikur ia kishte fajin drejtori. Në fund të javës erdhi mësuesi i matematikës nga Përmeti, i cili kishte punuar zv.-drejtor në shkollën e Bërxullës, por një shaka me drejtorin e Drejtorisë arsimore të rrethit kishte qenë shkaku që e kishin hequr si zv.-drejtor dhe e kishin transferuar në shkollën e Valiasit.

Qëndronte i ngrysur gjithë kohën dhe që javën e parë i mbeti hatri me mua, sepse njëri nga ne duhet të merrte klasë kujdestari dhe drejtori me të drejtë gjykoi që atë klasë ta merrte ai, pasi unë kisha vite që isha larguar nga arsimi. Më pas u bëmë shokë, por hera-herës ma përmendte se demek unë ia kisha bërë me hile për klasën në kujdestari.

Javën e dytë na erdhi një mësuese histori-gjeografie nga Tropoja, vajzë e një ish-oficeri, por edhe kjo mësuese pa arsim përkatës nuk do qëndronte gjatë dhe vendin e saj do e zinte një patriot i saj nga Tropoja, që kishte qenë drejtor në shkollën e Tapizës, por ishte shkarkuar nga detyra. Vazhdova të shkoj me motor në Valias dhe, kur më dilte ndonjë punë hekuri, herë me leje dhe herë me raport, shkëputesha dhe mbaroja punët e lëna përgjysmë ose ato të klientëve të vjetër.

Ditët kalonin dhe dalëngadalë u mësova dhe fillova të ushtroj profesionin me gjithë pasionin tim, që prej një kohe prej tetë vjetësh, jo se harrova anën metodike të mësimdhënies, se hera - herës studioja programet dhe tekstet e sime shoqeje, që jepte mësim lëndën e biologjisë në shkollën “Mysine Kokolari”, në Kombinat.

Unë vija me një përvojë pune prej 18 vjetësh në shkolla të ndryshme në rrethin e Skraparit. I kisha provuar të gjitha ciklet, që nga ato me katër klasë në arsimin fillor, tetëvjeçar, në shkollën e mesme pa shkëputje nga puna, profili agronomi dhe në fund në shkollën e mesme, në gjimnazin e Poliçanit një periudhë prej pesë vjetësh dhe nuk kisha probleme nga ana metodike dhe shkencore, por vetëm se më duhej t’u përshtatesha risive të reja që po zbatoheshin në ato vite në shkollën 8-vjeçare dhe më pas në 9- vjeçare. Shkolla e Valiasit ishte përfshirë në një projekt në zbatim të reformës arsimore për njohjen e metodave të reja të mësimdhënies. Që javën e dytë mora pjesë në këtë projekt që vazhdoi dy vjet. Pas vitit ’96 ndërrova disa drejtorë.

Që vitin e parë organizova orët e ekskursionit dhe çova fëmijët e klasave të pesta dhe të gjashta në Apolloni të Fierit, në kalanë e Shkodrës, në Velipojë, Divjakë dhe në Shëngjin të Lezhës. Vitin e dytë organizova ekskursionet në Pezë, Dajt, Patok e Divjakë, Pogradec dhe në fund të mbylljes së vitit organizova konkursin, materialin e të cilit nxënësit e kishin të zbërthyer dhe të detajuar me koncepte të mirëfillta biologjike që iu shërbenin për të gjitha ciklet e arsimit nëntëvjeçar.

Në vitin shkollor 2008-2009 organizova me shkollën e Çerkezës një konkurs ku morën pjesë dhe kolegë e përfaqësues të dy drejtorive dhe një përfaqësues nga DAR-i, Tiranë. Kolegët filluan të shfaqin shenja xhelozie dhe nuk e shikonin me sy të mirë ecurinë e punës sime dhe rritjen e rezultateve në lëndët e biologjisë, në të cilat unë jepja mësim. Në vitin 2008 u fut lënda e informatikës. Kisha njohuri për këtë lëndë dhe falë kualifikimeve arrita ta përvetësoj mirë. Drejtori më ngarkoi që këtë lëndë ta jepja unë në të gjitha klasat.

Një ditë ky drejtori më thirri në drejtori dhe më tërhoqi vëmendjen që të mos merresha shumë me konkurset, por të merresha me punët që më ngarkonte ai, ato të plotësimit të formularëve.

-Nuk është puna ime ajo, ke tre zv.-drejtorë dhe ngarkoji me punë, - qe përgjigjja ime.

Disa herë kisha pasqyruar në gazetën “Mësuesi” punën e mirë që bëhej në shkollën tonë, por ky drejtor pa arsimin përkatës mendjen e kishte që t’i bëje qejfin ... Shikoja punën time dhe shpesh qëndroja në kabinetin e informatikës, lëndë të cilën e dhashë mësim 6 vjet në Valias dhe 4 vjet në shkollën “Vëllazërimi”.

Në shkollën e Valiasit punova nga viti 2004 deri në vitin 2015. Para se të largohem në shkollën “Vëllazërimi”, në sajë të ndihmës që më ofroi drejtori, shfletova gjithë arkivin e shkollës Valias dhe përpilova historikun e shkollës me rastin e 75-vjetorit të hapjes së saj.

 Redaktoi dhe korektoi: Muhamet Cenko

Vazhdon...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page