Bashkim Saliasi: NË SHKOLLËN PEDAGOGJIKE FIER

28 gushti i vitit 1970 është dita më e bukur e jetës sime. Jetoj me kujtimin e asaj dite dhe në çdo moment që më pyesin, kujtesa ime është e gatshme të riprodhojë deri në detaje momentin e nisjes për në shkollën pedagogjike, në rrethin e Fierit.
U ngrita herët në mëngjes dhe, pasi përgatita plaçkat dhe i vendosa me rregull në valixhe të hekurosura, u vesha me rroba të reja. Fluturoja nga gëzimi. Pasi u përshëndeta me prindërit, u nisa bashkë me Izetin për në qytetin e Çorovodës. Rrugës vëllai më radhiti një mori porosish, për të cilat unë i premtova se do të tregohesha i vëmendshëm dhe do të bëja kujdes me shokët dhe shoqet. Në Çorovodë u takuam me Hajriun, që na priste te agjencia e vjetër (në atë kohë gjendej pas shtëpisë së kulturës së qytetit Çorovodë që është sot). Fati e solli që premë një biletë dhe mora autobusin për në qytetin e Lushnjës. Rruga kaloi për bukuri. Kisha udhëtuar dhe herë të tjera me babin për në Tiranë, por ky udhëtim i asaj dite do të hidhte ''rrënjë'' të thella në kujtesën time. Udhëtimi i asaj dite ishte ndryshe.
Kur kaluam qytetin e Poliçanit dhe hymë në zonën e qytetit të Beratit, fantazia ime filloi të kujtojë vizitën që kisha bërë para gjashtë muajsh me babin në kala. Gjatë gjithë rrugës, deri sa kaluam qytetin e Beratit dhe hymë në zonën e Lushnjës, mendja ime bluante në kokë se si ishin ndërtuar ato shtëpi të vendosura njëra mbi tjetrën në lagjen “Mangalem”. Isha akoma i vogël dhe nuk arrija të kuptoja se themelet e shtëpive të lagjes “Mangalem” ishin fiksuar në shkëmbinj dhe shtëpitë ishin vendosur njëra mbi tjetrën. Nuk isha larguar ndonjëherë tjetër nga shtëpia pa njërin nga prindërit e mi që më donin aq shumë dhe kudo që shkonin më merrnin me vete. Të paktën, kështu më dukej mua se isha më i vogli i tetë fëmijëve dhe babai më kishte mbajtur gjithmonë me vete, kur shkonte në pazar apo te miqtë.
Në Lushnjë me pak mundime morëm trenin e orës 12 e 30 minuta dhe, pas një kohe shumë të shkurtër, u gjenda në stacionin e Fierit. Valixhja ime e vogël prej kartoni që mbaja me vete, dhuratë që ma bëri vëllai, kur u nisa, më lehtësonte disi lëvizjen nëpër turmën e njerëzve që shkonin drejt stacionit dhe palës sonë që linim stacionin dhe merrnim rrugën drejt qendrës. Me të pyetur dola në qendër të Fierit, që në atë kohë ishte ndërtuar hotel-turizmi dhe mbante emrin “Apolonia”, kurse përballë tij, në anë të lumit Gjanica, ishte ndërtuar hoteli i “kinezëve”. Mora rrugën që të shpinte drejt e te porta e shkollës pedagogjike. U paraqita në konvikt dhe, kur po prisja radhën që të bëja regjistrimin, dallova në një grup shokësh shokun tim të tetëvjeçares, Qani Ymeralin. U gëzova që më në fund gjeta një shok të tetëvjeçares, që do të qëndronim bashkë dhe do të ishim bashkudhëtarë edhe katër vjet të tjera në shkollën e mesme.
U shkëputa nga sporteli dhe iu hodha në qafë duke e përqafuar shokun tim Qani Ymerali, nga fshati Selan. Në një moment pauze Qaniu më prezantoi me shokun e ri që kishte njohur.
- Njihu me Pëllumb Bajraktarin, - foli shoku im, - është nga Nishova dhe e kemi shok të klasës sonë.
- Gëzohem që u njohëm, - ia kthej Pëllumbit dhe që prej atij momenti nuk do të ndaheshim më që të tre për katër vjet radhazi.
Pasi siguruam valixhet, Pëllumbi propozoi që të dilnim në qytet dhe të hanim ndonjë gjë. Me atë rast njiheshim dhe me qytetin e Fierit, të cilën e shkelëm për herë të parë. Ecëm drejt rrugës nga kishim ardhur për në qendër dhe ishim harruar në bisedat tona të moshës. Në qendër të Fierit, në anën që ndodhej hotel-turizmi të binte në sy arkitektura e rregullimit të qytetit, kurse në anën tjetër, në krahun e majtë, ku rridhte lumi i Gjanicës, të mbysnin ferrat dhe pisllëku.
U ulëm në një restorant në krahun e djathë të hotelit të kinezëve dhe, pasi drekuam dhe pimë nga një birrë, u endëm gjithë pasditen nëpër qytetin e Fierit, deri afër azotikut. Në mbrëmje u ulëm përsëri në të njëjtin restorant dhe, pasi darkuam, vendosëm të ktheheshim në konvikt. I kishim dalë konviktit nga pas dhe nuk orientoheshim dot. “Me të pyetur, gjen Stambollin”, kishim dëgjuar nga prindërit tanë. Pyesim një djalë të ri dhe ai na tha: “Ju jeni pas murit të shkollës, por kalojeni atë dhe futuni drejt e në konvikt”.
Dita e parë e shkollës qe sa mbresëlënëse, aq dhe stresante. Në mëngjes na rreshtuan dhe me sa morëm vesh në atë konvikt ne ishim 340 konviktorë. Rrethet më dominante në ato vite ishin Vlora, Fieri, Berati, Kruja, Fushë-Kruja, Burreli, Kavaja, Lushnja, Skrapari, Përmeti dhe Tepelena, kryesisht nga fshati dhe pak veta ishin nga qyteti. Fati ynë ishte se nuk kishim maturantë. Nxënësit që vazhdonin vitin e dytë hiqeshin më të rritur se ne. Ne djemve të vitit të parë, na vendosën në një dhomë të madhe së bashku me djemtë e vitit të dytë, ku flinim 45 veta nga të gjitha rrethet që përmenda më lart.
Filluan vjedhjet dhe pas një muaji na shpërndanë në dhoma ku flinim katër veta në krevate tek. Nuk më kujtohen shokët e dhomës se ne nxënësit e vitit të parë na përzien me nxënësit e vitit të dytë. Kohët e fundit, pasi festuam 50-vjetorin e shkollës, mësova nga Hyda Ismaili se në vit të parë kemi qëndruar bashkë në dhomën numër 8, së bashku me Reshat Ramën nga Tepelena, Hajri Xhakollin nga Skrapari, unë dhe Hyda Ismaili.
Java e parë e shkollës qe një rrëmujë e paparë. Drejtoresha e shkollës, Bubulina Mici, gjithë ditën e ditës qëndronte me listat e emrave në dorë dhe stabilizonte nxënësit nëpër klasa ku mungonin bankat dhe stolat. Në vitin e parë ishim gjithsej pesë paralele, rreth 250 nxënës. Klasa jonë I E kishte 25 djem dhe 27 vajza, pra gjithsej 52 nxënës. Na vendosën në katin e tretë, në klasën e fundit që ishte nga ana e konviktit. Fillimisht na ndanë ne djemve nga katër - pesë në klasat paralele, por më pas u doli problem ora e edukimit fizik e na bashkuan përsëri në klasën I E. Muajin e parë e shtymë si e shtymë në fjetinën e katit të dytë dhe përditë para mensës publikonin vjedhjet që bëheshin në konviktin tonë. Gjatë muajit shtator qëndroja më shumë me nxënësit e vitit të dytë (nuk kisha faj, unë me ta isha moshatar, por isha një vit me vonesë) dhe në fund të muajit u bënë zgjedhjet e këshillit të konviktit, ku në të u përfshiva dhe unë.
Nuk kishin kaluar as tre muaj dhe isha miqësuar me shumë shokë të vitit të dytë. Në atë kohë më pëlqente shumë të luaja futboll dhe një pasdite po luanim para konviktit me Reshatin. Luanim me pasa dhe padashje thyem një xham në katin e tretë. Kujdestarja Dashuri Dume na përjashtoi nga këshilli që atë mbrëmje të dyve. Me thënë të drejtën, na bëri shumë përshtypje dhe u vramë shumë në sedër.
Shokët filluan të “talleshin”, por dhe të na ngushëllonin që të mos mërziteshim se nuk u bë hataja. Është fatkeqësi që pas 45 vjetësh të kërkosh ato shënime që ke ruajtur për shumë vjet dhe vjen një ditë dhe i humbet kaq papritur dhe pakujtuar.
Me sa më kujtohet, vitin e parë, në shtator të vitit ‘70 e filluam 52 vetë dhe në vit të katërt mbaruam 39 vetë. Pjesa më e madhe e nxënësve vazhduan shkollën e lartë dhe disa lanë profesionin e mësuesit dhe u bënë oficerë, si: Pëllumb Bajraktari, Qani Ymerali, Hekuran Duçka, Gëzim Ismaili, Kalem Avdullai (nënoficer). Klasa jonë ishte gjysma vajza dhe gjysma djem, kur mbaruam vitin e katërt, kurse klasat e tjera ishin vetëm me vajza.
Ne ishim klasa më ''problematike'' në shkollë dhe drejtoresha e shkollës, Bubulina Mici, na kishte në qendër të vëmendjes dhe kishte caktuar mësuese kujdestare Afërdita Çerrën, që mbahej si më e rreptë në shkollën pedagogjike në ato vite. Kur mbarova shkollën dhe shkova në stazh për Vit të Ri, i dërgova kartolinë urimi dhe këtë veprim e përsërita deri sa mbarova ILP-në në Shkodër dhe në vitet e para të punës. Kartolinat e mia dhe të shokëve që ne kjo mësuese na quante ''të pandreqshëm'', i ruante gjithmonë në katedrën e saj dhe u thoshte pasardhësve:
- Ja, i shikoni këta nxënësit e mi, më problematikët që kam pasur në vitet e mia të punës, tani vazhdojnë arsimin e lartë…
UDHËTIMI I ORGANIZUAR DREJT SKRAPARIT
Viti i Ri 1970-1971
Kishin kaluar katër muaj dhe unë bashkë me shokët e mi ktheheshim për herë të parë në qytetin e lindjes në mënyrë të organizuar, për të festuar Vitin e Ri pranë familjeve. Shkolla na siguroi një autobus, me të cilin udhëtonim 39 veta të vitit të parë dhe të dytë. U nisëm që në orën 6.00 të mëngjesit dhe gjatë gjithë rrugës kënduam këngë nga më të ndryshmet.
Ndiheshim krenarë dhe e mendonim veten tonë disi të burrëruar në ato momente që po ktheheshim në mënyrë të organizuar në qytetin tonë të lindjes. Shoferi na ndaloi në qytetin e Beratit dhe na la në dispozicion 30 minuta që të psonisnim ndonjë gjë për në familjet tona, si portokaj dhe mollë etj.
Berati është një nga qytetet më të bukura të vendit tonë dhe në ato vite vuante shumë nga mungesa e ujit të pijshëm. Lëngu ynë i preferuar që shuante etjen tonë ishte një lloj pijeje që emërtohej arançatë. Në Bogovë, kur zbrita, u takova me Izetin që në ato vite punonte në qytetin e Poliçanit.
Filluam t'i ngjiteshim malores dhe maret e shkurret e tjera më jepnin një ndjesi aq të thellë, sa vetja më dukej si në parajsë. Si pa dashje recitova vargjet e poetit tonë të rilindjes, Naim Frashërit:
- Ju bregore bukuroshe, e ju o lisat e gjatë, çuka, kodra, brinja, gërxhe, që ju kam ndër mend ditë e natë.
- Të ka marrë malli për vendlindjen? - më pyeti vëllai.
- As që bëhet fjalë, por sidomos më ka marrë malli shumë për babin dhe noken. Të dy prindërit e mi në ato vite vuanin nga sëmundja dhe mendja ime për çdo moment atje shkonte. Te ura e Sirakës, poshtë te mulliri i Ferrës, u çlodhëm dhe, pasi pimë ujë të ftohtë, ku unë ndjeva se po përjetoja një ndjesi me shumë emocione, uji i ftohtë ma lehtësoi shpirtin. Sa më shumë i afroheshim shtëpisë, aq më fort shtoheshin rrahjet e zemrës. Unë isha një nga djemtë që në ato vite vazhdoja shkollën e mesme për mësues. Para meje nga lagjja jonë, dy vjet më parë kishte shkuar Bakiu i Tefikut në normalen e Elbasanit. Zanati i mësuesit në ato vite ishte një nga zanatet më të privilegjuara dhe ndiheshim fëmijët më me fat që na ishte dhënë kjo mundësi.
Te Guri i Klemënit u shfaqën para meje shtëpitë e lagjes sime që ndodheshin në krye të fshatit. Ajri i ftohtë i malit të Tomorit që ledhatonte faqet e mia të njoma, më krijoi një ndjesi emocionesh të forta. Vëllai që ndiqte reagimet e fytyrës sime më pyeti:
- Hë, të ka marrë malli shumë?
- Po, po, - iu përgjigja dhe nga sytë më rrëshqitën lot.
Unë doja që ajo rrugë të mbaronte sa më shpejt dhe të hidhesha në krahët e prindërve të mi, për të cilët më kishte marrë malli aq shumë. Më në fund u afruam në Ndrisko, ku unë kisha mbaruar shkollën 8- vjeçare. Ndjeva një keqardhje për shkollën ku kisha mbaruar mësimet dhe ishte kthyer në qendër banimi për mësuesit e shkollës.
- Në Breg të Veliut, - më thotë Izeti, - është hapur shkolla e re që ndërtohej, kur ti u largove para shtatorit dhe tani mësimi zhvillohet atje. Dhe ja, më në fund arritëm në lagjen time, te shtëpia e Tefikut, kasollja e Luanit, shtëpia e Luanit dhe më në fund para portës së shtëpisë sime, ku prindërit e mi më prisnin me padurim.
U takuam të përmalluar dhe me lot gëzimi. Lotët na rrëshqitën në faqe si pa dashje. Në darkë dhoma e pritjes u mbush plot me vëllezërit, kunatat dhe fëmijët. Erdhën edhe kushërinjtë e mi, Njaziu dhe Sinani me gratë. Babai i mbajti për darkë dhe mbrëmja kaloi me këngë e valle.
Darka e Vitit të Ri do të ishte një nga datat më të shënuara për mua. Babai më mori afër si gjithmonë dhe rreth zjarrit u ulëm të gjithë, vëllezër e fëmijë. Ai ishte kurioz dhe pyeste se si organizohej jeta në konvikt dhe unë i tregoja për veprimtaritë që zhvilloheshin në shkollën tonë. Të gjithë vëllezërit e mi më shikonin me admirim dhe shikoja që ndiheshin krenarë me mua që kisha arritur më në fund të vazhdoja shkollën e mesme për mësues, gjë që në ato vite ishte diçka e rrallë për fshatin tonë.
Mbaj mend se vëllezërit u mënjanuan nga darka dhe Nokja deshi të ngrinte tavolinën. Babai kundërshtoi dhe u tha: “Na lini ne se do të pimë nga një gotë raki dhe do të presim sa të vijë Viti i Ri”. Kështu që unë dhe babai vazhduam të pimë, deri sa erdhi Viti i Ri 1971….
Vazhdon …
Redaktoi dhe korrektoi
Muhamet Cenko
Tiranë, më 17.11.2026








Comments