top of page

ART-LIRIKË QË FUQIZON VLERËN ARTISTIKE TË POEZISË SHQIPTARE


ART-LIRIKË QË FUQIZON VLERËN ARTISTIKE TË POEZISË SHQIPTARE


Fatmir Terziu, LUMENJTË E ËNDRRAVE, poezi, botoi Shtëpia Botuese “LULU”, 2012. Faqe 122. ISBN 978-1-4710-7465-3


Përmbledhja poetike LUMENJTË E ËNDËRRAVE, e Fatmir Terziut, përfaqëson harmoninë e porjektimeve poetike që lexohet si ndjenjë e thellë, si breng dhe shqetësim universal, parë nga këndvështrimi i ngjarjeve që kanë përcjellur atdheun e autorit dhe hapësirën etnike shqiptare në Ballkan. Poezia ngërthen në vete dramën e popullit, shprehur me ndjenjë që materializon shqetësim qytetar. E gjitha, kjo poezi është tipar karakteristik e shkruar me ndjenjë të hollë përjetimi.


MË NDJE


Mos më pyesni për kërcitjen e gishtave

Nervave ua kam ngjitur fajin

Për ecjen hutaqe më besoni

Me këmbët e mia e ndaj hesapin...


Më ndje qenia ime tokësore

Më ndje

Në ecjen hutaqe

Të ndjej dhe ty

Edhe kur sorrat krokama lëshojnë

Edhe kur nën zë bilbilat këndojnë.


Faqe 7.



Në përgjithësi poezitë janë strukturë e mesazhit lirik, ato përqojnë ndjenjë sa intime, po aq edhe artistike, duke shprehur brengën universale, qoftë si koncept tematik e qoftë si qasje e motivit. Sipas poetit `JETA ËSHTË ARITMETIKË!...’ ajo “rrokulliset përditë/ mes numrash me ankth e me frikë”. Kjo një metaforë e bukur për JETËN është nxjerrë “nga aritmetika e Revolucionit?!”, (faqe 17-18.) Prandaj edhe kjo përpjekje poetike jep mesazh të pashmangshëm, sidomos për ata krijues artistik që jetojnë në mes dy atdheve, atdheut gjenetik, dhe atij të përzgjedhur, që simbolizojnë marrëdhënien reciproke, ku aq sa japim, po aq do të marrim, marrëdhënie kjo që në fushën e kimisë, na është e njohur si oksido-reduktim ku nuk mund të ketë oksidim pa reduktim, dhe anasjelltas, prandaj edhe marrëdhënia merr-jep, dërgim-pranim, ose dërguesi-marrësi, janë strukturim i ekuivalencës konceptuale që përkufizon raportin e poetit si shkrues, përkatësisht dhënës, dhe të lexuesit, i cili është marrësi i kësaj vlere artistike.

Ky konfiguracion ka ndërtuar balancin e vlerës poetike të cilën Fatmir Terziu, në shkrimet e tij gjithmonë e ka parasysh se si do ta pranoj lexuesi i poezisë, ose veprave të tjera nga fushën e studimeve dhe të kritikës letrare. Andaj, ky raport në mes dërguesit dhe marrësit, në mënyrë artistike është shtjelluar në poemën JU, ATDHE, që ka shprehur simbiozën në mes Atdheut të origjinës dhe atij të zgjedhur, kurse vargjet kanë refren mjaftë të veçantë: ”Unë... kam qenë marrësi, Ju, Atdhe, dërguesi!”, shkruan poeti, kurse Atdheu për Poetin është “Abetare ku njomëzat mblidhen“, përkatësisht është: “Re që flejnë mbi thinja/ Zjarre që djegin në heshtje/ Forcë që vjen nga dashuria/ Të mbaj fort buzëqeshjet“, prandaj “Ju, Atdhe, mbetët dërguesi i radhës/ Unë... marrësi plot mall!” (faqe 31-33.)

Jeta krijuese, sidomos ajo poetike ka rëndësinë e saj, brenda vetes, si dhe të konsumuesit të kësaj vlere që duket të jetë lexuesi i saj. Prandaj poezitë me elementin lirik dhe ato që kanë metaforën më të arritur përbëjnë gamën krijuese të poetit dhe librit si tërësi më e kompletuar e këtij lirizmi të hollë dhe artistik. Pastaj poezia mbushullon me dashuri për jetë dhe gjallëri me porosi të fuqishme dhe po aq edhe magjike. Një simbiozë e modernitetit lirik, e përzier me elementet e poezisë tradicionale, nëpër të cilat ka kaluar edhe vetë poeti, por që hapen si tematikë dhe blerojnë si mundësi. Kjo nuk vihet në dyshim.

E gjithë, poezia e Fatmir Terziut, është përpjekje për të regjistruar jo vetëm ato pamje vizuale, që i vrojton syri i njeriut, por në aspektin magjik, futet thellë në ndërdije ku vetëdijshëm reagon e herë proteston me të vetmin qëllim për t’i shërbyer njeriut dhe shoqërisë. Ky aspekt figurativ i poezisë i jep jo vetëm përjetim real, por edhe figurativ me mundësi të shumta interpretimi që fiksohen mirë e saktë në mbamendjen e lexuesit të saj.

Shembull për mbamendje janë dy poezitë të cilat sinonimin simbolik e kanë Dimrin dhe Atdheun, qofshin ato Male apo Deti:


BALADA E DIMRIT


Malet të thinjur

Mbledhur grusht,

njësh me retë

këngës së moçme gati për t’ia nisur

era nxiton t’iu shfletojë fletët e librit

rrapat legjendarë bëjnë gati pianon

në kor këndojnë,

Baladën e Dimrit.


Faqe 92.


FUNDDIMËR


Nën këmbë akull

Mbi kokë re

Majtas dhe djathtas mjegull

Para, si një pasqyrë,

Shtrihet një Det

Shtriqur gjerë e gjatë

Ku krihen retë.


Faqe 97.


Poezitë me përkushtim, veçanërisht ajo për poetin Tahir Desku, ose tjetra për Sazan Golikun e shtrijnë fuqinë shprehëse përtej mundësisë reale të përceptimit. Ka diçka si njohje e thellë në karakterin e personit sepse pa dëpërtim kaq të thellë nuk mund të shkruhet poezia, sidomos ajo kushtuar poetit kosovar Tahir Desku, e cila është perlë poetike dhe mbase njëra nga poezitë më të bukura kushtuar Deskut, prandaj po e prezantojmë të plotë, për të shijuar secili lexues thellësinë dëpërtuese në karakterin dhe psikoanalizën e karakterit individual të njeriut poet, e të poetit bohem dhe të veçantë siç ishte në jetë e në krijimtari vet Tahir Desku.


MALL


Më parë gjeti rrënjët

Pastaj mbi ta trungun,

degët,

biografinë e pashkruar...

këngët,

dhe nxiti në eterr ‘Engjëjt e Lirisë’[1]


për të vetëkërkuar ikjen

diku tek një gjeth[2]

që mbeti në ajri!


E gjitha u mbrus në vargje

‘Idil [por jo] vetmi’[3]...

‘Prejardhja e Dashurisë’[4]

Në rrugën Prishtinë-Pejë[5]


Eh,...

Kroi i Mbretit molisi kuajt

T’i rrëfejnë pavdekësinë historisë.


Ai flet edhe në gjuhën angleze

Siç foli barutçe ndër maja

I armatosur vitesh ndaj asaj ‘të zeze’[6]

Që ia ktheu kandil Fadil Bajraj[7]...


Të shtunave zakonisht janë rikthimet

Ikjet janë tepër për një burrë

Tahir Desku dhe shkrimet

Djegin mallin ende si furrë!


Faqe 19-20.


[1] Tahir Desku: “Engjëjt e lirisë” (2000)

[2] “Në cilin gjeth e kam vdekjen” (2006: post mortem), botuar nga LSHK-ja.

[3] Tahir Desku: “Idil e vetmi” (1989)

[4] “Prejardhja e dashurisë” (1982),

[5] Në rrugen Prishtinë-Pejë tek Kroi i Mbretit, ka humbur jetën.

[6] Mortaja dushmane sipas poetit Desku.

[7] Një libër poetik i është përkthyer në gjuhën angleze nga Fadil Bajraj.


Te poezia tjetër me të njëjtin titull MALL, (faqe 95-96), kemi një përjetim lirik mbresëlënës në të cilën ego-refreni “Unë” është melodia qendrore e kësaj poezia pasi krijon një varg porosidhënës që në brendësi ka mesazhin dhe filozofinë e saj: [1] Unë / që dy sy kam ngulur mbi ta e s’i heq/ vetminë përplas nga dritarja në qelq. [2] Unë/ që shtrëngoj laps e penë në duar/ lëvizjen në letër tentoj të shkruaj. [3] Unë/ që ndodhem këtu për hir të saj/ mbytem padashje, pastaj në vaj. [4] Unë/ që vazhdoj të përballem me vargun/ s’di vallë nga shiu apo lotët jam lagur?!

Në vëllimin poetik, LUMENJTË E ËNDRRAVE, ka poezi me përkushtim edhe për: Faik Konicën, Xheni Gjatën, Musa Vyshkun, Aleko Likajn, Vasil Qesarin, Pandeli Koçin (emri letrar: Sazan Goliku),... Azem Shkrelin, ndërsa pasurimi i këtij arti mozaik plotësohet me poezinë e Agim Matos kushtuar poetit F. Terziu. Përmes këtyre lirikave ai madhështon figurën ndërsa vet duket shpirt i trazuar, së këndejmi brenga e mërgimit mbetët sfidë e secilit mërgimtarë, natyrisht edhe e poetit Fatmir Terziu, e shprehur si shqetësim edhe në poezinë GËLLTITJE, ku “Mijëra prindër kanë marrë torbat e mërgimit./ Mijëra e mijëra fëmijë lotojnë mbi Abetaren e/ Kristoforidhit...“, (faqe 41-42.)


BUTRINT


Aty ka kohë që krihet Perëndesha Dea

Aty ka mote që rri shëmbëlltyra e saj

Aty buron vetëm kënga dhe hareja

Aty s’ka tjetër bukuri që t’i ngjaj

Aty është ajo dhe ai; shkrirë në një trup njeriu

Ajo kokë burri në shtat femre

Ajo bukuri hyjnore që nuri i ngriu

Ajo statujë që sjell mesazhe historie, legjende.

Aty është ai dhe ajo të dëshmojnë

Të vërtetën e lashtë të një brenge

Të vërtetën që ka kohë që e shtrembërojnë

Ca sythe të padala të një peme.


Faqe 72.



Në brendësinë meditative të kësaj poezie, dhe të librit si tërësi, ka dashuri e përkushtim që e ka lidhur poetin me atdheun, ndjenjë kjo që përjetohet jo vetëm te poezia BUTRINT, që e theksuam më lartë, por përkushtimi i Fatmir Terziut, lexohet pothuajse në secilën poezi të këtij libri, veçanërisht lirikat që për topikë kanë vende e qytete, kanë male e krahina të bëra nga vet natyra dhe të zhbëra nga dhëmbi i krimit njerëzor, siç është rasti me Çamërinë, shprehur më saktë në poezitë: EDHE GURËT NËN LUMË PIKOJNË GJAK, si dhe te poezia JANINËS IA PASHË SYTË. Këto poezi, kanë dy pole, mendimin poetik dhe realitetin historik, duke ndërtuar një harmoni që shpërfaqet dendur nëpër tipin e poezisë së angazhuar dhe të asaj patriotike, shprehur si topikë tragjike: “Ca njolla gjaku kur nuk u fshinë nën lumë/ Si tufa lulëkuqesh përflaken ditën/ Dhe kur tërë Çamëria është disi në gjumë/ Ata ngrenë kokat të lëshojnë dritën”, (faqe 70.) Kjo poezi përmbyllet në mënyrë trishtuese me vargjet: “Refren i një kohe të gjatë/ Kjo këngë e Lumit plak/ Që dirigjohet me ditë e me natë/ Aty ku edhe gurët nën lumë pikojnë gjak...“, (faqe 71.)

Krejt ky meditim sa tragjik, po aq metaforik duket se është kundruar nga distanca, nga një vend i përparuar andaj poeti këtë mirësi e këtë emancipim ia dëshiron edhe atdheut të vet, ai përmend plagën por nuk shpreh urrejtje. Gjithsesi bindjet poetike dhe mendimet e shumta metaforike shpërfaqin raportin e ballafaqimit meditativ e metaforik i cili shpeshherë kundrohet nga botkuptimet evroperëndimore të cilat i kanë hapur horizontin e vetëdijes dhe qytetrimit jo vetëm poetit Fatmir Terziu, por edhe shoqërisë si një etni ma kompakte dhe më e kompletuar. Në shumë poezi, përkatësisht në mjaftë sythe, poezia e Fatmir Terziut është edhe shqetësimi qytetar, ngase “Dikush tani kujton “vaporat”/ E atij viti që lëvizi akrepat e ndalë“, (faqe 81). Në anën tjetër është këndvështrimi i intelektualit të elitës, por si lexues i rëndomtë i kësaj poezie, aty e gjej edhe vetën time, sepse trajtimi i proceseve dhe fenomeneve ka një mesazh univerzal, trajtuar me përgjegjësi dhe dinjitet, kurse vargjet kanë figurshmëri metaforike më të ndjeshme dhe tejet të përjetuar.


PADREJTËSI


Një qenush bën ujdi

Me ferrën pranë tij

Lehtë e ngre këmbën

Dhe fap bën një vijë.


Era i shkund gjethet

Ferrës nën avlli

Qenushi zë e meket

Për këtë padrejtësi.


Faqe 51.


Vëllimin poetik LUMENJTË E ËNDRRAVE, përjetohet edhe si ëndërr e realizuar. Mesazhi i saj është në shërbim të lexuesit dhe shoqërisë, dhe në të njëjten kohë ka shpalosur vlerat shpirtërore që prekin një mozaik më të gjerë të motiveve poetike. Gjithsesi poezia e këtij vëllimi përbëhet edhe nga motive të tjera nëpërmes të të cilëve poeti shpreh shqetësimin personal për fatin kolektiv të shoqërisë dhe të etnisë pjesë e së cilës është vet ai. “Dhe ju, o njërëz/ Në doni kodin e heshtjes/ Hyni brenda saj tinëz/ Ndaloni frymën e urrejtjes“, (poezia TINËZ, faqe 86.) Prandaj lexuesi i saj e ka fare të lehtë për të kuptuar brengen e poetit, hallin dhe mallin e tij që si komponentë e tërësishme kompletojnë mozaikun e angazhimit intelektual, shprehur si dashuri e pafundme për të mirën, progresin dhe lumturinë e njeriut.


Lumenjtë ka kohë që janë egërsuar

Ëndrrave të mia të netëve dimrore

S’di ç’duhet për t’i qetësuar

Ndoshta, rikthim te ëndërrat rinore.


Poezia, LUMENJTË E ËNDËRRAVE, faqe 90-91.


Ky trishtim artistik, lidh dy pole kundërshtare siç janë “dhembja” dhe “dashuria” si baraspeshë tematike, që ngërthen realitetin me të cilin çdo ditë ballafaqohet poeti i cili posa përfundon një çështje me shumë pengesa, duhet menjëherë të sfidojë realitete të reja, prandaj poezia jep mesazh të bukur dhe ndjenjë të ngrohtë. Kjo simbolikë me tematikë univerzale e mbërthyen shpirtin dhe mendjen e poetit Fatmir Terziu, i cili është figurë me karizmë brenda komunitetit artistik e letrar në diasporën shqiptare jashtë atdheut etnik.

Disa nga motivet simbolizojnë etikë e cila kundrohet nga kënvështrime të ndryshme. Por ajo që dallon janë metaforat karakteristike, e rrallë dhe në disa raste e papërseritshme ku në mënyrë hiperbolike shprehin vlerë artistike: ”Sa dëshirë do të kisha t’ua mësoja gjuhën takave”; ”Ne kurë s’u shkuam pas mendimeve. Ata erdhën tek ne”; ”Aritmetika e Revolucionit?!“; ”Jeta është aritmetikë...!”; ”Emigrant me valixhen e detyruar”; ”U gjendëm/ Ndanë brigjeve të kujtesës”; ”Lindja-Jeta-Vdekja/ Pushojnë pa pagesë”; ”Retë thurin harta”; ”Jemi fara e kujtesës”; ”Mbjellim kusuret tona”; ”Loti i nënave!/ Dobësia e tyre e vetme“; ”Retë flejnë mbi thinja”; ”Mali veç një gungë ka”; ”Dita e re me natën brenda...”; ”...kokrrat hahen vitin tjetër!”; ”Vreshti do të jetë dëshmitar për kohërat/ atëherë kur do tu duhet të kujtojnë lirinë“; ”Messhkurti. Si Shkurt më“; ”Ne mbetëm një këngë e stisur udhëve”; “Kohën e gozhduam mureve”; “Iu qepëm kohës së prapthi”; “Koha nuk shahet”; “Koha është udhërrëfim i jetës”; “Ne kemi filluar ecjen për të kapur Kohën”; “Ne kemi marrë rrudhat e kohës”; ”Të masnim këmbët me shpejtësinë e rrotës” etj.

Përmes këtyre metaforave bëhet mendimi më i fuqishëm, herë meditaiv e herë tjetër me porosi filozofike që në vete ngërthejnë realitetin e jetuar, me pamje herë të hapëta dhe herë të tjera me ndjenjë të zymtë dhe shprehin në mënyrë besnike përjetimin real të poetit, kurse në një anë tjetër sublimojnë angazhimin e shprehur kaq bukur në lirikat e këtij libri që shpalosin dhembjen dhe preokupimin e poetit në dhe të huaj, larg vetes e larg vendlindjes, dhe jo vetëm të Tij?!...

Po ashtu, karshi metaforës së bukur, poeti ka ndërtuar edhe një varg fjalëformimesh të reja, fajlë këto që kanë një nënkuptim ndërmjetësues, kurse lirikës i japin shije të bukur. Shprehjet e tilla janë neologjizma, të cilët do të ishte mirë të bëhen pjesë e fjalorëve të ri gjuhësor. Psh.: Bujëmirë; Ditëmirësi; Ditëgjatësi; Dritëvarg; Messhkurti; Pragditë; Pragnatë; Natësuar; Kthenajë; Sjellnajë; Erëmelodi; Grushtkodrash; Gjithëmoshore; Kurorëgjelbërta; Ujëkripë; Zjarrgjokse, etj.

Në vëllimin poetik LUMENJTË E ËNDRRAVE, të poetit Fatmir Terziu, përjetohet një lloj letargjie e cila sa herë shpërthen duket se shpreh edhe pezëm edhe mospajtim, dukuri këto që reflaktojnë aspektin emocional dhe ideoartistik të vetëpoezisë, të cilën sido që ta trajtojmë dhe analizojmë, ajo përfaqëson ndjenjën e autorit që shkruan, i cili lexuesit ia sjell në mënyrë artistike poezinë e vet, për tu bërë pastaj pjesë e secilit, sidomos të atyre që poezinë e lexojnë më me përkushtim, duke ravijzuar qëndrimn stoik të vet poetit i cili me sukses ka sfiduar vështirësitë nëpër të cilat ai ka mësuar dhe ka ngadhënjyer.

Shpeshherë, kjo poezi duket sikur po valëzon, tamam si tallazet e detit. Thuajse krejt lirikat në vëllimin LUMENJTË E ËNDRRAVE, herë-herë duken si tallaze ndjenjash, prandaj poeti është shpirt i trazuar është shqetësimi i shoqërisë, sidomos të asaj në mërgim. Po ashtu pezitë e këtij libri shprehin hallin dhe mallin njëkohësisht, gëzimin dhe tronditjen përnjëherë!

Pra, në këto lirika është vetë poeti me veten e tij, është jeta e tij, janë përpjekjet, sfidat dhe së fundmi edhe ngadhnjimi që i mbetet “vragë e shpirtit”. Lirika si shqetësimi i përhershëm, e bëjnë Fatmir Terziun, Poet e Njeri të ndjenjës dhe përjetimit real, në anën tjetër kjo art-lirikë e fuqizon vlerën artistike të poezisë shqiptare, sepse Poeti është vetë Lumi që s’fle kurrë, më saktë edhe vetë Fatmir Terziu!...


St. Gallen, 12.10.2023.

Shefqet DIBRANI

51 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page