"Argjëndarët e Metaforës"


I kisha lexuar ende pa u botuar një pjesë të analizave dhe eseve që I Jahaj paraqet në librin e tij, me titullin "Argjendarë të metaforës". Analizat ideo- artististike si edhe esetë e përfshira ne rreth 150 fq të këtij libri kanë ardhur si rrjedhë e natyrshme e pa sforcime, profesionalisht të realizuara, pasi vet autori mbart mbi vete përvojën e gjatë si mësues letërsie dhe krijimtarie poetike që e kanë plotësuar figurën e tij dhe ashtu si një kirurg i kujdesshëm operon deri në inde të imta çdo qelizë pa u ngutur dhe me qëllimin e mirë në mendje dhe në zemër, që "Argjëndarët e Metaforës" të transmetojnë vlera dhe mesazhe dhe lexuesit të gjejnë në to ide dhe figura letrare që u interesojnë, që prekin "telat" dhe i vënë në mendime të njohin më mirë e me diapazon më të gjërë këta dy poetë të shquar; Ali Asllanin (princin e lirikës erotike) dhe Fatos Arapin (poetin modern të abstraksionit) siç dhe janë cilësuar prej autorit. Ajo që mua më bëri përshtypje gjatë leximit të librit ishte fakti se si autori, përmes analizave të vargjeve shpalos ide dhe mendime rreth figurave të ndryshme stilistikore, vlera dhe përvojë ku të duket sikur ata flasin me njeri-tjetrin, flasin me një gjuhë, me gjuhën e poezisë, duke mbushur dhe duke e pasuruar lexuesin shpirterisht dhe artistikisht per të dy koloset e letërsisë shqipe, Ali Asllani dhe Fatos Arapi. Mendimi i autorit vjen me prurje të reja e cilësore rreth simbolikës së lotit në poezinë e Ali Asllanit:

"Është interesante, -thotë ai,-të veçohet dhe të njihet si objekt më vete përdorimi i detaijit të LOTIT në poezinë e A Asllanit. Janë bërë shumë studime për poezinë e tij të veçantë e të thellë; janë kapur shumë objekte vëzhgimi, por për imtësitë e detajeve, siç është simboli i lotit, nuk janë bërë. Ky detaj i imtë në dukje, por i thellë në shprehje, është i veçantë për këtë poet." Loti i Aliut është dritë-zë-dhënës i shpirtit:

Flas për ty e flas për zotin,

Si e ka stolisur lotin,

Atë lot që më ka hije,

Kur në këmb' të tua bie...

Metaforizimi i objekteve dhe fenomeneve, aliteracione, personifikimi, pasthirrmat, paralelizmi figurativ, antiteza, hiperbola, pyetja retorike, parashtesat zvogëluese, përsëritësi artistik ...etj, etj sepse vjershat e Ali Asllanit dhe Fatos Arapit, janë të tejngopura me to, janë "Kështjellë arti" siç i quan autori.

Një tjetër veçori në krijimtarinë letrare të Ali Asllanit, që nxjerr në pah Idajet Jahaj, në këtë libër është përdorimi i kalkeve gjuhësore të vjetra. Ato janë fjalë e thirrorë, krahinizma të vjetra; "...plaç un', moj xhane, e ormisa në zemër, më plaç buzën pleqëri, pika mua, do të marrë kalipeç...etj, etj, të cilat, siç thotë autori "poeti i pérdor për psherëtimën e pezive të tij, të botës së tij intime".

Mjafton të kalosh me një vështrim nëntitujt e këtij libri pa tjetër do të ndalesh te ngjashmëria e poetëve. Poetët ngjajnë. Jahaj vëren te ata motive të perafërta dhe figura stilistikore të njëjta. Keshtu p sh; me Lasgushin , Aliu ngjan aq shumë sa që duken sikur janë vëllezër të një motivi, nostalgjikë dhe të brengosur të kohës së artë të shkuar.

Me Omer Khajamin,(poetin e madh iranian) ku vet ai e vë në dukje se ka patur ndikim të ndjeshëm, nënvizon pëlqimin e tij:"verë e vajzë e lule"

Me Emineskun (poetin e madh rumun) Aliu ka disa ngjashmëri në formën e vargut, në mjetet shprehëse e në motiv. Të dy përdorin objekte të natyrës.

Me Naimin stilin sentimetal të vargut gati duke u vetflijuar për vashën:

" Balt' e pluhur do të bëhem,

Të më shkelë këmb' e saj"!...

Me Nolin, ngjashmëria( evidenton Jahaj) duket sidomos në figurat stilistike e sidomos me aliteracionin. Ali Asllani ndriçoi në arsenalin e vet origjinal duke u rreshtuar krah lirikëve të mëdhenj të botës si Rumiu, Khajami, Eminesku,Esenini,Lasgushi e të tjerë.

Analizat ideo-artistike të këtyre dy figurave hapin horizonte, pasurojnë me ide dhe mesazhe, i japin më shumë jetë, gjallëri dhe ritëm një mendimi të ri. Duke vazhduar me Fatos Arapin, Jahaj ta gjen ku e ke mendimin. Ajo që është nuk mund të tjetërsohet. Janë mendime që flasin dhe percjellin mesazhe mbresëlënëse. Ndjen ne to kaltërsinë e detit, dallgët e tij, gjirin e magjishëm të Vlorës,që flasin vazhdimisht nëpërmjet gjuhës së risive dhe freskisë së mendimit të autorit. Mendimi i autorit lidhet ngushte me atë të lexuesit, saqë të dy bëhen shokë e miq, "kapen për dore" e shkojnë bashkë nëpër vargjet e ëmbla e origjinale të Fatos Arapit, duke u takuar dhe u pershendetur me "personazhet" e poezisë së tij (si shprehet Jahaj) që janë;Deti, Vlora, Zverneci, etj....të cilët tingëllojnë si metafora të fuqishme në artin e tij poetik.

Jahaj gjatë analizës që i bën poezisë së F Arapit vë në dukje faktin se poezia e tij është një bashkëbisedim me gjithësinë, një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë,po edhe abstrakt, i fshehtë dhe i thellë me gjithçka që e rrethon.

Mund t’i njëjtësojmë dhe kuptojmë si një udhëtim i pareshtur bashkëbisedimesh të drejtpërdrejta dhe të fshehta me gjithësinë.

U lodh edhe vet vdekja me ty, populli im

(Atdheu)

"Pa ullinjtë e gjelbër, si mund të jesh Vlora?ose " -Unë,-këmbana në muzgje pranë ty...

.( per Zvernecin)

Fantazia merr krah dhe fluturon në hapësira religjioni te poezia "Si s'të desha pak më shumë!"

Vargu i Fatos Arapit është një gërshetim i vargut klasik me vargun me ritëm të lirë, që fiton një tingëllim e muzikalitet origjinal. Jahaj gjate analizes se tij na lë të kuptojmë se figura në poezinë e Arapit është ndër më efikaset dhe ekspresivet në poezinë bashkëkohore shqiptare në mpleksjen ndërvartësore: nga njëra anë realiteti, nga ana tjetër imagjinata, emocioni dhe intelekti. Prandaj lexuesi e gjen, e zbulon veten me ndjesinë se dhe ai kështu e përjeton botën përreth, por nuk ka mundur ta formulojë ashtu si vet poeti. Nga përplasja e poetit: (imagjinata, emocioni, filozofia) me realitetin, reflektohet synimi drejt përsosjes së njeriut.

Të falenderojmë z Jahaj, për këtë buqetë analizash dhe esesh që kanë tingëllima këmbanash e na sjellin pranë jehonen e zërit të A Asllanit dhe F Arapit. Këto emocione dhe ndjesi kemi mall t'i risjellim në kujtesë, t'i komentojmë dhe të bashkëbisedojmë. Këtë ua dimë për nder Juve, penës suaj profesionale, mendimit të kthjellët, aftësisë së mprehtë vëzhguese dhe qëllimit tuaj fisnik.

Vlorë më, 23.02.2021

LEJLA GORISHTI

REDAKTORE

ANALISTE LETRARE.


62 views0 comments

Shkrimet e fundit