Ardita Jatru: U rrëzova në dishezë.
- Jan 18
- 2 min read

Te poezia “U rrëzova në dishezë”, Ardita Jatru e trajton me ndjeshmëri dhe thellësi dilemën e padukshmërisë së qenies, duke e vendosur subjektin lirik në një hapësirë kufitare mes trupit të lënduar, ndërgjegjes së trazuar dhe kohës së shpërbërë. Dhimbja nuk shfaqet drejtpërdrejt, por vetëmbrohet përmes ironisë së errët dhe një qeshjeje nervore, duke e bërë përjetimin më të heshtur se sa dramatik, më të ndjerë se sa të thënë.
Koha humbet linearitetin e saj (“dje, të enjten, të premten”), çka e thellon ndjesinë e padukshmërisë dhe të mos-përkatësisë, ndërsa imazhet klinike të tavolinës metalike dhe dritës së verdhë ndërthuren me peizazhe të brendshme arketipale, pemë, lugina, lumenj, si shenja të një kujtese ekzistenciale që kërkon të mbijetojë. Poezia ndërton kështu një tension të vazhdueshëm mes trupores dhe metafizikes, mes asaj që shihet dhe asaj që ndjehet pa u artikuluar plotësisht, duke e kthyer padukshmërinë jo në mungesë, por në gjendje themelore të qenies njerëzore. (F. T.)
I mjeri skelet
si gjithnjë para një dhimbjeje
vetmbrohet duke i kërcyer në fytyrë
një e qeshur nervore dalldisëse.
Ndodhi dje,
apo të enjten, të premten
a javën e gjithë.
mos më pyet.
Fillim jave më ndjehet dita në fakt
prej sa mbaj mend.
Tani, të them, çfarë kam para syve
para se ta harroj:
dritë e beftë bie,
mbi tavolinën metalike
Më pret thonjtë
Më lyen pëllëmbët me ngjyrë të verdhë
Vijë e jetës rrjedh në të njëtjin drejtim.
Pa u zhytur njëherë
pa devijuar
në stacionin e brendshëm të përgjigjeve.
Rri dhe pak, i them
Do vdesësh.
Rri dhe pak se pastaj do më rrëmbejë
rob ndërgjegja.
Lëvizin brenda meje peizazhe
pemë, lugina, lumenj, male.
Oh, ka qenë gjithnjë një nevojë.
Hartë e blertë ngecur si njollë
syrit
herë vogëlohet, herë madhohet,
nga drita.
Me të linda.
Diçka shtyhet të përtypet për
më vonë.
Por ndjej një gjendje
që s'di a i përkas.
Ndoshta









Një vit të mbarë Fatmir! Dua të të falenderoj me mirënjohje për vëmëndjen ndaj poezisë time. Gjithmonë ke qenë mbështetës ndaj meje. Nga të paktët fare dmth. Shëndet dhe begati !
Te “U rrëzova në dishezë”, Ardita Jatru ndërton me finesë dilemën e padukshmërisë, duke e shfaqur subjektin lirik të shpërbërë mes trupit, ndërgjegjes dhe kohës. Dhimbja nuk klith, por maskohet me një ndgjeshje nervore. Koha humb konturet. Ajo ndihet duke e bërë përjetimin të paidentifikueshëm dhe universalisht njerëzor. Imazhet klinike përzihen me peizazhe të brendshme. Diksursohen duke krijuar një poezi introspektive ku ndihet ekzistenca. Kjo ndihet aty ku nuk kapet plotësisht një prani e pasigurt, e cila endet mes dritës, kujtesës dhe dyshimit ontologjik.