Vullnet Mato
Një xhind magjistar, iluzionist,
si i dalë nga llamba e Aladinit,
më ndali në rrugë, rastësisht,
më tregoi përralla me premtime.
Më tha: Eja duartrokit për mua,
si shumë të tjerë në turmën time?
Të të kem dhe ty, të rreshtuar,
te simpatizantët e mi në votime.
Dua të gazmosh, me brohori,
kur unë mbaj fjalime të gjata
edhe po të jesh, me lot në sy,
me buzëqeshje të hedhesh hapa.
Dua të të kem militant fortese,
të falësh dhe jetën tënde, për mua,
Do të jap energji e durim shprese,
për dëshirat që të kanë munguar.
Do të bëj, të ndjehesh kryelartë,
si pema hijerëndë e qiparisit,
t’i shikosh të tjerët nga lart,
si nga Kulla Eifel e Parisit.
S’të duhen gëzime të tjera në jetë,
po jetove nën hijen e çadrës sime,
ku mund të vdesësh, hero i vërtetë,
veprimtar i dinastisë me premtime.
Foli xhindi pa ditur, se mes njerëzve,
ka nga ata, që duan të frymojnë të lirë,
të pavarur nga fryma e të tjerëve,
pa lidhur këmbë e duar me zinxhirë.
Përrallisi Xhindi, pa u lodhur aspak,
disa minuta, me premtime magjike.
E dëgjova si i përballur në qorrsokak,
pastaj iu ktheva me fakte historike:
Shkoi me shekujt, koha e faraonëve,
mbi shkretëtirën e Saharës mbetën,
veç piramidat me statujat e mizorëve,
eshtrat e skllevërve në rërë u tretën.
Koha jonë, s’pranon faraonë të ri,
që duan skllevër, për piramida leku.
Tani dhe budallenjtë janë me tre sy,
qëkur i zhgënjeu e kaluara e dyfekut.
Unë më mirë vdes në këmbë, si lis,
se sa skllav, në turmën e një xhindi.
Kush të vjen ty pas dhe e përrallis,
mbetet të ëndërrojë përrallën e Aladinit.
Comments