top of page

Antologjia e poezisë matjane një ide shembullore


Antologjia e poezisë matjane një ide shembullore


Prof. Dr. Fatmir Terziu


Kur “pranverat” filluan të merrnin një kahje “shprese”, e shkuara ime që kishte lënë kujtime në këtë vend të bukur dhe tërheqës, dhe unë, fizikisht tashmë me kollare më të shlirët, ishim në hapjen e një fushate zgjedhore së bashku, ku ne do të siguronim zgjedhjet tona për të mësuar ngasjen e fjalës ndryshe: hija e së shkuarës sime në heshtjen e saj sigurisht, por me një lavdi të shkëlqyeshme kishte vendin e një Njeriu të përkëdhelur nga aroma dhe flladi i freskët i Parkut më të bukur në Ballkan të mbjellë nga ideja e Mbretit Zogu I-rë, edhe fiziku im në gjendjen e tij të qëndrueshme duke mbajtur shënimet e para demokratike të lirisë për shtypin e lirë. Dhe hija, sipas ‘farërave të mbjella në vitet e rinisë’, jo vetëm nga demonstrimi i praktikës së diktuar, por edhe nga përpjekja që bëhej që të pasuronte mendjet e së ardhmes me soditjet në rrugën e veçantë dhe tipologjike të memorjes, ende zbriste poshtë në Zenisht mes pemëve dhe gurëparullave të kohës propagandistike, të cilat ende i mendonte se ishin më të çmuara se mjaft karakatina, që flisnin me syrin e ndryshimit, shkatërrimit. Por, me asnjë shenjë memorjeje nuk mbaj mend, që vozitjet e mia mentale dhe të hijes sime ishin, në çdo kohë më shumë se lodra, atëherë kur me admirimin si të një nxënësi, hija fliste me vetveten dhe ushtronte fjalimin e etjes në lutjen e shkalluar tej ngurtësisë ku prehej leximi i diellit dhe hijes, dhe formoheshin dritëhije të ndryshme. Duke lexuar mes tyre ajo ndjesi e zbehtë ende shkruante në pasajën e hijeve dhe dritëhijeve se, liria dhe demokracia ishin pasuria më fisnike e njerëzimit, dhe demokratët kalorës të jetës së lirë, më fisnikët e një jete të re të pranveruar. Në këtë mes shihja vëmendjen e mjaft njerëzve të penës, kulturës, dijes, arsimit, edukimit dhe tërë asaj armate që kishte dalë në atë shesh ku priste e përcillte sipas moshës duartorikitje dhe natyrisht edhe mbante shënime mentale, për t'i dedikuar gjetkë në faqet e librave që do të pasoheshin.


Ajo ishte një ditë pranvere, dhe pjesa e shkrimit ishte ende, ndoshta jo e gjitha, “Udhëtare me Pranverën”. Ende ndoshta ishte larg. Larg në vite, larg në numra, larg në ide dhe mendimin për ta bërë atë një Antologji të poezisë matjane. Ndoshta, jo larg asaj, që do ta shkruante më pas, ose e kishte diktuar më parë ideatori dhe poeti matjan Hamdi Hysuka: “Panorama s’ka të çmuar,/e stolisur me kurorë,/kohë të dytë ke në duar/me mandat gjithëpopullor./Na rreh zemra për të ardhmen,/o Mat, rrugën s’e ke humbur/udhëtare ke pranverën,/me ne je mision i mundur.”

Dhe në hapjen e bukur të kësaj Antologjie me një përkujdesje të mrekullueshme nga Sh.B. “Nacional” e poetit shqiptar të përkthyer dhe në disa gjuhë të Botës dhe botuesit Mujo Buçpapaj, i mirënjohuri i letrave shqipe, Behar Gjoka, do të shpaloste fjalën e tij hyrëse si një pasnajë me atë që hap antologjinë, me Pjetër Budin, poetin e parë të letrave shqipe: “…në mënyrën se si është hartuar dhe konceptuar, bart momente thelbësore, të përkujdesjes ndaj poezisë së shkruar prej autorëve të krahinës së matit, ku shkruhet Formula e Pagëzimit, ku jeti shkrimtari atdhetar Pjetër Budi.”

E ndërsa Budi sillet si një çelës hyrës në këtë antologji me gjashtëdhjetë e shtatë autorë, nga leximi i kohës së Budit, ndjejmë arsyen të theksojmë se koha ishte kur romakët pasonin në kulturën e kohës së tij, atë që e kishin theksuar se një poet ishte një “Vates”, pra një i gjëthëditshëm, një Profet. Fjala “Vates” që vinte jo thjesht nga “Vaticinium & Vaticinari” ishte një arsye më shumë që të bënte, që njerëzit të ndjenin respekt për këto krijues të shkëlqyeshëm, që dhurojnë nga zemrat e tyre art me njohuri përvetësuese nga dituria dhe jeta. Dhe aq larg u sollën në admirimin e tyre, saqë ata menduan se kjo ishte vlera për një traditë të vazhdueshme, për një respekt për ata që sillnin vargje të tilla, për ta u vendosën shenja të shkëlqyera të fatit të tyre të ardhshëm, në mbajtje shënimesh dhe trashëgimi të shkruar. Këto vlerësime për poetët me të cilët u ushqye edhe Budi, vazhduan të rriten me “Sortes Virgilianae”, një formë e parashikimit në të cilën shkruhen dhe predikohen me vargje, këshilla ose parashikime për të ardhmen duke interpretuar fragmente nga veprat e poetit romak Virgil. Ishte kjo një arsye e asaj kohe që shkonte tek mendimi se vlerësimi i duhur ndaj Poetit, dukej se kishte një forcë dinjitoze në të ardhmen e njerëzimit.


Ndoshta prej kësaj ideje Bota arriti të fiksonte antologjitë e saj, përmbledhjet e shkruara në vargje, nga më të hershmit e më të ndjeshmit e poezisë, tek ata që sot në njëfarë mënyre janë në rrugën e duhur. Edhe Antologjia në fjalë ka bekimin e kësaj udhe të bukur dhe meriton respektin e të gjithë atyre që duhet të ndjehen krenarë në faqet e saj, por dhe të atyre që do të vazhdojnë ta pasurojnë atë, ndoshta me edicione të tjera.

Unë u ndjeva i vëmendshëm në zbulimin dhe leximin e emrave të njohur e të panjohur, në leximin e poezive nga poetët meshkuj dhe ato femra, që të gjithë së bashku kanë lënë një vepër që i duhet kulturës shqiptare, letërsisë sonë, vlerave në kërkim e sipër, auditoreve të kërkimit, studentëve dhe më gjerë edhe për një prezantim në gjuhën e Tjetrit. Urimet më të mira të gjithë atyre që e bënë atë të vinte në jetë. Urime ideatorit, poetit Hamdi Hysuka, që e përgatiti për botim, urime fjalës së mençur e të domosdoshme të Behar Gjokës, dhe mbi të gjithë Bashkisë Mat, që mundësoi botimin e kësaj vepre. Jo më pak kanë vlerat e tyre edhe Artan Kurti, që ka bërë artin grafik të mrekullueshëm, apo dhe Daniel Zhusti me ballinën e antologjisë. Një përshëndetje të ngrohtë dhe për mikun tim, poetin Xhavit Gasa, që ma solli këtë vepër të mrekullueshme si dhuratë nga z Hamdi Hysuka me një mbishkrim prekës dhe emocionues.

120 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page