top of page

Anjeza Musollari: Në buzë të humnerës


ree


Në buzë të humnerës: Kriza e shëndetit mendor dhe makabritetet që na tronditin çdo ditë

 

Anjeza Musollari

Shefe e Sektorit të Botimeve

 

Një tjetër tragjedi që na përplasi me realitetin


Makabriteti i radhës u regjistrua sërish. Një tjetër jetë e pafajshme, një tjetër vajzë e mitur, një tjetër histori që të shkul shpirtin. Një “njeri”, nëse mund ta quajmë kështu, që në fakt i ngjan më shumë një përbindëshi të lindur nga errësira e shoqërisë sonë.Në një kanal, në një cep të harruar, gjendet trupi i saj. I hedhur tutje, si një objekt pa shpirt. Dhe ne, sërish, tronditemi. Shokoheni, zemërohemi, por pas pak ditësh, harrojmë.Pyetja që mbetet është e vetmja që: në ç’botë jetojmë vallë?


Një shoqëri që po gërryhet nga brenda


Rastet e tilla, për fat të keq, nuk janë më të rralla. Krimet brenda familjes janë

kthyer në një plagë të hapur, që rrjedh gjak çdo ditë. Statistikisht, çdo muaj raportohen dhjetëra raste të dhunës, abuzimeve dhe vrasjeve brenda mureve të shtëpisë aty ku duhej të kishte dashuri, ka frikë; aty ku duhej të kishte ngrohtësi, mbretëron terrori.


Më tronditëse se shifrat janë vetë historitë: babai që vret vajzën, burri që ther gruan, djali që i merr jetën nënës, vëllai që shkatërron jetën e motrës.Janë tablo që na shfaqin fytyrën e një shoqërie në krizë të thellë morale dhe mendore.


Shkaqet e errëta pas përbindëshave


Psikologët e sociologët prej kohësh paralajmërojnë: kjo nuk është vetëm krizë sociale apo ekonomike është një krizë e shëndetit mendor kombëtar.Të dhënat tregojnë se pas shumicës së këtyre ngjarjeve që përfundojnë tragjikisht, qëndron një histori e gjatë dhune, abuzimi, depresioni, ose çrregullimi psiko-emocional që kurrë nuk është trajtuar.Por përtej statistikave, ajo që po ndodh është më e frikshme: po prodhojmë individë të braktisur emocionalisht, që nuk e dinë çfarë është ndjeshmëria, kufiri moral apo përgjegjësia.


Faktorët janë të shumtë:


Shkatërrimi i strukturës tradicionale familjare, ku respekti dhe mbështetja ndërsjellë po zëvendësohen nga indiferenca.

Varfëria dhe papunësia, që kthejnë frustrimin në dhunë.

Izolimi social dhe mungesa e komunikimit, që krijojnë individë të mbyllur, me botë të sëmurë brenda tyre.

Stigma e sëmundjeve mendore, që i mban të fshehura plagët deri në shpërthim.


Shëndeti mendor sëmundja e shekullit XXI


Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi vite më parë se deri në vitin 2050, sëmundjet e shëndetit mendor do të jenë shkaktari kryesor i paaftësisë dhe sëmundjeve globale. Por kjo e ardhme, fatkeqësisht, është tashmë këtu.

Depresioni, ankthi, bipolariteti, psikozat janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, edhe pse shpesh të padukshme.Shumë njerëz vuajnë në heshtje. Frika e etiketimit si “i çmendur” i shtyn të mbyllen në vetvete.Kjo heshtje, si një zjarr i fshehur, shpërthen një ditë në formën e krimit. Dhe atëherë është tepër vonë.


Kur turpi vret


Në kulturën tonë ende mbizotëron turpi ndaj mjekut psikiatër, si të ishte një vulë e turpit e jo një hap drejt shërimit.Shumë familje zgjedhin të fshehin problemet e shëndetit mendor të të afërmve, duke i mbyllur brenda katër mureve, derisa ndodh tragjedia. Në fakt, në këto raste, heshtja është bashkëfajësi.Përballë një njeriu që ka shenja të dhunës, paranojës, depresionit apo agresivitetit, heshtja e familjes është si të mbash një bombë në duar.


Nevoja për një strategji emergjente kombëtare


Nuk mjaftojnë reagimet emocionale pas çdo tragjedie. Duhet politikë publike, investim dhe ndërgjegjësim real.Sistemi i mjekut të familjes, duhet të rikthehet në vijën e parë të kontaktit me qytetarin.Duhet një census kombëtar i shëndetit mendor, që të identifikojë rastet me rrezik të lartë, të përfshihen psikologë në çdo shkollë, institucion dhe komunitet.Universitetet mjekësore mund të angazhojnë studentët e psikologjisë e psikiatrisë si vullnetarë për depistim dhe ndërgjegjësim, duke krijuar një rrjet ndihme në nivel lokal.


Shoqëria, media dhe rrjetet sociale: armë ose shpëtim


Roli i mediave është jetik. Nuk mjafton të raportosh krimin, duhet ta shpjegosh, analizosh dhe parandalosh.Ndërsa rrjetet sociale, në vend që të shërbejnë për edukim, shpesh kthehen në platforma talljeje e përbuzjeje ndaj personave me probleme mendore.Ky është një krim tjetër, më i heshtur, por po aq shkatërrimtar.Nevojitet një etikë e re sociale, që të mos i trajtojë njerëzit me probleme mendore si “monstra”, por si pacientë që kanë nevojë për ndihmë.


Një apel për ndërgjegjësim kombëtar


Krimi brenda familjes nuk është vetëm çështje penale, është simptomë e një shoqërie që po humbet ekuilibrin emocional.Nuk ka ligj që mund të parandalojë urrejtjen, nëse ajo ushqehet çdo ditë në zemrat e njerëzve të papërkujdesur.Por mund të ketë sisteme që kujdesen, edukojnë dhe ndërhyjnë në kohë.


Familjet duhet të jenë bashkëpunëtore, jo mbuluese.Shoqëria duhet të jetë edukatore, jo tallëse.Institucionet duhet të jenë vigjilente, jo të heshtura.

Vetëm një zinxhir vetëbesimi, koordinimi dhe ndjeshmërie mund të shpëtojë jetë njerëzish.Shëndeti mendor nuk është luks, është themeli i çdo jete njerëzore.


Nga errësira drejt ndërgjegjësimit


Nuk lindim përbindësha, i prodhojmë me heshtje, me dhunë, me mungesë dashurie dhe moskujdes.Nëse duam një shoqëri të shëndetshme, duhet të fillojmë nga rrënjët: nga familja, nga shkolla, nga vetëdija për shëndetin mendor.Vetëm atëherë mund të shpresojmë që vajzat e nesërme të mos kenë më frikë nga ata që duhet t’i duan, dhe që titujt makabër të mos jenë më lajmi i parë i ditës.


 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page