top of page

Anjeza Musollari: “Kasandra” – Vajza që Puthi Terrin 



 

Në një qytet ku dielli ngrihet lodhur mbi ndërtesat, jetonte Kasandra – jo një emër, por një shenjë. Ishte e bukur, por jo në mënyrën që të pushton zemrën, ajo të ngërthente shpirtin. Flokët e saj si nata, të gjatë sa një premtim i pambajtur, lëviznin nëpër rrugët e errëta si mjegulla që sjell harresë. Askush nuk e pa ndonjëherë të qeshte sinqerisht.

Ajo ofronte çfarë nuk të duhej, por të bënte ta dëshiroje. Dhe kështu, djemtë e vajzat, me ëndrrat ende të paprera, e ndiqnin. Në fillim për kuriozitet. Pastaj për rehati. Dhe më në fund… nga frika e kthimit mbrapsht.

‘Kasandra’ nuk kishte moshë por histori. Ishte aty kur për herë të parë një nxënës e shikoi jetën me sy të turbullt. Ishte aty kur një vajzë la shkollën për një premtim bosh. Ishte aty kur një nënë qau për djalin që nuk u kthye. Por askush nuk e shikonte atë si shkakun – vetëm si hijen. Thonë se ajo nuk flet. Vetëm të josh. Nuk të detyron, por të mashtron. Dhe kur e kupton, je bërë pjesë e saj. Në çdo qytet shqiptar, në çdo rrugicë të mbytur nga zërat që heshtin, ajo endet. Njerëzit e njohin me emra të ndryshëm: “substanca”, “arratisje”, “shokë të këqij”, “kënaqësi e shpejtë”. Por ne e quajmë me emrin e saj të vërtetë: ‘Kasandra’.

Ajo nuk është thjesht një personazh, ajo është realiteti që vret heshtur. Dhe vetëm duke e emërtuar, mund ta luftojmë.

Në një Shqipëri që ecën me hapa të shpejtë drejt modernitetit, ku teknologjia dhe informacioni depërtojnë deri në skutat më të thella të shoqërisë, kemi harruar të ndalemi dhe të pyesim: Si po jetojnë të rinjtë tanë? Çfarë i mundon? Ku po kërkojnë qetësi?

Për shumë prej tyre, përgjigjja është e frikshme: në substanca që premtuan liri dhe sollën robëri. Në fillim si kuriozitet, më pas si strehë e përkohshme nga ankthi, stresi, mungesa e përkrahjes emocionale, e më në fund si burg shpirtëror nga i cili është vështirë të dalësh pa ndihmë.

Nga argëtimi tek varësia, rrëshqitja që askush nuk e sheh

Në auditoret e shkollave, në tavolinat e kafenëve, në rrjetet sociale ku gjithçka duket "cool", drogërat janë bërë një pjesë thuajse e padukshme, por shumë prezente.

Emra të rinj, forma të reja, mënyra të reja përdorimi, por gjithmonë me të njëjtin përfundim: shkatërrim të ngadaltë, të heshtur, të përbrendshëm. Të rinjtë nuk e zgjedhin gjithmonë me vetëdije këtë rrugë. Shpesh është mungesa e dialogut, presioni social, mungesa e kuptimit të brendshëm, që i shtyn drejt një zgjidhjeje që duket më e lehtë: një pilulë për të harruar, një cigare për të “qetësuar veten”, një substancë që “të bën më i fortë në grup”.

Por varësia nuk pyet për moshë, nuk ndalet te një herë. Ajo ndërton zinxhirë emocionalë që lidhen me mendjen, trupin, dhe jetën. E ndërsa ne flasim për “raste të veçuara”, realiteti është ndryshe: gjithnjë e më shumë të rinj bien pre e kësaj “Kasandre moderne”.

Ku jemi ne të rriturit?

Përballë kësaj krize të heshtur, mësuesit, psikologët, prindërit dhe institucionet kanë shpesh rolin e fundit, kur gjithçka ka ndodhur tashmë. Ne flasim për ndëshkime, për dënime, për rregulla – por harrojmë se parandalimi është mjeti më i fuqishëm.

Të rinjtë kanë nevojë për më shumë se orë mësimi. Kanë nevojë për dëgjim të vërtetë, për edukim emocional, për përfshirje në vendimmarrje, për hapësirë ku mund të jenë vetvetja pa u gjykuar. Në mungesë të këtyre, ata kërkojnë qetësi atje ku s’ka jetë, te droga.

Duhet të flasim. Të thyejmë heshtjen. Të përfshijmë të gjithë: nxënës, mësues, prindër, profesionistë të shëndetit mendor.

Duhet të ndërtojmë fushata të drejtpërdrejta në shkolla. Jo thjesht për të thënë “droga është e keqe”, por për të treguar pse të rinjtë e zgjedhin atë dhe si të gjejmë zgjidhje më të shëndetshme.

Duhet të krijojmë rrjete mbështetjeje ku një i ri mund të thotë: “Kam nevojë për ndihmë” – pa u turpëruar.

Duhet të krijojmë hapësira dialogu ku prindi nuk mban fjalimin klasik, por dëgjon dhe kupton. Ku psikologu nuk shihet si “ai që punon vetëm me të sëmurë”, por si mbështetës për çdo sfidë.

 

 

 

Mos i kthejmë shpinën realitetit

Nëse ne, si shoqëri, mbyllim sytë, atëherë Kasandra do të vazhdojë të shëtisë nëpër qytetet tona, të pushtojë mendjet dhe trupat e brezit të ri. Ajo nuk ka nevojë të trokasë, sepse ne shpesh ia lemë derën hapur.

Por nëse flasim, nëse mësojmë, nëse veprojmë me dashuri dhe përgjegjësi, atëherë ajo humbet fuqinë.

Është koha të zgjohemi. Është koha të shohim përtej sipërfaqes.Është koha të mbrojmë ata që nesër do të jenë mësuesit, udhëheqësit dhe prindërit e brezit të ardhshëm. Në shoqërinë moderne, një nga sfidat më të mëdha që përballemi është përhapja e drogës dhe pasojat e saj të shumta. Droga nuk është vetëm një problem individual, por një plagë sociale që prek familjet, shkollat, institucionet dhe të ardhmen e një kombi. Të kthesh shpinën ndaj këtij realiteti do të thotë të injorosh rënkimin e një shoqërie që po përpiqet të mbijetojë në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.

Përdorimi i drogës prek më shumë të rinjtë, të cilët shpesh bien pre e ndikimeve negative, mungesës së orientimit dhe presionit të shoqërisë. Në mungesë të mbështetjes familjare ose edukimit të duhur, shumë prej tyre gjejnë në drogë një “zgjidhje të përkohshme” për problemet që përballen. Por kjo zgjidhje shpejt kthehet në një varësi shkatërruese, duke i larguar nga arsimi, puna dhe jeta e shëndetshme.

Droga nuk prek vetëm individin që e konsumon. Ajo prek të gjithë rrethin përreth tij. Familjet përballen me vuajtje emocionale, shqetësime financiare dhe ndjenjën e pafuqisë.

Shoqëria humbet potencialin e qytetarëve të saj të rinj, të cilët në vend që të kontribuojnë, shpesh përfundojnë viktima të kriminalitetit apo sistemeve shëndetësore të mbingarkuara.

Të kthesh shpinën ndaj drogës do të thotë të pranosh heshturazi shkatërrimin e brezit të ri. Por a kemi të drejtë të heshtim? A kemi të drejtë të mos reagojmë kur shohim se një mik, një familjar, një nxënës po humb rrugën për shkak të këtij fenomeni?

Zgjidhja nuk është e thjeshtë, por e domosdoshme. Edukimi në familje dhe shkolla, krijimi i alternativave për të rinjtë, ndihma psikologjike, fuqizimi i institucioneve dhe bashkëpunimi i të gjithëve janë çelësat për të luftuar këtë problem. Nuk mund të presim që vetëm shteti të bëjë gjithçka. Lufta kundër drogës është përgjegjësi e përbashkët.

Droga është një realitet që s’mund të fshihet nën qilim. Ajo është kërcënim i heshtur, por i pranishëm. Të mos i kthejmë shpinën këtij realiteti, por të përballemi me të, është hapi i parë drejt një shoqërie më të shëndetshme dhe më të drejtë. Sepse heshtja sot, mund të na kushtojë një brez nesër.

 

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page