top of page

Anila Toto: ARKITEKTURA E KUJTESËS DHE E KOHËS TE ANDI MEÇAJ

  • 5 hours ago
  • 8 min read

ARKITEKTURA E KUJTESËS DHE E KOHËS TE ANDI MEÇAJ

Analizë tematike dhe stilistike e vëllimit "Çelësat e viteve që rrodhën"

 Andi Meçaj është një bir i qytetit, i rritur në frymën e dy etapave te jetes qe prezantojne, 1.vendlindja dhe kurbeti, 2.piktura dhe poezia. Aty, imazhi piktoresk i detit, maleve, fushave dhe traditave historike takohet natyrshëm me fjalën poetike. Si pjesë e brezit të viteve ’90, nxënës i shkollës “Naim Frashëri”, i ushqyer me një frymë krijuese moderne dhe surrealiste, ai ka formuar një profil të veçantë artistik, të karakterizuar nga thjeshtësia, humanizmi dhe qytetaria. Brenda vetes mbart trashëgiminë e penës, si bir i shkrimtarit të njohur vlonjat, z. Hiqmet Meçaj.

Andi Meçaj; tashme i pavarur nga trashegimia e tij, nuk bën thjesht poezi; ai dokumenton faktet, ndjenjat, strukturat e vjetra shoqërore shqiptare neper faktet reale te jetes, pa i zbukuruar ato. 

Poezia e Andi Meçajt ka tejkaluar kufijtë lokalë. Përfshirja e tij në antologji rajonale dhe në tekste universitare dëshmon se përvoja individuale e migrimit, e tranzicionit del përtej kufijve gjeografikë dhe kulturorë.

Vëllimi poetik “Çelësat e viteve që rrodhën” përfaqëson një udhëtim lirik nëpër labirintet e vetëdijes njerëzore. Poezitë ndërtojnë një plan poetik ku kujtesa, koha, humbja, ekzistenca dhe identiteti ndërthuren natyrshëm me njëra-tjetrën. Udhëtime shpirtërore, ndjenja të brishta njerëzore, nevoja, braktisje, përditshmëri dhe përvoja jetësore bashkëjetojnë në një univers poetik të ngrohtë dhe thellësisht human.

Libri fillon me tre mendime te z.Sulejman Mato, Ardian Kycyku dhe Alisa Velaj.

Natyrisht, i anashkalova pak për të krijuar idenë time e më pas i lexova për të ballafaquar mendimet. Jam falënderuese për ato që lexova!

Njeriu, natyra dhe ndjenja përbëjnë trinomin themelor të këtij libri, duke e shoqëruar lexuesin në çdo poezi.


Vetë titulli “Çelësat e viteve që rrodhën” paraqitet si një metaforë e fuqishme dhe shumëplanëshe, e ndërtuar mbi dy simbole kryesore. “Çelësat” përfaqësojnë mundësinë e hyrjes në kujtesë, të përvojave dhe të sekreteve të jetës, ndërsa “vitet që rrodhën” shprehin kalimin e pandalshëm të kohës. Poeti na kujton se secili prej nesh mban brenda vetes çelësat e kujtesës dhe të identitetit, të gatshëm për të hapur dyer të së shkuarës. 

Në poezinë e Andit, fjala shndërrohet në instrument kërkimi, në një lloj arkeologjie shpirtërore të kujtesës personale dhe kolektive. Prej kësaj kujtese ai nxjerr “çelësat” që ndihmojnë lexuesin të kuptojë më mirë identitetin e vet, origjinën dhe raportin me kohën. Kështu, poeti ndërton një poetikë të heshtjes, të paqes dhe të meditimit,  ku njeriu kërkon vazhdimisht kuptimin e ekzistencës së tij.

Poezitë kalojnë nëpër stacione të ndryshme emocionale: nga trauma e emigrimit dhe reflektimi mbi tranzicionin shoqëror, te satira sociale, lirika intime, dashuria, kujtesa dhe meditimi filozofik mbi kohën dhe ekzistencën. Kjo lidhje temash e bën librin një mozaik përvojash njerëzore, ku individualja dhe kolektivja bashkëjetojnë në harmoni poetike.

Kontrastet e kohëve të jetës në poezinë e Andi Meçajt shprehen përmes elementeve ku hendeku midis së shkuarës dhe së tashmes merr formë artistike dhe emocionale. Fëmijëria shfaqet si një hapësirë e gjallë, e mbushur me ngrohtësi, siguri dhe përmasa të mëdha shpirtërore, ndërsa e tashmja vjen si një kohë reflektimi, mungese dhe ndryshimi. 

Shkallët e jetës paraqiten përgjatë poezive si një proces i vazhdueshëm rritjeje dhe vetëdijësimi. Edhe pse vëllimi nuk është ndërtuar sipas një rendi kronologjik apo të shkallëzuar, poezitë lidhen mes tyre përmes ndjenjave, arkitektures se ideve dhe përvojave që përcjellin, duke krijuar një biografi shpirtërore të poetit.

Autori mediton vazhdimisht mbi faktin se bota që e rrethon – lagjja, rrugët, objektet dhe shtëpia – marrin kuptim vetëm përmes njerëzve që i kanë banuar dhe jetuar ne to. Pa praninë e tyre, muret mbeten dëshmitarë të heshtur të një kohe që ka humbur zërat, hapat dhe gjallërinë e dikurshme, duke u shndërruar në kujtime. Aty janë shtyllat kryesore antropologjike ku mund të mbështetet analiza e poezisë së tij:

Vargjet "I vogël, shtëpia më dukej e madhe / i madh, shtëpia më ngjan e vogël" funksionojnë si një përshkrim i hulumtimit antropologjik mbi ndryshimin e shkallës se ekzistences së individit përballë mjedisit. 

Rrugëkryqi te "Nina-nana te rrugakryq" është një vend klasik antropologjik: vendi mistik ku ndahen botët, ku merren vendimet ekzistenciale dhe ku njeriu ndihet i pambrojtur pa "yshtjet" apo mbrojtjet e të parëve. 

Poezitë si "Kthimi", "Pushime në atdhe" dhe "Kthimi në shtëpi" analizojnë figurën e emigrantit apo të njeriut të zhvendosur, që përjeton atë që antropologët sot e quajnë gjendja midis dy botëve. 

Në pjesën e dytë të vëllimit, poeti zhvendoset nga antropologjia familjare drejt antropologjisë urbane. Doruntina sjell Kostandinin në shtëpi...": edhe ky është një operacion letrar i pastër antropologjik.

Por, ne të gjithë vëllimin ndihet një nostalgji e thellë për gjërat që kanë humbur funksionin dhe energjinë e tyre jetësore: divanet e dërrmuar, muret që "rrijnë seriozë", rrugët e heshtura, mungesa e njerëzve të dashur që kanë ndikuar në jetën dhe formimin shpirtëror të autorit. Këto figura nuk paraqiten thjesht si elemente të kujtesës, por si pjesë përbërëse të identitetit të tij emocional.

Ky vëllim mund të lexohet dhe të analizohet në katër plane themelore: letrar, konceptual, mistik dhe kritik.

Në planin letrar, libri ndërtohet si një udhëtim poetik që nis nga hapësira intime e shtëpisë së fëmijërisë dhe e marrëdhënieve familjare. Poezitë krijojnë një rrjet simbolesh dhe figurash që bashkojnë të shkuarën me të tashmen.

Në planin konceptual vëllimi shfaqet si një arkeologji shpirtërore e kujtesës: Shtëpia e zanafillës, figura e nënës, familjes dhe e vendlindjes mbeten qendra gravitacionale rreth të cilave rrotullohet universi poetik i autorit.

Në planin mistik kujtesa fiton përmasa metafizike. Muret, objektet, stacionet, rrugët dhe qytetet shpirtëzohen dhe kthehen në qenie simbolike që mbartin energjinë dhe gjurmët e kohës. Kështu, realja dhe imagjinarja bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë poetike.

Në planin kritik Andi Meçaj ndërton një reflektim të heshtur mbi tjetërsimin e njeriut modern. Ai paraqet individin si një qenie të zhvendosur mes kohëve dhe ndjenjave, që përpiqet të ruajë identitetin e vet përballë ndryshimeve të vazhdueshme të botës bashkëkohore.

Përmes një gjuhe të pasur me figuracion, simbolikë dhe personazhe të skalitur me kujdes, autori krijon një atmosferë të qetë, meditative dhe thellësisht humane. Pavarësisht problematikave të jetës, humbjeve, zhgënjimeve, largimeve apo vetmisë, libri mbetet një himn për njeriun dhe aftësinë e tij për të dashur, për të kujtuar dhe për të vazhduar përpara.

Në thelb, poeti duket se na thotë se i do njerëzit që kanë kaluar në jetën e tij, ata që jetojnë ende pranë tij dhe ata që i ruan vetëm në kujtesë. Ai i pranon me dritat dhe hijet e tyre, pa i gjykuar, por pa harruar kurrë të mbrojë dhe të ushqejë botën e vet të brendshme.

 

Të zymta mendimet e mia.

Pse s'qeshni?!

Të qeshur sytë e mi.

Pse qani?!

Qaj edhe ti, o rrugë,

për puthjet e grabitura,

e grabitur u gdhi edhe ëndrra."

Qysh në këto vargje paraprihet atmosfera e përgjithshme e librit. Poeti ndërton një dialog të vazhdueshëm midis dritës dhe errësirës, midis kujtesës dhe humbjes, duke krijuar një univers ku ndjenja individuale shndërrohet në përvojë universale njerëzore.

Shiu në poezinë e Andi Meçajt funksionon si një element pastrues dhe çlirues. Përmes vargjeve nënkuptohet nevoja për t'u çliruar nga pesha e kujtimeve dhe për të gjetur paqe, qoftë brenda vetes, qoftë në ritmin e pandërprerë të piklave të shiut.

Në aspektin psikologjik, shiu shfaqet si një urë lidhëse midis qiellit dhe poetit. Ai perceptohet si një reflektim i lotëve të vetë autorit, duke krijuar një komunikim të heshtur mes botës së brendshme dhe natyrës. Ky raport mes ujit, qiellit dhe vetëdijes merr trajta mistike, sikur natyra komunikon me poetin përmes kodeve të saj sekrete. 

"Shi i zymtë,

puthje të grabitura,

këmbë të trembura

që futen nën ombrellë.

Ç'bukuri e pabesueshme!"

Vargjet ndërtojnë një imazh të fuqishëm poetik dhe pamor, të mbushur me figuracion karakteristik për stilin e Andi Meçajt. Në krijimtarinë e tij vërehet një lidhje e natyrshme midis pikturës dhe poezisë. Sikurse piktori ndërton telajon me ngjyra, poeti ndërton tablotë e tij me fjalë. Lexuesi nuk përballet vetëm me tekstin, por me imazhe të gjalla që shfaqen para syve gjatë leximit. Kjo aftësi vizuale përbën një nga veçoritë më të dallueshme të poetikës së tij.

Në poezinë "Atë ditë të bukur vere...", gjendja emocionale e autorit paraqitet e lëkundur mes dritës dhe melankolisë. Megjithëse vera ka gjallëri dhe lumturi, poeti vazhdon të mbajë brenda vetes një ndjenjë mungese dhe mallëngjimi. Melankolia nuk paraqitet si dobësi, por si mënyrë për të kuptuar dhe përballuar jetën. 

Ai kërkon dritën edhe aty ku ajo mungon, duke e shndërruar atë në një simbol të vazhdueshëm të shpresës. Drita, në forma të ndryshme, përshkon të gjithë librin. Edhe kur nuk është e pranishme fizikisht, ajo ekziston si dëshirë, kujtim ose kërkim shpirtëror.

"Në çdo prekje,

në çdo orendi,

në çdo dhomë

pashë fantazmat,

fantazmat e ikjes sime."

Në rrafshin e kritikës letrare, ky vëllim operon si një thyerje e vetëdijshme e lirikës tradicionale përmes një gjuhe të mprehtë surealiste dhe një strukture urbane. Poezia e Andi Meçajt karakterizohet nga një ngarkesë e fortë lirike, ku ndërthuren melankolia e natyrës dhe kontradiktat psikologjike të njeriut. Në këtë univers poetik, elementet tradicionale të zymtësisë marrin një kuptim të ri estetik, duke u shndërruar në forma të së bukurës.

"Të zymtat mendime të mia,

pse s'qeshni?!"

"Të qeshurit sytë e mi,

pse qani?!"

Vargjet ndërtohen mbi antitezën, personifikimin dhe pyetjen retorike. Këto figura krijojnë tension emocional i cili përshkon poezinë duke vendosur përballë 

njëra-tjetrës gëzimin dhe dhimbjen, dritën dhe errësirën.

Po kështu, në vargjet:

"Qaj edhe ti, o rrugë,

për puthjet e grabitura..."

Shfaqen njëherazi personifikimi, apostrofa dhe metafora. Rruga bëhet bashkëvuajtëse e poetit, ndërsa kujtesa e dashurisë së humbur projektohet mbi hapësirën urbane. Natyra dhe qyteti marrin pjesë në dramën emocionale të subjektit lirik.

Një kthesë interesante poetike vjen me figurën e parukieres Matildë. Ajo përfaqëson jetën e zakonshme qytetare, rutinën, bisedat dhe realitetin e përditshëm. Megjithatë, edhe ajo mbart brenda vetes një "ëndërr të grabitur". 

Përmes këtij detaji, poeti na kujton se dhimbja, mungesa dhe dëshirat e paplotësuara janë pjesë e përbashkët e përvojës njerëzore. Organet e trupit fitojnë pavarësi simbolike dhe shndërrohen në bartëse emocionesh e përjetimesh. Në vargjet:

"këmbët që të trembura struken

nën atë ombrellë"

Ku këmbët personifikojne dhe simbolizojnë frikën përballë së panjohurës, por edhe nevojën për mbrojtje, afërsi dhe intimitet.

Poezia e Andi Meçajt përfaqëson një zë të veçantë të letërsisë bashkëkohore. 

Në të ndërthuren ndjeshmëria lirike, reflektimi filozofik dhe kërkimi estetik. Krijimtaria e tij trajton tema universale si koha, kujtesa, identiteti, dashuria si dhe raporti i individit me vetten dhe botën moderne.

Gjuha poetike është pasur në nëntekste, duke i dhënë secilës fjalë peshë kuptimore dhe emocionale. Lexuesi krijon ndjesinë se poeti po i rrëfen një histori personale, një kujtim apo një ngjarje që ka mbetur e gjallë në ndërgjegjen e tij. Kjo afërsi komunikimi e bën poezinë e Meçajt të ngrohtë dhe njerëzore.

Një nga elementet më të dallueshme të këtij vëllimi është dashuria per njeriun. Asgje nuk paraqitet si boshllëk dhe një prani e vazhdueshme shoqëron poezitë. Vecse një heshtje reflektuese dhe meditative, shndërrohet në një bashkudhëtare e mire dhe e dashur e autorit dhe lexuesit.

Nëse kërkojmë dritën dhe gëzimin në poezitë e tij, i gjejmë kryesisht në këto tri elemente: Gonxhja që guxon të hapet, të qeshë dhe të përshëndesë diellin

Epshi" i bukur i natyrës: Ka një gëzim pothuajse fizik në përshkrimin e petaleve të brishta dhe aromës dehëse, që tregon se jeta gjithmonë gjen forcë të ripërtërihet dhe të festojë ekzistencën e saj pas çdo dimri. 

Katarsisi dhe çlirimi gjenden te "Kjo dritë më transformon" ku  gëzimi shfaqet në formën më të embel shpirtërore: në formën e paqes dhe ekstazës mistike. Disa poezi  jane një himn i vërtetë për vitalitetin dhe energjinë pozitive, aftësia për t'u shndërruar në dritë në fund të çdo udhëtimi të vështirë.

Andi arrin të ndërtojë një ekuilibër mes universales dhe individuales, mes përvojës personale dhe asaj kolektive.

Poezia e Andi Meçajt nuk synon të japë përgjigje përfundimtare, por të nxisë reflektimin. Përmes një gjuhe origjinale, figuracionit të pasur dhe një ndjeshmërie të veçantë artistike.Andi ka krijuar një identitet të dallueshëm poetik, duke u renditur ndër zërat më interesantë të poezisë moderne shqipe.


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page