top of page

Ali Balliu: VIVRA VULLKAN QË NUK SHUHET KURRË

3 hours ago
4 min read



Vazhdon të shpërthejë edhe me heshtjen e saj.....!

Vilhelme Vranari Haxhiraj, me rrënjë e degë nga një familje e madhe fisnike, princërore e Gjergj Arianitit. Ajo ka studiuar dhe përfunduar studimet në UT, në degën e shkencave sociale Histori-gjeografi, me rezultate të  shkëlqyera. Por sistemi, mbështetur në ligjin vrastar të luftës së klasave, i mohoi të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Ishte viti 1990, me ndryshimet e sistemit, që hapi për Vivran, udhën e mësuesisë dhe dyert e shkollave, duke u bërë në moshë të thyer, “Misionare” e dijes dhe edukimit të brezave”. Ishin këto vite të lirisë së mendimit, që krijuan hapësirë edhe për të shkruar, si një dëshirë apo zjarri brendshëm për t’u shprehur. Dëshirë për të shpërfaqur talentin dhe aftësinë në fushën e krijimtarisë letrare, artistike, pedagogjike, shkencore historike, publicistikë të bollshme dhe më tej, studime në filozofi. Plot 72 vepra, njëra më e rëndë se tjetra, jo nga pesha por nga përmbajtja, jo nga kapakët e trashë, por nga pesha e fjalës dhe forca e mendimit, sa letrar aq edhe njerëzor e kombëtar.

Vitet 1950-1990, për këtë grua, si edhe për shumë të tjera, që koha dhe fati i vendosi në anën e kundërt të llogores, kanë qenë vite të rënda persekutimit nga regjimi

Vivra, ose “Princesha e Kaninës”, siç e thërrasin miqtë e saj të hershëm, në këto vite të “Demokracisë”, është dalluar midis atyre pak femrave, që luftuan për të sjellë demokraci dhe emancipim shoqëror. Janë vite të përpjekjeve për të sjellë diçka të re në marrëdhëniet shoqërore, në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, por nuk zgjati shumë, sepse zhgënjimi ishte i madh. U detyrua të shkëputet nga veprimtaria politike e shoqërore, dhe të përqendrohet në letërsi, ku kishte shumë për të thënë dhe ku mundi të botojë vepra që i mbeten kohës si pasuri letrare e intelektuale.

Ajo ka zhvilluar me sukses disa gjini: poezi, skicë, novela, tregim, romane, monografi, studime historike e filozofike, pjesë teatrale për fëmijë, përfshi edhe publicistikën mjaft të gjerë e të larmishme.

Duke parë nga afër botimet e saj, jam i bindur se Vivra, si askush tjetër, në 30 vjet krijimtari, është dalluar për fjalën e saj sa artistike aq edhe të vërtetë. Nuk çuditem, por krenohem kur dëgjoj e këndoj veprat e saj: në analiza, opinione, histori, përshkrime, rrëfime dhe intervista, ku aftësia e saj, kultura dhe përgatitja e lartë teorike e praktike, të detyronte ta dëgjoje me kujdes dhe vëmendje. Zotëronte magjinë e fjalës, qetësinë dhe sigurinë e mendimit të saj, aq sa dikush në biseda shprehej, se Vivra ka shumë shprehje që duhen shënuar, si thënie me vlera për jetën, për marrëdhëniet mes njerëzve, për artin, letërsinë, poezinë, historinë dhe filozofinë.

E vërteta është se te shkrimet e saj, çdo fjalë ka kuptim të gjerë dhe me vlerë për t’u shënuar. Kështu mund të mbushen faqe të tëra me frazeologji, madje mund të botohet edhe libër, pasi janë shumë. Veç duhet durim për t’i mbledhur, veçuar e përzgjedhur.

Për këtë zonjë të madhe, shkrimtare e veprimtare vlonjate, më duhet të shtoj pak fjalë, si pjesë e takimeve në veprimtari letrare në Durrës, ku atmosfera rreth saj ngjallte pranverë. Ndjehej fisnikëria e saj që në fjalët e para. Të them të drejtën me zotësinë e fjalës që nxirrte nga zemra, nga shpirti i vuajtur, nga guximi për t’u ngritur, të tërhiqte ta dëgjoje, ashtu qetësisht, si miq të vjetër.

Çuditërisht në fjalët e saj nuk kishte mllef për ata që i shkaktuan aq vuajtje shpirtërore e fizike. Nuk e di nga i buronte kjo mirësi e pazakontë që e dallonte nga gratë shqiptare. Mbase nga fisnikëria, ose e bindur në vetvete, se ajo nuk e kthente dot kohën e mbrapsht, dhe koha nuk i kthente rininë e shtypur, të shtrydhur, të zhytur në padrejtësi e pasiguri. Nuk e di, a e kishte menduar vallë, se do vinte një ditë që do triumfonte liria, të paktën liria e mendimit.....?

Gjithsesi ajo duroi dhe guxoi të ngrihet si askush tjetër në hapësirën e krijuar. Ndaj edhe për këtë e vlerësoj. Koha ndryshoi për të gjithë, por shumë pak mundën të ngrihen mbi vetveten dhe të krijojnë vlera që i vlejnë shoqërisë dhe kombit.

E lexoj e rilexoj pjesë nga libri monografi “Kush jam unë.......!?”. Nuk më lëshon nga dora. Aty gjen vuajtje, dhimbje, por edhe forcë për të duruar dhe shpresë për të shpresuar. Çuditem ku e gjente forcën ajo grua e fortë për t’u përballur dhe mbijetuar me një shtet diktaturë.....!? Jam i bindur se, pjesët e rrëfimeve të hedhura në libër, mund të shërbejë për cilindo nga të rinjtë, që dëshirojnë të shkojë lart.

E gjitha përmblidhet në pak fjalë: - Vetëm investimi për vete, në dije e kulturë, të bën të pavarur, për t’u përballur me konkurrencën e egër të tregut të punës. Askush nuk ta hap udhën, as portën e oborrit, nëse nuk je i zoti. Askush nuk të ndihmon të ngjisësh shkallët e suksesit, të famës e karrierës, nëse nuk ke gjunjë të fortë t’i bësh ballë vështirësive dhe pengesave.

Cilido këndonjës bindet lehtë për këto që po them: - Mjafton të hidhni një sy në faqet e fundit të çdo libri, ku shënohen veprat dhe vlerësimet për autorin. Një listë e gjatë, që bën ta admirosh për titujt dhe çmimet e dhënë nga personalitete dhe juritë e vendit dhe të botës. Nuk janë pak rreth 33 çmime kombëtare e ndërkombëtare, të ardhura nga të katër anët. Po shkëpus vetëm disa, sa për kujtesë:

. “Urdhri. Mjeshtre e madhe” dhe medalje ari, dhënë nga Presidnti i Republikës. Tiranë.

. Anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane me seli në New York.

. “World Icon of Literature, Auard”, dhënë nga Akademia e shkencave, letërsisë dhe arteve Indiane.

. “Nderi i kombit”. Nga “Unioni i shqiptarëve të Bukureshtit”, në Rumani.

. ”Pena e kristaltë”, në Suedi.

. Me dhjeta çmime dhe çertifikata, në konkurse e takime brenda vendit dhe nëpër botë.

. Faleminderit dhe mirënjohje Vilhelme Vrana, “Princesha e Kaninës, për këtë pasuri të çmuar që na le për brezat e ardhshëm. Emri juaj, nuk do të shuhet kurrë, sepse ke lënë mendjen dhe shpirtin tënd nëpër shkrime e libra, si testament i një profeti, për t’u mësuar, zbatuar e adhuruar.

Shprehem kështu, pasi vë re se edhe pas kaq muajsh që Vivra nuk është më mes nesh, vazhdon të shkruhet për këtë shkrimtare të madhe, sa në Vlorë, Durrës, Tiranë, duke lëvduar edhe personalitete të botës akademike këtu e nëpër botë.

Nderime zonja e madhe Vilhelme Vrana Haxhiraj.......!


Ali Balliu

Durrës, më: 12, të vjeshtës së parë, 2026.


 
 
 

1 Comment


Guest
3 hours ago

Mirënjohje kujdesin që tregonin ndaj shkrimeve tona, edhe pse është. E dielë dhe fund Javed.

Më pëlqeu shumë ky shkrim,si vazhdues i bukur i dhjetra shkrimeve,që i kushtohet znjonjës së Madhe Vilhelme Vranari Haxhiraj, shkrimtares me përmasa kombëtare.

Faleminderit.

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page