top of page

Alfred Papuçiu: Diaspora shqiptare në Zvicër dhe gjuha amtare



(Arkiva tek Fjala e Lirë, e premte, 05 Qershor 2009 06:58:00 GMT)

 

Shpesh herë me bashkëatdhetarë diskutojmë problemin e të mësuarit të gjuhës amtare sidomos për brezin e ri që ka lindur në Zvicër apo ka ardhur në moshë të vogël. Ky është një problem aktual edhe për popuj dhe kombe të tjerë…

Vite më parë kur shkoja për të ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, vëllezërit tanë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e viset, sidomos në fund jave na prisnin në banesat e tyre. Ata shtronin për ne gjithçka të mirë, pinim nga pak raki, por edhe bisedonim për hallet e problemet e tyre. Më kujtohet që Gjystja e zgjuar dhe nikoqire, si dhe i shoqi i saj Gjergji, Shyqyriu, xha Hulusiu i pa harruar, Petrua eruditi, Pustina e sa e sa të tjerë ngrinin problemin e gjuhës shqipe që po humbiste tek shqiptarët në Amerikë. Sidomos tek brezi i ri që kishte lindur në SHBA, vazhdonte shkollën amerikane dhe nuk kishte pasur mundësi të vazhdonte shkollën në gjuhën amtare… Vite më vonë, kjo u ndryshua, pasi edhe atje janë krijuar kushtet për fëmijët shqiptarë, si Mario dhe Amelia e vogël, të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë në gjuhën amtare, si edhe për të shkuar për pushime në Shqipëri a Kosovë. Falë kjo edhe dashamirësisë dhe mundësisë që japin shumë bashkëkombas për të paguar mësuesit ose lokalet ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. por edhe për organizimin e udhëtimeve përtej oqeanit…

Këtu në Zvicër është më ndryshe. Falë mirëkuptimit të autoriteteve zvicerane, fëmijët shqiptarë mund të ndjekin disa herë në javë, përveç shkollës në gjuhën frënge, gjermane, apo italiane e angleze edhe gjuhën shqipe. E ndjej veten shqiptar, ruaj rrënjët nga kam ardhur, mbaj si gjë të rallë pemën gjenealogjike të familjes sime të përgatitur me aq kujdes nga i ndjeri im atë Tuni Papuçiu,shkëmbej vizita me shqiptarë të ndershëm, punëtorë e patriotë. Gjithmonë sëbashku flasim shqip dhe i mësojmë edhe fëmijët tanë të flasin shqip. Një pjesë e tyre janë lexues të rregullt të shtypit shqiptar dhe diskutojnë e qajnë hallet, si dhe përpiqen që fëmijët e tyre të mos e harrojnë Shqipërinë dhe Kosovën.

Pra e përsëris : fëmijët tanë mund të mësojnë frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht por edhe shqip. Dhe kjo është arritur në sajë të lehtësirave të krijuara nga autoriteteve zvicerane që i respektojnë kulturën dhe gjuhën e popujve të tjerë. Në Zvicër gjen librat në gjuhën shqipe të autorëve tanë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Bedri Dedja, Sterjo Spasse, Dhimitër Shuteriqi, Elena Kadaré, Nasho Jorgaqi, Xhevahir Spahiu, Tuni Papuçiu, Teodor Laço, Xhevat Beqaraj, Thani Naqo, Vangjush Ziko, Kostaq Duka, etj., si dhe librat e autorëve zviceranë që janë përkthyer edhe në shqip “ Fëmija shqiptar me sy të zinj ” i profesoreshës së shquar zvicerane Francine Koch,  dygjuhësh frëngjisht shqip, botuar nga shtëpia botuese “ Toena ”( Ky libër përdoret nga shkollat zvicerane për t’u mësuar shkollarëve me origjinë shqiptare gjuhën frënge ); “ Karuzeli i ëndrrave ” i autores së dëgjuar zvicerane Marie Luce-Dayer që po përgatit një përmbledhje tjetër me tregime dygjuhësh frëngjisht shqip, me botuesin Toena ; botimet në shqip të sponsorizuara nga fondacioni zviceran “ Pro Helvetia ” dhe të ndërmjetësuara nga ambasada e Konfederatës zvicerane në Tiranë : “ Historia e Zvicrës ” e autorit Dieter Fahrni (Toena) dhe librin e prof. Koli Xoxi “ Zvicra dhe Dora d’Istria ” ; vëllimin me tregime të autorëve zviceranë “  E çmendura me kostum karnavali ”, botuar me mbështetjen e Departamentit të Shkëmbimeve kulturore Lindje-Perëndim të Pro Helvetia dhe Fondacioni zviceran për kulturën (botues Dituria ) ; do të botohet së shpejti studimi i prof. Jean-Philippe Assal për “ Nënë Terezën ” ; dhe është notuar libri dygjuhësh “ Përrallat e Zvicrës ” i prof. Bedri Dedja(Toena) etj.

Zvicra është një vend i përzemërt që pret, strehon dhe u siguron të drejtat themelore pothuaj 200.000 shqiptarëve. Kam lexuar para disa kohësh në një gazetë zvicerane se së shpejti shqipja do të jetë gjuha e 4-tërt kombëtare në Zvicër. Natyrisht, unë si shqiptar do të isha i kënaqur me këtë mundësi, por realiteti është i tillë që ne duhet të respektojmë në radhë të parë edhe gjermanishten, edhe anglishten, kinezçen, japonezçen, suajilin e lingalan që fliten në Afrikë. Popujt e këtyre vendeve që përfaqësojnë numrin më të madh të banorëve në botë do të dëshironin gjithashtu që gjuhët e tyre të ishin gjuhë zyrtare të Kombeve të Bashkuara. Dhe kjo e drejtë e ligjshme një ditë do të realizohet.

Shqipja ndoshta do të jetë gjuha e 4-tërt kombëtare dhe ndërkombëtare në mijëvjeçarin e 4-tërt dhe këtë do ta gëzojnë brezat tanë të ardhshëm. Prandaj do të ishte e volitshme që ashtu siç bën Zvicra për shqiptarët dhe gjuhën e tyre, të bëjnë edhe shtetet e tjerë qofshin fqinjë dhe më larg. Pasi një ditë brezi i dytë ose i tretë mund të dëshirojë të kthehet në atdheun e prindërve të vet për të jetuar…

E përsëris : Zvicra pret në tokën e saj prej 41 293 km katrorë dhe me banorë rreth 7 million vetë, rreth 200.000 shqiptarë, si dhe një numër të konsiderueshëm italianësh, gjermanë, portugezë, spanjollë, afrikanë e popuj të vendeve të tjerë. Zvicra është konfederatë dhe në këtë vend të vogël, që nuk është as dyfishi i Shqipërisë punojnë e jetojnë në harmoni banorë që flasin katër gjuhë kombëtare : gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe romanshë. Autoritetet e Gjenevës dhe të kantoneve të tjera në Zvicër, kanë krijuar mundësinë që disa herë në javë fëmijët të flasin, të shkruajnë shqip, kanë krijuar bibliotekën e pasur si ajo e Kryqit të Kuq të Gjenevës, apo në bibliotekat e shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm,,ku shqiptarët gjejnë botime të shumllojshme në shqip. Organizimi i përvitshëm i Panairit të Librit në Palekspo të Gjenevës, zakonisht në prill apo maj të çdo viti, ndihmon në pasurimin e këtyre bibliotekave. Aty vijnë botuesit tanë më të mirë dhe sidomos i përkushtuari Eystref Bega, president i « Botimpeks ». Pra Zvicra e kultivon dhe e mbron çështjen kombëtare të popujve të tjerë qofshin këta shqiptarë, italianë, gjermanë, amerikanë, afrikanë, apo të vendeve të tjera. U jep atyre mundësi të shprehen dhe të kenë botime të vendeve prej nga vijnë. Sa kuptimplote janë organizimi i ekspozitave në Pallatin e Kombeve ku kanë pasur mundësi që artistët tanë të afishojnë talentin e tyre, apo organizimi i koncerteve, recitimeve në gjuhën amtare, apo edhe mundësia që duhet t’u jepet personaliteteve të tilla në fushën e muzikës si Marcel Cellier, mik i ngushtë i Shqipërisë, për të nxjerrë diskun e tretë me muzikë popullore shqiptare. Nuk mund të harrohen emisionet e tij prekëse për muzikën e bukur shqiptare, për tokën pjellore të një vendi të vogël, që ka një bregdet të mrekullueshëm, por edhe njerëz punëtorë dhe mikpritës…

Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë, dhe kudo që jemi në çdo shtet të botës kemi bërë emër për korrektësinë, punëdashës, familjarë, që ruajmë zakonet tona dhe të tjerët na respektojnë. Pa çka se ndonjë fqinj yni për hesapet e veta ngre anatema kundër shqiptarëve se janë njerëz që merren me njëmijë e një të zeza. Edhe nëse një pakicë e bashkatdhetarëve tanë për arsye ekonomike mund të bien në prerin e drogës, prostitucionit, shtyrë nga ai fqinj a dikush tjetër që nuk na don të mirën, përsëri shqiptarët ruajnë indentitetin e tyre, gjuhën, zakonet e tyre të mira.

Prandaj sygjerova në kolokiumin që u organizua kohët e fundit në Universitetin e Gjenevës për Kushtetutën e Shqipërisë nga ana e Fakultetit të Drejtësisë së këtij Universiteti, në bashkëpunim me Universitetin e Barit dhe Universitetin e Tiranës që të botohen kumtesat që u mbajtën në kolokium, jo vetëm në gjuhën frënge por edhe në gjuhën shqipe. Një botim dy gjuhësh, do të ndihmonte shumë që edhe brezi i ri të njihte legjislacionin e vendit të vet dhe ta krahasojë atë dhe me legjislacionin e përkyer zviceran.. Me ndihmesën e profesorëve zviceranë, italianë e shqiptarë, por edhe të studentëve të shumtë që studjojnë në Zvicër ne mund të bëjmë shumë për mbrojtjen e gjuhës sonë amtare. Nuk mund të harroj letrën e fundit të profesorit tim të nderuar të gjuhës frënge dhe të përkthimit, prof. Vedat Kokona, i cili duke më dërguar librin e tij “ Thërrime me mjaltë ”, shprehte keqardhjen se një pjesë e shqiptarëve nuk i japin rëndësi gjuhës shqipe dhe përdorin huazime të kota.

Të jesh shqiptar dhe të flasësh gjuhën tënde kudo që të jesh në Zvicër, Amerikë, Kanada, Argjentinë, Australi, Angli, Greqi, Itali, Gjermani, e gjetiu është një respekt për atë komb të lashtë, që megjithëse ka pësuar invazione të ndryshme e ka ruajtur të pastër të pastër gjuhën, zakonet, dhe gjithçka të mirë për t’ua a trashëguar brezave të ardhëshëm, që një ditë ndoshta do të kthehen në tokën e tyre të bukur, buzë detit Jon dhe Adriatikut, në fushat e bukura të Myzeqesë, të Lezhës  apo Devollit, në malet e lartë e të bukur të Veriut, në Valbonë e gjetiu….

Fatmirësisht ka në botë vende me një demokraci shëmbullore dhe një legjislacion të përshtatshëm dhe bashkëkohor si Zvicra që respekton gjuhën, prejardhjen dhe rrënjët e banorëve të huaj që kanë zgjedhur të banojnë qoftë edhe përkohësisht apo përherë në tokën zvicerane, me njerëz të mirë, punëtorë dhe të lumtur…

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page