Albert HABAZAJ: LOT PRILLI PËR MARGARITËN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 3
- 1 min read

Ti, që më 2 prill na erdhe
Ti, që më 3 prill na ike,
Më trishtove, keq ma zverdhe
Një këngë të bukur lirike.
Të thura këngë me refren
Tok me Shqiponjat e këngës
Se vjersha për Ramizenë[1]
Të preku telat e zemrës.
Dhe si divë, zëdrithëruese
E këndove shpirtlënduar,
Në përmasa rrezatuese
Ramizenë yllzbukuruar.
Po sa herë ne biseduam
Ti me at’ zë si mjaltë i mallit,
S'mund ta fshij dot, jo, nuk dua
Numrin tënd të celularit...
Prilli i bukurisë tënde
Si Zonjë e Madhe, ikonë
Si Margaritar në mendje
Më vjen, po aq vesë e njomë...
Ti dje festove datëlindjen
“Nderi i kombit”, po thjesht fare,
Sot më shkasin lotët, s'binden
Për ty, Pishë e Bardhë krenare.
Lot me lule prilli janë
Që më dhembin, sa një plagë,
Rolet vijnë, më ulen pranë
I kam për shpirtin mëllagë.
Ti, që loze Ofelinë
Shpirtëmira engjëllore,
Je një tufë me trëndelinë
Qesh si rreze diellore...
[1]) Ndiq në YouTube: Margarita Xhepa reciton poezinë e poetit Albert Habazaj Pafajshmëria më e pafaj për Ramize Gjebrenë [Nuses së lirisë, dëshmores Ramizè Gjebrea (20 prill 1923 - 6 Mars 1944)]
Ujë i Ftohtë, Vlorë; e enjte: 3.04.2025
Comments