top of page

Albert HABAZAJ: EMILY DICKINSON, LAURETA PETOSHATI DHE SPIRALIZMI: MBRËMJE POETIKE NË VLORË

  • 14 hours ago
  • 11 min read

 

 


 

Albert HABAZAJ

 

Parafjalë

 

Buzëmbrëmjen e këtij 15 maji shkova me kolegun tim, shkrimtarin Eqerem Canaj në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë. Na bëri tok poetë, shkrimtarë, artistë, nxënës, mësues të qytetit dhe pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë veprimtaria: “Mbrëmje poetike: “Më sillni perëndimin në një kupë”, kushtuar poetes së shquar amerikane Emily Dickinson pikërisht datën e yllëzimit të saj në nderim të 140 vjetorit të Paharrimit të poetes së pakohë apo të gjithkohëshme.

 

Ikën dhe erdhën dritat …

 

Veprimtaria, sipas programit, ishte në orën 18:00, kur, çuditërisht nja 10 minuta para orës së shumëpritur, na ikën dritat. U shqetësuam. Për pak çaste ora po shkonte 18:00. Po futeshin një nga një gonxhet e gjimnazit jopublik “Perla” dhe tjetër formë të shndritshme mori Biblioteka.

Gjithsesi, duke diskutuar me Eqeremin vërtet të shqetësuar, si do të bëjmë - më pyet miku im. Mos u mërzit, se dhe po nuk erdhën dritat, janë zemrat e poeteve dhe poetëve, të perlave të “Perlës” së Petritit që do të bëjnë më shumë dritë se dritat elektrike. Njëmendjesuam që ta bënim jashtë, para bibliotekës, por për fat, dritat erdhën dhe ne u qetësuam, u gëzuam dhe zhvilluam një veprimtari shumë të pëlqyer që na la mbresa të veçanta.

 

Programi:

 


Ishte e veçantë, krejt e veçantë ajo mbrëmje poetike me lajtomotivin simbolik “Më sillni perëndimin në një kupë”, kushtuar poetes së shquar amerikane Emily Dickinson, në vatrën me dritë të ngrohtë të qytetarëve vlonjatë, sidomos të shkrimtarëve dhe artistëve tanë,  në mjediset në Bibliotekës Publike "Shevqet Musaraj" Vlorë, ku na mirëpriti me bujari drejtoresha e asaj biblioteke dr. Iltana Koleka me stafin e saj të mrekullueshëm.

Nderim dhe vlerësim për vëmendjen që tregoi drejtoresha e Qendrës së Kulturës dhe Artit të Bashkisë Vlorë, zonja Anxhela Kapllanaj (koreografe e talentuar), drejtuese shembullore dhe e përkushtuar, duke ardhur vetë në këtë veprimtari shumë domethënëse dhe me shumë dashamirësi i shprehëm mirënjohjen si artistët artistes. Me thjeshtësinë e saj të madhe, ajo na nderon, se vërtet është drejtuese e kulturës së qytetit, por, tamam si Dickinson, këto qelizat, këto imtësirat i vlerëson shumë, se pjesëzat bëjnë të tërën.

Pjesëmarrësit: poetë e shkrimtarë të qytetit, intelektualë, mësues, pedagogë dhe nxënës të shkollës jopublike “Perla”, Vlorë me president zotni Petrit Golemin.

Tematika: Poezi të autores Emily Dickinson (10.12.1830-15.05.1886) të shqipëruara nga përkthyesja Laurtea Petoshati.

Moderatore ishte dr. Iltana Koleka, drejtoreshë e bilbiotekës së qytetit, që ishte dhe organizatore e kësaj veprimtarie të bukur shumë. Na nderoi me pjesëmarrjen e saj dhe me fjalën e vlerësuar drejtoresha e Qendrës Kulturore dhe Artit të Bashkisë Vlorë, dashamirësja jonë zonja Anxhela Kapllanaj, e cila bëri dhe përshëndetjen e rastit dhe ia dha fjalën zonjës Koleka për të drejtuar veprimtarinë. Në vijim poetja, shkrimtarja, publicistja, drejtuese e emisionit “Hea” në televizionin lokal “6+1 Vlora TV”, ing. Laureta Petoshati na bëri një vështrim substancial të poetes së shquar amerikane.

Në vijim shprehëm mendime, diskutime, pyetje, përgjigje për Dickinsonin dhe Petoshatin, si dhe recituan poezi, sipas ndarjes miqësisht të mirëkuptueshme që kishin bërë organizatorët, përkatësisht: Albert Habazaj, Anila Toto, Vjollca Aliaj, Lulëzime Malaj, Vera Zaho, Ahmet Demaj, Majli Dukaj, dr. Shpresa Fundo Gjergji, pedagoget prof.as. Edlira Duro Çerkezi dhe dr. Irena Cani (poete, përkthyese), si dhe mësuesja e devotshme Vera Zaho. Perlat e “Perlës”, tek recituan 7 poezi të Dickinsonit (dhe në shqip dhe në anglisht), ishin freskia, ëmbëlsia, qershia mbi tortë, siç u thamë me dashamirësi e dëlirësi. Ja cilat ishin poezitë e Emily Dickinson përkthyer nga Laureta Petoshati, që recituan çupat, nxënëset e Shkollës Jopublike “Perla”, Vlorë me president z. Petrit Golemi:

 

1. Bring me the sunset in a cup -

1/1. Më sill perëndimin e diellit në një tas

2. “Hope” is the thing with feathers -

2/1. “Shpresa” është krijesë me pupla

3. Tell all the truth but tell it slant -

3/1. Thuaje të vërtetën, por thuaje përanshëm

4. I' m Nobody! Who are you? -

4/1. Unë jam Askushi! Kush jeni ju?

5. The Soul selects her own Society -

5/1. Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket

6. If I can stop one heart from breaking -

6/1. Nëse do t’ia ndal një Zemre lëndimin

7. The past -

7/1. E kaluara

 

NGA FJALA IME NË MBRËMJEN POETIKE

 

Përshëndetja:

 

Mikesha dhe miq të dashur të fjalës së bukurshkruar! Ndihem i vlerësuar që organizatorët e kësaj veprimtarie shumë të çmuar për kulturën e qytetit patën besimin për të qenë i pari që do të shpreh disa mendime në këtë mbrëmje më tepër se poetike kushtuar Dickinsonit dhe Petoshatit, si dhe të këndoj një poezi të amerikanes hyjnore.

Aq më tepër që ky aktivitet bëhet në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë, e cila për mua, jo vetëm si poet e studiues, por sidomos për shkak të profesionit si specialist i librit, bibliograf dhe drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë deri ditën që dola në pension (23.03.2025) e tani e në vijim sa të jem, kjo bibliotekë ka qenë, është e do të jetë shtëpia ime e dytë, falë dhe bashkëpunimit shumë të mirë dhe mëse vëllazëror për dobinë e punës përgjatë një çerek shekulli, që me drejtoreshën historike Liljana Gjika, me shkrimtarin Çlirim Hoxha, poeten Elma Rama dhe tashmë me ish - pedagogen e Universitetit “Ismail Qemali” dr. Iltana Koleka, si drejtues të këtij tempulli kulture, që e bënë kaq me dritë këtë bibliotekë, bashkë me stafin, si detashment drite që është gjithmonë në gatishmëri të lexuesve, të qytetarëve të Vlorës dhe jo vetëm.

Siç e shprehu dhe kolegia ime, Tana këtë mbrëmje na bëri bashkë një duet poetik i letërsisë femërore universale: Elisabeta si autore dhe Laureta si përkthyese e më tepër se kaq.

Së bashku me poetë, shkrimtarë e artistë të qytetit, si dhe me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës jopublike “Perla”, po ndajmë magjinë e poezisë së poeteshës kanonike Emily Dickinson. Më 10 Dhjetor poetja ka 196 vjetorin e lindjes, ndërsa sot, pikërisht sot ne, këtu në Vlorë i kujtojmë 140 vjetorit e vdekjes për të dritëruar në univers.

 

Një duet poetik i letërsisë femërore: Emily Dickinsoni - Laureta Petoshati dhe spiralizmi

 


Është vërtet kënaqësi organizmi dhe realizmi i një ngjarjeje kulturore të rëndësishme për ne (e jo vetëm në Vlorë), nga e cila përfitojmë një tjetër përmasë të standardit sipëror, tek na vjen Emily Dickinson, falë jo thjesht përkthyeses, por shqipërueses muzikale me identitet dhe integritet, e cila shprehet me mirënjohje edhe për leksioet që ka pasur fatin të merrte nga Kudret Kokoshi dhe profesor Nestor Nepravishta

Vërtetësisht bukur u shpreh mësuesja dhe poetja e qytetit tonë Anila Toto për Lauretën: “Është një eveniment i rrallë përkthimi dhe studimi i një poeteje të rrallë si Emily Dickinson në qytet. Këtu, maksimumi bëhen promovime të thjeshta të miqve, edhe pse të respektuar, por nuk i kalojmë kufijtë me recitime të një poezie të huaj. Me studimin tënd “ke kapërcyer ylberin” e ke hyrë në një botë studimi dhe pranimi ëndrrash fantazie dhe krenarie si përkthyese, por më shumë si studiuese. Besoj ta kuptojnë dhe ta vlerësojnë studiuesit e artit shkëputjen nga e zakonshmja për të sjellë një standard të ri studimor dhe letrar në qytet. Deri më sot nuk ka guxuar dikush ta sjellë në kët formë”.

Emily Dickinsonin [Emili Dikinsion] me Laureta Petoshatin i bashkon SPIRALIZMI. Ne që jemi mbledhur këtu jemi miq të librit, intelektualë, njerëz të letrave dhe e dimë që spiralizmi është një lëvizje letrare, një konceptim i tërë estetik dhe jo vetëm një çast i historisë, bën paraqitjen e veprës letrare jo vetëm me fuqinë e fakteve, por edhe me lidhjen organike të zhvillimeve dialektike dhe historike të ndërthurura me vetëdijen e personazheve që ndikohen nga prania e njëri-tjetrit dhe ajo e natyrës. Kemi një spiralizëm psikologjik, një përshkrim që ndërthur në formë spiraleje bashkëveprimin e natyrës me ndijimet, perceptimet, ngacmimet, ndjenjat, mendimet, përsiatjet e vazhdueshme dhe gjendjet e brishta shpirtërore që japin mesazhe të thella nga një personazh tek tjetri, por nuk mungon as ens realissimum (qenia më reale) pra Zoti. Spiralizmi ose trans/ spiralizmi, ndryshe nga realizmi, është art demokratik, por hera-herës bën dhe thelbin e tepruar të disa elementëve të realitetit. Thënë shkurt, spiralizmi është një lëvizje letrare që nuk e ndryshon ndjenjën e masës apo të shtrembërojë realitetin, si në poezi, si në prozë. Emilia ishte dallëndyshe e spiralizmit, pioniere e kësaj rryme, fatose e vërtetë e kësaj rrjedhe letrare. Poezia e Dickinson krijon një tablo mendore, si një lozonjare e errët, ku lexuesi i kulturuar dhe i vëmendshëm sheh dhembje, paralizë shpirtërore, humbje të arsyes, vuajtjen si lumturi, vuajtje si lartësim/ katarsis/ puritanizëm, vetminë/ besimin tek trinia e shenjtë, sheh autocensurën, si standard cilësor…

Laureta Petoshati ka përkthyer në shqip poezi të zgjedhura nga poetja amerikane Emily Dickinson, duke sjellë në shqip ndjeshmërinë dhe simbolikën e saj. Përkthimet e saj, si ato të botuara në gazeta kulturore, përcjellin stilin e veçantë të Dickinson, përfshirë tema si vdekja, natyra dhe bota e brendshme. Dickinson luan thellësisht me imazhin, të shkakton tronditje, ka poezi të detajit, të imtësisë, ajo hyn në labirintet e shpirtit njerëzor, depërton deri në ndërlikimet e errëta spirituale e mentale, reale deri në qelizë, deri në shembëlltyrën e padukshmërisë. Mistikja dhe femërorja janë ndër motivet poetike më të tejdukshme të saj, që na mbushin me emocione të fuqishme dhe janë gjurmëlënëse në kujtesën tonë, në tërë qenien.

Poezia e Dickinson konsiderohet kanonike, në kuptimin letrar - kulturor, sepse është autoritare poezia e saj, është standard i lartë i simbolikës letrare, quhet i shenjtë vjershërimi dickinsionian, i shenjtë si bibël poetike, jo vetëm në Amerikë.

Janë shumë poezitë e përkthyera nga Laureta Petoshati, ndoshta një ditë ajo do të na dhurojë një libër me poezitë e amerikanes së madhe në shqip. Fjala vjen poezia "Me të njëjtat çizme plumbi përsëri" - është një nga poezitë që eksploron përjetimin e dhimbjes dhe hapësirën.

Përkthimet, madje më saktë do të thosha, shqipërimet e Lauretës janë vlerësuar në përpjekjen për të identifikuar veten përmes vargjeve të Dickinson, duke ruajtur intensitetin e origjinalit.

Mos ma merrni se po i bëj ndonjë elozh Lauretës, se as unë nuk i kam qejf e them ato që ndjej dhe nuk kam përse tʾi bëj lëvdata të tepruara, as ajo nuk i do, se sʾka nevojë.

Thjesht mʾu kujtua Fan Noli që na pruri e bëri shqiptare gjeninë e jashtëzakonshme të Uilliam Shekspirit me “Jul Qesarin”, “Hamletin”, “Makbethin” dhe “Otellon”. Shqipërimi është i rrallë. Mund të dishë gjuhë të huaj, mund të përkthesh mirë, por shqipërimi është një “zanat”, që janë të paktë ata “ustallarë” që e ushtrojnë mjeshtërisht.

Në këtë rrafsh, nuk po heq paralele, kurrsesi, sepse nuk e kam në natyrë, por theksoj që Laureta punon shumë dhe aq mirë me këtë autore të madhe amerikane, sa që poezitë e saj këndojnë bukur në shqip, duke mbajtur stolitë  e shpirtit sonë letrar, si rimën, ritmin, tingëllimin muzikor të tekstit, sikur Dickinson të ishte një shqiptare.

Kush e ka studiuar poeten amerikane dhe kush e njeh mirë Lauretën tonë, vëren se ato ngjajnë shumë (shprehem jo vetëm në rrashin e antropologjisë kulturore apo të rrymës së spiralizmit, së cilës Laureta i mëshon me theks të veçantë).  

 

Unë do të këndoj një poezi të imtë të Emily Dickinsonit, prurë në shqip nga mikesha jonë idealiste, inxhinierja e ujrave dhe letrave shqip, e cila na bën krenarë në rrafshin e ndërkombëtarizimit të letërsisë edhe nga vlonjatët (nuk është mendjemadhësi kurrsesi, por një e vërtetë, që nuk mund të mohohet):

DËGJOVA NJË ZUKATJE MIZE - KUR VDIQA

Emily Dickinson (1830-1886)

Përth. Laureta Petoshati

 

Dëgjova një zukatje Mize - kur vdiqa -

Në Dhomë gjendja e Qetësisë

Ishte si Qetësia që mbretëron -

Ndërmjet Vrulleve të Stuhisë -

 

Sytë përreth - u shtrydhën deri në tharje -

Dhe Fryma u mbajt shumë fort

Për atë Sulm të fundit -

kur Mbreti Të shfaqej vetë - në Dhomë -

 

Thashë ҫʾlija për Kujtim - Firmosa

Se hiqja dorë nga e imja pjesë

Që mund të jepej - dhe pastaj

U fut aty një Mizë në mes-

 

Me një Zukatje Blu - të paqartë - të çalë -

Ndërmjet dritës - e meje në shtroja -

Dhe Dritaret sʾpo dukeshin më - e më pas

Nuk mundesha të shikoja që të kuptoja -

 

Kuptimi dhe simbolika e poezisë, që loz me imazhin dhe depërton në detaj:

Zukatja e mizës: kjo zukatje përfaqëson një zhurmë të zakonshme, banale dhe tokësore, e cila ndërhyn në momentin solemn dhe final të vdekjes.

Përballja me vdekjen: Në vend të një vizioni hyjnor apo paqësor, poetja përjeton një detaj të vogël fizik. Miza mund të simbolizojë kalbjen, vdekjen e trupit, ose thjesht një realitet që nuk ndalet për vdekjen e askujt.

Dyshimi: Vargu shpesh interpretohet si një ironi mbi pritshmëritë për jetën e përtejme, ku në momentin e fundit, vëmendja zhvendoset nga drita (që pritet të shihet) te errësira apo një bezdi e thjeshtë.

Është një imazh i fuqishëm që përball vdekjen me jetën e përditshme, një emcion që të trand shumë.

 

Dy fjalë përnjohjeje nga jetëshkrimi letrar i autores Laureta Petoshati

 

Laureta Petoshati është poete, shkrimtare dhe përkthyese. Ka mbaruar fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, dega Hidroteknikë në Universitetin e Tiranës në vitin 1987. Filloi punë në vendlindjen e saj Vlorë, në drejtorinë e Ujërave dhe në vitin 1991 mbasi kishte mbaruar një kurs dyvjeçar shtetëror për gjuhën italiane punoi në Gjykatën e Vlorës si përkthyese. Qysh prej asaj kohe e deri më sot, ajo i është përkushtuar përkthimeve, letërsisë dhe publicistikës.

Ka punuar dhe ne Televizionin Vlora Channel ne vitet 2006, 2009 deri 2014 si gazetare dhe përkthyese e përhershme e lajmeve të jashtme. Aktualisht punon si gazetare dhe përkthyese free lance, si dhe drejtuese e emisionit “Hea” në Televizionin rajonal 6+1 Vlora.

Ka botuar në vitin 1996 vëllimin poetik “Perëndesha e Parajsës”, në vitin 2012 romanin historik “Rikthim në Ventotene” dhe në vitin 2016 ka përkthyer poezi të poetit të mirënjohur izraelit Zvika Szterfeld në 2/3 e vëllimit poetik “Tempulli i Vetmisë”. Më 2018 ka përkthyer librin poetik të poetes Ardita Jatru "66 kilos of solitude " nga shqipja në anglisht dhe është botuar nga shtepia botuese Transhendent Zero Press USA, si dhe më 2020 “La leggenda del Lago” nga shqipja në italisht, novelë e shkrimtares Eleni Birçaj Mingu botuar në Lecce Itali. Nga shqipja në anglisht ka përkthyer librin me 100 sonata të poetit Ferik Ferra, librin studimor “Traktati i origjinës së shqiptarëve” të studiuesit Çlirim Hoxha,  librin me poezi “Nga vise të bukura shpirti” të poetes Anila Toto, romanin Sofia të shkrimtarit Çlirim Hoxha, librin me poezi “Ajo natë” të poetes Lela Qejvani, etj.  Duhet përmendur fakti se gjatë kohës së qëndrimit të saj në emigracion USA (1997-2005) ajo ka qenë një nga nismëtaret dhe sekretarja e shoqatës patriotike “Bijtë e Shqipes”, ku ka kontribuar në hapjen e shkollës shqipe si dhe pasqyrimin e aktiviteteve të këtij komuniteti në gazetën Illyria. Për këtë veprimtari më 11 qershor 2017 ajo është nderuar  me Certifikatën e Mirënjohjes nga Shoqata atdhetare-kulturore shqiptaro-amerikane  “Bijtë e Shqipes” me qendër në Philadelphia. 

Veprimtaria e Laureta Petoshatit në publicistikë është e larmishme. Ajo është e spikatur për shkrimet e guximshëm, reportazhet dhe studimet historike të botuara kryesisht në gazetën shqiptaro-amerikane Illyria në Neë York, gazetën “Ndryshe”, si dhe për analizat dhe esetë mbi vepra letrare të botuara në organe të ndryshme kryesisht në gazetën Nacional dhe MAPO. Shoqata Kulturore Mbarëkombëtare "Ismail Qemal Vloraʺ më 28 nëntor 2008 i ka dhënë titullin "Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtareʺ.

Poezi ka filluar të shkruajë qysh fëmijë në rrethin letrar të shtëpisë së pionierit “Bajram Tushi”, Vlorë. Poezitë e saj janë të botuara dhe jashtë Shqipërisë në antologji të ndryshme por kryesisht në Knot Magazine(USA), esetë e saj në anglisht janë botuar në revistën WritingRawPoetry (USA) dhe Tuck  Magazine (USA) ndërsa studimi mbi lëvizjen e re letrare është botuar në Corriere di Puglia e Lucania në Itali, etj. 

Çmimet në përkthime:

 Fituese e vendit të parë në përkthimet poetike në konkursin kombëtar kushtuar 75 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli.

Akademia Alternative Pegasiane  e shpalli përkthyesen e vitit 2016 në konkursin midis 45 vendeve të botës. 

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve "Petro Markoʺ të Vlorës i jep Çmimin "Kudret Kokoshiʺ për përkthim nga shqipja në anglisht të poemës "Guguftuʺ të Ali Asllanit (2008)

Çmimet në poezi:

Çmim të dytë në konkursin poetik të zhvilluar nga Klubi i Shkrimtarëve "Petro Markoʺ Vlorë 2014,

Çmim të Tretë në konkursin Kombëtar Fjala Poetike, 2017 në Tiranë,

Çmimin Special Vepra letrare-shkencore e Institutit Albanologjik të Prishtinës në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë të organizuar nga Lidhja e  Shkrimtarëve të Kosovës, qershor 2017, 

Çmim Special në konkursin Kombëtar Fjala Poetike, 2024 në Tiranë.

Poezitë e përkthyera prej saj nga shqipja në anglisht të disa poetëve të spikatur shqiptarë janë botuar në revista prestigjioze si: Section&Magazine (USA), WritingRawPoetry (USA), The Dallas Revieë (USA), Safe Harbor, Of/with: journal of immanent renditions (USA), Travel Poetics, International Journal of Travel Writing, (USA), HARBINGER ASYLUM, (USA), Duane's PoeTree (USA), Dead Snake, etj.

 

Ja këtë na bënë Emily Dickinson, Laureta Petoshati dhe spiralizmi, na dhuruan një mbrëmje poetike vërtet magjike në Vlorë, që do ta mbajmë mend gjatë si një shembull i udhtimit letrar në qytet.

 

 

 

 

1 Comment


Albert Habazaj
5 hours ago

Nuk ishte thjesht një mbrëmje poetike, por një ngjarje me vlera të larta kulturore veprimtaria për poeten e madhe amerikane Emily Dickinson, pikërisht më 15 Maj 2026, në nderim të 140 vjetorit të yllësimit të saj, të cilën Laureta Petoshati na e bëri shqiptare me dashuri, shpirt e mendim.

Faleminderit i nderuar mik, prof. Fatmir Terziu , sepse falë jush gazeta Fjala Lire është bërë tribunë e shndritme e mendimeve ideve, krijimeve, veprimtarive të mira, të bukura, të dobishme.

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page