top of page

Aktuale dhe fine e tërë novela e Avdulla Kënaçit


Aktuale dhe fine e tërë novela e Avdulla Kënaçit

Fatmir Terziu



Çfarëdo që novela bashkëkohore t'i detyrohet praktikës tradicionale, mund të ketë pak dyshim se për shumë prej nesh novela e sotme duket shumë më komplekse se ajo e çdo periudhe të hershme. Është e tillë se ka shumë arsye, por më kryesorja është tematika që vjen nga termat filozofikë të kohës, hapësirës dhe vendit. E tillë është dhe novela më e re e shkrimtarit Avdulla Kënaçi, me titullin “Bukëshkala”. Në thelbin e novelës është një mori inskenuese që rreket pos boshtit themelor: “Ndjenja e fajësisë është e tmerrshme”. Është një novelë që shkon në kohë, hapësirë e vend dhe ndërton gjeografi të ndjeshme në mesin e një televizioni për Diasporën shqiptare të SHBA-së, kur bosi, një shqiptar që ka emigruar me shumë para në vendin e demokracisë dhe mundësive pasi kishte punuar në port dhe një spikere të televizionit që ka në thelb kontratën trevjeçare të një bukurosheje me “sy të bukur, gati ngjyrë jeshilë, vetulla të zeza, të harkuara, qerpikë të gjatë, fytyrë ovale dhe trupin e një atleteje”. Si e tillë spikerja e ardhur falë aftësive të Dinit, bosit të televizionit, “u bë e njohur në bashkësinë shqiptare, pa kaluar as gjashtë muaj”. Dhe natyrshëm është lehtësisht më interesante të kuptosh ku qëndron aftësia e penës së shkrimtarit që na flet thuajse me një përditësi, me një realitet, me një fakt, që mrekullisht me fjalën dhe idenë, mendimin e tij ka realizuar një artefakt.


Ky artefakt i penës së Kënaçit na jep faturën më interesante bashkëkohore shqiptaro-amerikane në temën e të qenurit „i gjallë“ falë mundësive që të jep shteti demokratik dhe arsyes përtej arsyes së një faktori sa aktual aq dhe dinamik për të hyrë në tjetërsimin ekzistencial të njeriut që rreket përtej parasë dhe faktorëve të tjerë të lidhur me të. Kësisosj personazhet e novelës së Avdulla Kënaçit zhvillojnë metoda për të shijuar dhe zbutur njëkohësisht problemet e tyre: personazhi titullar bosi i Televizionit “Iliria Life” luan me paranë sikur ajo të shiste e blinte nderin dhe faturën jetike të njeriut, aq sa në pikën më kulmore të frikës ai gjen të shprehet tek ajo, pikërisht spikerja dhe e dashura e fshehë e tij, që është dhe një burrë i martuar se „me të ardhurat jemi mirë dhe kam ndërmend të ta rrit rrogën“ dhe më pas u nënshtrohet gjërave të mëdha, "oqeanike", që e bëjnë njëherazi udhtarin më të madh „ në linjën Amerikë- Rinas, më shumë për punë sesa për t’u shmallur me njerëzit e tij të afërt“.

Sisi, protagonistja e novelës së Kënaçit, fshihet në varësinë e tij dhe vazhdimisht shfaqet në plagën e stresit të krijuar nga mungesa e periodave për një kohë të gjatë, gjë që e streson palën në lidhjen e tyre, dhe se shtatëzania bëhet një frikë, dhe një alarm, ku „Bosi kërceu përpjetë sikur ta kishte kafshuar gjarpëri.“ Bosi Dini, ose Din Televizori, krahasuar me Sisin ka një diferencë moshe jo të vogël. Autori na jep detajet „Dini është sa dyfishi i moshës së saj. Janë të dy me origjinë prej të njëjtit qytet, Durrësit. Familja e Sisit jeton në periferi, në tokat e shkripëzuara të kënetës. Kanë zbritur prej Dibrës në fillim të demokracisë. Babai është agronom dhe e ëma mësuese matematike në një shkollë 8-vjeçare, aty rrotull.“

Kështu personazhet fiksohen te zgjidhjet dhe ato që janë krijuar për t'iu përshtatur absurditetit të ekzistencës së tyre kur ndodh kështu „Nuk kishte se si të mos i binte në sy frika dhe dyshimi që pushtoi bosin e saj kur mori vesh se ajo ishte shtatzanë“, por gjithashtu jepen seriozisht, sikur do të funksionojnë. Në ecje e sipër të leximit të novelës jo pak kuptohet absyurdi i përshtatjes, ëndrrës së ndjekur, vrulli dhe sfida e kohës, perceptimi i Amerikës, konkretizimi i arsyes dhe qëllimit, që të jepet nga rregulli, letrat, viza, kontrata, po aq dhe interenti, ku mëson të bëhesh spikere, ngjashmëria me atë që kishte ëndërruar edhe Arbana Osmani e „Top-Channel“ e shumë e shumë gjëra të tjera që pena i qëndis në narrativ, e që ngjajnë me një solipsizëm çlirimtar për të dy qëllimet.

Ka diçka në këtë solipsizëm çlirimtar që ngjan me atë që zakonisht tregtohet sot si mirëqenie. Ai gjithashtu i ngjan një forme ndërveprimi kognitiv të nxitur nga kushtet sociale, i cili e pozicionon përdoruesin si qendër të universit dhe gjithçka tjetër, ngjarjet aktuale, ndjenjat e njerëzve të tjerë, si stimuj kalimtarë, gjithnjë e më të pakuptimtë. Dhe lehtësimi që sjell kjo mënyrë jetese rrëfimtari i ngjeshur në narrativ është i fuqishëm dhe i pamohueshëm edhe pse transparent, flagrant, fals „Rabia i pa fotografitë një nga një: foto në plazh, në Dubai, në Romë, Paris, në det duke notuar, duke u ngjitur tek kulla Eifel në Paris, përpara Operas së Vjenës, Stamboll, Kremlin, Moskë e kudo. Thuajse gjithë fotografitë ishin të zhveshura. Dukej ashiqare qëllimi i kësaj vajze me ato foto të ekspozuara: të reklamonte trupin, hiret e saj, sidomos të pasmet.“ E ky realitet tingëllonte si një propozim, pasi ajo fotografi dëshironte të metonte, të kthente në propozim prurjen e asaj vajze si spikere, ku dyshimi vjen nga Rabia, „Shiko, nga fotot, kjo duket se është një vajzë qejflie, këto lloj vajzash nuk janë për punë, do të të shfrytëzojë për trampolinë, sa për vizë amerikane. Bën një martesë fiktive sa për ta marrë dashnorin përtej oqeanit dhe pastaj: “Lale, ku të kam parë unë ty?!”. Jam kundër, me që më pyete. Sot të mashtrojnë pa ua bërë syri tërr, – bëri vrejtjen Rabia. „

Dhimbja nuk është guri i vetëm i rritjes, i thotë vetes në ecje e sipër narratori lexuesit, ku aktualja mbetet e sigurt se ka rilindur në atë që mbetet faktor dhe aktor i vetë realitetit „Duhet të mbronte embrionin e foshnjës.

Në momentet e fundit, duke nënkuptuar se shoqëria amerikane është evëmendshme pas një përleshjeje që ndodh, ndjejmë arrestimin e Nedin Rrëqebullit dhe omentin kur një zë na rrëfen një epifani thellësisht të çmendur që sugjeron se ajo ka qenë „Bukëshkalë“, „…sa shpejt i harrove të mirat tona! Të kam trajtuar si vajzën time. Na shkatërrove si familje, na vure flakën. Naa, tani duhet të paguajmë edhe dobiçin tënd për gjithë jetën!“ Për momentin e tëra udhëton shpejt në gjeografi për Sisin, tek e ëma në Shqipqri, që mendon se do ta besojë dhe tek shuarrja e atyre fjalëve të Xhildës, po aq në atë psallm heshtjeje, pos ikjes mes policëve të bosit. Novela tenton të flasë gjuhën e njerëzve që ndihen me fat që janë gjallë, edhe kur atyre u kushton jeta si në ndonjë përrallë.

111 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page