top of page

AJO ASHT KOSOVA


KOSOVA - FRYMËZUESE POETIKE (V)


“AJO ASHT KOSOVA E BREGU I ULQINIT”



Nga Sinan GASHI


Njeriu ynë i penës dhe i fjalës së mençur tha dhe evidencoi ato që ishin kaptinë e historisë sonë tragjiko-heroike, ngase kohët ishin të rënda, se ne kishim memecllëk, e mendimi thuhej vetëm poetikisht. Mu për këtë historia jonë ishte shpesh e letraizuar, kështu që letërsia jonë kishte ngjyrosje të fortë historike. Kjo, si duket, bëhej për dy arsye: që të ishte më tërheqëse për lexuesit dhe se poetët ishin qeniet më të ndieshme që u rrëmbyen nga historizmi rrethues.

I Shllakut të Shkodrës ishte Bernardin Palaj (1894-1949) poeti e intelektuali i ardhshëm, i cili dëshmoi për kthjelltësi mendjeje dhe fuqi inteligjencie që në shkollën fillore dhe atë të mesme, të cilat i kreu në Shkodër.

Njohuritë e veta i pasuroi në qytetin Insbruk të Austrisë, ku pas disa kohësh u laurua në dy lëmenj: në filozofi dhe në teologji. Diturinë e akumuluar në Evropë e “derdhi” në qytetin e mësimeve të hershme, përkatësisht në gjimnazin në zë “Illyricum” si mësimdhënës i dy gjuhëve të vjetra: të latinishtes dhe të greqishtes.

Nuk u ndal vetëm me këtë. Shkroi poezi të zjarrta atdhetarie, u mor me studimin e maleve shqiptare si dhe me studimet e mitologjisë, u mor me mbledhjen dhe botimin e folklorit, la dëshmi njohjen e muzikës dhe si instrumentist. Ishte pianist i talentuar. Nga veprat e tij do përmendur vëllimi me vlerë “Studime dhe tekste”, pastaj në serinë “Visaret e kombit” (1937) së bashku me Atë Donat Kurtin, përgatitën dhe botuan vëllimin “Kangë kreshnikësh dhe legjendash”, e po ashtu i është botuar një vëllim poetik më 1969, në ShBA dhe në Itali (Romë). Duhet përmendur edhe një numër të lakmueshëm veprash të tjera letrare, si: “Prej burgut të jetës”, më 1933, “Valët e një shpirti” më 1934. Viti 1937 ishte më prodhimtari, ngase shohin dritën dy poema me vlerë letrare “Varreve të flamurit” dhe “Kuq e zi”. Një poemë tjetër “Ndërmjet Shën Gjergjave” e kishte shkruar në interval kohor nga 1938-1940, në të cilin vit daton edhe vepra e fundit e këtij lloji “Kah nata e vetme”. Pas 1942-es Bernardin Palaj u mor vetëm me studimeve të miteve shqiptare, dokeve e zakoneve si dhe mbledhjen e sistemimin e materialit folklorik dhe kanë vlerën edhe të një gurthemeli studimor. Puna dy-trevjeçare, sa i mbeti deri në arrestim, kur edhe la trupin në burgun e Shkodrës, kurorëzoi publikimin e veprave: “Doke e kanu në Dukagjin” (1942-’43), “Mite besimi e legjenda” (1943), “Dioqezi i Pultit” (1943) dhe “Kanu i maleve” (1944).

Mendime të lakmueshme vlerësuese për këto vepra dhanë studiues të shquar të kalibrit botëror, si: “Agnija Desnickaja”, Norbert Jokli, Eqrem Çabej e të tjerë.

Fati i tij dhe i shumë bashkëmendimtarëve të tjerë ishte i rëndë. Ai u arrestua më 1946, ndërsa pas një torturimi të rëndë vdiq në burg nga sëmundja e sharrës (tetanosi), infektuar nga telat me gjemba. Sa i përket poezisë kushtuar Kosovës dhe fatit të tokave shqiptare mund të thuhet se la dy krijime të frymëzuara dhe mjaft domethënëse: “Kuq e zi”, botuar më 1927 dhe “Kosova e robënueme” më 1937.

Në poemën “Kuq e zi” Palaj shpreh shqetësimin për fatin e shqiptarëve pas vdekjes së Skënderbeut, kur trojet shqiptare ishin në rrezik të copëtoheshin nga sundimtari turk dhe nga shovinistët fqinj sllavë. Poeti njëherë ndihet keq, por sulmet e herëpashershme të shqiptarëve dhe rezistenca e tyre e bënë të jetë optimist jo vetëm në çastet e ndodhjes, por edhe për brezat:


Kur u lëshyen Lekët e malcis

Turr mbas Flamurit t’Shqypnis,

Tuj britë “Burra bini m’ta”.

Zjarm muer toka at herë Shqyptare,

N’Sul t’Janinës e n’at Kelmend;

N’Fush t’Kosovës e n’Urë Tramore,…


Përkufizimi i hartës etnike te ky poet është i qartë, ndaj për këto vende ndien krenari. Ai madje e plotëson mendimin poetik me fytyra të historisë, si Kastriotin, Lekën e të tjerë. Në poezi hetohet ndikimi I këngëve kreshnike, të cilat i mblodhi, i përpunoi dhe i boto: kishte frymën, ritmet dhe figurat e shprehëse të tyre. Po me urrejtjen e njëjtë ai ishte kundër armikut dhe atyre që copëtonin tokat shqiptare, atyre që bënë vrasje e manifestuan dhunë mbi ta.


Ah, për ju, kem n’flamur zi,

Moj Kosovë, moj Çamëri:

Me ju kombi sot derdhë lot!


Shprehet me tone dhembjeje, për ta forcuar besimin te “fatëbardha moj rini”, që janë për poetin “njomzë uzdajet për atdhe’, ngase kemi virtutet e shenjta dalluese kombëtare për t’u dalluar në botë, me histori të lashtë të “Fiz pellazg e iliro-trak”.

Edhe poezia tjetër “Kosova e robnueme”, që si duket ishe e shkruar po aso kohe a pak më vonë se e para, qanë fatin e trojeve shqioptare nën sundimtarët serbë, të cilat ai i sheh si Kosovë. Kosovë është për Bernardin Palajn edhe Ulqini, edhe Peja, edhe Shkupi, edhe Dibra, edhe Prizreni e Gucia. Se ekziston trimëria për çlirimin e trojeve dëshmon me hotjanin e madh Dedë Gjo Lulin, i cili “i nxuer Shqypnis autonomin/TUE I lanë Atdheut ma të madhen nderë”.

Tashti preokupimi është i njëjtë dhe qëllimit nuk i largohet as për pak kohë. Duke qenë përjetues i tragjikës kombëtare, dhembjen e thellë e mbulon herë me shpresën për të ardhmen e forcën e re të brezave, e herë vargun e thotë në formë këshille me ngjyrë kushtrimi. Ai e mendon mënyrën e daljes nga robëria, ashtu siç e shpreh në dy vargjet e fundit të poezisë në shqyrtim:


O të gjithë të lirë,

O të gjithë të mbuluem në nji vorr për’ i herë!


Atdhetarizmi i shprehur deri në fund të jetës së tij manifestohet me punën e pandërprerë profesionale dhe më gjerë, për ta pasuruar kombin e kulturën e tij me vlera të njëmendta dhe për ta bërë me zë para të tjerëve fuqinë e mendjes dhe traditat e lashta e pozitive që ka ky popull i hershëm.

Mbi të gjitha këto Bernardin Palaj çështjen e trojeve shqiptare e sheh drejt, e piketon ashtu siç ishte realiteti etnik, kurse në mënyrë të veçantë i këndon dhe e madhëron Kosovën e heroizmave të pandërprera gjatë shekujve, deri në ditët e vona. Fati i rëndë kishte bërë që ky vend të ketë më shumë heronj, dëshmorë e të rënë, sesa ka gjeneralë një ushtri e një shteti urtak e i përkrahur i viseve përreth nesh.

Në kësi rasti Palaj del njohës i mirë, përjcellës i zellshëm dhe përjetues i thellë i fatit tragjiko-heroik të popullit të vet si dhe i padrejtësive që i ishin bërë gjatë historisë.



KOSOVA E ROBNUEME


Urra! Djelmi! Për Atdhe për liri!

Ç’janë njato fusha andej kufinit,

Tanë veshë me blerim për bukuri?

Ajo asht Kosova e bregu i Ulqinit

Me Pejë e Shkup, Dibër, Prizren e Gusi.


Atje bjen dielli, as erret nata,

U buk e gjak po han Shqiptari i ngratë;

Pse në votër të tij Shkjau ruen me spata,

E shqip as Zotit nuk e len me ia than nji uratë.


Atje në Hot për të parën herë

Nji Ded’ Gjo” Lul’ mbëkambi Malsin,

I nxuer Shqipnis autonomin,

Tue i lanë Atdheut ma të madhen nderë.


Atje fshajnë po Hot e Grudë:

Fiset ma të para në tanë Shqipni

Qe ball për ball me shkja tue u gri

Atdheut të vet mburojë i kjenë në luftë.


Tanë ato troje i shklet Serbijani,

Ku qyqet kandojnë vorr në vorr kangë për mnerë,

Shqiptarë, ju të gjallët s keni shka bani,

O të gjithë të lirë,

O të gjithë të mbuluem në nji vorr për ‘i herë!

1927

Bernardin Palaj

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page