top of page

Agim Vuniqi: Fetaria e banalizuar

ree

Fetaria e banalizuar dhe mungesa e “ecumenizmit” ndër shqiptarë



Kërkimet dhe debatet “fetare” të kohëve të fundit janë bërë pjesë e përditshmërisë, por shpesh në forma të banalizuara, të reduktuara në rituale pa thellësi shpirtërore. Edhe pse jeta fetare është e institucionalizuar, asnjëra nga palët nuk flet me seriozitet për tolerancën, për përbashkësitë që i lidhin njerëzit në fisnikërimin e tyre shpirtëror. Në vend të dialogut të mirëfilltë ndërfetar, shfaqet një heshtje e stisur dhe një vetëkënaqësi që buron nga formalizmi institucional.

Nëpër predikime, media apo simpoziume “pa qëllim”, nënvizohet historia, numërohen shekujt, përsëritet retorika e “600 vjetëve të sundimeve”, pa u ndalur askush për të reflektuar se çfarë kemi mësuar nga ajo histori. Ato kujtime të lënduara janë bërë pretekst për ndarje, jo për bashkim. Asnjëra palë nuk ngulmon në argumente apo në analizë kritike të trashëgimisë sonë shpirtërore; fjalët janë bërë më shumë zbukurim ceremonial sesa mjet për të kuptuar të vërtetën. Në vend të kallëzuesit që tregon veprimin, mbizotëron emri – një “distinct” i zbrazët që lavdëron vetveten, por nuk arrin të frymëzojë.

Feja, në thelb, është thirrje për paqe, mirësi dhe njeri të fisnikëruar, por tek ne ajo shpesh është përdorur si element identitar për të përjashtuar tjetrin. Kisha, xhamia dhe teqeja janë kthyer në adresa të veçanta të përkatësisë, jo në ura të bashkimit shpirtëror. Në shekujt e kaluar, shqiptarët i mbijetuan pushtimeve, ndasive dhe reformave të dhunshme pikërisht falë një tolerance që sot duket se po venitet. Nënë Tereza, që e mishëroi më së miri dashurinë pa kufij fetarë, mbetet përjashtim moral i një shoqërie që rrallë më reflekton mbi mësimet e saj.

Nëse do të kishte sinqeritet të vërtetë fetar, pse Kisha Katolike shqiptare nuk e viziton Stambollin, apo pse Bashkësia Islame e Kosovës nuk udhëton në Vatikan? Pse nuk ndodh një pelegrinazh i përbashkët që të dëshmojë se feja, në esencë, është dashuri dhe shërbesë ndaj njeriut? Do të mjaftonte një gjest simbolik, një udhëtim i përbashkët drejt qendrave shpirtërore të botës, për të treguar se fjala “ecumenizëm” nuk është fjalë e huaj, por vlerë universale.

Në Ballkan, ku ndarjet fetare shpesh janë përdorur si armë politike, mungesa e një fryme bashkëpunimi ndërfetar është plagë e vjetër që ende s’është mbyllur. Serbia e sheh ortodoksinë si shtyllë të nacionalizmit të saj; Bosnja mbetet e ndarë mes tri besimeve që nuk kanë gjetur ende gjuhën e pajtimit; ndërsa në Kosovë, ku feja duhej të ishte ura e përbashkët e shqiptarëve, ajo shpesh përdoret për të matur ndikimin e jashtëm.

Feja nuk është garë për dominim, as për numra, as për pushtet mbi mendjet. Ajo është proces përmirësimi i brendshëm, një udhëtim drejt së vërtetës. Por për këtë, duhet guxim intelektual dhe përulësi shpirtërore — dy cilësi që mungojnë tek shumica e prijësve tanë fetarë, që e kanë shndërruar institucionin në pronë personale dhe besimin në administrim burokratik.

Ndoshta është koha që t’i rikthehemi thelbit të besimit: njeriut. Një njeri që ecën drejt tjetrit, që ndan një bukë e një fjalë të mirë, që nuk sheh tek feja mjet ndarjeje, por horizont bashkimi. Vetëm atëherë mund të flasim për një “ecumenizëm” të gjallë — një bashkëjetesë që nuk lind nga fjalimet, por nga veprat.

Në fund, nuk janë ndarjet që e ruajnë identitetin e një kombi, por aftësia për t’u ngritur mbi to. Dhe ndoshta, për të filluar këtë udhëtim të përbashkët, mjafton një hap i vogël – një vizitë, një takim, një përulësi. Sepse, në fund të fundit, feja që nuk e fisnikëron njeriun është vetëm një emër pa kallëzues.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page