Agim Vuniqi: Adhuruesi i Don Kishotit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 43 minutes ago
- 3 min read

Adhuruesi i Don Kishotit dhe arkitekti i mullinjëve të erës luen k**e me fatin mbi 2 milonë qytetarëve
Agim Vuniqi, San Jose–Prishtinë
Pas çlirimit të Kosovës, mbi supet e shoqërisë u vendos një klimë politike e çuditshme, “tërhiq e mos këput”, që vazhdon edhe sot, 26 vite më pas. Vota e qytetarit kosovar vazhdon të zhvlerësohet nga marrëveshjet e fshehta, nga kompromiset me LS që kthehen në “kushte kushtetuese”, dhe nga partitë aleate të mëdha që shohin shtetin si pronë private. Ideali se vetëm populli duhet të vendosë për fatin e tij është zëvendësuar nga një sistem ku një grusht individësh, disa të prodhuar nga lufta e disa nga biznesi i pasluftës, kontrollojnë institucionet duke i kthyer në paterica të interesave të tyre.
Nga SHIK-u në oligarki politike
Strukturat ilegale të pasluftës, si SHIK-u, që formalisht u prezantuan si “shërbime inteligjente”, në realitet u shndërruan në mekanizma të kontrollit politik, ekonomik dhe social. Sot është e dokumentuar edhe nga raportet ndërkombëtare se këto struktura u përdorën jo vetëm për grumbullim informacioni kundër Serbisë, por edhe për shantazh ndaj qytetarëve dhe rivalëve politikë shqiptarë, këtë e thonte publikisht i dyshuari për spiunazhë, Fatmir Sheholli. Ato krijuan një elitë të pasurish të rinj, të cilët përmes kontratave publike, privatizimeve të dyshimta dhe uzurpimeve, e bënë kapitalin e tyre politik dhe ekonomik.
Edhe në vitin 2025, shumë nga këta te ashtuquajtur ish-komandantë (ata në GJS vetë mohojnë angazhimin e tyre në luftë) apo pasardhësit e tyre vazhdojnë të dominojnë jetën politike dhe biznesore, duke dëshmuar se profiterët e luftës u kthyen në oligarkë të pa-tundshëm të paqes.
Uzurpimi i tokave – dekor i luftës dhe mallkim i paqes
Dosjet e uzurpimeve të tokave dhe pronave private në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e gjetiu janë ende të hapura. Një pjesë e madhe e kryeqytetit është ndërtuar mbi prona të kontestuara. Gjykatat, të politizuara, kanë prodhuar me mijëra procese të vonuara, duke e kthyer drejtësinë në farsë. Rasti i Matiqanit, i cili prek edhe autorin e këtyre rreshtave, është vetëm një shembull i mijëra rasteve kur qytetarët janë kërcënuar, shantazhuar dhe lënë pa pronë nën arsyetimin e “haraçit të luftës”. Odisejada ime e luftës kundër krimit te organizuar që nga Gjykata Themelore deri në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është angazhim imi shumëvjeçar edhe në SHBA
Fakti se shteti i Kosovës nuk ka arritur ta mbyllë këtë plagë për 26 vjet, tregon se pronat nuk janë vetëm çështje private, por mekanizëm i kontrollit politik dhe i mbajtjes peng të shoqërisë.
Dhuna seksuale – krim i heshtur
Në Kosovë, janë dokumentuar mbi 20.000 raste të dhunës seksuale gjatë luftës, por vetëm një numër i vogël i viktimave kanë marrë njohje institucionale. Për vite të tëra, kjo temë është heshtur me justifikimin se mund të dëmtonte dialogun me Serbinë. Por në fakt, heshtja e institucioneve ishte një tradhti morale dhe politike ndaj grave të dhunuara. Edhe sot, shumë prej tyre jetojnë të margjinalizuara, ndërsa shoqëria i ka përdorur si dekor në përkujtimore, por jo si përfitues realë të drejtësisë.
Harresa e aseteve të luftës – fshirja e kujtesës kolektive
Për çudi, edhe pse Kosova ka shpenzuar qindra milionë euro në 25 vitet e fundit, nuk ka një Muze të Luftës së UÇK-së. Asetet e luftës janë të shpërndara, të harruara, të ekspozuara ndaj ndryshkut dhe kohës. Vetura e atentatit kundër rektorit serb Popoviq, apo veturat e Ilir Konushefcit, janë lënë rrugëve dhe fshatrave, në vend që të ishin pjesë e një kujtese publike. Ky është një sabotim i kujtesës historike, që lë hapësirë për narrativat serbe, të cilat mohojnë luftën çlirimtare dhe e reduktojnë atë në një “konflikt lokal”.
Privatizimi dhe “shteti i fajdeve”
Procesi i privatizimit, i udhëhequr nga AKP-ja, është shndërruar në sinonim të grabitjes së pasurisë publike. Nga Ferronikeli te Brezovica, nga KEK-u te ndërtimet në Prishtinë, gjithçka ka qenë arenë për përfituesit e luftës dhe të politikës. Një pjesë e madhe e kapitalit të Kosovës është në duart e pak familjeve që dikur mbanin uniforma ushtarake, e sot mbajnë kravata nëpër borde publike.
Rreziku i presedanëve kushtetues
Kosova është sot një shtet i papërfunduar, i kapur mes kujtesës së plagëve të luftës dhe korrupsionit të paqes. Grabitësit e pronave, profiterët e luftës, fajdexhinjtë e tranzicionit dhe oligarkët e sotëm janë të njëjtët njerëz, vetëm kanë ndërruar maska. Ata u bënë “maskotat” e shtetit të Kosovës, ndërsa populli mbeti spektator i pafuqishëm.
Nëse ky realitet nuk sfidohet me institucione të forta, drejtësi të pavarur dhe kujtesë të organizuar historike, Kosova rrezikon që të mbetet pa prona, pa kujtesë dhe pa sovranitet real – një shtet i zbrazur, i kapur nga hijet e vetvetes.








