Agim Lika: Etika e të shkruarit

Etika e të shkruarit
Nga MSc. Agim Lika
Në ditët e sotme është bërë e zakonshme të dëgjosh njerëz që vetëshpallen poetë, prozatorë apo shkrimtarë. Vetëshpallja është e lehtë, por vështirësia fillon aty ku fjala duhet të mbajë peshën e mendimit dhe përgjegjësinë ndaj lexuesit. Letërsia nuk lind nga dëshira për t'u dukur, por nga nevoja për të thënë diçka që ia vlen të mbetet.
Aristoteli, në themel të mendimit estetik, na mëson se arti nuk është thjesht imitim i jetës, por një akt që synon të vërtetën përmes bukurisë dhe masës. Kur mungon masa, mungon edhe etika. Një tekst i mbushur me vulgarizma, zhargone, fjalor të varfër dhe mendime të pakultivuara nuk është shenjë moderniteti, por dëshmi e varfërisë së formimit kulturor.
Umberto Eco e konsideronte kulturën si një dialog të pandërprerë me librat dhe me traditën. Shkrimtari nuk shkruan vetëm sepse di të bashkojë fjalët, por sepse ka lexuar, ka reflektuar dhe ka fituar përulësinë përballë dijes. Ai që lexon pak, zakonisht shkruan pak; ai që mendon pak, zakonisht shkruan edhe më keq.Edhe Ismail Kadare e ka dëshmuar me veprën e tij se fjala artistike është përgjegjësi. Gjuha duhet respektuar si një pasuri kombëtare, sepse çdo shkrimtar është njëkohësisht krijues dhe ruajtës i saj. Të shkruash pa kujdes për gjuhën do të thotë të cënosh vetë kulturën që pretendon të përfaqësosh.
Sot lexojmë jo rrallë poezi e proza ku mungon disiplina e mendimit, eleganca e shprehjes dhe forca e figuracionit. Në vend të gjuhës së kultivuar, ndeshim zhargone, në vend të metaforës, banalitet; në vend të reflektimit (edhe kur e di që ka bërë shkelje)kemi vetëlavdërim
Letërsia nuk ngrihet mbi zhurmën e fjalëve, por mbi peshën e këtyre fjalëve. Më shqetësues është fakti se disa prej atyre që nuk kanë ndërtuar ende themelet e kulturës së tyre letrare marrin përsipër të shpallin verdikte për krijimtarinë e të tjerëve. Kritika është një akt përgjegjësie dhe kompetence, jo një tribunë për ego personale. Përpara se të gjykosh një autor, duhet të jeshë në gjendje të gjykosh me ndershmëri veten tënde. Ndoshta një "dhomë me pasqyra" do të ishte vendi më i mirë për të kuptuar se sa larg është imazhi që kemi për veten nga ai që shohin të tjerët.
Shkrimtari, poeti nuk matet me numrin e botimeve, me titujt që i vendos vetes apo me duartrokitjet e rastit. Ai matet me cilësinë e gjuhës, me ndershmërinë e mendimit dhe me gjurmën e vërtetë që lë në ndërgjegjen e lexuesit.
Etika e të shkruarit është, mbi të gjitha, etikë ndaj fjalës, sidomos në poezi, ku stili bisedimor e shkërmoq poezinë. Dhe fjala nuk fal. Ajo e zbulon autorin më shpejt sesa autori arrin ta fshehë veten.








Comments