top of page

A KEMI HARRUAR ÇFARË ËSHTË E RËNDËSISHME NË JETË?


A KEMI HARRUAR ÇFARË ËSHTË E RËNDËSISHME NË JETË?


Prof Dr Fatmir Terziu


Para disa orësh një miku im që kishte shkuar për vizitë tek Rexhep Shahu më tregoi se ai kishte qenë sëmurë. Ai ishte ndjerë keq që nuk e kishte mësuar më parë. Sidoqoftë ai shkoi. Ndërsa shkoi e pa Rexhep Shahun të qeshur, ndryshe nga sa e mendonte të mërzitur. Ai kishte një nur tjetër … ishte me njerëz … rrethuar me jetën e tyre… me lumturinë e jetës. Me këtë ndoqa rrjetin social të shihja çfarë kishte ngjarë…

Kontakti njerëzor është ajo që dëshiroj.“ – duket se është thelbi i një postimi në murin e rrjetit social që poeti, botuesi dhe publicisti, Rexhep Shahu ka postuar këto ditë. Në thelb ky postim është qëndrimi i tij në spital. Ky qëndrim i ndodhur nga një goditje tensioni i ka ndezur poetit „emocionalen“, që të shkruaj me respektin më të sinqertë për të gjithë ata që iu gjendën pranë, por dhe për vetë kuptimin e njerëzores, e asaj që kemi harruar se çfarë është e rëndëishme në jetë. Por më parë se të shkojmë tek ajo që ka shkruar Rexhep Shahu, dua të kujtoj pse është mjaft njerëzore dhe e domosdoshme kjo fjali, pra „Kontakti njerëzor është ajo që dëshiroj.“

Dy vjet më parë, kur ndodhi Pandemia, një shok i yni u shtrua në spital. Regullat ishin të ngurta. Por edhe pse ishin të tilla, Përparim Muçës, që vuante nga virusi i tmershëm i Covid-19 i shkoi për vizitë Hysen Ruspi. Ai u ul për një bisedë dhe i ofroi ndihmë bashkë me të shoqen Dr Zamira Ruspi Përfundi, derisa të bëheshe më mirë. Dhe kur një grua e moshuar shqiptare u rrëzua gjatë shëtitjes së saj në një mëngjes, një intelektual anglez pa se çfarë ndodhi nga dritarja e shtëpisë. Duke parë rrezikun për jetën e saj, ai ndezi makinën e tij dhe e çoi në spital menjëherë, dhe priti derisa ajo u bë më mirë dhe e dërgoi në shtëpi. Të afërmit ngelën të habitur.

Këto e disa raste të tjera janë treguar në biseda të ngushta shokësh. Janë mbajtur në thellësi të memorjes, por u zgjuan nga kjo ndjesi e shkruar nga poeti Shahu. Ndryshe të treja bashkë, ndoshta dhe me disa të tjera më sollën një arsye më shumë për një bisedë që ndoqa para disa ditësh në një bankë ndërsa qëndroja për të pritur shërbimin ku biseda baba e bir më solli një mundësi për të kuptuar thelbin…

Një babë e bir po prisnin para një prej sporteleve në bankë. Djali, një burrë rreth të tridhjetave, shikonte me padurim orën në kyçin e dorës çdo disa minuta. Dhe babai, i veshur me një kostum gri të modës së vjetër dhe me një kapelë tradicionale në kokë, priti me qetësi radhën e tij. Pas pak djali nuk u përmbajt dhe pyeti:

– Babi, pse nuk të hapim për internet banking?

- Dhe pse e kam një gjë të tillë? - u përgjigj i rrituri.

– Që të mos keni nevojë të vraponi në bankë sa herë të keni nevojë të transferoni para. Dhe sepse kursen kohë. Mund të blini edhe online. Është e lehtë dhe është shumë më e shpejtë! - tha djali i emocionuar nga ideja për të futur të atin në botën e bankingut në internet.

Plaku mendoi për një moment dhe pyeti:

– Dhe me këtë internet banking... nuk do të më duhet të dal nga shtëpia?

- Pikërisht! – thirri edhe më me entuziazëm i riu dhe filloi të shpjegonte se ka dyqane online për gjithçka. Edhe për sende ushqimore. – Ju porositni dhe jua dërgojnë në pragun tuaj pa dalë nga shtëpia! A nuk është fantastike!

Babai u mendua përsëri pak dhe përgjigja që pasoi i dogji entuziazmin të riut dhe e la pa fjalë:

- Që kur hyra sot në bankë, takova katër miq, fola me një nga punonjëset që tashmë më njeh shumë mirë. Ti e di që jam vetëm... Kjo është shoqëria që më duhet. Kur vij në bankë, bëhem gjithmonë gati, përpiqem të dukem mirë. Më pëlqen edhe ai. Dhe kam shumë kohë të lirë. Kontakti njerëzor është ajo që dëshiroj.

Po, me bankingun tuaj online do të kem më shumë kohë të lirë. Por a do ta kem atë qëndrim njerëzor dhe atë ngrohtësi njerëzore? Pse do të dëshiroja të dorëzoj gjithçka në pragun tim nëse kjo do të thotë se unë "ndërveproj" vetëm me kompjuterin? Më pëlqen të njoh personin me të cilin po bëj Pazar, ose kujdesem për llogarinë time bankare. Krijon marrëdhënie dhe afërsi. A i ofrojnë dyqanet online këto gjëra? Të tjerat janë vogëlsira, që lidhen me vogëlsitë, me hatërmbetjet, me kokëfortësitë. E këtu mendja më shkoi menjëherë, së paku, tek ajo që shkroi vetë Rexhep Shahu:

„Në udhën që shkelet nga këmbët e miqësisë nuk mbin kurrë harresa njerëzore. Për vogëlsitë e mëdha që nuk mbahen dot vetëm për vete si lule të bardha të mollës, që nuk i ha askush i vetëm. Pa lejen e zyrës së frontit të etikës të fb. 25 ditë më parë përfundova në spital e thënë jo në gjuhë mjekësore nga një goditje tensioni. Rrufepritësi im i parë ishte Dr. Ylber Vata. Ai me ndihmën e Dr. Armand Gjana u bë skaner me kontrast. Pastaj përfundova në duart e sigurta të Dr. Eris Ranxha në spitalin e Neurologjisë. Nga Amerika e largët nis interesimin për mua kardiokirurgu i shquar Dr. Ajli Alushani për hatër të të cilit unë vazhdoj ti besoj mirësisë njerëzore. Ai vuri në lëvizje gjithë mekanizmin e miqve kështu që Dr. Aurora Knuti i shpjegoi Dr. Eris Ranxhës gjendjen time kardiake. Tufat e luleve të miqve qarkullonin nga dora në dorë. Dhëndërri im Aldo Sula i tregon rastësisht Mero Bazes. Dhe Mero Baze ndez silurët për të më ardhur në ndihmë. Familjarë dhe miq, plotë dhe gjithmonë pranë meje. Izet Duraku dhe Dr. Kujtimja të pranishëm gjithë kohës. Flamur L Hoxha, Jemin Gjana, Namik Dokle, Alfred Duka, Jonuz Hallaçi, Ermal Lala, në linjë nga Amerika Blerina Bytyçi, Semedije Muçaj, Jetmir Bodini i gjendshëm si rrallë kush, nga Peja Meti Loci dhe plot miq të tjerë si dhe i përditshëm fizioterapistit im i talentuar i cili po me mëson si të sherohem Elton Almadhi.“

Vetë kjo e shkruar më delegoi mesazhin diku tjetër. Diku më larg në kohë…Një kohë kur ndodhesha në Shqipëri dhe isha me një shok rastëisht për të ndihmuar me makinën tonë një të njohurin e tij që sapo dilte nga spitali infektiv. Ndërsa udhëtonin nëpër qytet, njeriu i sëmurë qëndronte në heshtje, duke shtypur nervozisht kapelën e tij që mbante me duar. Kur arritëm para shtëpisë së tij, një shtëpi e vogël, por e pastër në një lagje të periferisë së Elbasanit, ai zbriti nga makina dhe na nxiti neve që të hynim të parët në shtëpi.

- Faleminderit shumë për mirëkuptimin dhe ndihmën tuaj. Ju lutem qëndroni tani për një kafe... të ju prezantoj me familjen time...

Burri tjetër e pranoi ftesën menjëherë se njiheshin dhe me një tundje koke më bëri dhe mua që të hynim brenda dhe të dy kaluam nëpër oborr. Teksa ecnim drejt shtëpisë, i sëmuri u ndal para një peme, duke prekur disa degë me të dyja duart njëra pas tjetrës. Dhe kur hapi derën e përparme, ai kishte tashmë një buzëqeshje në fytyrën e tij. Ai përshëndeti me gëzim gruan dhe puthi dy fëmijët e tij. Kur hymë brenda, nuk kishte asnjë gjurmë nga shprehja e tij e tensionuar dhe e shqetësuar, as nga të qënit në spital.

Ne pimë kafenë, biseduam pak dhe kur vendosëm të dalim ai doli të na përcillte.

„Më falni kureshtjen,“ – i thashë, „por cili ishte ai ritual me pemën para shtëpisë tuaj?“ Më dukej interesante ajo që bëre...

„Oh, kjo është pema ime e problemeve,“ - u përgjigj ai dhe buzëqeshi. - Të gjithë kanë disa probleme dhe ndonjëherë, në ditë si sot, ato grumbullohen njëra pas tjetrës... Por kjo nuk do të thotë që unë duhet t'i sjell në shtëpinë time dhe të ngarkoj familjen time me to. Kështu që çdo natë kur kthehem në shtëpi, thjesht i var në këtë pemë dhe i kërkoj Zotit që të kujdeset për ta. Dhe të nesërmen kur dal, i marr sërish. Por e dini, e çuditshmja është se kur vij në mëngjes, problemet nuk janë aq të mëdha sa një natë më parë.



37 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page