top of page

Hymn


Ideal Serjani.

Poet, Publicist.



Hymn.

Kushtuar bardeve*1 të Maleve të Vetëtimës Neço Muka e Lefter Çipa, këtyre korifejve të këngës himarjote si dhe gjithë plejadës së shkuar, të sotme dhe të atyre që do të vijnë, të këngëtarëve të talentuar në shekuj, që përbëjnë një konstelacion të artë shqiptar, si në asnjë vend tjetër të Botës, në pasuritë dhe vlerat e UNESCOS.


Malet Akrokeraune,

Janë male Vetëtimash,

Prej rrebeshi e furtune,

Kanë dalë këngë trimash.


N’ato male Vetëtimat,

Shkojnë frikshëm, bëhen gjarpër,

Shfryjnë rëndë bubullimat,

Shfryjnë dëndur, fryjnë ashpër.


Dhe pastaj kaluar trimat,

Hipur mbi kuaj të rëndë,

Këngët shkrepin vetëtimat,

Vetëtimat ndezin këngë.


Madhështor i paharuar,

Neço Muko Himarioti,

I ndezur e i pashuar,

Lefter Çipa Pilurioti.


Një plejadë me këngëtarë,

Përzhitur, të përcëlluar,

Që këndojnë duke qarë,

Dhe qajnë duke kënduar.


Neçua i mblodhi vargjet,

Mori borxh edhe pagoi,

U nis në një rrugë të largët,

Dhe në Francë i inçizoi.


Neço këngën himarjote,

E bëre të paharruar,

Ty, Lefter, krahina jote,

Si buqet’ të mban në duar.


Nëpër Akrokeraune,

Shkojnë e vijnë Vetëtimat,

Digjen përpara fortune,

Si shpatat me tringëllima.


I përkundët meloditë,

Me arom’ rrushi të vreshtës,

I përkundët nostalgjitë,

Me er’ të freskët të vjeshtës.


I mbrujtë këngët e tua,

Si këngë të ëmbla të Djepit,

Ta paçim përjetë hua,

Orfeu i Bregut të Detit.


Lefteri vargjet si shkëmbi,

Me qumësht zanash i mëndi,

Me çekiç e dalt’ i gdhëndi,

Burrë me qoshe Kuvendi.


Djem e vajza kur këndojnë,

Bilbilat këngën pushojnë,

Përpara tyre qëndrojnë,

Si vargmale lart qëndrojnë.


Bij etrish, burra vendi,

Bij nënash, qumësht ergjëndi,

Ato vargje ngjyra-ngjyra,

I mban deti në pasqyra.


Përmbi Akrokeraune,

Shkëmb në bes’ e në kanune,

Ato male Fron’ i Zotit,

Me legjenda prej qëmotit.


Lefter merrja me longarë,

Andej nga mesi i prillit,

Në Pilur përmbi Himarë,

Rri si Hëna pranë Yllit.


Eja Lefter për një natë,

T’ia mëleksëm me çobanë,

Eja mos e bën të gjatë,

Ta marrë dreqi, ta marrë!


Të pjekëm thela në prush,

Pranë me dashin Llajush,

Pa t’ia marëm këngës vençe,

Ta përzëmë vdekjen qençe.


Malet ndezin vetëtimat,

Vetëtimat ndezin malet,

Oshëtijnë bubullimat,

Zjarr’ i qiellit nuk ndalet.


A ka vend tjetër në Botë,

Të sokëllim’ kërcëllimës?

Ësht’ Himara kryeportë,

Me Malet e Vetëtimës.


*1. – Bardët- Këngëtarë keltë pas shembjes së Perandorisë Romake dhe fillimeve të Mesjetës. Një nga degëzimet e druideve. Bardët këndonin këngët lirike, kurse filidët, këngët epike.


106 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page