top of page

Fill


Fill

Fatmir Terziu


Ndoshta duhet kthyer nga e pashkruara dhe po aq nga e imagjinuara. A ka të pashkruar?1 Nga e imagjinuara! Ndoshta po. A ka … dhe ti pyet e stërpyet veten. Dhe ti stërpyet … E pashkruara, pastaj kthehesh tek e magjinuara?! Ajo që është e (pa)shkruar, por që mbetet e imagjinuar ka të bëjë me një Mbret. Me një Mbret dhe një Bregdet. Mbreti ishte anglez dhe deti po i tillë. E shkruara dhe e imagjinuara kanë ndodhur bashkë, por shumë kohë më parë. Kohë më parë…

***

Pres saj mësojmë se Mbreti Kanute ishte i rrethuar nga njerëz që gjithmonë e mbivlerësonin atë. Sa herë që ai hynte në një dhomë, fillonin lajkat. E pashkruara nuk dihet, ashtu sikurse fshihet e imagjinuara.

Le ta hamendësojmë. Mbretin si mbret. Mbreti Kanute është në breg. Sigurisht në breg të detit. Aty ka rërë. Ka ujë. Ka dallgë. Ka zhurmë valësh që vijnë e shkojnë vërdallë. Aty ka batica dhe zbatica. Aty Mbreti Kanute kërkon dhe natyrisht e ka karrigen e tij. Dhe aty ulet e ndjek tërë atë lëvizje me kujdes ky Mbret, që sipas të shkruarës së atëhershme është anglez.

E gjitha lëviz në të vërtetë. E gjitha është e sinqertë, e rreptë. E vërtetë. E drejtëpërdrejtë. Lëviz ndonjëherë dhe mjaft shpejt. Dhe Mbreti si mbret, herë e ndjek e herë e lë të qetë. Mbreti tashmë është i lodhur dhe ka rënë …, shkrimi na thotë se ka rënë me fjetë, natyrisht me një të shkruar në një tjetër dialekt.

Ai është Mbret. Mbret i vërtetë dhe ushtarët e oborrtarët i qëndrojnë në këmbë përjetë.

Aty ka gjumë. Ka dhe ëndërra. Dhe ëndërrat e tij nuk janë si në jetën e përditshme. Janë të gjitha të mërzitshme:

„Ju jeni njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë“, do t'i thoshte dikush në veshin e tij të mbushur përqark me push.

„O mbret, nuk mund të ketë kurrë një tjetër kaq të fuqishëm sa ti“, do të këmbëngulte një tjetër.

„Lartësia Juaj, Shkëlqesia Juaj, ju lutem pranoni, se nuk ka asgjë që nuk mund të krijoni“, do të buzëqeshte dikush.

„I Madhërishmi Kanute, ti je monarku i të gjithëve“, do të këndonte një tjetër, që me zërin e tij i dukej sikur po ia shtonte xhindet. „Asgjë në këtë botë nuk guxon që të mos ju bindet“.

Dhe aty Mbreti më nuk duron më. Mbreti e prish gjumin. Dhe kështu duket i lodhur. Ngjan sikur fle ende edhe pse është me sytë hapur.

I afrohet një guaske. I pëshpërit. E ngre dhe e vendos në vesh. Komunikon. Dëgjon dhe hesht. Pastaj qesh dhe i flet. I flet dhe i flet me fjalë të pakuptueshme. Gjuha e tij nuk është më gjuhë e të tjerëve. Është përzgjedhur enkas si një gjuhë e vetme. E vetja? Personalja? E saposhpikur? E sapofolur? E sapodëgjuar…, ndoshta e saposhkruar, nga dikush që i rri në shpinën e tij pas.

Dhe ata heshtin. Habiten. Mërziten. Shqetësohen.

Bo, bo Mbreti!

Mbreti ynë i madh.

Mbreti ynë është në hall.

Mbreti ynë … luaj vend.

Mbreti u çmend!

Dhe Mbreti pushon. Nuk flet më. Pastaj urdhëron. Një pupël, pak bojë dhe një shtjellë të sheshtë, një rrasë mbi rrasë.

Dua të shkruaj disa fjalë. Nuk dua më të flasë.

„Pra, ju thoni se unë jam njeriu më i madh në botë?“ – shkruajti ai dhe e hodhi rrasën në det.

„Dhe ti thua se të gjitha gjërat më binden?“ – dhe fap përsëri rrasa e shkruar iku akoma më thellë në det.

„Bota përkulet para jush dhe ju jep nder“ – më thatë, dhe përsëri një gllaq i madh ndërsa rrasa ikte poshtë me shtrëngatë.

„E ndjej“, shkruajti Mbreti.

Dhe ata vetëm shikonin, herë Mbretin në sytë e përhumbur në fytyrën e tij leshatore, e hërë dorën që lëvizte puplën e ngjyer me bojë në ato rrasa…

U bë gati e tridhjeta që hidhej në det.

E secila kishte një të shkruar. Asnjë e shkruar nuk ishte sekret.

E parafundit kishte shumë emra. Emra ushtarësh, obortarësh, sherbëtorësh…, gjithë rrethnaja që sillej përreth tij.

Dhe pastaj nënqeshi me vete.

Qeshi dhe një herë duke dihatur thellë.

„Nëse unë do të isha budalla a duhet të jeni edhe ju budallenj?“

Dhe përsëri plluq ne det. Por, përsëri nuk ishte i qetë. E trazonte më shumë se dallgët, ajo që s'i hiqej prej sikletit.

Sidoqoftë e shkroi dhe rrasën e fundit.

Rrasa e fundit kishte një pyetje: „Ju të gjithë jeni trima mbi trimat. Besnikët e mi të palëkundshëm. A jeni të gatshëm të më sillni rrasat nga fundi i detit?“

Në breg të Detit në rërë kishte mbetur karrigja e Mbretit, Mbreti me këmbët në ujë, dhe disa pulëbardha, që kishin lënë disa glasa mbi tërë ato rrasa.

Dallgët iknin e vinin, as për Mbretin Kanote nuk donin t'ia dinin…, duke përcjellë trupat e ushtarëve, obortarëve, sherbëtorëve…, gjithë rrethnajës që sillej përreth tij. Ai tashmë ishte i vetëm, vetëm fill.

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page